Albspirit

Media/News/Publishing

GJON MILI: “MAGJIA E OPERЁS” – NJЁ VEPЁR DHE 72 FOTO TЁ PANJOHURA TE TIJ

1. Ballina e librit “The Magic of the Opera” (Magjia e Operës) nga Gjon Mili dhe Mary Ellis Peltz., 1960.
Kristaq BALLI 
PЁR HERЁ TЁ PARЁ NË PUBLIKUN SHQIPTAR
GJON MILI: “MAGJIA E OPERЁS” – NJЁ VEPЁR DHE 72 FOTO TЁ PANJOHURA TE TIJ
Veç krijimtarisë së paçmuar artistike në fushën e fotografisë, ku Gjon Mili, i cili gjeneroi e çoi përpara një rrymë e disa gjini moderne artistike, falë aplikimit krijues të teknologjive të reja të ndriçimit (stroboskopik) dhe të hapësirave që mundësonte ajo për disa tipologji e forma të reja fotografimi novator (“foto në lëvizje”, “foto stroboskopike”, “vizatime me dritë”, “ “fotografi pa formë”, etj.), siç e kemi përmendur edhe herë të tjera, ai ishte edhe një letrar, gazetar e memorist i sprovuar. Publiku shqiptar është i njohur kryesisht me dy prej librave të tij madhorë në format katalogu e kujtimesh të realizuar plotësisht nga ai: “Picasso’s Third Dimension” (Dimensioni i Tretë i Pikasos), A Triton Press Publication, 1970 dhe “Gjon Mili: Photographs & Recollection” (Gjon Mili: Fotografi dhe Kujtime) New York Graphic Society Boston, 1980, të cilët përbëjnë prurje madhore e autentike artistke.
Herë-herë është përmendur shkarazi edhe një libër tjetër, i cili s’është bërë i njohur në Shqipëri, madje edhe pas viteve ’90 të shek. të kaluar për arsye krejt subjektive. As në Kosovë. Madje edhe pse kjo është vepra e parë e botuar si libër, i takon vitit 1960 dhe është format katalogu (A4) me shumë foto dhe përshkrime tekstuale, si dhe mjaft cilësor në aspektin pamor, grafik e fotografik. Vepra quhet “The Magic of the Opera”. (Magjia e Operës), (botim i Frederick A. Praeger, Inc.,New York, in cooperation with the Metropolitan Opera Association, 1960.) Si veçori është fakti që ky libër katalog është realizuar nga dy bashkautorë: Gjon MIli dhe Mary Ellis Peltz. Mili është autor i fotove, kurse Mary Ellis Peltz është autore e teksteve bri fotove dhe diçiturave të tyre. Nuk e dimë si e ka historinë e fillimit, përgatitjes, bashkëpunimit dhe editimit ky libër në fund të viteve ’50, kohë në të cilën janë shkrepur edhe fotot e brendisë së tij nga Gjon Mili. Dimë vetëm që gjatë kësaj kohe Gjon Mili vijonte të fotografonte dhe botonte me sukses për revistën “LIFE, ndërsa bashkautorja Mary Ellis Peltz ishte përgjegjëse e Arkivave të Operas Metropolitane të Nju Jorkut. Madje, ajo është, gjithashtu, autore e bashkautore edhe e disa librave të tjerë mbi historinë e operës; njëheresh ka qenë edhe poete.
Vepra “The Magic of the Opera” (Magjia e Operës), ashtu siç premton edhe vetë titulli është një himn pamor dhe letrar i përkorë, një tregim i thjeshtë, konçiz, plot lirizëm fluid, me humor, me tekste shumë të shkurtër që ja u lenë fotografive të flasin më gjatë me gjuhën e tyre universale, me gjuhën vizuale të një poeti fotografik, Gjon Milit që, në kohën kur i ka shkrepur këto foto (fundi i viteve 1950), kishte arritur një autoritet dhe popullaritet artistik të veçantë e të merituar në artin e fotografisë amerikane e ndërkombëtare.
Sipas mbishkrimeve në ballinë, libri është një “memoar fotografik” i Operës Metropolitane të Nju Jorkut. Pra si në shumë raste të tjera të botimeve të Gjon Milit nuk është fotoja ajo që “ilustron tekstin”, por është teksti ai që “komenton e interpreton foton”, që do të thotë se nga të dy komponentët, fotot e Gj. Milit mbeten përbërësit supremë të veprës. Sidoqoftë pa njeri-tjetrin, vështirë se mund të kishte një harmoni të tillë. Në këtë mënyrë libri përbën edhe një unitet bivalent, ku fotografia dhe teksti shndrrohen në një binom unik artistik.
Historia e operës në Botë dhe Amerikë i ka rrënjët thellë në kohë, format e saj të thjeshta e fillestare qysh në fundin e shek. XVI (Dafne-1597, Euridice-1600) për të përshkuar një rrugë të gjatë ndryshimi, evoluimi, përsosjeje. Gjatë gjithë kësaj rruge të gjatë, deri nga gjysma e shek XIX kur arti fotografik ishte në fëmijërinë e vet dhe mënyrat e pasqyrimit të arteve të tjera (ashtu si edhe operës) bëheshin nëpërmjet gravures, pikturës, vizatimit, grafikës, etj., nuk kishte mundësi fotografimi. Vetëm në shek. XX filloi pasqyrimi fotografik nëpërmjet shumë vështirësive e peripecive profesionale. Një nga këta fotografë që dallonte për mjeshtërinë, por edhe për cilësinë e aparaturave e teknologjisë ishte edhe Gjon Mili. Fotografitë e para të shfaqjeve muzikore skenike të Gjon Milit i përkasin vitit 1940 të botuara në revistën LIFE.1) (Keep off the Grass – High-Speed Cameras shoot New Revue, LIFE: July 8 1940, pp.52-54) Më tej, ai ka botuar edhe qindra foto të tjera mbi ngjarje të rëndësishme skenike muzikore operistike.
Ashtu si titulli, libri të fton të shijosh magjinë e një arti madhor, të hysh nëpër labirinthet e libreteve, muzikës së sofistikuar, skenografive dhe prapaskenave të saj ku u mbrujten me majanë e artit muzikor e dramatik ngjarje e konflikte mitike, historike, luftra, triumfe heroike, tragjedi, vrasje, hakmarrje, dashuri, skandale, intriga, tradhti, flijime sublime. E, pas tyre, qëndrojnë në pjedestale fame e lavdie kompozitorë, libretistë, dirigjentë, orkestrantë, këngtarë, balerinë, piktorë, skenografë, filantropë, menaxherë, organizatorë, spektatorë që të gjithë një elitë e intelektualëve të shquar të shoqërive mondane evropiane e amerikane, shpesh në konkurrencë të ashpër konceptuale me njera tjetrën.
Libri ka 172 faqe; secila, ose në çift ato janë të ilustruara me foto. ( 55 faqet e para me foto, disa edhe me gravura, skica, piktura, madje edhe karikatura profesionale e shoqërore nuk i përkasin Gjon Milit). Edhe pse libri është një botim amerikan2) (Published in the United States of America in 1960), ai është printuar në Gjermani3) (Printed in Germany : BOOKS THAT MATTER: The Magic of the Opera , p.4)
Të 72 fotot e këtij libri, që i përkasin Gjon Milit ( f. 56 – 159) nuk janë të botuara asgjëkund tjetër, as në revistën LIFE, ku Mili botoi për 40 vjet. Pra, janë realizuar ekskluzivisht vetëm për këtë vepër. Edhe pse libri është tërësisht artistik, ashtu si në të vërtetë janë edhe profilet dhe stilet krijuese të autorëve të saj, ai ka edhe karakter Historik, enciklopedik, njohës, human, argëtues, plot situata e kthjelltësi shpirtërore artistësh, kryemjeshtra muzikorë kompozimi, interpretimi skenik e vokal, shkrimtarësh e skenografësh, ai është një kujtesë figurative. Por ai është edhe është si një panel, apo ekspozitë e hapur, ku mund të qëndrosh në çdo kuadrat e të gjesh shumë lehtë e shpejt ku ndodhesh, pra pikën e referimit, “gurin kilometrik” në këtë rrugëtim të formës më të lartë kolektive multiartistike të kombinimit të organizuar artistik të gjinive muzikore, orkestrale, dramaturgjike, vokale, vallzimit, aktrimit, performancës, dizajnit, kostumografive e skenografive madhështore.
Me qëllim që libri të mos ishte i mangët, pjesor, pra që historisë së Operës Metropolitane në këtë vepër të mos i mungonte grafikisht ajo pjesë fillestare e aktivitetit të saj kur ende në botë nuk ishte përdorur gjerësisht fotografia (1883) deri sa u bë e mundur ajo, si dhe faktit që Gj. Mili e ushtroi veprimtarinë e tij artistike aty nga viti 1938 e më tej, autorët e librit kanë menduar e vendosur që ilustrimin grafik të këtij vakumi me ilustrime të tjera grafike si vizatime, grafika, piktura, por edhe fotografi të siguruara kryesisht si “kortezi” e Arkivave të Operës Metropolitane, New York.
Në një kontekst e kuptim të gjerë, historia e Operës Metropolitane është historia e operës amerikane. Në të 72 fotot e reja madhështore të fotografit të famshëm Gjon Mili të shkrepura në skenë gjatë shfaqjeve të radhës, prapaskenave dhe qosheve e kulisave të fshehta nostalgjike të shtëpisë së madhe të vjetër – sot, bota magjike e operës në Amerikë, është sjellë në jetë me fuqi e bukuri të veçantë.4) (FREDERIICK A. PRAEGER, A picture Memoir of the Metropolitan, Publishers 64 University Place, New York 3, N.Y., frontispiece)
Konstruksioni kompozicional i librit ka 10 kollona, 10 pjesë që përkojnë me ngjarje, periudha dhe zhvillime të njëpasnjëshme sasiore e cilësore të Operës Metropolitane drejt krijimit, përsosjes, tranzicionit, triumfit, shkëlqimit, periudhës së artë, momenteve të mëdha, perspektivave të reja nëpërmjet fotove epike që mund t’i realizojë vetëm një artist si Gjon Mili.
Midis tyre fillimi i librit i kushtohet vitit 1883, pra inaugurimit të Shtëpisë së Operës ( Old Met, building on 39th and Broadway) dhe fundi i tij, vitit 1960, pra pas rreth 80 vitesh, kur kishin filluar përgatitjet për t’u transferuar në një godinë tjetër më moderne (1966) ( Metropolitan Opera House at Lincoln Center, Upper West Side of Manhattan) e konceptuar si një kompani muzikore, në një kohë që arti operistik dhe simfonik skenik ishin transformuar dhe jetonin momente të reja e të mëdha.
Një foto emblematike që çel serinë e fotove të Milit është ajo e momentit kur, me rastin e një aktiviteti të përvjetorit të themelimit të Operës Metropolitane, nën interesin e shumë artdashësve, në një ekran të madh shfaqen portrete të interpretuesve të mëdhenj, ku Mili ka rrëmbyer atë të këngëtarit të madh italian Enrico Caruso.
Hap pas hapi, peirudha metropolitane moderne e Erës Bing, kur veprat e Alban Berg dhe Samuel Barber ndanë skenën me favoritë të tillë si Verdi dhe Puccini, zbulohet faqe pas faqeje nëpërmjet fotografive të pabotuara kurrë më parë nga Mili. “Mjeshtëria e tij e mrekullueshme ka fokusuar skena të zgjedhura dramatike nga më shumë se një duzinë produksionesh metropolitane aktuale, madje ai ka shkuar prapa perdes së artë, të madhe e të rëndë për të vëzhguar (studiuar) punën komplekse të muzikës së bekuar, dramës, dhe vallëzimit që nevojitej për të krijuar perfeksionin operistik.”5) (FREDERIICK A. PRAEGER, A picture Memoir of the Metropolitan, Publishers 64 University Place, New York 3, N.Y., frontispiece).
Foto të një mjeshtërie të admirueshme, brenda të cilave përfshihen hapësira të mëdha e të mbipopulluara të fasadës, të hyrjes, apo zyrave të biletarisë ku pritja në rradhë të gjata shoqërohet me ekspozime fotografike të yjeve operistike, fuaje, brendi madhështore e solemne të publikut në plate, llozha luksoze me 5 kate, të rezervuara për një audiencë të privilegjuar të parisë qytetare e kulturore, qoshe e skuta të parehatshme, ku studentë dhe shikues ordinerë të varfër por të pasionuar ngjishen midis avujve të djersës për të vështruar e shijuar sadopak me sakrificë muzikën, libretin, orkestrën, këngëtarët, valltarët, hapjen dhe mbylljen e perdes së artë, pushimet midis akteve, etj., janë disa prej zgjedhjeve me regjistër të madh përfaqësimi të Gj. Milit. Në këtë këndvështrim gjejmë se posaçërisht për librin, Gjon Mili ka fotografuar 18 shfaqje të ndryshme operistike të famshme, midis të cilave “Lohengrin”, “Tristan and Isolde” dhe “Die Meistersinger von Nuremberg” (Mjeshtrat Këngëtarë) të Richard Wagnerit; “Aida”, “Macbeth”, “La Traviata” dhe “Il Trovatore” të Giusepe Verdit; “Madama Butterfly” dhe “Tosca” të Giacomo Puccinit, “Così fan tutte” dhe “Nozze di Figaro” të Wolfhang Amadeus Mozart, “Carmen” të George Bizet, vepra nga Samuel Barber (“Vanessa”), Pietro Mascagni (“Cavalleria Rusticana”), Johann Strauss II (“Gipsi Baron”), Modest Mussorgsky (“Boris Godunov”), etj.
Si një njohës dhe gjahtar i regjur artistësh të famshëm operistikë, Gjon Mili ka realizuar për këtë vepër foto të një niveli të lartë personalizues e përgjithësues artistikë të figurave të tilla operistike si Leonard Warren – bariton i madh amerikan që vdiq duke interpretuar në skenë, Antony Tudor – drejtor i Baletit Metropolitan, Gloria Davy – këngëtare, Cesare Siepi – këngëtar bass, Aleksandra – Danilova primabalerinë, José Quintero – regjisor i shfaqjeve metropolitane, Erich Leinsdorf – dirigjent i orkestrës metropolitane, Antonietta Stella – këngëtare, Licia Albanese – këngëtare, Gian-Carlo Menotti – libretist i shquar, Thomas Schippers – dirigjent, Renata Tebaldi – soliste, Giulieta Simionato – këngëtare, etj.
Vlera ekskluzive antike, arkitektonike, estetike, mjedisore përbëjnë fotot që tregojnë pamje nga skena masive të godinës së metropolotanit nga jashtë dhe brendia e saj ekzotike, skena dhe prapaskena madhështore, si dhe studiot e shumta të personelit. Këto mbeten, sidoqoftë kujtime të përmallshme të ngjarjeve të mëdha operistike, pasi në vitin 1966, pas 83 vitesh funksionimi të kësaj “shtëpie të vjetër”, Shoqata e Operës Metropolitane vendosi ta zhvendosë aktivitetin e saj në një godinë tjetër akoma më të madhe, më të përshtatshme, ku do të fillonte edhe një epokë e re moderne e veprimtarisë dhe menaxhimit të saj. Momentet e inaugurimit të kësaj arene të madhe, si dhe shumë aktivitetet operistike e të baletit metropolitan Gjon Mili i ka ndjekur dhe përcjellë nëpërmjet qindra fotosh e dhjetra botimesh në revistën LIFE, ku ai punoi deri në fund të jetës së tij.
Pozicini i fshehur dhe i padukshëm i qëndrimit, lëvizjes, fotografimit, si duket nuk e lejonin Milin të përdorte i ngarkuar pajisjet dhe teknologjinë stroboskopike. Gjithashtu ai kishte deklaruar se e kishte mbaruar misionin me këtë teknikë që para 10 vitesh, megjithëse nuk e respektoi plotësisht e përgjithmonë pasionin e tij të vjetër. Pra, fotografitë e këtij libri janë pothuajse të gjitha me teknikën klasike të tij “ndalimit të lëvizjes” (stop action), ato janë shkrepur në interpretim gjatë shfaqjes, përfshijnë hapësira të mëdha skenike dhe skenografike dhe janë imponuese me mjeshtërinë e tyre.
Të 72 fotot e kësaj vepre nga Gjon Mili, të panjohura deri sot nga audienca dhe artdashësit shqiptarë përbëjnë një portofol autentik e surprizues artistik të krijimtarisë së tij gjatë këtij viti të shënuar, kur Gjon Milit i kujtojmë me respekt e mirënjohje humane e artistike 120 Vjetorin e Lindjes (28.11.1904) dhe 40 Vjetorin e Vdekjes (14. 2. 1984).
Libri “Magjia e Operës” mbetet evokimi i një shtëpie të madhe arti, një dëshmi pamore fotografike e pashlyeshme, një vepër historike e artistike e një prej institucioneve më të mëdha të veprave më komplekse e më të harmonizuara – operës, sidomos në shekullin XX, ku Gjon Milit i takon një meritë e veçantë. “Ky është libri më i mrekullueshëm mbi operën që është botuar ndonjëherë në Amerikë”6) (FREDERIICK A. PRAEGER, A picture Memoir of the Metropolitan, Publishers 64 University Place, New York 3, N.Y., frontispiece).
■ ■ ■
Kristaq Balli, studiues
Fotot:
2. Audienca e natës hapëse të operës Tosca e Puccinit. Foto: Gj. Mili, 27 Tetor 1958
3. Duke kujtuar Enriko Caruzon me një projeksion në ekran. Foto: Gjon Mili.
4. Skena triumfale nga opera Aida e Verdit. Foto: Gjon Mili.
5. Pjesë e skenografisë së operës Aida në Seventh Avenue duke pritur të tërhiqet. Foto: Gjon Mili.
6. Midis dy akteve. Foto: Gjon Mili.
7. Eleanor Steiber në rolin e Vanessa në operën me të njëjtin emër të kompozitorit Samuel Barber. Foto: Gjon Mi. Foto: Gjon Mili.
8. Risë Stevens si Karmen në operën e George Bizet. Foto: Gjon Mili.
9. Aktore pas interpretimit në Xhokonda të Ponchielli-t. Foto: Gjon Mili.
Please follow and like us: