Albspirit

Media/News/Publishing

Eugene Pittard, një Johann Von Hahn i Shqipërisë së fillimit të shekullit të XX-të

Zbulimi i periudhës neolitike dhe kontributi i Eugene Pittard kundër malarjes në Shqipëri


Kudret Isaj


Eugène Pittard është një shkencëtar i shquar zviceran, veprat antropologjike të të cilit janë të njohura si në Zvicër, po ashtu në mediumet shkencore ndërkombëtare. Në arkivin e Gjenevës kam gjetur një letër që Dr. Roger Guder i dërgon Profesor Eugène Pittard në 12 qershor 1935 ku i lutet që t’i dërgojë një kopje të një studimi që ai kishte shkruar në vitin 1894 për antropologjinë e shqiptarëve. Duhet patur parasysh që Eugène Pittard në këtë kohë ishte 27 vjeç, student në Universitetin e Gjenevës. Kërkimet e tij të para në këtë fushë, ai do t’i fillonte në vitin 1902 kur u nis për një ekspeditë shkencore në Dobruzha të Rumanisë së bashku me bashkëshorten e tij Helene Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger. Ata kryen së bashku me qindra matje, rezultatet e të cilave Eugene Pittard do t’i botonte në revistën shkencore të Universitetit të Parisit dhe të Bukureshtit.
Në vitin 1910, Eugène me Hélènën kryen një udhëtim njohës në disa vende të Ballkanit dhe u ndalën në Shkodër, në Scutarin e ilirianëve antikë dhe të mbretërve ilirë. Ata u dashuruan marrëzisht me këtë qytet që me shikimin e parë. Për këtë udhëtim kemi një dëshmi të pakundërshtueshme. Hélène Pittard në 4 korrik të vitit 1910, i ka dërguar nga Shkodra një kartolinë vëllait të saj Roger Dufour, mjek në poliklinikën e Gjenevës. Në atë kartolinë, e cila paraqiste një grup peshkatarësh duke nxjerrë rrjetat e peshkimit në liqenin e Shkodrës, Hélèna i tregonte vëllait të saj mjek Roger Dufour se me kutinë e ndihmës së shpejtë që ai ju a kishte dhënë me vete kishin mjekuar një djalosh shqiptar që kishte prerë dorën. Nëpërmjet vizitës që Eugène dhe Hélène Pittard bëri në qytetin e Shkodrës në vitin 1910, ata panë vetëm një copë Shqipërie, ata panë vetëm një profil të portretit të saj dhe u larguan nga ai qytet me peng në zemër për shkak të angazhimeve të shumta që kishin në Gjenevë.
Në vitin 1920, Eugène Pittard botoi veprën “Popujt e Ballkanit”. Gjatë vizitës që çifti Pittard kreu në Shqipëri nga gushti në tetor të vitit 1921, Prof. Eugène Pittard gjatë gërmimeve që bëri bashkë me fshatarët në fshatin Tren të Prespës në shpellën “Goja e Ujkut” zbuloi për herë të parë periudhën e neolitit në Shqipëri dhe vazon qeramike, dëshmitaren e kësaj epoke të lashtë ia dërgoi Prof. Franchet në Francë dhe Prof. Alexandre Le Royer në Gjenevë. Pasi mori konfirmimet e tyre, Prof. Eugene Pittard botoi një artikull të shoqëruar me fotografi në revistën antropologjike të Universitetit të Gjenevës. Harta antropologjike e Shqipërisë deri në këtë periudhë ishte tabula rasa. Në vitet 1925 -1930, Eugène Pittard mori pjesë në një komision të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë për të kryer një studim demografik për përhapjen e malarjes në Shqipëri kryesisht në zonën e Myzeqesë, të Durrësit, të Lezhës dhe të Shkodrës. Për këtë, ai u kujdesua personalisht të dërgonte kontigjente me kinina për të shëruar fëmijët e Shqipërisë. Gjatë kryerjes së këtij studimi shkencor, Eugene Pittard bashkëpunoi dhe pati korrespondencë me Elisabeth Carnarvon, e cila kishte ndërtuar fshatin Herbert në afërsi të Kavajës për refugjatët e ardhur nga Kosova. Ai bashkëpunoi dhe pati letërkëmbim me Xhemil Dinon, ministrin fuqiplotë të Shqipërisë në Romë në vitin 1926, me bakteriologun francez në Durrës Dr. Bernard Daudy, me Iljaz Vrionin dhe me Dr. Simon Simonidhin, i cili do të botonte një broshurë për malarjen në vitin 1927. Po atë vit një ekip i fondacionit amerikan “Rokfeler”, i cili kishte ardhur në Shqipëri me nxitjen e Faik Konicës shpërndau kinina për fëmijët në Shkodër. Eshtë interesant të vihet në dukje fakti se shkodranët barnatoren e malarjes që ishte hapur në qytet e kanë quajtur deri vonë me emrin: “shtëpija e mushkajavet”. Qëllimi i Prof. Eugène Pittard ishte që të organizonte një fushatë sensibilizuese në Zvicër dhe në vendet limitrofe që të blinte kinina për fëmijët e Shqipërisë. Eugene Pittard ju kërkoi mjekëve shqiptarë dhe të huaj që punonin në Shqipëri që t’i dërgonin statistika të sakta mbi përhapjen e malarjes, të cilat do të shërbenin më pas për studimin demografik të Lidhjes së Kombeve.
Në harkun kohor të viteve 1920 -1940, Eugène Pittard ka patur korrespondencë të rregullt me ministrat e arsimit të Shqipërisë si me Sotir Pecin, Kristo Floqin, Hil Mosin, Rexhep Mitrovicën, Xhaferr Ypin, Ernest Koliqin dhe të tjerë. Në një farë kuptimi, Eugène Pittard ka qenë për një periudhë 20-vjeçare “ministër” i qeverisë shqiptare në Zvicër për problemet e arsimit shqiptar. Ndërsa shqiptarët e konsideronin Eugène Pittard-in si djalin e tyre deputet në parlamentin zviceran. Në vitet 1940 – 1942, Eugène Pittard ushtroi funksionet e Rektorit të Universitetit të Gjenevës. Gjatë kësaj periudhe dhe më pas, ai ju ka ardhur në ndihmë studentëve nga Shqipëria, madje ka bashkëpunuar me ta. Në vitin 1941, ai ka botuar një artikull të përbashkët me studentin Islam Zeko nga Gjirokastra. Eshtë një shenjë e lartë emancipimi për kohën korrespondenca e nënës së tij, Nazime Zeko nga Gjirokastra, e cila mbante letërkëmbim të rregullt italisht me sekretarinë e Universitetit të Gjenevës në lidhje me rezultatet e provimeve dhe mbarëvajtjen e djalit të saj në Universitetin e Gjenevës. Eshtë gjithashtu shumë prekëse një letër që Prof. Eugène Pittard i dërgonte Ministrit të Arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqit në 19 qershor të vitit 1941. Prof. Eugène Pittard i kërkon Ministrit shqiptar të Arsimit që të bëjë ç’është e mundur që t’i krijojë mundësi konkrete pune studentit të sapodiplomuar Islam Zeko që të kryente studime antropologjike në Shqipëri.
Eugene Pittard – Konsull Nderi i Shtetit Shqiptar në Gjenevë dhe misionar i lidhjes së kombeve
Në vitin 1919, delegacioni amerikan e ftoi Prof. Eugène Pittard të bëhej pjesë e tij në punimet e Konferencës së Paqes në Paris. Shqipëria në këtë Konferencë përfaqësohej me 5 delegacione të ndryshme. Prof. Eugène Pittard gjatë gjithë atyre ditëve i qëndroi pranë delegacionit amerikan si dhe delegacionit zyrtar të Shqipërisë të përfaqësuar nga Turhan Pasha, Gjergj Fishta, At Luigj Bumçi dhe të tjerë. Gjatë punimeve të Konferencës së Paqes në Paris, Eugène Pittard qëndronte në hotelin ‘Crillon’ me delegacionin amerikan. Në një prej këtyre ditëve, ai do të takonte me Presidentin amerikan Woodrow Vilson, të cilit do t’i kërkonte që Korça dhe Gjirokastra të mbeteshin brenda kufijve të shtetit shqiptar. I mbështetur nga ekipi amerikan, Prof. Eugène Pittard niset nga Parisi në Bernë ku do të takonte me Gustave Ador-in, Presidentin e Konfederatës Zvicerane. Prof. Eugène Pittard i propozoi burrështetasit zviceran që Shqipëria të bëhej protektorat zviceran, propozim, të cilin Gustave Ador nuk e konsideroi të mundur për shkak të komplicitetit të rrethanave gjeostrategjike në rajonin e Ballkanit. Në vitin 1920, Eugène Pittard loboi fuqishëm gjatë ditëve të pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe qëndroi në krah të delegacionit shqiptar të kryesuar nga Fan Noli.
Poeti zviceran Henri Spies që banonte në Gjenevë, një ditë para pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në datën 16 dhjetor botoi një poezi për Shqipërinë me titull “Përtej Asamblesë, Shqipëria” në gazetën “Journal de Genève” me dedikim për mikun e tij shqiptar Arif Dino. Eugène Pittard do ta botonte artikullin e tij me titull: “Për Shqipërinë” në 17 dhjetor në gazetën “La Suisse”, ndërsa Noëlle Roger do ta botonte artikullin e saj me titull “Pas Asamblesë së Gjenevës” në datën 31 dhjetor 1920 në revistën “L’Illustration”. Eugène Pittard me Helenen i kanë mbështetur gjithmonë kauzat humanitare për mbrojtjen e popujve të vegjël si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 1915 me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, ata u nisën vullnetarë të Kryqit të Kuq francez në spitalin 101 të Lionit. Helene Pittard si infermiere dhe Eugène Pittard si orator duke iu dhënë kurajo luftëtarëve të plagosur. Në mars të vitit 1924, Eugène Pittard u emërua i deleguar i Lidhjes së Kombeve për t’i ardhur në ndihmë malësorëve shqiptarë që po vdisnin nga uria.
Eugène Pittard me Helenen mbërritën në Tiranë në 1 prill 1924. Qeveria shqiptare iu kishte vënë një vilë dhe një makinë në dispozicion për të udhëtuar nëpër Shqipëri në krahinat ku kishte plasur zia e bukës. Në Tiranë, ata takuan me kryeministrin e vendit Shevqet Vërlacin, me ministrin e jashtëm Iljaz Vrionin, me Fan Nolin, me Ahmet Zogun me ministra dhe deputetë të parlamentit shqiptar. Pas dy -tre ditësh qëndrimi në Tiranë, çifti Pittard u nis në Shkodër ku e ngriti “shtabin” në hotelin Europa. Eugène Pittard në të gjitha librat dhe studimet që ka shkruar dhe botuar për Shqipërinë qytetet shqiptare i quante sipas terminologjisë latine. Përshembull Shkodrën ai e quante Scutari. Lezhën e quante Lisus. Shëngjinin e quante San Giovani di Medua. Durrësin e quante Durazzo, Vlorën e quante Valona, Korçën e quante Koritza, etj.

Në janar të vitit 1924 ka qenë Edith Durhami, Justin Godart, Elisabeth Carnarvon, Eugène dhe Helene Pittard që i ranë kambanave të alarmit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe në kancelaritë europiane për gjendjen katastrofike dhe për zinë e bukës që kishte pllakosur në veri të Shqipërisë. ndodheshin malësorët shqiptarë. Po atë vit Eugene Pittard do të botonte veprën e tij madhore “Racat dhe historia”. Me të mbërritur në Shkodër Eugene Pittard mblodhi shtabin e emergjencës ku merrnin pjesë konsujt e konsullatave të huaja, prefekti Abedin Nepravishta, kryetari i bashkisë Musa Juka dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Eugène Pittard së bashku me Helenen nisi t’ju shpërndajë njerëzve 25 -30 kg misër për person në fushën e Hasan Riza Pashës. Eugène dhe Helene Pittard ngjitej me kuaj në fshatrat e thella të malësisë së Shkodrës të mbuluara me dëborë për t’ju shpërndarë misër familjeve të vobekta malësore dhe për të parë nëse nënat kishin bukë në magje për fëmijët e tyre. Në operacionin humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, i cili zgjati 6 muaj nga marsi në gusht të vitit 1924 morën pjesë gjithashtu dy delegatë të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Henri Cuénod dhe Raymond Schlemmer. Një regjisor do të kishte realizuar një film që do të kishte tronditur Europën, nëse do të kishte filmuar Eugène Pittard -in dhe Helenën në prill të vitit 1924 duke pritur nga mëngjesi deri natën vonë me ankth mbërritjen e anijeve të ngarkuara me misër në portin e vogël të Shëngjinit duke u kujdesur personalisht që asnjë kokërr misri të mos binte në duart e kontrabandistëve të rrugës. Ministri i jashtëm i Shqipërisë Sulejman Delvina në 22 korrik 1924 i dërgoi një telegram falenderimi dhe mirënjohjeje Lidhjes së Kombeve në Gjenevë në emër të qeverisë dhe të popullit shqiptar.
Në tetor të vitit 1924, Eugène Pittard trokiti personalisht në zyrat e Dhomës së Tregtisë në Gjenevë për t’i dorëzuar një letër që ia kishte dhënë dorazi drejtori i firmës Dodmasej në Shkodër. Firma shkodrane kishte paraqitur një ofertë për të shitur duhan sheldie në tregun zviceran. Në vitin 1927, Ahmet Zogu, Presidenti i Republikës Shqiptare e dekoroi Eugène Pittard me dekoratën e lartë Oficer Madhor i Urdhërit të Skënderbeut. Edhe pas kthimit në Zvicër Eugène dhe Helene Pittard do të punonin vazhdimisht për Shqipërinë se ata kishin kishin fituar tashmë statusin e ciceronëve më të mirë të Shqipërisë në rrethet politike, shkencore, tregtare, publicistike, letrare dhe humanitare të qytetit të Gjenevës. Në vitet 1945 – 1946, Eugène Pittard formoi në Gjenevë komitetin Zvicër -Shqipëri të përbërë nga personalitete zvicerane të fushave të ndryshme, miq të Shqipërisë. Ai dërgoi ilaçe, veshmbathje dhe ndihma ushqimore për fëmijët e vobektë shqiptarë nëpërmjet Kryqit të Kuq zviceran.
Helene Pittard (Noelle Roger) – autore e 54 romaneve të botuara në Zvicër dhe në Francë
Cila ishte Hélène Pittard-Dufour e njohur me pseudonimin Noëlle Roger? Hélène Dufour lindi në 25 shtator të vitit 1874 në një familje të shtresës intelektuale, e cila bënte pjesë në aristokracinë kulturore të qytetit të Gjenevës. Në regjistrin e gjendjes civile të qytetit të Gjenevës ajo figuron e regjistruar me emrin Jeanne Hélène Elcida Dufour. Théophile Dufour, ati i saj ishte jurist, arkivist dhe paleograf, Doktor Honoris Causa i Universitetit të Gjenevës. Nëna e saj. Léonie Fanny Gustavie Bordier ishte e bija e Henri Leonard Bordier, historian i shquar francez, autor i veprave: “Historia e Francës” dhe “Arkivat e Francës” dhe të shumë veprave të tjera historike. Pas vdekjes së Théophile Dufour në vitin 1922, bashkëshortja e tij Fanny vijoi dhe punoi për shumë vite me radhë si ata skriptët e përvuajtur të manastireve për të kopjuar dhe për të daktilografuar disa punime të tij shkencore që ai i kishte lënë përgjysmë për shkak të sëmundjes. Kujtojmë këtu që Fanny Dufour-Bordier si një nënë e dhembshur dhe si një ithtare e devotshme e Kryqit të Kuq ka meritë edhe për transkriptimin, inventarizimin dhe daktilografimin e një pjesë të arkivit letrar të së bijës së saj, Helènës. Théophile Dufour në fund të shekullit të XIX-të ka ushtruar funksionin e drejtorit të Arkivit të Shtetit të Gjenevës dhe funksionin e drejtorit të Bibliotekës publike dhe universitare të qytetit të Gjenevës. Ai ishte personifikim i një eruditi, i cili kishte studjuar, shkruar dhe botuar disa monografi të vëllimshme në lidhje me korrespondencën e Zhan Kalvinit dhe të Zhan Zhak Rusoit. Biblioteka e shtëpisë së Théophile Dufour konsiderohej si një nga bibliotekat më të pasura të Gjenevës. Kësisoj ishte më se e natyrshme që Helena do ta formonte dhe do ta zgjeronte horizontin e saj kulturor në këtë babiloni vlerash dhe dijetarësh të qytetit të Gjenevës duke hipur dhe zbritur shkallët e kësaj biblioteke. Vëmë në pah faktin që biblioteka shtrihej në të gjitha faqet e murit dhe në të nuk mund të ngjiteshe dot pa ndihmën e shkallëve.
Helena në adoleshencën e saj pati një periudhë dyzimi jo të vogël, nëse në të ardhmen do të merrte në duar bojrat dhe penelat e piktorit apo do të trokiste në portën e Pegasit, betejë të cilën do ta fitonte letërsia. Helena filloi të shkruajë pjesë teatrale që në moshën 9 vjeçare, të cilat interpretoheshin nga bashkëmoshatarët e saj dhe “viheshin në skenë” në sallonin e mermertë të familjes Dufour. Në një nga këto «premiera» të pjesëve teatrale Helena u njoh me një djalosh simpatik që ja thoshin emrin Eugène Pittard dhe që nga ai çast ata zbuluan një fushë magnetike, e cila i afronte çdo ditë dhe më tepër drejt njëri tjetrit, fushë magnetike, e cila do të mbetej e ndezur deri në muzgun e vonë të jetës së tyre të gjatë. Në vitin 1897, kur Hélène Dufour ishte 25 vjeç familja e saj e dërgoi në Londër që t’i hapte dimensione të reja horizontit të saj, dijes dhe kulturës, të mësonte gjuhën angleze, të vizitonte muzetë, kështjellat, pallatin mbretëror dhe për të njihej me psikologjinë, botëkuptimin dhe mënyrën e jetesës britanike.
Shumë larg pritshmërisë së prindërve të saj, të cilët bënin pjesë në borgjezinë e Gjenevës, duke i qëndruar besnik karakterit dhe shpirtit të saj të pavarur, për dy vite me radhë Hélèna shërbeu si vullnetare e shoqatës së krishterë “Armée du Salut” në Londër duke udhëtuar me biçikletë në bidonvilet dhe në lagjet e varfëra punëtore ku ajo pa me sytë e saj një botë të panjohur më parë, botën e mjerimit, të urisë, të prostitucionit, të drogës, të sëmundjeve dhe të pabarazisë shoqërore. Për të shuar kureshtjen e lexuesve e shohim të nevojshme të shpjegojmë që “l’Armée du Salut” në shqip përkthehet “Ushtria e shëndetit”. Ajo është një shoqatë dhe një kishë e krishterë protestante e formuar nga Ëilliam Booth në Londër në vitin 1865. Kjo “ushtri” ka emblemën dhe strukturën e saj ushtarake, në gjirin e së cilës militojnë gjeneralë, kolonelë, kapitenë, majorë dhe oficerë. Misioni i saj është që të përçojë frymën protestante dhe t’ju vijë në ndihmë njerëzve të skamur, të cilët jetojnë në periferi të shoqërisë. Për t’iu ardhur në ndihmë këtyre njerëzve të pa shpresë dhe pa të ardhme, Hélèna kreu në Londër një kurs për infermjere, kurs, të cilin nuk do ta kishte kryer kurrë në Gjenevë në oazin e botës së saj romantike. Kësisoj Helena u pajis në Londër me çertifikatën e infermjeres së Kryqit të kuq. Djaloshi Eugène Pittard në Gjenevë vuante për Hélènën çdo ditë e më tepër dhe e digjte malli për të. Distanca gjeografike e bënte të numuronte yjet dhe të rrinte netë të tëra pa gjumë duke menduar dhe ëndërruar për të dashurën e tij që e kishte larg. Një ditë ai i hipi trenit dhe u nis në Londër. Me të mbërritur në stacionin e Londrës, ai hipi në tramvaj për të shkuar në lagjen ku banonte Hélèna. Meqenëse vagoni ishte i mbushur plot me njerëz dhe nuk kishte vend për t’u ulur dhe as për të vënë valixhen, ai vendosi të ndërrojë vagonin dhe gjeti vend në një vagon tjetër. Vagoni ku ai ishte më parë pësoi aksident dhe u përplas me një makinë të tonazhit të rëndë. Disa pasagjerë mbetën të plagosur. Eugèni zbriti shëndoshë e mirë nga tramvaji dhe u përpoq të ndihmonte të plagosurit duke falenderuar zotin që e shpëtoi nga ky aksident. Në mes të turmës së grumbulluar në shesh, ai dalloi vetëtimthi Helenen e tij, të cilën kishte muaj të tërë pa e parë, e cila po e priste e shqetësuar dhe e merakosur në stacionin e tramvajit.
Ai vrapoi drejt saj si i marrë duke çarë turmën me trupin e tij të gjatë dhe pas një çasti që iu duk sa një shekull ia puthi duart, ia përkëdheli flokët dhe e përqafoi me mall Zhuljetën e tij. Eugèni u martua me Hélènën në 20 prill 1900 në një kishë protestante të lagjes Eaux-Vives të qytetit të Gjenevës. Në shekullin e XVII-XVIII -të ishte bërë modë që shumë femra shkrimtare i botonin romanet e tyre me pseudonime. Hélènë Dufour romanin e saj të parë me titull: “Lotët e fëmijës” e kishte botuar në vitin 1896 me pseudonimin Noëlle Roger, katër vjet para se të martohej me Eugène Pittard-in. Hélèna nuk donte të krijonte një pseudonim të stisur dhe artificial të huazuar nga librat, kësisoj e ktheu mbrapsht emrin e vëllait të saj Leon për të formuar emrin e saj Noëlle duke i dhënë prapashtesën e gjinisë femërore dhe për mbiemër mori emrin e vëllait të saj më të vogël, Roger Dufour. Vepra letrare e Noëlle Roger ndahet në tri faza. Faza e parë përfshin romanet dhe novelat e botuara prej saj në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të XIX-të.
Ato karakterizoheshin nga një frymë melankolike dhe sentimentale dhe mund të përfshihen në zhanrin e romaneve me profil të mirëfilltë psikologjik. Pas shpërthimit të luftës së parë botërore romanet e Noëlle Roger, të cilat i përkasin fazës së dytë të krijimtarisë së saj, i përkushtohen dhimbjes njerëzore, kurajos civile dhe përpjekjeve të femrës zvicerane për emancipimin e saj. Faza e tretë e krijimtarisë së Noëlle Roger nxjerr në pah prirjen e saj drejt romanit historik dhe fantastiko shkencor. Letërsia fantastiko shkencore e ka zanafillën në vitin 1818, kujtojmë këtu romanin «Frankenshtajni» shkruar nga Mary Shelley dhe botuar me pseudonim në vitin 1821. Noëlle Roger me romanet e saj mund të konsiderohet si një pioniere e lëvrimit të romanit fantastiko shkencor në Gjenevë. Tri autorët më të preferuar të saj, romanet e të cilëve i mbante nën nënkrejsë ishin Flober, Gonkurt dhe Emil Zola. Krahas romaneve Noëlle Roger ka shkruar dhe ka botuar drama dhe pjesë teatrale. Si autore e 54 romaneve dhe novelave, Noëlle Roger-it i duhet njohur merita edhe si biografe. Ajo është autore e një biografie për Zhan Zhak Rusoin, autore e një biografie për Henry Dunant-in, themeluesin e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq dhe autore e një biografie për shkrimtaren dhe filozofen franko-zvicerane Germaine de Stahl. Në vitin 1939, Noëlle Roger do të shkruante dhe do të botonte në Gjenevë dramën me titull : «Rrëmbimi i Europës» në bashkëpunim me shkrimtarin Georges Oltramare, dramë, e cila do të vihej në skenë në një teatër të Parisit në vitin 1941. Zanafilla e kësaj drame na shtyn të kthehemi në Hollandën e vitit 1632 dhe na sjell ndër mend tablonë e famshme mitologjike të Rembrandit me të njëjtin titull. Piktura në fjalë është frymëzuar nga poema e gjatë në vargje e poetit romak Ovid me titull: “Metarmorfoza”. Autori i saj paramendohet që i mbylli sytë në Konstancë, në Tomisin e lashtë antik i përndjekur në ekzil nga Jul Cezari, perandori i parë i perandorisë romake. Noëlle Roger duke qenë një femër e emancipuar për kohën, nuk pranonte kurrsesi të bënte kompromise, të cilat mund t’i kushtonin shtrenjtë dhe mund ta cënonin sado pak lirinë dhe indipendencën e saj.
Në dekadën e dytë të shekullit të XX-të, pasi mori patentën e makinës dhe u pajis me leje qarkullimi, Noëlle Roger do të përshkonte me mijëra kilometra për të shkuar në Paris që të nënshkruajë kontrata me botuesit e romaneve të saj. Fakti që Noëlle Roger tashmë nuk ishte më e kufizuar gjeografikisht i jepte asaj kurajo për të mos u tërhequr nga pengesat që i dilnin përpara në rrugën e saj. Tash e mbrapa ajo do ta identifikonte veten me një shpend që fluturon i lirë në hapësirën e pafund qiellore. Mund të pohohet me sigurinë më të madhe që Noëlle Roger ishte ndër të rrallat shkrimtare në Gjenevë në harkun kohor të viteve 1920-1940, e cila arriti të fitonte statusin që të jetonte me të ardhurat e botimeve të romaneve dhe të novelave të saj. Megjithatë, duhet thënë që Hélène Pittard ka punuar për 30 vjet me rradhë në shkollën e mesme të vajzave në Gjenevë si profesore e letërsisë franceze. Prof Eugène Pittard i qëndronte pranë bashkëshortes së tij duke e mbështetur vazhdimisht në veprimtarinë e saj krijuese dhe botuese dhe duke i dalë hapur në mbrojtje në debatet publike që ndizeshin për librat e rinj dhe ekspozitat e pikturave në faqet e gazetave dhe revistave për çështje të ndryshme letrare, estetike dhe botëkuptimore.
Veprat e Eugène Pittard dhe të Noëlle Roger nga ana figurative mund të krahasohen me dy lumenj të rrëmbyer, të cilët ndonëse rrjedhin në kahe të ndryshme, e kanë shtratin e gjerë dhe përshkojnë me mijëra kilometra në thellësi të tokës derisa një ditë derdhen në det. Eshtë me rëndësi të nënvizohet fakti që Eugèni dhe Hélèna e respektonin shumë njëri tjetrin dhe asnjëri prej tyre nuk i hynte në pjesë pavarësisë dhe indipendencës së tjetrit, duke i konsideruar parimet në fjalë si të shenjta. Gjenevasit e vjetër e kujtojnë ende sot Eugène Pittard-in veshur me kostum të zi smoking dhe Hélène Pittard-in veshur me fustan të gjatë si një princeshë a si një sirenë që del nga ujërat e liqenit Leman, që të dy hipur në biçikleta duke shkuar në një pritje zyrtare që organizohej nga Lidhja e Kombeve në hotel Nacional në Gjenevë. Vitet e fundit veprat e shkrimtares zvicerane Noëlle Roger janë ribotuar disa herë. Romani me titull “Libri që shkaktoi vdekje” dhe romani “Miku i padukshëm” janë ribotuar frengjisht në vitin 1996 nga shtëpia botuese “Melçior” në Gjenevë. Romani “Përmbytja e re” u ribotua në vitin 2014 nga shtëpia botuese Stentor Olivier Mottaz në Gjenevë. Romani me titull “Adami i ri” u ribotua frengjisht në vitin 2022 nga shtëpia botuese La Baçonière në Gjenevë. Qeveria franceze e nderoi Noëlle Roger-in me medaljen e mirënjohjes për kontributin e dhënë në spitalin 101 të Lionit në vitin 1914-1915 në kohën e luftës së parë botërore. Mbreti Ferdinand i parë i Rumanisë e nderoi Noëlle Roger-in me diplomë në 14 qershor 1920. Në vitin 1925, Mbreti i Rumanisë e nderoi Noëlle Roger-in me medaljen e artë “Bene merenti” të klasit të parë. Republika franceze e nderoi Noëlle Roger-in në 28 dhjetor 1929 me Urdhërin e Kalorësit të Legjionit të Nderit. A nuk është një koinçidencë e bukur të njihemi me faktin që edhe ati i saj historiani, arkivisti dhe paleografi Théophile Dufour është nderuar me të njëjtin Urdhër: Kalorës i Legjionit të Nderit. Në vitin 1943, Noëlle Roger u nderua me çmimin Pro Helvetia. Në vitin 1945, u nderua me çmimin Duplan për romanin : «Të dashurosh thjeshtësisht». Në 1 shtator 1945, qyteti i Firences e nderoi Noëlle Roger-in me një diplomë nderi. Në vitin 1948, Fondacioni Schiller e nderoi Noëlle Roger-in me çmimin Schiller për romanin “Përmbytja e re”. Po në vitin 1948, Noëlle Roger u nderua me Medaljen e Akademisë franceze.
Albumi fotografik i Eugene Pittard – një buqetë me lule të freskëta për Shqipërinë
Ky album fotografik e ka zanafillën tek udhëtimi i Eugène dhe Helene Pittard në Shqipëri në vitin 1921 dhe në vitin 1924 dhe është një pasqyrë e historisë së Shqipërisë, e krizës së urisë dhe e zisë së bukës që kishte pllakosur plasi në veri të vendit. Eshtë gati e pamundur të mos shtrosh pyetjen: Përse historia shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore për 50 vjet me radhë nuk ka shkruar asnjë rresht për krizën e urisë dhe për operacionin humanitar të Lidhjes së Kombeve, operacion i cili zgjati plot 6 muaj nga marsi deri në gusht të vitit 1924 ? Të krijohet një ide iluzive sikur historiografia shqiptare ka dashur që ta fshehë këtë krizë përfshirë këtu edhe operacionin humanitar të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë që zgjati 6 muaj nga marsi deri në gusht të vitit 1924, sikur ka dashur ta degdisë atë makth në skutat periferike të ndërgjegjes së shqiptarëve.
Aq më tepër që shteti shqiptar në gusht të vitit 2024, i cili përkonte me 100-vjetorin e operacionit të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri nuk bëri asnjë hap për ta përkujtuar këtë datë historike, të cilën as Kombet e Bashkuara në Gjenevë nuk morën mundimin që ta kremtonin duke e kaluar në heshtje. Përveç Eugène Pittard-it, autorit të këtij albumi fotografik, edhe Noëlle Roger ka meritë të veçantë për ditarin e ditëpërditshëm me 100 faqe që mbajti në Shqipëri në mars -prill 1924. Duhet pohuar se ky ditar është dëshmitari i vetëm i shkruar me stilograf nga dora e saj për përshkrimin e kësaj krize të rëndë humanitare. Ky album fotografik është një buqetë me lule të freskëta për Shqipërinë. Johann von Hahn kur ishte konsull i Prusisë në Janinë në vitin 1897 pati fat se u njoh dhe u takua me Kostandin Kristoforidhin, i cili e mësoi të shkruajë dhe të flasë shqip. Eugène Pittard në një farë kuptimi figurativ është një Johann von Hanh i Shqipërisë së fillimit të shekullit të XX-të. Por kur Eugène Pittard erdhi në Shqipëri në vitin 1921, ai nuk pati fat ta gjente Kostandin Kristoforidhin e tij. Megjithëse për hir të së vërtetës, ai dinte disa fjalë shqip si Tungjatjeta, a je burrë, mirëserdhe, të cilat ia kishte mësuar në Gjenevë miku i tij shqiptar Midhat Frashëri. Megjithatë, Eugène dhe Helene Pittard e gjetën menjëherë rrugën e tyre të komunikimit me shqiptarët se ata kishin blatuar një zemër shqiptare. Duke parë këto fotografi kaq të bukura bardhë e zi na shkon mëndja tek kahu tjetër i kësaj ideje, e cila qëndron në mbledhjen dhe në grumbullimin e fotografive që kanë bërë fotografët shqiptarë të para luftës së dytë botërore për Edith Durhamin, për Justin Godart-in, për Elisabeth Carnarvon, për Eugène dhe Helene Pittard dhe figura të tjera miqsh të Shqipërisë dhe t’ia dorëzojnë këto fotografi për ruajtje dhe rijetëzim Muzeut Kombëtar Marubi në Shkodër. Figura të tilla emblematike dhe simbolike si Eugène dhe Helene Pittard na përngjajnë me meteoritët e ndritshëm që koha dhe vitet që rrjedhin si uji në barkun e patës, siç shkruante Edith Durhami në Brengën e Ballkanit, nuk ju a zbehin shkëlqimin.
Përkundrazi, ato shkëlqejnë gjithmonë e më tepër duke na dhënë dritë nga dritësia e tyre. Falenderimet më të përzemërta dhe të sinqerta për botimin e kësaj trilogjie, libri shqip, libri frengjisht, albumi fotografik dhe kjo ekspozitë fotografike i takojnë së pari Prof Aleks Budës, Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili në vitin 1985 më propozoi të shkruaj një libër për Edith Durhamin së bashku me Prof. Dr. Xhevat Lloshin dhe në vitin 1989 më propozoi të shkruaj një libër për Eugène dhe Helene Pittard. Falenderoj përzemërsisht, familjen Pittard dhe Dufour në Gjenevë, Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri zonjën Ruth Huber, drejtoreshën e muzeut etnografik të Gjenevës Carine Ayélé Durand dhe restauratoren e Muzeut Etnografik të Gjenevës, Chantal Courtois.
Këto 70 fotografi bardhë e zi të këtij albumi, të cilat janë pjesë e një koleksioni prej 237 fotografish të Eugène Pittard, të cilat ndodhen në Muzeun Etnografik të Gjenevës në një farë kuptimi figurativ janë një tufë me dallëndyshe që kanë fluturuar nga qielli ilirjan në qiellin helvetik 100 vjet më parë ku Eugène Pittard i ka pritur krahëhapur në shtëpinë e tij, ju ka dhënë strehë, ju ka ngritur folenë me kashtë, është merakosur kur ktheheshin vonë në fole, i ka ngrohur me frymën e tij kur iu mardhnin gjymtyrët nga i ftohti dhe nga ngrica e dimrit, është kujdesur të mos i djegë zhegu dhe vapa, i ka ushqyer me dorën e tij, është kujdesur për shëndetin e tyre dhe i ka përkëdhelur me dashuri sikur ato dallëndyshe të ishin fëmijët e tij.