Albspirit

Media/News/Publishing

Brikena Bogdo: Komunistizimi i kapitalizmit & politikat fiskale

Jetojmë në një shekull, kur tentohen kthesa të fuqishme, që konsiderohen përtej të majtës dhe të djathtës, por që në thelb po rezultojnë thellësisht të majta.

Kapitali i Marksit u kthye në një manifest për majtistët. Thelbi i tij është puna e papaguar e proletariatit dhe e dyta, më e rëndësishme për këtë teori, rishpërndarja e të mirave materiale, sipas nevojës. Teoria marksiste konsiston edhe në fuqizimin e shtetit, por që përgjatë, implementimit të komunizmit, u shkelën brutalisht të drejtat e njeriut dhe liritë thelbësore të tij. Kjo ideologji, e servirur si tejet humaniste, rezultoi  një utopi, por edhe një nxitëse e instinkteve më kriminale të disa udhëheqësve të vendeve komuniste, që kishte parë njerëzimi, madje shkaktoi shkatërrim të shteteve dhe popujve, deri në varfërim ekstrem. Kjo është arsyeja, përse komunizmi u konsiderua eksperiment, i dështuar. Aktualisht ka një tendencë për fuqizim të rolit të shtetit, si në qeveritë e majta, si në ato të djathta.

Një nga mënyrat që po realizohet kriza e emigrantëve, por jo vetëm, i afrikanëve, apo aziatikëve, por edhe europianëve, është edhe politika fiskale, ku taksimi shumë i lartë i ka detyruar  të lëvizin nga vendi i tyre. Këto politika fiskale, me taksa shumë të larta, po depërtojnë, si në qeveritë e djathta, ashtu edhe të majta. Në Itali, megjithëse në pushtet kemi një qeveri të djathtë. taksat po rriten, pra po shkohet drejt një shteti të fuqishën, apo fuqizim të shtetit. Artizanët, sot në Itali, paguajnë me shumë se 60% taksa. Ky taksim, që arrin deri në 70%, në vendet e Europës Veriore, a nuk është një shfrytëzim nga ana e shtetit, i punës, energjisë së qytetarëve? Në këto kushte. ku ndryshon kapitalisti i kohës së Marksit, me shtetin e sotëm? Ky shfrytëzim a nuk po e varfëron qytetarin, për ta skllavëruar më pas? A po prodhon ky taksim një krizë ekonomike. si ajo e 1929? A po prodhon ky taksim, zhdukjen e shtresës së mesme, ajo shtresë që ruan pavarësinë ndaj shtetit dhe lirinë e tij? Shtetet komuniste i shndërruan të gjithë, në të varfër dhe skllevër. Edhe politikat e sotme po shkaktojnë të njëjtën efekt, me një shtesë, kaosin ndër shtete, krizën emigratore, me finalizim, shtete pa kufij. Një nga format për të shkulur autoktonët nga rrënjët e tyre, është pikërsisht taksimi.

Për sa kohë kapitalin nuk e ka më kapitalisti, por shteti, (duke e marrë nëpërmjet taksave), kapitalizmi ka humbur konturet. Duke i veshur kapotën e shtetit, është shtetëzuar, duke komunistizuar kapitalizmin. Tanimë të dy si kapitalisti si qytetari,  janë viktima të shtetit. Në periudhat e forcimit të rolit të shtetit filozofë të kohës e përfytyruan shtetin një përbindësh me kokë gjigande, me mijra kafka qytetarësh sipër tij. Simbolika është e thjeshtë: shteti gllabëron jetë njerëzish, për ti shndërruar në kafka.  Sot nuk është më një përfytyrim por një realitet. Realisht me këto politika që po ndjekin si qeveri të djathta si qeveri të majta, efekti është thjesht një ndryshim pronari. Kapitalisti nuk është më pronar në kapitalin e tij, por shteti, i cili indirekt dhe direkt po shndërrohet në pronarin e shtetasve të tij por edhe e të gjithë shtetit. Përpara ishin disa kapitalistë, tani janë disa oligarkë që drejtojnë  shtete, të cilët devijojnë punën djersën, kapitalin.

Rishpërndarja e të mirave materiale te njerëzit në nevojë, rezultoi një utopi në komunizëm me efekt varfërimin e të gjithëve, por edhe  mënyrë për të derivuar paranë drejt “shtetit” apo oligarkëve.

