Çerçiz Loloçi: Një monument për familjen dhe atdheun nga Imer Merlika
Sapo kam përfunduar së lexuari librin e fundit të Imer Merlikës, me një titull paksa të çuditshëm “Vdekja është karrierë”, që më dha emocione të veçanta, pavarësisht se është një kronikë autobiografike, shkruar thjesht, me shumë detaje, por me mesazhe të mëdha.
Autor i disa librave të rëndësishëm, mes të cilave “Formësimi politiko-juridik i Bashkimit Europian”, “Shteti, autor krimesh”, “Bota me Kajlën”; përpiluesi i disa analizave dhe studimeve të natyrës profesionale dhe të shkollimit të pandërprerë të tij për demokracinë, diplomacinë, format qeverisëse në Shqipëri nga 1912 deri në 2005, për gjykatën administrative apo për projekt-kushtetutën europiane, vjen me këtë botim të ri duke ringritur një monument për familjen.
Një familje e shëndoshë, pavarësisht ndjekjeve, përndekjeve, internimeve, burgimeve, vrasjeve, spiunimeve, ka gjithmonë një kumt të brendshëm: ta duam njeri-tjetrit për të mbijetuar!
Deri para tri dekadash, familja e tij dhe vetë ai ishte përjashtuar nga shoqëria diktatoriale, si i padëshirueshëm, me damkën e “armikut të klasës”, por zhvillimet e reja pas viteve nëntëdhjetë, Imer Merlika fiton së pari lirinë e munguar dhe pikërisht gjatë kësaj periudhe ai është në një rendje të vazhdueshme për të kapur kohën e humbur.
Krijon fillimisht një biznes privat për të mbajtur familjen e prindërve të tij, përfshihet në proceset demokratike dhe hap pas hapi është punonjës policie në Komisariatin e Krujës, jurist dhe zëvendës-drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, jurist në Drejtorinë rajonale të Tatimeve të Durrësit, shef sektori në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Tiranë dhe disa pozicione të tjera.
Dikur i përbuzur dhe i anashkaluar nga strukturat e vogla dhe të mëdha të piramidës diktatoriale, tashmë në kohë të reja Imeri arriti të mbaronte studimet e larta për Drejtësi, pastaj studimet po të larta për Diplomaci, më pas një master shkencor për të drejtën penale dhe kohë më vonë kurs kualifikimi pranë agjencisë amerikane USAID duke marrë licensën për gjyqtar-ndërmjetës.
Por le të kthehemi te titulli i librit, paksa i pazakontë “Vdekja është karrierë”. Vetë autori në krye të librit ka shkruar një epitaf ku shkruan: “Vdekja nuk ekziston, njerëzit vdesin kur harrohen. Nëse do më mbani mend gjithnjë sipas gjurmëve, unë do të jem gjithmonë me ju. Gjithësisë”.
Imeri, duke ardhur nga një familje e madhe dhe fisnike, që e ka dashur me shpirt këtë vend, këtë atdhe, këtë territor në Shqipërinë natyrale ka pasur synimin e parë për t’u shkolluar; është shkolluar vetë dhe katër fëmijtë e tij, dy vajza dhe dy djem, është bërë zyrtar i shtetit nga shkallët më të ulta dhe deri më të larta, ka qenë i ndershëm edhe korrekt kur ka marrë përsipër dhe ka realizuar edhe zhdukjen e hasmërisë.
Pavarësisht regjimeve, një familje e madhe i gjen mundësitë për të mbijetuar, për t’u ringritur dhe ky libër i Imer Merlikës është një testament për ruajtjen e familjes, që domethënë ruajtja e atdheut është dhe e vetë kombit.