Albspirit

Media/News/Publishing

Petro Koçi: Nuk e çrrësnjosin dot historinë e themelimit të PS themeluesit e korrupsionit

1. Bulevardi digjet, korrupsioni krihet

 Themeluesja e korrupsionit nuk mund të mos e ushtrojë zanatin edhe në një ceremoni kremtimi të përvjetorit të themelimit të Partise Socialiste (PS).

Zakonisht ajo mbjell frikë dhe servilizëm kudo ku e dërgojnë, në detyra shtetërore apo partiake.

Mbrëmë shfaqi edhe vesin e lig të përçarjes së themeluesve të PS.

Ca i ftoi, ca i harroi. Servilët dhe frikacakët rreth saj nuk bëzanë.

Performoi haptaz një sjellje ordinere prej hakmarrëseje.

Hierarkinë e kontributeve të themelimit, modernizimit dhe fuqizimit të PS nuk e hedh dot askush në koshin e plehrave.

Aspak imazhi i një individi që frymëzon protestat e përnatshme në bulevardin e Tiranës dhe që ushqen PD-në e Sali Berishës. Aspak njeriu që në zgjedhjet e Majit 25 i solli historisë së PS Fier turpin e vjedhjes së votave edhe brenda llojit, e verifikuar nga procesi i rinumërimit, apo skandalin e falsifikimit të përbërjes së listës fituese në numërimin e parë të fletëve të votimit. Dhe kurrë njeriu që përfshiu në listën e deputetëve pinjollët e atyre që i bënë nënën votave dhe sakrificave të socialistëve në zgjedhjet e vijës së kuqe të vitit ‘96 apo të atyre që hoqën mbathjet para grave të Libofshës.

Nuk e çrrësnjosin dot historinë e themelimit të PS themeluesit e korrupsionit.

2. Si u bë PS Fier kryeqytet politik

Viti ‘92 ka qenë vendimtar në procesin e shndërrimit të PS në një organizatë të fortë dhe moderne.

Sfida ka qenë së pari intelektuale dhe morale.

PS u kthye shumë shpejt shpirt dhe ndërgjegje politike e shoqërisë fierake. Ndërtuam një parti që i shërbente qytetarëve si modeli i i ndershmërisë shembullore dhe i demokracisë së plotë institucionale. Ata gjetën te PS atë që u mungonte në marrëdhënien e tyre me shtetin dhe pushtetin e kohës.

Tezat politike kërkonin argumentim bindës dhe të sinqertë.

Në rrafshin organizativ nisëm një proces thuajse unik në disa elemente.

E para e ngritëm partinë më grupe nismëtare në çdo njësi, kryesisht me kuadro të rinj që nuk nuk vinin nga PP.

70% e anëtarësisë ishte komplet e re dhe pa lidhje me PP.

E dyta ne ndërtuam organizata në bazë profesioni ku kontributi intelektual gjeti terren përmbushës të aspiratave të qindra specialistëve që vinin nga fusha të ndryshme të sistemit profesional. Organizatat e Specialistëve të Naftës, të Arsimit, të Shëndetësisë, të Kulturës, të Bujqësisë, të Financave dhe Ekonomisë, të Biznesit etj u kthyen në terrenin politik të përpunimit të argumentit, ideve dhe alternativës qeverisëse.

Ne kuptuam shpejt nevojën e ngritjes së kapacitetit dhe instrumentit koordinativ në territor prandaj ndërtuam të parët këshillin zonal dhe ia propozuam si detyrim statutor Kryesisë së PSSH.

Dokumentat publike, promemoriet, kërkesat publike, komunikatat e PS Fier kishin format europian.

Këto kontribute e bënë PS Fier organizatën më të mirë në rang vendi.

Të mos harrojmë që kjo veprimtari shtrihej në çdo njësi jo vetëm të Fierit të sotëm, por edhe  të Mallakastrës, Patosit dhe Roskovecit. Më pas Mallakastra u nda më vete.

3. Homazh për kontribuesit e shuar

Ja vetëm disa prej tyre. Fierakët mund të plotësojnë emra të tjerë në komentet përkatëse. Nëse nuk kanë frikë nga kontrolloret hakmarres të pëlqimeve në Facebook.

Nikollaq Koshovari, Gjergji Kerri, Luan Rustemi, Halit Kaçanolli, Tashko Lako, Mimi Dema, Thoma Meço, Islam Lala, Naun Prifti, Fadil Çepele, Vasillaq Popi, Idriz Kabashi, Ylli Islami, Tomott Demiri, Toli Shabani, Musa Makashi, Fatmir Xhindi, Marianthi Poro, Elida Jano, Qiriako Deçka, Kristofor Leka, Sokrat Pitushi, Sokrat Plaku, Xhevair Tahiri, Kujtim Meta, Ilirian Iliazi, Todi Dano, Engjëll Beshaj, Ilir Dano, Fatbardha Kapaj, Artan Ferati, Ahmet Ismaili, Leta Zoto, Ilir Behaj, Kujtim Amoniku, Perparim Nallbani, Nardi Sauli, Kristofor Sinani, Sefefin Tafa, Nikollaq Hysi, Skënder Duraj, Xhevit Duraj, Arian Koçi e shumë e shumë të tjerë.

4. Çfarë duhet ndyshuar

 Mendoj se duhet hequr dorë nga përqëndrimi i gjithë pushtetit në duart e të deleguarve.

Të rritet pushteti i anëtarësisë në vendimmarrjen politike.

Në rang qarku të ngrihet me vendim Asambleje një strukturë kolegjiale që diskuton dhe vendos për çështjet kryesore dhe zhvillimet politike në nivel vendor.

Të zgjidhen në krye të PS në rang bashkie njerëz me personalitet dhe nëpërmjet një procesi votimi.

Të ndalohet shoqërimi i të deleguarve me dhjetëra drejtues administrate të dikastereve.

Sepse opinioni ngatërron patronazhistët me shoqëruesit e të deleguarve e kjo krijon keqkuptime dhe fyerje për të zgjedhurit e strukturave vendore.

Të lirohen nga përgjegjësia e të deleguarit personat që janë nën ndjekje penale.

Vetëm një trimëri duhet sot: të jesh i ndershëm.