Albspirit

Media/News/Publishing

Ingrid Mukeli: Kur shteti kontrollon gjithçka…

Mendime e refleksione, momente të strukturës së personalitetit…

“Jeta ime ka qenë mbushur me drama, disa prej të cilave, kanë ndodhur vërtet” – Mark Twain.

Ti je ajo, nuk është një send apo diçka, thjesht ‘atje’, diçka që na e dhurojnë menjëherë, me rrahjet e para të zemrës apo frymëmarrjes. JO. Jetën ose më mirë pjesë të saj, ne duhet t’i fitojmë në çdo moment të ri, e kjo ndodh, sa herë që hapim zemrën e i pranojmë ato me mirënjohje.

Kjo, ndodh edhe me Fatin. Lumturia, apo Fati janë të trembur. Ata largohen, sapo ne fillojme t’i ndjekim. E kështu ik, e ndiq, duket sikur nuk do t‘i kapim kurrë.

Është detyra jonë, që të mos të dorëzohemi, por zemërhapur e me durim, të vazhdojmë t’i ndjekim e t’i thërrasim, derisa ato, të fitojnë besimin, të afrohen e të vendosin për të jetuar me ne…

Jam rritur në një familje të lumtur, si fëmijë e një shkencëtari të suksesshëm dhe një nëne të bukur – prindër të lexuar, që më hapën rrugën për një udhëtim intelektual, shumë herët: Dostojevski, Turgeniew, Pasternak, Tolstoi, Dreiser, Hemingway, Dickens, Stendhal, Hygo, Balzak… do të më merrnin nga dora të më tregonin botën. Gjatë rrugës, thithja me etje e zell gjithçka që kishte për të mësuar, gjëra të reja e të vjetra, nga njeri vend në tjetrin, kapërceja male fusha lumenj dete e oqeane… shikoja mrekullohesha, pastaj mbyllja sytë e i kujtoja… Refleksionet filluan të më zgjonin dëshira e ëndrra, të cilat largoheshin, kur përmendesha e ndjeja një peshë në gjoks. Oh, sa doja të çlirohesha nga ai shtrëngim, të largoja peshën në gjoks, të shkatërroja të gjitha kufijtë e të çliroja veten, por jo vetëm, doja të çliroja shpirtin e gjithë shoqërisë, që ashtu, me zemër të lirë, të kishin mundësinë të zgjeroheshin e riformatoheshin përsëri.

Eh, kohë e bukur e rinisë… humbur në bibliotekën e saj, harroje llogarinë për mbajtjen e shtëpisë.

Kujtoj, që për vite me rradhë, destinacion i udhëtimit tim, për të ushqyer ëndrrat e idealet, do të ishte gjithçka e ndaluar.  Shumë shpejt, fillova të rrebelohem dhe shkak për këtë, ishte hipokrizia. Ishte ajo hipokrizi, e cila u perceptua si e kudogjendur – në vendin e qeverisur nga komunistët, në rrugët e të cilit, nuk dukej asnjë makinë private, duke bërë të mundur kësisoj, si në një fshat të vogël, njohjen e njerëzve e kalimtarëve me njeri-tjetrin.

Kaloja nëpër ato rrugë, për të shkuar në shkollë dhe me sytë pulitur nga dielli i fortë, mendoja për monotoninë në orën e mësimit. Që të shpëtoja prej saj, më ishte bërë si ritual, të pyesja mësuesit për autorë të ndaluar, kënaqesha kur shikoja bezdinë e tyre, për t’u pergjigjur, ndërsa bëja të paditurën e vazhdoja debatin me to…

Diktatura më dha një ndjenjë të largët, vëzhguese për botën.

Mbarova studimet në Akademinë e Arteve për regjisurë, ndërkohë fati e solli të provoja veten disa herë edhe si aktore e të shijoja magjinë e Ibsen, Miller, Pirandello apo Schiller… Çfarë kohësh, në to po jetoja ëndrrën! Perdja hapej – dhe bashkë me të, e gjithë bota më shfaqej përpara. Atmosfera e vendngjarjes, ndërtuar me frymëzim, shoqëruar me ndërthurjen e pistoletave e dritëhijes, fuqia e fjalës dhe e interpretimit, magjepsja e muzikës – të gjitha sëbashku, krijonin atë ndjesi të fortë e të paspjegueshme ndaj Teatrit, ndjesi e cila, si një drogë e fortë, i kthen të gjithë, aktorë e vizitorë, në “skllevër” të tij!

Tema e diplomës sime në regjisurë, ishte një kabare teatri me tekste nga Dino Buzzati, Heinrich Böll, Katherine Mansfield, Berthold Brecht, Azis Nesin, të shoqëruara muzikalisht nga elementë të “all that Jazz” të përzier me “some good old Blues”. Tirana nuk kishte parë kurrë më parë diçka të tillë. Publiku ishte i emocionuar e nuk pushonte duartrokitjet, ndërsa unë… unë gati u dënova rreptë, për këtë “shfaqje amerikane”, siç do e quanin aparatçikët e partisë…

“Detyra e artistit nuk është të tregojë gjërat, por të zgjojë dëshirën” -Hermann Hesse.

