Ermal Mulosmani: Lufta është për të rrëzuar Ramën
Në botën demokratike, madje edhe në atë iliberale, nuk ka pasur asnjë parti që ka sunduar 16 vite (4 mandate) pa pasur telashe të mëdha. Është një farë limiti i pashkruar në kushtetutë. Kur Erdogani i tha Ramës: “Merr të tretin se i katërti vjen vetë”, thashë me vete, u mbyll kjo punë, u kthyem në Monarki. Edhe vetë Erdogani pat telashe, ju bë tentativë për grusht shteti, Orbani iku si legen me 67% kundër. Nuk po fus Putinin këtu se ai është botë tjetër.
Mu duk sikur Rama ia kish gjetur dermanin demokracisë. Sistemi i patronazhistëve, përçarja e opozitës, bashkëpunimi i hapur me një grup biznesmenësh dhe kriminelësh, blerja e mediave të mëdha dhe stabiliteti që u premtonte ndërkombëtarëve dukej se i premtonte pushtet të pakohë.
Arriti deri aty sa të deklaronte: “Pse jo deri në vitin 2050”?
Pastaj erdhi Zvërneci dhe Flamingot. Po pse, vërtetë Rama mendon se njerëzit janë aty për Flamingot? Jo zoti Rama. Ata janë aty se duan të heqin ty. Nuk e di a do ta bëjnë dot por Zvërneci, Flamingo dhe Trump janë një kombinim i mrekullueshëm për të maskuar urrejtjen që ka akumuluar arroganca e pushtetit tuaj.
Edhe ai e di që lufta është kundër tij. Dhe nxjerr argumente për zogjtë apo Trumpin. Të dy palët bëjnë sikur.
Lufta është për të rrëzuar Ramën. Le ta marrë kush të dojë pas tij.