Albspirit

Media/News/Publishing

Dy poezi nga Aleksandra Arshiaj

Nëpër mjegull erdha ngadalë

Ti…
Nëpër mjegull erdha ngadalë,
Teksa shiu inatin kish derdhur,
I heshtur me shihje plot mall
Nëpër veshtrime që koha kish fshehur.

Përqafimi i parë nëpër lotë
Krehur sillte ëndrrat mbi kohë,
Tek ndjeja zemrën që fliste ngadalë
Dhe vitet që kisha humbur nëpër to.

Befas një grumbull resh ikën larg,
Dhe dielli lindi në sytë e mi,
Një zjarr që ndizej dalëngadalë,
Dhe akuj të ngrirë që shkriheshin tek ti.

Ti dhe largësia më vini nëpër vite,
Krahët hap shpirti në dritërime,
Më zgjon nga kjo ëndërr e vrarë.
Dhe zgjedh të jem me ty nëpër agime.

Më duaj

Më duaj edhe pak, në heshtjen e kësaj nate të qetë,
ku hëna hedh dritën e paqtë mbi tonën vetmi,
dhe mua, një çast, më duket një jetë,
vetëm këtë natë të jem me ty.

Rri me mua, e nga puthja mos u tremb,
se dashurisë di t’i falem deri në vdekje.
Të arratisemi nga e frikshmja ditë, për çudi,
sikur fryma e fundit të më iki nga një prekje.

Më duaj edhe pak, më lër me ty të rri,
botën falma vetëm sonte,
dhe ty më shumë do të të dua, ti e di.
Këtë liri të çmendur do ta hedh mbi horizonte

Më duaj edhe pak… e të iki — të lutem, mos më lër.
Falma lumturinë vetëm një çast,
në fshehtësinë e kësaj nate me hënë.
Mos më lër, me ikje të të vras.

Kur unë dhe ti botën lamë në vetmi.
Mijëra sy u bënë pararojë
në tonën dashuri dua të bërtas,
të qaj, të qesh e të jem fëmijë
le të bëhet, në u bëftë ç’të dojë.