SPAK nis hetimet për aferën e Zvërnecit
Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur hetime mbi mënyrën e përfitimit të tokave në zonën e mbrojtur të Zvërnecit nga një rrjet i dyshimtë individësh dhe kompanish, si edhe mbi procedurat e zbatimit të projektit për ndërtimin e resorteve turistike, i promovuar si një investim i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner.
SPAK konfirmoi të hënën më 1 qershor për BIRN, se po kryhen hetime lidhur me projektin që ka nisur të zbatohet së fundmi për ndërtimin e resorteve në Zvërnec, në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, ku për shkak të rrethimit të bregdetit dhe plazhit, qindra qytetarë protestuan të shtunën kur u përballën me dhunë e deri në rrëmbimin e një personi dhe keqtrajtimin e tij, nga ana e individëve të cilët nuk kishin asnjë shenjë dalluese.
Sipas koordinatores për të drejtën e informimit pranë SPAK, në fazën që është hetimi i çështjes, nuk mund të ndahen për publikun të dhëna të tjera.
Një investigim i BIRN i publikuar të premten e kaluar, gjeti se pas projektit për ndërtimin e rezorteve, që është prezantuar publikisht si një ide e dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, fshihet një rrjet vendor i dyshimtë individësh dhe kompanish. Aty përfshihen: një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati.
Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, si dhe konsiderohet nga ekspertë të mjedisit si një nga zonat me më shumë biodiversitet në vend dhe ruan një sërë pasurish natyrore jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës.
Pavarësisht kësaj, investitorët kanë vijuar me rrethimin e zonës dhe shtrimin e rrugëve brenda saj, duke tjetërsuar peizazhin dhe me ndërhyrje që, sipas ekspertëve të mjedisit, cenojnë rëndë lagunën e Nartës.
Një protestë e organizuar të shtunën kundër rrethimit të zonës së mbrojtur në Pishë Poro-Nartë, u përshkallëzua në incidente të dhunshme, pasi punonjës të një kompanie sigurie private u përplasën fizikisht me banorë të Zvërnecit dhe aktivistë mjedisorë. Një prej protestuesve u rrëmbye dhe u tërhoq zvarrë rrethimit, ku dhe u dhunua fizikisht nga persona që nuk kishin asnjë shenjë dalluese. Pas incidentit, situata u përshkallëzua dhe protestuesit e punonjësit e sigurisë shkëmbyen gurë, ndërsa në disa raste u përdor edhe spraj lotsjellës.
Situata e krijuar bëri që mijëra qytetatrë të protestonin të dielën para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme e para Kryeministrisë, kundër zaptimit të zonave të mbrojtura dhe kundër dhunës së ushtruar, duke kërkuar vendosjen papa përgjegjësisë të gjithë personave të përfshirë dhe politikanëve që kanë mbështetur e lejuar tjetërsimin e pronës publike dhe zonave të mbrojtura.