Teatri është beteja pa gjak, edhe e paarmatosur, për zemrën dhe shpirtin e audiencës, aktorëve dhe regjisorit – pata fatin të përjetoja nga të dyja anët e aksionit, kësisoj e di, që suksesi varet nga shkalla e sinergjisë, ku të dy palët janë të gatshëm të kthehen në një.

Për mua si regjisore, kjo gjithmonë ka nënkuptuar formulimin e pyetjeve, që inkurajojnë aktorët, të japin përgjigje verbale dhe fizike. Ishte detyra ime, të integroja të gjitha këto në një tërë artistike, ku mendja dhe shpirti, koka dhe zemra, të lidhura me njera-tjetrën e do ishin përmbajtja artistike e veprës.

Fjalë të thjeshta, fjali të qarta, krahasime të fuqishme, te artikuluar e përcjellë bukur në skenë, detyrë kjo, jo fort e lehtë për aktorin e autorin – por e vetmja ama, që do të rezononte tërësisht me audiencën, për ta frymëzuar e bërë të mendojë: Kjo është mënyra  e vetme, kur një vepër skenike mund të  ofrojë ndihmë, për të gjetur formulën, që zbërthen një botë apatike, kompakte, e të pakuptueshme, për ta ndryshuar ate: Ndoshta… ndoshta kjo është magjia që ka mbizotëruar qysh në rininë time, ky besim i verbër tek forca e fantazisë e imagjinatës…

Teatri i mirë nuk bën premtime boshe, sikundër arti, nuk është thjesht, një gjenerator i rinovimit të momenteve të vlefshme të së kaluarës, Jo! Arti është një aktivitet, që krijon diçka konkrete, diçka shkaktuar nga momenti, por që ka një zanafillë të vjetër. Arti është një dialog, që rritet e zhvillohet konkretisht, në varësi të palëve, artistit e publikut.

Censura e shpirtit e vështirësi të tjera, do të më ndiqnin deri në kufirin e shtëpisë sime… Ishte 14 dhjetor 1990. Lotët e lamtumirës, për ëndrrën që shuhej, do të më pengonin të vizatoja siluetën e asaj që formohej rishtaz…

Vjena, metropoli i mendjeve të ndritura, që mundësuan kthesën e progresin botëror në shekullin e kaluar, kur intelektualë e personalitete nga e gjithë bota, do të takoheshin e pulsonin nëpër “Kaffeehäuser”, –  kafenetë e dizenjuara enkas për to, po po, për të frymëzuar ato personalitete, që kërkonin shumë më shumë,  se ajo, që turqit, lanë në ikje e sipër, – kafeja!

Mbërrita këtu, ku ëndrra ime takoi realitetin, një realitet të shoqëruar me ditë pa shkëlqim dhe ngjyra,  ku orët i linin vendin njera-tjetrës me plogështi…

Rrjedha e pandalshme e kohës, për vite me radhë më barti, “lart e poshtë”, apo “vajtje- ardhje”, në rrugën mes Vjenës dhe Tiranës. Disa dokumentarë, emisione kulturore në TV si dhe shfaqje skenike, do të mbanin firmën time artistike, ato vite.

Kështu, “Jo vetëm Kafe”, një program i përditshëm 180-minutësh, i transmetuar çdo mëngjes do të ishte nga projektet e para të mëdha, ku emri im do të dukej në cilësinë e autores e ideatores së formatit, njëkohësisht dhe drejtueses së projektit. Ky prodhim, mjaft i përfolur fillimisht, arriti vlerësime të larta gjatë një periudhës sime tre vjeçare. Kujtoj në atë kohë dhe dokumentarët, prodhuar me Televizionin Shtetëror Shqiptar (RTSH) “Përshëndetje nga Vjena” apo “Java e modës në Tiranë”

Megjithë vështirësitë e skëterrës, në sytë e mi, arti është gjithmonë një punë paqësore; që ndërton ura shpirtërore për njerëzit, përtej të gjithë kufijve.

Kjo është arsyeja pse i kushtoj rëndësi të veçantë momentit ndërkulturor të veprës artistike të lindur nga dialogu midis kulturave!

Disa vjet më parë, një fokus tjetër i aktivitetit tim, do të shënonte një etapë të re, në curriculumin artistik. Në bashkëpunim me Operën Shtetërore Shqiptare, si asistent regjisore dhe përkthyese, më dhanë mundësinë të ndihmoj në formimin e zbatimit të projekteve të shumta kulturore ndërkombëtare, në bashkëpunim me kompani të njohura si Opera Kombëtare e Hamburgut (“Fidelio”, 2006,), Encompass New Opera Theater New York (“Kiss me Kate”, 2007) dhe Staatsoper Wien (“Flauti Magjik “&” Fledermaus “, 2006-2007).