Taksimi kaq i lartë për ta rishpërndarë paranë, në njerëzit në nevojë është mashtrimi më i madh. Shoqëria sot e ka tejkaluar kapitalizmin për të instaluar post komunizmin. “Muri i Berlinit”, në fakt nuk ra kurrë dhe komunistizimi i vendeve europiane po realizohet jo vetëm nëpërmjet globalizimit, por edhe nëpërmjet rritjes frenetike të taksave. Muri i Berlinit, jo vetëm nuk ra për vendet e Europës Lindore, po ngrihet  edhe në vendet e Europës Perëndiomore, si një mur ndarës faktik me demokracinë reale. Në demokracinë reale, gjithkush është i lirë të punojë, të shpërblehet  dhe ta paguhet sipas punës. Kjo bën diferencën me teorinë Marksiste, një nga themelet e teorisë së tij, shpërblimi sipas nevojës.

Taksimin progresiv po e praktikon edhe Amerika, ku të pasurit taksohen më shumë “t’ja marrim të pasurve dhe t’ja shëprndajmë të varfërve”,  teori Robin Hoodiane më e parealizuar ndër shekuj.

Cfarë ndryshimi ka midis kapitalistit që nuk të paguante për punën dhe shtetit të sotëm që ta merr pagën nëpërmjet taksimit?

Në botën moderne ajo që duhet të bëjë dallimin apo diferencën midis e majtë dhe e djathtë është pkërisht taksimi,që ndikon drejtpërsëdrejti tek fuqia e individit (taksa e ulët) apo fuqia e shtetit (taksë e lartë). Fakti që vetëm po rriten taksat, tregon që fuqizimi i shtetit tashmë është një realitet. Diferenca e majtë e djathtë sot është një mit, në realitete krejt të tjera. Pra me taksat shumë të larta arrihen automatikisht varfërimi dhe shpopullimi, për të arritur tek shtete pa kufij, globalizëm, qeveri qëndrore, tashmë një përbindësh me miliarda kafka në kokë.

Të gjitha pushtetet kanë dështuar, pikërisht atëherë, kur kanë nëpërkëmbur ekonominë dhe taksimin, me ideologjinë. Në fakt, po ta shohim, në një kronologji 100 vjeçare, shtetin më të fuqishëm në botë, Amerikën, presidentët e tyre, qofshin  republikanë, apo demokratë, brenda një mandati të tyre kanë ndryshuar politikat  fiskale, nga liberale, në shtrënguese, në varësi të rrethanave, jo të ideologjisë. Jo pak here, ka patur disekuilibër hyrjesh tatimore dhe shpenzimesh publike, por kjo aspak e lidhur me një president republikan, apo demokrat. Do ta shohim më poshtë, se përse është futur koncepti i shtetit të fortë edhe nga president republikanë, si Roosvelt, duke depërtuar, detyrimisht në këtë koncept, rolin e taksimit.

Tatimet fikse mbi të ardhurat janë vendosur në vitin 1913, me amendamentin 17 të Kushtetutës amerikane. Në periudhën e Ëoodroë Ëilson-it, u realizua legjislacioni i ri, por që erdhi si rezultat i një sërë reformash, të udhëhequra nga republikanët “progresistë”, të drejtuar  nga Theodore Roosvelt, i cili  tërë jetën u sforcua, të zgjeronte rrezen e veprimit të ndërhyrjes publike. Republikanët amerikanë janë sot për një shtet minimal për pasojë një minimalizim të informalitet, jo maksimalizimi i shtetit, që shkakton automatikisht maksimalizimin e informalitetit.

Në kohën e Roosveltit, taksat ishin mjeti për të kontrolluar tejkalimin e pushtetit të bankave dhe bizneseve të mëdha. Roosvelt-i ndërhyri në një periudhë krize, duke forcuar shtetin dhe kontrollin e tij. Kur kjo periudhë anarkie kaloi, shohim një Roosvelt tjetër,  që promovon “Neë deal”, nje kurs i ri per Amerikën, e dalë nga viti 1929. Në fund të këtij rrugëtimi u bë normalitet për Roosvelt-in, që të zgjeronte bazën e detyrueshme, duke futur tatimin mbi  pagën e punëtorëve. Në pak vite, hyrjet tatimore u rritën nga 7.5, në 43 miliardë dollarë.

Por, testamenti i ri fiskal nisi me Reagan-in në presidencë, në vitin 1980 (përsëri një president republikan), me një frymë të re liberalizmi, apo i ashtuquajturi “shteti zero”, një sistem ekonomik i përqëndruar tek prodhuesit e të ardhurave. Shteti zero nënkupton liri privatit, për të vrapuar drejt fitimit. Nisma private krijon mundësi dhe punë, ndaj favorizohet me çdo kusht. Ameriak në vitin e parë të hapjes së biznesit nuk vendos tatim. Të rrisësh të ardhurat tatimore, nëpërmjet rritjes ekonomike, derivuar nga privati. Kjo politikë ekonomike e Reganit ishte diametralisht në opozitë, kundrejt një presidenti po republikani si Roosvelt-i. Në vitin 1981, pra me presidentin Reagan, kongresi amerikan miraton shkurtimin më të madh mbi taksat dhe tatimet në SHBA, ku të ardhurat mbi tatimet ulen, deri në 750 miliardë dollarë, ne 6 vjet. Linja e të ardhurave fiskale bie gjithnjë e më shumë, në krahasim me daljet, sepse ndërkohë antishteti Reagan çoi në nivele rekord shpenzimet ushtarake. Prandaj, edhe analistët e sotëm mendojnë që, politika ekonomike Reagan-iane ishte fillesa e asaj çka ndodhi në vitin 2008, me krizën financiare dhe borxhin e brendshëm. “Pikërisht, këtu fillon dinamika e zhvillimeve që po jetojmë ende sot” – shprehen këta analistë. Reagan uli taksat por, nuk uli shpenzimet ushtarake. Por kur e analizon në thelb, kriza nuk erdhi për pasojë të uljes së taksave por të rritjes së shpenzimeve ushtarake.

Në këtë mënyrë u vazhdua edhe në vitet e para të presidencës së Klintonit. As presidenti demokrat, nuk pati guximin të rrisë detyrimet, madje, kur u gjend përballë një disniveli alarmant, preferoi të ulte shpenzimet në 490 miliardë dollarë. Të ardhurat tatimore u rritën falë rritjes ekonomike. Ai arriti rritje ekonomike, duke tejkaluar të ardhurat tatimore me 152 miliardë dollarë. Ky ekuilibër, midis hyrjeve tatimore (nëpërmjet rritjes ekonomike) dhe daljeve, pra shpenzimeve, shkëlqeu presidencën e Klintonit. Amerikanët kanë cilësuar periudhat Reagan dhe Klinton, të shkëlqyera, republikan njëri, demokrat tjetri, duke ndjekur historitë e njëri-tjetrit, por që u lanë pasardhësve probleme vërtet serioze.

Siç e pamë, as Klinton-i nuk guxoi te rrisë taksat dhe tatimet, por e menaxhoi situaten në mënyrë brilante, duke ulur shpenzimet. Edhe kur republikanët u rikthyen në pushtet me George Ë. Bush menduan se, gjetën kushtet ideale për një ulje të re liberale të taksave, të përllogaritura në 1 300 miliardë dollarë, në 10 vjet. Ata vazhduan politikën Reagan “shtetit zero”, duke thelluar anarkinë e bankave, të bizneseve të mëdha dhe të gjithë sistemit fiskal. Pikërisht, në fund të vitit 2012, nëse nuk do të ndryshonte ligji i Reagan-it, ishte menduar nga analistët që, SHBA-të do të shkonin drejt humnerës fiskale.

Por, ndërkohë republikanët mbetën shumë të pakënaqur, në marrëveshjen Obama të fund-vitit 2012. Natën e Vitit të Ri, në marrëveshjen për të dalë nga humnera fiskale, ata mbetën shumë të zhgënjyer nga teksti i saj, pikërisht sepse kuptuan një difekt serioz, çekuilibrin mes hyrjeve dhe daljeve, rritjen e taksa për të pasurit, pa u përballur me uljen e shpenzimeve publike.

Amerika ishtë hera e pare, që përballet pas shumë vitesh, me një rritje taksash, duke u kthyer tek koncepti shtet i fortë. Obama, ndryshe nga demokrati Klinton, mbushi arkën nëpërmjet rritjes së taksimit, jo nëpërmjet rritjes ekonomike, politikë brilante e kolegut të tij.

Aktualisht Amerika praktikon taksimin pregresiv, sa më i pasur aq më shumë taksohet. Amerikanët sot po ndërgjegjësohen që po ecin në drejtim të gabuar.

Në këtë kronologji 100 vjecare të shtetit më të fortë të globit kuptojmë që politikat fiskale janë thembra e Akilit për një shtet të fortë apo shtet minimalist. Për sa kohë që përballemi me një rritje taksash në Europë dhe  në Amerikë, kupton që tendenca është globaliste drejt një fuqizimi të shtetit, thënë ndryshe, shtetëzimi globalist. Në këtë kronologji kuptojmë që nëse të ardhurat tatimore rriten falë rritjes ekonomike, ka progres për qytetarët.  Por nëse shteti rrit tatimet, që më pas të ndikojë në zhvillimin ekonomik, do ketë krizë ekonomike dhe varfëri.

Në Shqipëri politikat ekonomike dhe fiskale kanë mbetur peng të ideologjisë dhe korrupsionit. Në Shqipëri ngrihen taksat, dhe njëkohësisht rriten shpenzimet, duke e futur vendin në një krizë të thellë.

Politikat fiskale dhe ekonomike janë ato që në Shqipëri kanë shpopulluar vendin me afër 1 milion shqiptarë. Sapo kemi një rritje të taksimit në 23% për profesionet e lira. Taksa e sheshtë e qeverisë demokrate, pati një ndikim shumë pozitiv në fiskun, pasi uli evazionin fiskal dhe rriti arkëtimet nga biznesi. Pikërisht ndryshimi i politikave fiskale nga qeveria e majtë, në taksimin progresiv solli shkatërrimin e bizneseve, varfërimin e shqiptarëve.

Taksimi dhe rritja e shpenzimeve për armatime po ecin  në progersion të drejtë aktualisht. Sa më shumë vatra lufte aq më shumë detyrime për biznesin dhe rritje taksash.

Jemi përballë një reagimi të fermerëve në të githë vendet e BE, Gjermani, Francë, Greqi, Hungari, Poloni, Itali, Spanjë, Belgjikë, Hollandë, të cilët  po ndodhen përpara vënstirësish, jo vetëm të rritjes së taksave, por edhe favorizimeve që i adresohen Ukrainës, pikërisht për shkak të luftës. Megjithëse ka zëra që flasin që paqja është e mundshme ajo luftë vazhdon, madje nxitet.

Aktualisht në emër të paqes, ndihmës dhe solidaritetit, po ndihmohet Kievi në uljen e detyrimeve për lëndën e parë, për taksat, duke i ulur kostot, por kjo po shkakton automatikisht konkurrencë të cekuilibruar në vendet e BE-së. Kievi ngre alarmin që nëse nuk favorizohet nga BE nuk e përballon dot luftën. Por këto politika favorizuese, ndaj Ukrainws, ndikojnë tek cmimet e fermerëve të vendeve të BE.

Shëmbulli i Shqipërisë me blegtorët, me tregtarët e vendit tregon qartazi se cfarë ndikimi negativist ka një politikë e gabuar fiskale dhe si ndikon në rritejn e varfërisë. Taksa ndaj blegtorëve është 20% nga 6%, që e ka rajoni. Ky taksim kaq i lartë e rrit cmimin e qumështit që blihet nga fermerët në Shqipëri 40-50%  më të lartë se qumështi i fermerëve të rajonit dhe Europës.

Dy janë shkaktarët e mëdhenj të krizave ekonomike, lufta dhe politika fiskale. Historikisht lufta dhe kriza ekonomike kanë udhëtuar bashkë, duke  shkaktuar jo vetëm humbje njerëzish por edhe kriza të rënda ekonomike dhe shkatërrime shtetesh. Por gjithmonë pas luftërave ndryshon skakiera politike, në favor të fituesve të luftës, të cilët ridimensionojnë botën, duke ribërë ligje ku përfshihet gjithmonë e më shumë taksimi si formë nxitëse apo shkatërruese e ekonomisë.

https://www.standard.al/2024/03/15/komunistizimi-i-kapitalizmit-politikat-fiskale/?fbclid=IwAR20GeX1T9X8o_6sebkFMWONr57ooeejEYeU5RfWqiDNCTOKc1MrSsRV4N8

Please follow and like us: