AVDUSH CANAJ: NJË FILM I SHKURTËR
Cikël poetik
STACION I PARË
Stacion i parë e hëna
ku niset treni
me shtatë vagonat e javës
Një zog lidh këpucët shpejt
të mos vonohet
në korin e melodive të shkronjave
E MARTA ME BALONËN E DIELLIT
Një kat më lartë se e hëna
është e marta
nga ballkoni buzëqesh me mua
Fluturon shkallëve si motra ime
me balonën e diellit
lojërave ua hapë derën
E MËRKURA TREGON
Nga ura e javës
e mërkurja na tregon
edhe sa hapa ka java
Këngëz e ëmbël
me një luhare zogu
për t’ia përkëdhelur faqen ditës
HAP QË NGUTET
Hap që ngutet
është e enjta
me këpucët e reja
E pret buzëqeshja
me fustan të kaltër
te parku i së premtës
MREKULLITË FILLOJNË ME TË PREMTËN
Fluturon nga shkolla
me çantën e gëzimit
lapsat nisin këngën
Loja del nga xhepi
bashkë me ëndrrat.
Mrekullitë fillojnë me të premtën
E SHTUNJA E LOJËS
Ditë e lirisë së të gjithëve
gjumi nuk pyet
sa është ora
As dielli, as zogjtë
nuk të trokasin në dritare
e shtuna e lojës është kjo
NJË FILM I SHKURTËR
E diela
një film i shkurtër
muzikor
Desha ta zgjas
edhe pak
regjisori iku me erën
Gjilan, 5 qershor 2026.