Ky lloj aktiviteti, i cili ka në bazë diplomacinë kulturore, do të kthehej aktualisht në fokusin kryesor, në aktivitetin aktual familjar, por për këtë, do të shkruaj herë tjetër.

Më lejoni të kujtoj këtu, nderin që pata në v.2006, kur më thirrën të moderoja “Opernball”, në Teatrin e Operës në Tiranë.

“Përmbysje e përhershme estetike – kjo është detyra e artit” – Herbert Marcuse.

Dhe çfarë ka mbetur nga gjithë përpjekjet?: Dëshira për art, dëshira për t’i dhuruar shpirtin audiencës, qoftë kjo nga skena apo ekrani, për të përjetuar e festuar sëbashku idealet e lirisë, paqes dhe njerëzimit.

Nuk mbaj mend të kem insistuar ndonjëherë në identitetin tim. Jam një qytetare e botës-kështu e kam pagëzuar veten, -jam ajo, që udhëton midis gjuhëve, vendeve e kulturave të ndryshme. Më pëlqen ndryshueshmëria ime. Më pëlqen, që gjithçka, të cilën e konsideroj të rëndësishme, dëshëroj ta shpreh artistikisht, për të krijuar sinteza e ndërtuar ura, për të hequr kufijtë.

Ky është shqetësimi im dhe detyra ime e deklaruar, për arritjen e të cilës, nuk kam hezituar të  vë në funksion jo vetëm skenën, por dhe media të tjera.

“Yesterday”,- një program televiziv i të shtunave vonë, në të cilin kisha kombinuar “highlights”nga muzika botërore e viteve 50’– 90’, me sekuenca brilante të kinemasë.

Televizioni në veçanti, që të mos humbasë në boshllëkun e një lumi imazhesh, ka nevojë të domosdoshme, të krijojë një realitet, ku si preteks i tij, është arti… Nga ana tjetër, përsa i përket gjuhës vizuale, televizioni është “poliglot”, ka shumë potencial, për larminë e praktikave dhe mundësive të të bërit art.

Si përfundim, në sfondin e çdo vepre artistike, shoh një mundësi të jashtëzakonshme, që lidhet me “karakterin”  personal të saj,  në të ka diçka metafizike, diçka që qëndron pas e lë vend për interpretim. Arti, është gjithmonë një shenjë, një simbol, është mendimi simbolik që i bëri dikur qeniet njerëzore, të kthehen në njerëz…

Le të shpresojme qe kjo praktikë, mund të kontribuojë në ndërtimin e një bote që mbizotërohet nga dashuria, siguria dhe besimi, botë e cila nuk do të diktohet, por do të drejtohet me elegancë e butësi.

Aktualisht, duke marrë shkak nga disa ngjarje të mbrapshta, më qëndron pezull ideja e një dokumentari për vendlindjen time,- Tiranën, qytetin që ka pësuar një transformim të plotë gjatë tre periudhave historike – monarkisë, komunizmit dhe largimit pas-komunist.

Brenda 100 viteve, shkatërruar tri herë, duke sjellë kështu histori të jashtëzakonshme e një mori pyetjesh.

Tirana është unike në fatin e saj, ku brenda një shekulli, i është dashur të “rikrijojë veten përsëri dhe përsëri dhe përsëri…”.

Asgjë nuk është siç ishte 30 vjet më parë. Qytetin  tim duket se e ka përpirë dheu, është zhdukur. Mbi të qëndrojnë fantazmat e së kaluarës, të cilat nuk kanë qenë kurrë të heshtura, por vibrojnë ende… Mendoj që e reja, asnjëherë nuk mund të zhvendosë plotësisht të vjetrën. Roli i “Traditës”, i dritës që ke lënë pas, është unik e i pazëvendësueshëm. Shkëlqimi e energjia e saj, të ndjek, gjithë jetën, ty e brezat në vazhdim… Pikërisht, mungesa e saj, më tremb, për vendlindjen.

Dikush nga ju, mund t’i quaj këto fjali, një kujtim nostalgjik, mbase mbase të shpërfytyruar e ekzagjeruar, – por të gjithë, e perceptojnë botën përmes modeleve të tyre të përvojës, përmes strukturave të mendimit… Historia shumëdimensionale e qytetit tim është rritur me mua; sa më thellë shikoj burimet, aq më shumë aspekte të reja më zbulojnë parasysh, sekretet e tyre.

E ardhmja jonë është më se e pasigurt dhe kjo pasiguri nuk ka asnjë marrëdhënie të lehtë me mënyrat politike, për të hyre apo dalë në një Europë të bashkuar. Një fakt është i sigurt, fati ynë është i lidhur fort me historinë monumentale të këtij kontinenti.

Pak rëndësi, në fund të fundit, unë nuk do pushoj së pari qytetin tim, gjithmonë me sytë e dashur të utopisë.

“Njeriu mund të jetë një hero, në vuajtje, por ai është hyjnor, vetëm kur është i lumtur” – Kleist Penthesilea./ 20 maj 2020

Please follow and like us: