Feti Zeneli: “Shpirtra të vdekur” në një poezi të Sadik Bejkos
Për mendjet e ndritura intelektuale, shpesh mjaftojnë pak rreshta për të evokuar ngjarje, periudha dhe përvoja të tëra jetësore. Aty ku të tjerët kanë nevojë për faqe të tëra për të rrëfyer një histori, poeti arrin ta përmbledhë atë në pak vargje, duke i dhënë fjalës një peshë që kapërcen kufijtë e kohës dhe të përvojës individuale. E tillë është edhe poezia “Pas vitesh” e Sadik Bejkos: nëntë vargje që, përtej një rikthimi në qytetin minator të Memaliajt, përmbledhin një histori persekutimi e vuajtjesh, një epokë politike dhe një reflektim të hidhur mbi marrëdhënien e pushtetit me intelektualin. Sadik Bejko nuk kishte shkuar në Memaliaj për t’u punësuar në minierë, si shumë të tjerë, por si një intelektual i ndëshkuar nga regjimi. E shkëputën nga tryeza e redaktorit në Radio-Televizionin Shqiptar, menjëherë pas Festivalit të 11-të, dhe e dërguan në thellësinë e galerive, si të dënuar politik. Kështu, miniera e Memaliajt u bë për të jo thjesht një vend pune, por një hapësirë dëbimi dhe internimi, ku, me urdhër partie, u shkëput dhunshëm nga profesioni, mjedisi kulturor dhe jeta intelektuale. Prandaj, rikthimi i tij në këtë qytet, pas shumë vitesh, mbart një ngarkesë të veçantë emocionale dhe reflektuese, sikundër përshkruhet në këtë poezi: “Pas vitesh/ shkova prapë në qytetin/ Ku më donin të vdekur./ Nuk më kanë dashur atje/ Dhe sot nuk më do asnjeri./ Veç ata që më donin vdekur/ Nuk janë më/ Të gjallët/ Me mua bëjnë fotografi”.
Që në vargjet e para, poeti na përball me një rikthim që nuk mbart asgjë nga nostalgjia e zakonshme. Ai nuk kthehet në këtë qytet për të risjellë në kujtesë çaste të një jete normale apo për të ritakuar njerëz me të cilët ka ndarë përvoja e kujtime të ndryshme. Kthehet në vendin ku dikur mbante në duar “prangat” e punës korrektonjëse, për shkak të bindjeve, qëndrimeve dhe identitetit të tij intelektual, duke u bërë kështu objekt i ndëshkimit politik. Në këtë poezi, Memaliaj më shumë se një vendbanim konkret, shndërrohet në simbol të një Shqipërie që e ndëshkonte intelektualin për mendimin e tij, duke e shkëputur dhunshëm nga bota së cilës i përkiste natyrshëm.
Vargu “Ku më donin të vdekur” ka një fuqi tronditëse pikërisht për shkak të thënies së tij açik. Poeti nuk shprehet thjesht, që nuk e donin, e përflisnin apo e mbanin larg, si të ishte bartës i një sëmundjeje ngjitëse. Ai zgjedh një shprehje shumë më të rëndë, e cila përmbledh në pak fjalë gjithë egërsinë e një klime politike ku mendimi i pavarur mund të konsiderohej faj, ndërsa ndërgjegjja intelektuale trajtohej si rrezik për pushtetin. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me kujtesën e një plage personale, por me dëshminë e një epoke që kërkonte nga individi deri dhe dorëzimin e ndërgjegjes në duartë e Partisë. Për intelektualin e vërtetë, ai që nuk pranonte të vinte dijen, talentin dhe fjalën e tij në shërbim të mekanizmit ideologjik, ndëshkimi merrte përmasa të shumëfishta: largimin nga profesioni, shkëputjen nga mjedisi kulturor, humbje e lirisë dhe dëbim drejt një jete që duhej t’ia zhbënte identitetin. Kjo ishte drama e të dënuarve të ndërgjegjes: ata nuk ndëshkoheshin më shumë për atë që kishin thënë, por për atë që kishte lexuar partia në mendimet e tyre. Kështu, miniera bëhej pasqyrë e një shoqërie të ndarë midis atyre që gëzonin besimin dhe privilegjet e pushtetit dhe një pjese që paguante çmimin e pavarësisë së mendimit. Për këtë arsye, rikthimi i Sadik Bejkos në Memaliaj, pas shumë vitesh, kapërcen kufijtë e një vizite në një qytet të së kaluarës: është një rikthim në hapësirën e kujtesës së tij, por edhe në një kapitull të historisë sonë kolektive, ku fati i një intelektuali të veçantë bëhet dëshmi e fatit të një kategorie të tërë njerëzish.
Por poezia nuk ndalet te e shkuara. Ajo merr një kthesë të papritur me vargun: “Dhe sot nuk më do asnjeri”. Këtu qëndron, sipas meje, thelbi më i rëndësishëm i kësaj poezie dhe arsyeja pse ajo duhet lexuar edhe në raport me aktualitetin shqiptar.
Do të ishte e kuptueshme nëse poeti do të shprehte vetëm dhimbjen për atë që kishte përjetuar dikur. Do të ishte e natyrshme të mendonim se, pas ndryshimit të sistemit, ai do të gjente një shoqëri më të hapur, më të drejtë dhe më të gatshme për të vlerësuar kontributin intelektual. Por poeti na befason me pohimet që bën: armiqtë e dikurshëm nuk janë më, ndërsa ndjenja e persekutimit duket se vazhdon në forma të tjera. Çfarë ka ndryshuar, atëherë; vetëm sistemin politik, apo edhe mënyrën si e trajtojmë mendimin e lirë dhe intelektualin e pavarur? Këtu poezia fiton një dimension që kapërcen përvojën personale të autorit. Ajo na çon te një problem që shoqëria shqiptare vazhdon ta përjetojë si në monizëm: raporti midis dijes dhe pushtetit, midis meritës dhe emërimit, midis autoritetit intelektual dhe autoritetit që buron nga pozita politike. Nisur nga praktika konkrete, shpesh krijohet përshtypja se besnikëria politike, afërsia me drejtuesit dhe gatishmëria për të zbatuar vendime të marra diku tjetër peshojnë më shumë se formimi intelektual dhe aftësia profesionale. Kështu, intelektuali i pavarur mund të mos jetë më i persekutuar si dikur, por rrezikon të mbetet jashtë mjediseve ku merren vendimet. Nuk i mohohet domosdoshmërisht e drejta për të folur, por zëri i tij mund të mos dëgjohet dhe mendimet të mos i merren parasysh. Nuk dërgohet më në minierë, por mund të lihet në periferi të jetës publike. Nuk dënohet për mendimin ndryshe, por mund të anashkalohet pikërisht sepse mendon në mënyrë të pavarur. Dhe kjo është një formë tjetër e përsekutimit shoqëror, shumë më e heshtur se ajo e dikurshmja, por që meriton vëmendje dhe analizë, pasi në realitetin shqiptar, ndryshimi i sistemit nuk e zhduk automatikisht trashëgiminë e mendësive autoritare, të nënshtrimit ndaj pushtetit dhe të mosvlerësimit të meritës.
Një shoqëri që nuk arrin të përfshijë mendimin kritik në vendimmarrje rrezikon të varfërojë jetën e vet publike. Kur institucionet drejtohen kryesisht nga njerëz të zgjedhur për besnikëri politike dhe jo për formim e aftësi, krijohet një hendek midis dijes dhe pushtetit. Kur intelektualët ftohen vetëm për ceremoni, për fotografi apo për të dhënë një pamje kulturore të veprimtarive zyrtare, por jo për të ndikuar në përmbajtjen e vendimeve, shoqëria humbet një pjesë të rëndësishme të kapacitetit të saj kritik. Këtu dy vargjet e fundit të poezisë, “Të gjallët / Me mua bëjnë fotografi”, marrin një domethënie edhe më aktuale. Fotografia është një çast i ngrirë, një dëshmi e pranisë fizike, por jo domosdoshmërisht e afërsisë shpirtërore apo intelektuale. Mund të fotografohesh me një poet, me një studiues, me një njeri që përfaqëson një pasuri të rëndësishme kulturore, por kjo nuk do të thotë se ke pranuar mendimin e tij, se e ke dëgjuar apo se i ke dhënë vendin që meriton. Në këtë mënyrë, fotografia bëhet metaforë e një marrëdhënieje sipërfaqësore me kulturën: dëshira për t’u dukur pranë saj, pa marrë përsipër përgjegjësinë për ta dëgjuar dhe për ta respektuar.
Këtu merr kuptim edhe lidhja që mund të krijojmë me romanin “Shpirtra të vdekur” të Gogolit, që vet autori e quan “poemë”. Te shkrimtari rus, pas titullit fshihet një botë ku njerëzit mund të jenë fizikisht të gjallë, por shpirtërisht të zbrazët, të zhytur në interesin vetjak, hipokrizinë dhe marrëdhëniet e deformuara shoqërore. Në një lexim krahasues, edhe poezia e Sadik Bejkos na fton të mendojmë për një paradoks të ngjashëm: të vdekurit e së shkuarës vazhdojnë të jenë të pranishëm në kujtesë, ndërsa të gjallët e së tashmes jo gjithmonë dëshmojnë gjallëri të ndërgjegjes qytetare. Kjo nuk do të thotë se bota e Bejkos është e njëjtë me atë të Gogolit, por se të dy krijuesit, në mënyra të ndryshme, na ndihmojnë të shohim se vdekja nuk është gjithmonë vetëm një gjendje fizike. Ndonjëherë ajo mund të jetë edhe mungesë e ndërgjegjes, e ndjeshmërisë dhe e përgjegjësisë morale.
Ajo që e bën “Pas vitesh” një poezi me peshë të veçantë është pikërisht fakti se Sadiku nuk na ofron një përfundim ngushëllues. Ai nuk thotë se koha i shëroi plagët, se shoqëria e kuptoi gabimin apo se njerëzit ndryshuan. Ai ndalet te një konstatim i hidhur: dikur e donin të vdekur, sot nuk e do askush.
Natyrisht, këtë varg nuk duhet ta lexojmë si një pohim literal por si një hiperbolë poetike, përmes së cilës poeti arrin të shprehë një shqetësim që nuk kufizohet te jeta e tij personale. Ai na kujton se një shoqëri nuk mund të quhet e emancipuar vetëm sepse ka ndryshuar institucionet dhe rregullat e saj formale. Ajo duhet të ndryshojë edhe raportin me dijen, kulturën, meritën dhe mendimin e pavarur. Në këto kushte, intelektuali nuk ka nevojë për fotografi për të dëshmuar vlerën e dijeve dhe mundësive të veta. Ai ka nevojë që mendimi i tij të dëgjohet, vepra e tij të lexohet dhe kontributi i tij të vlerësohet. Ka nevojë për institucione që nuk e shohin si dekor, por si një zë që mund të ndihmojë shoqërinë të kuptojë më mirë veten.
Dhe pikërisht këtu shfaqet paradoksi më i thellë i kësaj poezie: Sadiku i ka mbijetuar kërcënimit, e ka shndërruar përvojën e dhimbshme në krijimtari, ka ndërtuar një vepër të pasur letrare dhe ka fituar një vend të merituar në kulturën shqiptare. Megjithatë, mbijetesa dhe suksesi nuk e shlyejnë gjurmën e përndjekjes. Kur kthehet në vendin ku dikur “e donin të vdekur”, ai nuk përballet thjesht me kujtesën e një të kaluare të largët, por me një plagë që koha nuk ka mundur ta mbyllë plotësisht. Në fatin e tij përvijohet edhe fati i shumë të tjerëve, të cilët, ndonëse i kanë shpëtuar dhunës, persekutimit dhe përjashtimit, nuk kanë mundur të çlirohen tërësisht prej tyre. Sepse njeriu mund t’i mbijetojë kohës së përndjekjes, por jo gjithmonë edhe pasojave të saj, pavarësisht nga ndryshimi i sistemit. Ndoshta pikërisht për këtë arsye këto nëntë vargje duhen lexuar jo vetëm si kujtim i një periudhe të errët, por edhe si një thirrje për të reflektuar mbi Shqipërinë e sotme. Sepse Memaliaj, në poezinë e Sadik Bejkos, nuk është vetëm miniera e dikurshme. Është Shqipëria e djeshme dhe e sotme, me ndryshimet, kontradiktat dhe plagët e saj të pambyllura. Dhe pyetja që mbetet pezull, përtej poezisë, është kjo: A kemi ndërtuar një shoqëri që i vlerëson intelektualët për mendimin dhe veprën e tyre, apo ende kënaqemi duke u fotografuar me ta, ndërsa vendimet ua lëmë të tjerëve në dorë?
https://www.gazetatema.net/kulture/shpirtra-te-vdekur-ne-nje-poezi-te-sadik-bejkos-i599290