Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Shkrepsja

Shumë mijëra vjet më parë, një burrë me mjekër hyri me nxitim në një shpellë të ngushtë. I ngarkuar në një krah shkarpa, dhe shkurre në anën tjetër.
Aty kishte strehuar familjen.
Shkundi borën nga lëkurat e kafshëve që e mbulonin.
Jashtë, era ulërinte; bora lëvizte horizontalisht.
Strukur në qoshe, familja e gjitha dridhej. Hipotermia ishte vetëm disa minuta larg fëmijës më të vogël.
Duke u dridhur, mblodhi shkurret. Mbi to vendosi një grup shkopinjsh, duke futur një shkop si pykë, dhe një degë të hollë midis tyre. Vendosi pëllëmbët në secilën anë dhe filloi t’i fërkonte me lëvizje të shpejta, duke rrotulluar shkopin në mes.
Familja e shikonte, duke pritur me dëshpërim të ngrohej.
Ngadalë, filloi të dilte tym. U formua një pikë e kuqe, gjithnjë e më e ndritshme. Pika e ndezur u shndërrua në flakë të vogël; e mbrojti me trupin e tij, duke mos lejuar që era ta prekte.
Më në fund, të gjithë u mblodhën, duke u zhytur në shpëtim vetëm sepse ai kishte arritur të ndizte zjarrin.
Nuk them se zjarri është shpikja më e nënvlerësuar. Por mjeti aty në xhepin tuaj – shkrepsja – është.
Please follow and like us: