Homazhe e nderime për 114 dëshmorët e rënë në Betejën e Koshares
Në Kompleksin Memorial në Koshare, u shënua 27-vjetori i betejës së lavdishme të luftës për çlirimin e Kosovës, ku morën pjesë familjarë të dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, ish-pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës.
Para fillimit të ceremonisë qendrore të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, i cili organizohet në nderim të pjesëtarëve Brigadës 138 “Agim Ramadani”, pjesëmarrësit bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh mbi varret e të rënëve në luftën heroike kundër forcave të ushtrisë serbe në Koshare.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, foli me ndjenjë të thellë nderimi e respekti për pjesëtarët e Brigadës “Agim Ramadani” që e thyen kufirin politik mes Kosovës e Shqipërisë dhe forcat e ushtrisë serbe shumë më të armatosur dhe të pajisur. Ajo theksoi se Beteja e Koshares është njëra ndër betejat më të lavdishme të historisë më të re të Kosovës.
“Në betejën e Koshares u vranë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe u plagosën mbi 380 të tjerë. Këta luftëtarë që ia mësyen Koshares atë pranverë e dinin mirë se ku po hynin, e dinin që kthimi nuk ishte i sigurtë, por hynë për liri, u vranë për liri dhe na e sollën lirinë. Andaj, Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu e kujtoi me pietet Komandantin Agim Ramadani, i cili ra dëshmor në Betejën e Koshares.
“Pas dy ditë luftimesh të ashpra ne fushë të betejës ra strategu, piktori e artisti shumëdimensional Agim Ramadani, me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138.Ai e kishte udhëhequr sulmin që nga dita e parë. Ishte në vijën e parë të frontit kur kufiri u thye. Rënia e tij ishte humbje e madhe për Kosovën, por, në të njëjtën kohë, u bë forcë për ushtarët e tij, të cilët e çuan deri në fund amanetin e tij për ta hequr kufirin që i ndante shqiptarët andej e këndej Drinit”, tha ajo.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës tha se pavarësisht rënies së Komandantit Agim Ramadani, të komandantit Sali Çekaj dhe të bashkëluftëtarëve vtë tjerë, pjesëtarët e Brigadës 138 nuk i ndërprenë luftimet deri në realizimin e objektivit final – hapjen e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë.
Haxhiu tha se në Betejën e Koshares morën pjesë edhe vullnetarë të huaj, disa prej të cilëve edhe ranë në këtë betejë, krah për krah me luftëtarët shqiptarë.
“Kjo dëshmon që lufta e jonë ishte e drejtë mori përkrahja nga bota demokratike”, tha ajo, duke theksuar se përulet para të gjithë dëshmorëve të rënë në këtë betejë, veçmas të italianit Francesco Giuseppe Bider, francezit Pierre Arnaud Pallard dhe algjerianit Murat Muhamet Ali.
Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe minister e Drejtësisë, e cilësoi Betejën e Koshares së gur themeli të Republikës së Kosovës.
“Beteja e Koshares e zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe shtetërore të Republikës sonë, jo vetëm për guximin e jashtëzakonshëm që u tregua aty, jo vetëm për strategjinë e rrallë ushtarake që çoi në fitore, por sepse aty u dëshmua se liria e Kosovës nuk po kërkohej më si e drejtë morale e politike, por po mbrohej dhe po fitohej në fushëbetejë, me ushtarë dhe oficerë trima, të përgatitur, liridashës deri në vetëflijim”, tha ajo.
Gërvalla tha se Beteja e Koshares ishte pjesë e një rrugëtimi të gjatë historik për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Kosharen nuk duhet ta kujtojmë si një episod të izoluar. Kosharja nuk erdhi si ngjarje e shkëputur, por si një rrjedhojë e natyrshme e një rruge të gjatë historike, në të cilën çështja e Kosovës u artikulua politikisht e ndërkombëtarisht edhe nën udhëheqjen e presidentit Ibrahim Rugova, por edhe nga bindja e thellë e burrave dhe grave të këtij vendi se përballë një pushtuesi të dhunshëm, liria nuk mund të arrihej pa luftë, bindje kjo së cilës Adem Jashari i dha formën e saj më të qartë, më të rëndë dhe më të pakthyeshme”, us hpreh ajo.
Gërvalla theksoi se Beteja e Koshares është sinonim i shtetit të Kosovës.
“Kosharja është pjesë e themelit politik dhe moral të Republikës së Kosovës. Ajo na rikujton një të vërtetë që nuk duhet lejuar të zbehet kurrë. Shteti ynë nuk është produkt i rastësisë, nuk është produkt i rehatisë, nuk është produkt i kompromisit me padrejtësinë”, theksoi ajo.
Për Betejën e Koshares, me ratin e 27 vjetorit, e kanë kujtuar edhe kryeministri Albin Kurti, drejtuesit e partive politike shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe personalitete të shumta politike e publike.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e vlerësoi Betejën e Koshares si njërin nga kapitujt më të lavdishëm të luftës çlirimtare të Kosovës.
“Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare, ku bijtë më të mirë të kombit dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme trimave që ranë në këtë betejë!”, tha kjo organizatë.