Poezia e Aleksandra Arshiaj, si dialog i brendshëm mes unit poetik dhe kohës
Delo Isufi
Në hapësirën e poezisë bashkëkohore shqipe, zëri i ri i poetes Aleksandra Arshiaj vjen si një frymëmarrje e natyrshme, e sinqertë dhe e ndjerë, duke u shpalosur me një ndjeshmëri të thellë estetike dhe shpirtërore. Vargjet e saj janë vesë mëngjesi, janë diell përvëlues, janë re e shi, shtrëngatë e furtunë, janë rreze drite që depërtojnë në kujtesën dhe ndërgjegjen e lexuesit. Duke lexuar poezinë e saj, pa e kuptuar zhytesh në ëndërrime, rikthen në mendje fëmijërinë, rrugicat e fshatit, shtëpinë ku je lindur; nis e bisedon me malet, me fushat, me prindërit, e lodron mes reve të një bote që është njëherazi reale dhe poetike.
Herë–herë vargu i poetes bëhet melodi violine, avaz i culës dyjare, ninullë e butë që buron nga një trevë e rrethuar me male dhe e mbushur me kujtime. Edhe lumi në poezinë e saj, kur zbret drejt detit, duket sikur hedh valle; edhe trishtimi, kur shfaqet, nuk mbetet i rëndë, por merr një ritëm të brendshëm që e gjallëron përjetimin. Në këtë mënyrë, poezia e Aleksandrës nuk është vetëm rrëfim, por një përjetim i shumëfishtë, ku tingulli, figura dhe emocioni bashkohen në një harmoni të natyrshme.
Në poezinë programatike të librit, “Tek pragu i shtëpisë sime”, poetja ndërton një nga simbolet më të fuqishme të gjithë vëllimit: pragun si kufi midis së shkuarës dhe së tashmes, midis kujtesës dhe realitetit.
Kthehem prap në portën e vjetër,
Heshtjes i flas nëpër të mijat kujtime,
Zërin tim e dëgjoj në një kohë tjetër,
Ky është pragu i ëmbël i shtëpisë sime.
Në këto vargje, bie në sy përdorimi i metaforës së “portës së vjetër”, e cila nuk është thjesht një element fizik, por një hyrje drejt memories. Heshtja personifikohet (“heshtjes i flas”), duke krijuar një dialog të brendshëm mes unit poetik dhe kohës. Kjo është një figurë e fuqishme e personifikimit, që i jep abstraktes një dimension të gjallë.
Vargu “Zërin tim e dëgjoj në një kohë tjetër” ndërton një paradoks kohor, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë, duke krijuar një efekt të thellë introspektiv. Ndërsa “pragu i ëmbël” është një epitet emocional, që e ngarkon objektin me ndjenjë dashurie dhe përkatësie.
Në tërësi, kjo poezi është një kthim në identitet, një rikthim në rrënjë, ku kujtesa nuk është thjesht rikujtim, por një mënyrë për të jetuar sërish, duke e bërë vendlindjen një hapësirë jo vetëm fizike, por shpirtërore.
Një tjetër poezi me ngarkesë të thellë emocionale është:
Loti im, ti zbrite prej honeve të shpirtit,
Të putha në nxehtësinë e mallit,
Si shkëmb mbi krye m’u derdhe,
Lagur, në shkëndijat e zjarrit.
Poetja ndërton një univers të fuqishëm emocional përmes figurave të dendura stilistike.Këtu metafora arrin një intensitet të lartë. “Honet e shpirtit” sugjerojnë thellësi të errëta dhe të pamatshme të ndjenjës, ndërsa loti nuk është më thjesht një pikë uji, por një rrjedhje e brendshme e dhimbjes. Krahasimi “si shkëmb mbi krye m’u derdhe” krijon një figurë të rëndë, gati fizike, të dhimbjes që bie mbi njeriun me forcë shtypëse. Ndërsa “shkëndijat e zjarrit” përforcojnë kontrastin mes ujit dhe zjarrit, duke krijuar një tension figurativ që e bën vargun më të gjallë dhe më dramatik. Kjo poezi është një shpërthim i ndjenjës së përmbajtur, ku dhimbja nuk është e heshtur, por e zjarrtë.
Në poezinë “Testament dashurie”, poetja ndërton një diskurs filozofik dhe emocional mbi përjetësinë e ndjenjës: Në fllade shekullore,
Kjo plagë e largët malli,
Frymon në shpirtin poetik,
Në shekuj ngrirë mbi piedestale zjarri,
Drithëron në zemër si relikë.
Këtu kemi një simbolikë të fuqishme kohore dhe shpirtërore. “Flladet shekullore” dhe “shekujt” krijojnë një ndjenjë përjetësie, ndërsa “plaga e mallit” personifikohet dhe merr frymë, duke e bërë dhimbjen një qenie të gjallë. Metafora “piedestale zjarri” sugjeron një madhështi të dhimbjes, të ngritur dhe të përjetësuar, ndërsa krahasimi “si relikë” i jep asaj një karakter të shenjtë, të paprekshëm, që ruhet me përkushtim në zemër. Poezia përçon idenë se dashuria është një trashëgimi shpirtërore që mbetet përtej kohës dhe jetës.
Edhe kur poetja flet për largimin nga kjo jetë, ajo nuk e bën me errësirë, por me një dritë të qetë, pothuaj pajtuese:“Një ditë nuk do të jem”.
Larg do të iki e do bëhem erë,
Fjalët do t’i lë të shkruara në vepra,
E veprat do t’i gjeni ku kam shkelur sa herë.
Dhe me poshtë:
Kudo nëpër këngë do të më gjeni,
E do të vij sa herë në tokën time,
Aty ku prek çdo gur, dashurinë,
E mbolla të shenjtë nëpër kujtime.
Këtu metafora “do bëhem erë” shpreh një shkrirje të qenies me natyrën, një vazhdimësi përtej trupit fizik. Poezia bëhet formë e pavdekësisë, ndërsa “mbjellja e dashurisë” në kujtime është një figurë që e lidh jetën me trashëgiminë shpirtërore. Kjo është një poezi që e kapërcen frikën e vdekjes dhe e shndërron atë në një kalim të butë.
Poetja, në këtë libër “Te pragu i shtëpisë sime” na dhuron vargje te bukura e të larmishme ku, duke lexuar poezitë e saj, na duket sikur jemi në një lëndinë plot lule shumëngjyrëshe.
Sa bukur shprehet në poezinë “Aty në viset e mia”:
Marr me vete shkëndijat e poetit,
E shpirtit i flas në vetminë e harruar,
Largohem nga trishtimi vetëm pak çaste,
Në ëndrra vrapoj për kohën e munguar./
Këtu kemi një dialog të brendshëm, ku “shkëndijat e poetes” janë metaforë e frymëzimit, ndërsa “vetmia e harruar” krijon një gjendje të dyfishtë: vetmi që ekziston, por që njëkohësisht është bërë pjesë e natyrshme e qenies. Ëndrra shfaqet si strehë dhe si rikthim në kohën e humbur, duke i dhënë vargut një dimension nostalgjik. Poetja përdor ëndrrën si mekanizëm shpëtimi, si një hapësirë ku koha e humbur mund të rikthehet. Vargu është i thjeshtë në formë, por i pasur në përmbajtje emocionale.
Një nga momentet më prekëse është poezia kushtuar të atit, poetit të mirënjour të Labërisë Avni Varfi, një elegji dhe dhimbja për humbjen: /Ishte vjeshtë atë ditë të dielë në perëndim.
Poeti im në përjetësi shtegtëtoi.
E dielë tetori që kurrë s’pati zgjim,
Ah, lot’ i lamtumirës në zemër pikoi.
Këtu kemi një simbolikë të fortë të vjeshtës, që tradicionalisht lidhet me fundin dhe shuarjen. “Shtegtimi në përjetësi” është një eufemizëm poetik për vdekjen, ndërsa “loti i lamtumirës” është një figurë e pastër lirike, që përçon dhimbje të përmbajtur dhe dinjitoze.
Poetja nuk i shmanget as dualitetit të jetës:
Një ditë do të vlerësoj ata që më deshën shumë,
E padyshim, ata që më urryen pa ndëshkim,
Jeta më shfaqet me të dy anët e medaljes,
Dashuria dhe urrejtja paskan një çmim.
Këtu kemi një reflektim filozofik, ku metafora e “medaljes” shpreh dyanshmërinë e jetës, ndërsa përballja e dashurisë me urrejtjen krijon një ekuilibër të vërtetë njerëzor.
Poetja nuk i shmanget as dashurisë, as urrejtjes, por i pranon si pjesë të së njëjtës përvojë reale. Kjo e bën poezinë e saj më të plotë dhe më të vërtetë.
Fakti që poetja u kushton poezi figurave si Ismail Kadare, Petro Marko, Agim Shehu, Petrit Ruka, Kristo Çipa, dëshmon për një vetëdije të qartë letrare dhe për një lidhje të fortë me traditën. Kjo nuk është thjesht një nderim, por një dialog poetik me pararendësit.
Dashuria për poezinë dhe për vetë aktin krijues shprehet bukur në vargjet: “Dashuro si një poet nëse mundesh”
E përjetësinë do të njohësh.
Duaj lulet, qiellin, yjet,
E zemrën ndezur zjarr.
Me shpresë do të shohësh.
Këtu kemi një thirrje poetike, një lloj manifesti ku dashuria dhe poezia bëhen një.
Elementet e natyrës – lulet, qielli, yjet – janë simbole të bukurisë universale, ndërsa “zemra ndezur zjarr” është metaforë e pasionit krijues.
Ndërsa në poezinë “Hora antike” ndjenja e vendlindjes merr një formë të prekshme:
Vendi i shtrenjtë ku u linda,
Ku kujtimet ecin mbi të bardhët gurë,
Dhe derdhen në hapat e mia,
Kur vij tek ty që të desha aq shumë.
Këtu kujtimet personifikohen (“ecin”), ndërsa “gurët e bardhë” krijojnë një imazh të pastër, të përjetshëm, pothuaj të shenjtë. Lidhja me vendlindjen është e thellë, e rrënjosur në çdo hap.
Në thelb të krijimtarisë së poetes Aleksandra Arshiaj qëndron një ndjeshmëri e hollë dhe e sinqertë, që nuk kërkon të bëjë bujë, por që depërton thellë, në mënyrë të qetë, si një dritë e butë që ndriçon pa verbuar. Poetja ndërton një univers ku natyra dhe shpirti njerëzor bashkëjetojnë në harmoni, duke u bërë shpesh një metaforë e njëri-tjetrit. Shiu në vargjet e saj nuk është vetëm fenomen atmosferik; ai është mall, dhimbje, pastrim i brendshëm. Dielli nuk është vetëm dritë; ai është shpresë, ringjallje, një fillim i ri.
Një nga veçoritë më të spikatura të poezisë së Aleksandrës është përdorimi i figurave letrare me një elegancë të natyrshme. Metafora është mjeti i saj kryesor, por ajo nuk përdoret si zbukurim, por si domosdoshmëri shprehëse. Ajo e shndërron ndjenjën në pamje, mendimin në tingull, dhe kujtimin në një përjetim të gjallë. Epitetet janë të zgjedhura me kujdes, duke i dhënë vargut një ngarkesë emocionale të thellë dhe një ngjyrim të veçantë estetik. Krahasimet, shpesh të thjeshta në dukje, marrin një dimension të ri përmes kontekstit dhe ndjeshmërisë që mbartin.
Në disa poezi vërehet një dialog i heshtur mes së kaluarës dhe së tashmes. Kujtesa është një nga fijet lidhëse të vargut të saj, një burim i pashtershëm frymëzimi, që i jep poezisë një dimension nostalgjik, por jo të rënduar. Përkundrazi, kjo nostalgji është e ëmbël, e ngrohtë, si një kujtim që dhemb, por që nuk do ta humbasësh kurrë. Ajo arrin të rikrijojë atmosferën e një kohe që duket e largët, por që në vargjet e saj bëhet e pranishme, e prekshme.
Një tjetër element i rëndësishëm në verbin poetik është ritmi i brendshëm i poezisë së saj. Edhe kur vargjet nuk ndjekin një skemë të rreptë metrike, ato kanë një muzikë të vetën, një rrjedhshmëri që i bën të lehta për t’u lexuar dhe të vështira për t’u harruar. Kjo muzikë e brendshme buron nga sinqeriteti i ndjenjës dhe nga mënyra e natyrshme e shprehjes. Nuk ka artific, nuk ka përpjekje për të impresionuar; gjithçka vjen si një rrëfim i qetë, por i thellë.
Poetja në muzën e saj nuk i shmanget as dhimbjes, përkundrazi, ajo e përqafon atë si pjesë të pandashme të ekzistencës njerëzore. Në vargjet e saj, dhimbja nuk është vetëm vuajtje; ajo është një mënyrë për të kuptuar jetën, për t’u rritur, për të gjetur kuptim. Kjo i jep poezisë së saj një dimension filozofik, pa e rënduar atë me abstraksione të panevojshme. Gjithçka mbetet e lidhur me përvojën konkrete, me jetën e përditshme, me ndjenjat që të gjithë i njohim.
Dashuria, si një nga motivet më të përjetshme të poezisë, zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e saj. Por kjo dashuri nuk është klishe, nuk është e thjeshtëzuar; ajo është e shumëanshme, herë e ëmbël, herë e dhimbshme, herë e heshtur, herë e zjarrtë. Ajo shfaqet si një forcë që ndërton dhe shkatërron, që jep kuptim dhe që lë boshllëk. Në këtë mënyrë, poetja arrin të japë një pasqyrë të vërtetë të ndjenjës, pa e idealizuar dhe pa e banalizuar.
Gjuha e përdorur është e pastër, e qartë, por njëkohësisht e pasur me nuanca. Ajo di të zgjedhë fjalën e duhur në momentin e duhur, duke krijuar një ekuilibër të bukur mes thjeshtësisë dhe thellësisë. Kjo e bën poezinë e saj të qasshme për një publik të gjerë, por njëkohësisht të vlefshme edhe për lexuesin më kërkues. Në këtë drejtim, mund të thuhet se ajo ka arritur të ndërtojë një stil të vetin, të dallueshëm, që premton shumë për të ardhmen.
Në mjaft raste, natyra në poezinë e saj merr një rol simbolik. Ajo nuk është vetëm sfond, por është pjesë aktive e rrëfimit poetik. Malet, lumenjtë, qielli, stinët – të gjitha këto elemente shndërrohen në bartës kuptimesh, në pasqyra të gjendjeve shpirtërore. Kjo lidhje e ngushtë me natyrën i jep poezisë së saj një frymë organike, një ndjenjë autenticiteti që është gjithnjë e më e rrallë në letërsinë bashkëkohore.
Duke qenë libri i saj i parë, kjo përmbledhje poetike dëshmon jo vetëm një talent të lindur, por edhe një vetëdije artistike që të bën të besosh se kjo është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe të suksesshme. Ajo ka arritur të krijojë një zë të vetin, një mënyrë të veçantë të të parit dhe të të ndierit të botës, dhe kjo është ajo që e dallon një poet të vërtetë.
Në fund, mund të thuhet se poezia e Aleksandra Arshiajt është një ftesë për të ndaluar, për të reflektuar, për të ndjerë më thellë. Ajo nuk të imponohet, por të fton; nuk të trondit me zhurmë, por të prek në heshtje. Është një poezi që nuk lexohet vetëm me sy, por me shpirt, dhe që mbetet gjatë në kujtesë, si një melodi e butë që nuk shuhet.
Ky libër i parë nuk është vetëm një premtim, por një dëshmi se kemi të bëjmë me një zë poetik që ka çfarë të thotë dhe di si ta thotë. Dhe pikërisht për këtë arsye, pragu ku ajo qëndron sot, është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë letrar.
Tiranë, mars 2026.