Albspirit

Media/News/Publishing

Hovenier: Anulohet pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023″

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha të martën se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, ai tha se kriza ishte e panevojshme dhe paraqet kthim prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe siç ka thënë sekretari i Shtetit Antony Blinken do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shenja e parë e kësaj është vendimi i natës së kaluar i komandantit të Forcave amerikane në Evropë, Christopher Cavoli, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”. Për Kosovën kjo stërvitje ka marrë fund”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti të marrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, por ai nuk u është përgjigjur kërkesave.

“Po e shqyrtojmë çfarë hapash të tjerë do të ketë. Më duhet të them se në këtë moment, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai duke shprehur keqardhjen për këto zhvillime.

Megjithatë ai shfaqi shpresën se kryeministri Kurti do ta pranojë këshillën amerikane dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri.

Ambasadori Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për qeverinë e Kosovës: të mos ngulë këmbë që kryetarët (që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe) të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen vende alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha ambasadori Hovenier, duke përmendur faktin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në vende alternative.

“Ne besojmë se prania e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai duke theksuar se këto dy veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, paraqet kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e qeverisë së Kosovës, që e kanë krijuar këtë krize në veri”, tha ai duke nënvizuar se ulja e tensioneve do ta kthente vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë pajtuar në muajin mars.

“Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë plotësisht. Ajo e zgjidh edhe situatën në veri. Kjo është një nga arsyet përse ne presim që qeveria të punojë urgjentisht në procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori Hovenier.

Kurti: Qetësimi i situatës, qëllim i përbashkët me partnerët ndërkombëtarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk komentoi sanksionet amerikane, por në një video mesazh në rrjetet sociale tha se ‘orëve të fundit, institucionet kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët”.

Ai tha se kryetarët e komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, “janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë. Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”.

Duke folur për dhunën e së hënës në veri ai tha se “u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë”.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i tha mes tjerash kryeministri Kurti janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.

“Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”, tha ai.

Opozita në Kosovë e alarmuar më sanksionet amerikane

Opozita u shpreh ndërkaq e alarmuar me sanksionet amerikane dhe fajësoi kryeministri Kurti për mungesë bashkërendimi me aleatin kryesor të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës shprehu “zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”. Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”.

Please follow and like us: