Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: NDOK PISTULLI, NUK T’HARRON SHKODRA!

 

 

 

NDOK  PISTULLI (1942 – 1977)

 

Edhe pse qyteti i vjetër i Shkodrës po kalonte një prej diktaturave ma të mnershme komuniste të shekullit XX, ajo do të mbetet ndër qytetet ma të nderueme dhe të pamposhtuna të Europës së robnueme. Ishte qyteti i 26 burgjeve dhe hetuesive komuniste që nuk flente asnjëherë e qetë. Pak e aspak familje Shkodrane nuk kanë provue terrorin vrastar komunist.

Po, asnjëherë Shkodrën nuk e ka pushtue pesimizmi e vujtja komuniste!

Prindët tonë përdorshin një thanje: “Hajt, se Zoti do ta bajnë mirë”!

I atij brezi optimist ishte dhe Ndok Pistulli, i njohun “djaloshi muzikant”!

Ishe shumë i rij kur e njofta Ndokun e Pistullorve të Shkodrës, edhe pse atë nuk e lidhte mosha me Gac Çiurçinë e Lek Gjeloshin, po prirja e tij në artin muzikor e shoqnonte me Franc Palin, Viktor Jubanin etj., që do të ringjallnin shpresa të mëdha në brezat e ardhshëm të Shkodres.

Ndokun e njofta aso kohe kur ai shkonte dhe bante mësim në piano tek mësuesja Ida Melgushi, mbasi dyert e shkollave shtetnore ishin krejt të  pamujtuna me u hapë për Ndok Pistullin dhe rrethin e tij shoqnor, i cili mërrijti me u njoftë si grup muzikantash vetëm me përpjekjet private. Ai ishte talent i rrallë dhe njihej për veshin e tij absolut, që pavështirsi ai i dallonte notat muzikore që kushdo mujte me prekë në një pjanofortë. Ndoku vertetë se qysh fëmijë ishte i talentuem po, ajo që e dallonte atë në shoqni, ishte përpjekja autodidakte e tij që e bani të njoftun muzikant.

Ndoku jo vetëm në studimin e pianofortës, por edhe të harmonisë e kompozicionit ishte i pajisun me vullnet e talent të rrallë dhe mërriti të njifet ndër pjanistët e nivelit të naltë që aso kohe kishte Shkodra.

Ai ishte disa vite edhe në orkestrën sinfonike të Shtëpisë së Kulturës në Shkodër. Por muzikanti i ri Ndok Pistulli ishte aq i talentuem sa  ndinte si nevojë të domosdoshme shpirtnore me kompozue. Prirja muzikore tek Ndoku nuk kishte kufi të caktuem, Ai ecte vetëm perpara pa u ndalue.

Ndok Pistulli u ba me të vertetë i njoftun nga mësimet që ai mori nga zonjusha Ida Melgushi, po një ndihmesë e madhe per Ndokun ka kenë edhe lidhja e tij me muzikantët Tonin Harapi, Tonin Guraziu, Nino Saraçi dhe së fundi me të madhin kompozitor Prenk Jakova, ku afirmoi vedin si muzikant i përkryem dhe shumë i talentuem.

Ndok Pistulli asht e vertetë se nuk u lejue të përfundonte asnjë shkollë artistike, po prirja e tij nuk e përjashtoi asnjëherë nga artistët e njoftun e të talentuem të atij qyteti që e vendosi në vendin e merituem për të gjitha cilsitë e tij e kryesisht, për karakterin e mrekullueshëm në shoqni. E mos harroni asnjëherë se formimi i njeriut në shumë familje qytetare shkodrane asht kenë themeli i përjetshëm i edukatës së mrekullueshme n’ Shkodërlocen tonë! Kam frikë se pikrisht këte cilsi po punohet me e shkatrrue me kamngulje edhe sot në të gjitha drejtimet nga qeverisja aktuale atje. Kjo asht fatkeqsi që po i humb Shkodrës pikrisht atë cilsi që nuk ka mujtë me ia zhduk as diktatura ma barbare dhe terroriste e komunizmit të diktatorve Ever Hoxha dhe Ramiz Alia, të cilët kishin si piksynim shfarosjen kulturore dhe qytetare të atij qyteti martir e Hero!

Herën e fundit unë e takova Ndokun tek Dugajt’ e Reja dhe u ndalueme e bisedueme kryesisht për t’ ardhmen tonë që s’ na jepte asnjë shpresë. Më çuditi shumë optimizmi i tij dhe shpresa e madhe për një t’ ardhme!

As nuk mund të mendojshe atë ditë se nuk kam për me e takue kurrma!

Asht e vërtetë që Ndoku e mbylli jeten shumë para kohe, po ajo forcë e madhe e optimizmit të tij nuk më largohet kurr nga mendja e ndoshta, sot mbas kaq shumë vitesh, ajo më shtyn me e kujtue kryesisht si artist dhe njeri me formim të mrekullueshëm shpirtnor, qytetar e atdhetar!

Jam i sigurt se sot shokët e miqtë e rij e kujtojnë me dhimje largimin e Ndokut nga kjo jetë, mbasi karakteri i tij ishte i veçantë e mreslanës.

Kujtimet per Ndok Pistullin janë të përjetshme se i atillë ishte Ndoku! Dhe kam bindje se as Shkodra nuk e harron asnjëherë Ndok Pistullin!

Kujtimi i Ndokut nuk shlyhet asnjëherë nga shkodranët e moshës së tij dhe t’ atyne që ndoshta, e kanë pa vetëm njëherë tue kalue rrugës!

Ky ishte pra, Ai Shkodrani i paharrueshëm e muzikanti Ndok Pistulli!

 Melbourne, 6 Prill 2024.                                                       

 

Please follow and like us: