Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Zbritjet s’janë të lehta

 

Mes fjalësh pa peshë,

papritmas sheh një kthesë në jetën tënde.

Mbrëmje dhe stuhi. Dhe vetmi e nënkuptueshme.

Të duhet zbritja nga zeniti i figurave poetike,

atje ku krijove poema të bukura blatimi.

Dhe pastaj rrugës e kupton se krahët t’i kanë cunguar demonë të pabesë.

 

Zbritja s’është e lehtë,

kur s’je engjëll hijelehtë të kërcesh kodër n’kodër,

të fluturosh me retë

ose t’i dëftohesh dikujt në ëndërr.

 

Në sheshin e metaforave ka rrëmujë mendimesh,

paqartësi shprehjesh dhe kaos dëshirash.

 

Njerëzit u blatohen truporeve të larta

dhe një ditë do t’i pështyjnë ato.

 

Fryn erë e fortë dhe ka mendime të turbullta.

Askund s’duket shtëpia e ëndrrave, as tabelat orientuese,

që të dëftojnë rrugën drejt pyllit të lumturisë.

 

Vjen momenti kur duhet të lëvizësh akrepat prapa

dhe e sheh stinën e ftohtë

qe troket në derën tënde.

 

Muret e shtëpisë duke u zvogëluar

dhe turmat duke u zvogëluar

dhe idetë duke u zvogëluar

dhe dëshirat e mbetura udhëve.

Please follow and like us: