Zana Tako: Si flladi erdhe tek unë
Si flladi erdhe tek unë,
e u fshehe brenda meje.
U stolisa me nurin tënd,
dashuria pikonte ndër deje.
*
Nuk e dija se do të vinte një ditë,
që brenda shpirtit të çelte një filiz.
Nuk e njihja por e dua,
siç duhen qiellit yllësitë.
*
Je fllad apo je ëndërr?
Dot nuk e bëj dallimin.
Se flladi ëmbël ledhaton,
por edhe ëndrra në shpirt më lumturon.
*
Ju dua fllad edhe ëndërr,
nuk dua të zgjohem,
as të më mungojë flladimi.
Se nëse largoheni nga unë,
mungesa juaj ma mpin mendimin.
*
Si engjëjt në qiell,
që dinë veç të duan,
nga dashuria bëhem engjëll,
e me dorë engjëlli shkruaj të dua!