Albspirit

Media/News/Publishing

118 vjet nga hapja e shkollës së parë shqipe në Mallakastër, nga Dëshmori i Pavarësisë, Hajredin Fratari!

Pajtim Sejdinaj

“Shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, zemrën e babës për të qëndruar si burrat dhe gjakun e tyre, atë që i duhet për atdheun’! Hajredin Fratari

Lajmi për ardhjen e bustit të Korifeut u përhap me shpejtësi në Fratar. Ishte gëzimi i parë pas gati 100-vjetësh për të gjithë Fratarakët dhe Mallakastriotët. Pas shumë vitesh “Dëshmori i Kombit” Korifeu, Hajredin Rakip Fratari do të takohej me bashkëfshatarët e tij.

Atë mëngjes nxënësit e shkollës dukeshin që ishin përgatitur seriozisht për eventin. Besjana (njëra nga nxënëset e grupit) nxorri nga çanta një beze të kuqe ku kishte qëndisur me penjë ari shkronjat kapitale me mbishkrimin:

MIRËSEARDHE MIDIS NESH I DASHURI KORIFE”!

Grupi tjetër i nxënësve kishte marrë një kurorë të bukur shumë ngjyrëshe si dhe disa tufa lulesh.

Drejtoresha dha njoftimin:

“Sot në orën dy, në mjediset e shkollës do te mbërrijë busti i Dëshmorit të Kombit “Hajredin Fratari” emërin e të cilit e mban shkolla jonë! Kthehet kështu në shtëpinë e tij Korifeu i hapjes së shkollës së parë shqipe në Mallakastër. Nxënësve u ndriu fytyra dhe buzëqeshja e tyre tregonte shpirtin që gëzonte!

Ajo ditë më ka mbetur në mëndje si një nga më të paharrueshmet e jetës. Lajmi për ardhjen e bustit të Korifeut ishte kthyer si lajmi më i bukur në komunën e Fratarit. Rreth orës dy të pasdites  sheshi para shkollës ishte mbushur plot me njerëz. Veç nxënësve të shkollës dhe mësuesve kishin ardhur dhe banor nga fshatrat e ndryshëm të Mallakastrës së sipërme. Kishte ardhur edhe ai: “Lisi i Moçëm”(plaku 110 -vjeçar që kishte qënë nxënës i shkollës së parë shqipe të hapur nga Korifeu, pikërisht në fshatin Bejar në pranverën e viit 1906-të). Mbëriti edhe mësuesi veteran,  Malua, i cili sapo kishte dëgjuar lajmin kishte bërë gati një referat mbi jetën e Korifeut. Mbëritën edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor. Makinën që solli bustin e shoqëronin një grup njerzish të ardhur nga Tirana midis tyre dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit,  Baba Reshat Bardhi si dhe pasardhës të familjes së Korifeut, i nipi i Korifeut, që mban edhe emrirn e tij Ing. Hajredin Fratari  me bashkëshorten dhe dy fëmijët, mbesa që mban emrin e gjyshes, bashkëshortes së Korifeut , Sabire Fratari me bashkëshortin dhe dy vajzat, si dhe skulptori i bustit.

Para fillimit të aktivitetit u këndua nga kori i shkollës  “Himni i Flamurit” dhe nga senati i shkollës u këndua kënga “Për Mëmëdheun”. Nxënësit mbanin një pllakat me portretin e Korifeut.Busti ishte menduar të vendosej në katin e dytë të shkollës në një pozicion ku çdo vizitor sapo të hynte në shkollë të përshëndetej  më të.

Teksa po çonim bustin në katin e dytë unë po thurrja spontanisht disa vargje për Korifeun:

“Kam kohë që kërkoj emrin tënd.

T’humbur në humtirë të historisë

Por ja që sot e gjeta Atë

Pikërisht n’ Altar të Diturisë”.

Tek ngjitesha në katin e dytë të shkollës, atje ku ishte vendosur busti i Korifeut, lexova fjalët e arta të tij  :”Çdo mallakastriot të bëhet një mësues dhe çdo shtëpi mallakastriote të bëhet një shkollë” !

Ndërkohë “Lisi i Moçëm” po qëndronte gatitu përpara bustit të Korifeut dhe tha me zë të lartë : “MIRËSEARDHE O TRIM! U bë realitet ëndrra e shumëpritur e Martirve, e Fratarakve dhe e gjithë Mallakastriotve! U desh një shekull të realizohej kjo ëndërr”!

Më pas ai nxorri nga xhepi një Flamur Kombëtar dhe ja hodhi mbi supe Korifeut duke ju drejtuar të pranishmëve: “Ky është Flamuri që kemi patur në klasë kur u hap shkolla e parë shqipe nga ky burrë, ky gjigand i kombit tonë, HAJREDIN FRATARI! Këtë flamur e kam amanet nga e ëma, Havakua e cila ma dhuroj kur të paudhët mbyllën shkollën e parë shqipe të Mallakastrës. Ky flamur prej sotit do të qëndrojë përherë mbi supe të Korifeut”!

Më pas u dhanë fjalime, u kënduan këngët e recituan vjershat që populli i Mallakastrës i kishte thurrur ndër vite birit, Hajredin Fratari.

Në Fratar një derë e mirë 

Lindi djalë Hajredinë!

Havako nënë me derte

C’djalë përkunde në djepe

Hajredinë,  trimin e rrallë

Që çeli shkollën e parë

Kur lindi u tund konaku 

Krisi pushka tek oxhaku! 

Të nesërmen të gjithë flisnin për ceremonië e organizuar një ditë më parë dhe kushdo përpiqej të rikujtonte momente prej saj. Orën e parë kisha mësim me një klasë të vitit të dytë dhe do të trajtonim temën “Jeta dhe vepra letrare e Naim Frashërit”.

“A ka mundësi t’a zhvillojmë këtë orë mësimi në korridor para bustit të Korifeut”? –  ishte zëri i Besianës. “Po” – ju thashë.

Nxënësit dolën pa zhurmë dhe rrethuan bustin e Korifeut. U bëra një panoramë përmbledhëse për jetën dhe veprën e poetit tonë të madh Naim Frashëri, dhe u tregova atyre edhe për jetën e Korifeut si dhe lidhjet e tij me derën e madhe të Frashëllinjve. U tregova që bashkëshortja e Korifeut, Sabrete Vila, ishte mbesa e Frashëllinjve, ajo i kishte dajo Frashëllinjtë dhe ishin  pikërisht këta të fundit që kishin bluar krushqinë. Të dy të rinjtë si Hajredini edhe Sabretja kishin kaluar shumë vite në Stamboll, atje kishin kryer edhe studimet e mesme edhe ato të larta. Bile ata kishin kryer  të njëjtën shkollë të mesme, shkollën private amerikane në Stamboll “Robert College”. Kjo shkollë datonte hapjen e saj në vitin 1863-të dhe funksiononte me dy kampe të veçanta për djemtë dhe vajzat. Edhe sot ai mbetet institucioni arsimor amerikan më i vjetër në botë.

Ra zilja për mbarimin e orës së mësimit. Hedh sytë nga porta e shkollës. Vura re atë, “Lisin e Moçëm” që zbriti nga një makinë. Dërgova dy nxënës për t’a shoqëruar. “Lisi i Moçëm” mbërriti në katin e dytë të shkollës i mbajtur në shkopin ku qe gdhendur Flamuri Kombëtar dhe Përkrenarja  e Skënderbeut.

“Mirëmëngjes o Legjendë” , tha duke u drejtuar nga busti i Korifeut. I afruam një karrige, dhe ai pasi bëri një rrotullim  u ul e qëndroi tamam përballë bustit të  Korifeut  dhe ashtu shtruar  vazhdoi:

“Këto kohë do ju bezdisë pak ju si staf të mësuesve dhe të nxënësve se do të vijë të bisedoj dhe të çmallem me “Dëshmorin e Kombit”, Hajredin Fratari. Do të flas me patriotin, me atë që ndezi shkëndijën e parë të dijes dhe kulturës në Mallakastër! Jam i lumtur që pluhri i harresës hedhur mbi të u zhduk tani njëherë e përgjithëmonë dhe kjo shkollë ka fatin e madh që mban emrin e këtij njeriu të madh”!

“Ne të falenderojmë ty nga zëmra” i tha Drejtoresha e shkollës, pasi je nxenësi i të parës shkollë shqipe në Mallakastër dhe bashkë me ty vjen tek ne krenaria dhe madhështia e asaj dite të madhe kur në Mallakaster filloi drita e diturisë falë visionit të Korifeut tonë Hajredin Fratari, Dëshmor i Pavarësisë !

“Lisi i Moçëm” vazhdoi të përlotej dhe me zë të mekur ca nga mosha e  ca nga emocionet filloi të fliste ngadalë: “Dje duke parë të ngjitej busti i Korifeut për në katin e dytë të shkollës se si m ‘u kujtua filmi “I Teti në Bronx”, ai kushtuar “Komisarit Memo”,  e ja ashtu po thoja me vete: “Një komisari i bënë një filëm të tërë, por pse nuk ja bënë dhe një fisniku si Hajredin Fratari që dha jetën për pavarësinë e Atdheut dhe që shkriu  të gjithë pasurinë për atdhe, patriotin që në lule të moshës, vetëm 26 -vjeç mendoi dhe hapi të parën shkollë shqipe ne Mallakastër?  Dëshmorin e Kombit e lanë në harresë për 50-vjet! Por burrat e mëdhenj i mban në gjoks populli dhe po ke vend tek zemra e popullit nuk vdes kurrë.

Më pas “Lisi i Moçëm” nxori  nga gjoksi dy libra : “Bagëti e Bujqësi” dhe “Lulet e Verës” të Naim Frashërit dhe ja dha Drejtoreshës së shkollës duke i thënë: “Janë dy kopjet origjinale që i kam ruajtur me fanatizëm. Ato m’i ka dhuruar mësuesi i parë i shkollës shqipe, zoti Ibrahim Frashëri!E parandjeja që do të vinte kjo ditë. Ndaj po ja fal biblotekës së shkollës që ju dhe brezat qe vijnë të mos e harrojnë kurrë  Korifeun, si dhe të mos harroni të parin mësues në këtë shkollë, Ibrahim Frashërin i cili më ka mbetur në mendje edhe sot mbas 100-vitesh. Portreti i këij mësuesi për mua mbetet shumë i dashur. Mbante në kokë një kapele që i shkonte shumë kostumit të zi me vija të bardha që e vishte me një jelek që ndrite si ari, me një këmishë të bardhë si kartë cingari dhe me një palë këpucë që shkëlqenin nga llustra. Fjala e tij e ëmbël dhe buzqeshja me çdo nxënës dhe çdo njeri ishin tiparet më të dukshme. Kishte një biblotekë të pasur me vepra të autorëve shqiptar dhe të huaj.Vanë 5 burra me kuaj në Gjirokastër për t’i marr librat e tij dhe Hajredini bëri një sënduqë të madh për t’i stivuar ato”.

Mbas këtij takimi emocionues e ftova “Lisin e Moçëm” për një kafe. Duke zbritur shkallët e katit të dytë e zura për krahu, por më tha:”Lëshomë se zbres vet”. Dhe i zbriti shkallët  me ndihmën e shkopit legjendar që se hiqte kurrë nga dora.

Rrudhat e ballit kishin në dukje një brengë të madhe. Shkopi magjik që mbante në dorë kërkonte të fliste !Ky shkop kishte ardhur nga Turqia dhe e pati sjellë vetë Hajredini. Më  pas kishte kaluar dorë më dorë tek pleqtë e fshatit nga brezi në brez. Adeti ishte, shkopin duhet ta mbante më i moçmi i fshatit. Mbas vdekjes, djali i të moshuarit ja dhuronte plakut më të moshuar të fshatit.  Ky shkop kishte mëse një shekull që ishte pagëzuar si “Shkopi Magjik”.  Me këto mendime në kokë hymë në lokal. U ulëm në tavolinën e fundit. Erdhi kamarjeri dhe mori porosinë. Unë desha t’a pyesë për “Pengun e jetës”, por ai ma lexoi mëndjen dhe e nisi i pari bisedën:  “Kam kaluar shtatë qeveri more bir”, më tha, dhe nisi t’i numëroj:”Qëverinë Turke! Qeverinë e Ismail Qemalit! Princ Vidin! Qeverinë e Mbretit Zog! Qeverinë e Fan.S.Nolit!  Qeverinë e Enver Hoxhës!Qeverinë e Demokracisë!”

Ndërkohë na erdhi porosia me të dy gotat e rakisë. Ai e mori i pari gotën dhe nisi urimin: “Gëzuar!Mbretëroftë në jetë të jetëve vepra dhe kontributi i Korifeut për çështjen Kombëtare!Mos u shoft kurrë shkëndia që ndezi Korifeu për arsim, dituri dhe kulturë në Mallakastër!I pa harruar emri i Hajredin Rakip Fratarit! Në ato çaste m’u duk sikur u çlirua nga një barrë e rëndë që mbante mbi supe.

“Amin!Të lumtë goja” –  ja kthej me dolli.

“Na është vjedhur historia mor bir! S’ka poshtrim më të madh për një njeri, për një fshat, për një krahinë apo për një komb sesa t’i vjedhësh historinë! Dhe kjo ka ndodhur me Korifeun, me fisin, fshatin dhe krahinën tonë! Ai burrë nuk i ka borxh kujt! Atij, djalit të tij Rauf Fratarit,  familjes së tij, si dhe fisit dhe fshatit të tij i ka borxh rregjimi i Enver Hoxhës! Historia nuk është mall, plaçkë a send që ti t’a vjedhësh dhe ti të bësh tregëti me to! Jo, dhe e ngriti akoma më shumë zërin. Ajo është Fisnikëri!Personalitet!Dashuri! Dinjitet!Diamanti më i shtrenjtë për një njeri, fshat, krahinë apo Komb”! Se sikur e di edhe ti, Hajredin Fratari u kthye në fillimet e shekullit 20-të nga Turqia në Shqipëri me një mision të madh në mëndje: Të hapte shkollën shqipe dhe të organizonte “Lëvizjen për çështjen Kombëtare” duke dhënë kushtrimin: “Burrat në luftë!Fëmijtë të nisin shkollën”!Dhe kjo nuk ishte rastësi. Shokët e tij Rilindas në Shqipëri kishin ndezur me dhjetra “Shkëndi” të arsimit shqiptar. Një “Shkëndi” e tillë i duhej dhe vendlindjes së Hajredinit.Ai kishte ardhur me një plan të qartë në kokë ndaj menjëherë nisi të përgatisë klasën për hapjen e shkollës së parë shqipe në shtëpinë e tij. Kështu në pranverën e vitit 1906-të, së bashku me Veiz.S.Zeqaj(Hoxha i zonës) organizoi takime me burrat e fshatit dhe të fshatrave të tjerë të Mallakastrës së Sipërme për të dërguar fëmijtë në shkollë. Ai nuk bëri dallime në shtresat e ndryshme shoqërore. Nuk kërkoi taksa (pagesë)për shkollën, nuk kërkoi pagesë strehimi për mësuesit, nuk kërkoj pagesë për ndërtesën, dhe as nuk kërkoj shërbëtor për të shërbyer në shkollë.

Hapja e shkollave shqipe në Shqipëri dhe shpallja e Pavarsisë ishin çeshtje të Platformës të Rilindjes Kombëtare dhe ai ishte dhe mbetet një Rilindas i madh!  Ai shumë mirë mund të kishte zgjedhur rrugën tjetër, atë të interesit personal sepse ndërkohë ishte emëruar nënprefekt në  Prefekturën e Janinës. Por ai ishte fisnik dhe në zemër i vlonte ndërgjegja kombëtare!”

“Të mërzita”!-më tha,

-Jo!Është kënaqësi!-i thashë. Dhe “Lisi i Moçëm” vazhdoi:

“Klasat i përgatiti në katin e dytë të shtëpisë së vet shtruar ne parmak dhe qilimn të bër në tezgjah. Tavani ishte i gjithi i punuar me dhogë pishe.  Vuri në dispozicion të shkollës të emën Havakon dhe të kunatën Xhidan të cilat përgatisnin klasat për mësim si dhe çdo ditë bënin petulla për fëmijët që vinin në shkollë apo u jepnin sheqerka që i merrnin nga Turqia. Oborrin para shtëpisë dhe sheshin e lagjes i shtroi me kalldrëmë guri (gjurmët e të cilave janë dhe sot). Në klasa u vendos Flamuri Kombëtar (i qendisur me dorë nga nënë Xhidaja) si dhe portreti i Skënderbeut. U vendosën gjithashtu tavolina të rrumbullakta dhe stola të vegjël për t’u ulur nxënësit. Solli dy mësues, Ibrahim Frashërin dhe Qazim Rustemin, të cilët deri sa u mbyll shkolla qëndruan te shtëpia e Korifeut. Nxënësit vinin jo vetëm nga Bejari, por dhe nga fshatrat përreth: Ninsh, Damës,Kutë Çorrush etj. Në shkollë vinim edhe 8 vajza dhe më vonë numri i tyre u shtua. Vajzave u jepte mësim e shoqja e Korifeut, Sabretja.

Mjetet didaktike i pruri Korifeu po vetë nga Turqia. Një ndihmese për to dha dhe mësuesi i turqishtes Adem Efendiu,  i ndikuar nga Veiz.S. Zeqaj (cili kishte mbaruar bashkë me të shkollën në Turqi). Por fatkeqësisht pas 9-muajsh shkolla u mbyll nga trysnia turke dhe dinakëria e autoriteve turke të cilat e detyruan Hajredin Fratarin të shërbente si nëprefekt në Izmiri, se gjoja padishau ka shumë besim tek aftësitë e tij të larta. Hajredini e kuptoi fort mirë se kjo ishte një manovër për ta larguar nga vatra e tij, atje ku ai ndezi dritën e diturisë.  Kur u mbyll shkolla shkuan për të sekuestruar bazën didaktike në klasa dhe te dhoma ku flinte mësuesi gjetën disa libra të cilat i dogjën tek sheshi me kalldrëm. Ata muarën shumë pak lodra, të tjerat i mori nënë Havakua me nënë Xhidaja dhe i mbyllën në sepete të cilat i kishin mbyllur në qilarn në një vend të sigurt. Ato  më pas u përdorën mbas vitit 1909 kur rifilloi shkolla.

Por asgjë se ndali birin fisnik të Mallakastrës të vazhdonte luftën dhe përpjekjet e tij për lirinë e mëmëdheut. Ai do të jetë shumë shpejt përkrah Ismail Qemalit dhe së bashku me grupet çlirimtare të jugut do të printe betejat që liruan jugun e Shqipërisë dhe që i hapën rrugën Ismailit  për te ngrituar flamurin tamam e në Vlorë”

Më pas “Lisi i Moçëm” morri gotën dhe e ngriti lart :

“Gëzuar! Për të gjithë mësuesit e ardhëshëm që janë pasqyra e Kombit” ! më tha duke çokur gotat.

“Po pengu që mban cili është”? e pyeta me kujdes pa i lënduar shpirtin. Mori frymë thellë m’u drejtua duke më parë në sy.

“Ah! More bir”! “E shikon këtë kraharor? Dhe duke më treguar me dorë gjoksin vazhdoi: “Ky ka mbajtur brënda për 50- vjet dhimbjen e madhe”.  Nxorri shaminë e rrudhosur dhe fshiu lotët, ndërkohë e ndjeva që edhe unë isha përlotur. Dhe vazhdoi rrëfimin: “Në vitin1946-të kur rifilloi shkolla të gjithë shpresonim se “xhonguli” do të vinte në vend. Shkolla e Bejarit do të merrte emrin e Korifeut Hajredin Fratarit pra do të sosej një amanet i trevës së Mallakastrës! Por jo! Jezitët! Jezitët more i vraftë Zoti nuk e pranuan! Me gjithë këmbënguljen tonë si fshat dhe kërkesat e vazhdushme në instucionet e shtetit, ata nuk e pranuan. Mbretëria e Zgërbenjve të Enver Hoxhës nxuarën si pretendim se ai, Hajredin Fratari ishte babai i Nacionalistit Rauf Fratarit që ishte shpallur Armik në “Emër të Popullit” dhe që e kishin dënuar me vdekje në mungesë, se Raufi qe arratisur pasi kishte qënë që ditën e parë kundër komunistave dhe kishte luftuar në krah të Mit’hat Frashërit e Abaz Kupit! Ata bile e fshin Korifeun Hajredin Fratari edhe nga harta e Dëshmorve të Mallakastrës! Turp e për faqe të zezë!E poshtëruan Bejarin duke i vjedhur historinë dhe për gjysmë shekulli nuk e zunë në gojë Yllin (Korifeun)! Po s’mund të mbulohet Ylli me jorganin me pleshta, o bir?! Ky ishte pengu im more bir, ky!” dhe sikur u mbush me frymë e nga sytë vazhdonit t’i binin lotët. Me vendosjen e emrit Hajredin Fratari shkollës së mesme  të përgjithshme në Fratar dhe me ardhjen e bustit të tij jam çliruar i tëri jo vetëm unë por gjithë Mallakastra dhe Shqipëria. Eh mor bir: lum ai që mbjell dritë e hedh gjurmë të  mira. Ta dish ti si e gjithë Mallakastra, Berati, Skrapari Tepelena e qau birin e saj kur morri vesh se forcat e Haxhi Qamilit kishin pushkatuar në të ardhur të 27 Prillit djalin e tyre që ishte i parë në dije, në gojë e në pushkë. Dëshmitarët e asaj kohe rrefenin sesi Musa Qazimi kishte dashur vetë të përballej me Hajredinë në burgun e Beratit. Musa Qazimi që thua ti, në atë kohë ishte kryemyftiu i Tiranës, por meqë mbahej si më i paudhi dhe i tmershmi i haxhiqamilisve e kishin dërguar të shtypte revoltën e jugut dhe të nginte prap në jug flamurin e gjysmëhënës. Thonë se Musa Qazimi  përpara pushkatimit i bën thirrje Korifeut  të kthehej në rrugën e padishaut. Hajredini i lidhur me zinxhirrë të ndryshkur ja kthen me fjalët që të rrëqethin mishtë kur i dëgjon edhe sot: ‘Shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, zemrën e babës për të qëndruar si burrat dhe gjakun e tyre, atë që i duhet për atdheun’!

‘Atëhere të qoftë rruga e mbarë’ , i kthehet Musa Qazimi dhe jep urdhër të ekzekutohet.

Përpara se ta qëllonin Korifeu u drejtohet të 12 mercenarëve haxhiqamilsa : ‘Ju nuk shikoni dot në këtë errësirë, por do të gdhijë dita dhe gjaku im, së bashku me diellin , do t’ju çelë sytë dhe do t’ju japë dritë fëmijve tuaj të pafajshëm’ ! Ai ishte vëtëm 35 -vjeç dhe la pas gruan e re me dy djem te veçkël, Skënderin dhe Raufin. Por ai la edhe një emër të madh, i qoftë shpirti falë ,se kush vdes për Atdhe është gjithmonë gjallë ”.

Kështu përfundoi rrëfimin e tij “Lisi i Moçëm”. Falë kujtimeve të tij dhe ish – bashkëkohësve të tij, edhe sot na vijnë të gjalla shumë ngjarje të atyre kohëve të lavdishme që lindi heronj.

Kur Shekulli i XXI

Nisi udhën si fëmijë

Derdhur në bronz

I gjallë , Hajredin

Tek ne erdhe Ti

Pajtim Sejdinaj 

Ish mësues i letërsisë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme të Mallakastrës “Hajredin Fratari”. 

Prill 2024.

https://gazetadielli.com/118-vjet-nga-hapja-e-shkolles-se-pare-shqipe-ne-mallakaster-nga-deshmori-i-pavaresise-hajredin-fratari/

Please follow and like us: