Protesta e 40-të e qytetarëve para Kryeministrisë
Në Tiranë ka vijuar për të 40-ën ditë radhazi protesta e qytetarëve e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe në vijim u shpallën edhe kërkesa të tjera nga nismëtarët.
Si çdo pasdite, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas mbajtën fjalime para Kryeministrisë.
Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Aktivisti Andi Tepelena tha se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është kërkesa që qytetarët vijojnë të përsërisin çdo ditë në protestat para Kryeministrisë.
Tepelena reagoi edhe ngaj deklaratave të drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, për hetimin ndaj profileve online që, sipas tij, po dëmtojnë turizmin duke lënë review negative te bizneset, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të kontrolluar opinionin publik.
Ai i bëri thirrje drejtuesit të policisë që të merret edhe me sulmet e patronazhistëve ndaj qytetarëve dhe aktivistëve në rrjetet sociale.
“Kjo është një shenjë e rrezikshme që regjimi, në këto momente, po bën çmos të ndërsejë policinë kundër opinionit të lirë dhe shprehjes së lirë. Ky është një rikthim te metodat e vjetra të shërbimit të shtetit. Dikur përdornin spiunët, tani përdorin këtë lloj terrorizmi digjital”, tha ai.
Pedagogu Ervin Goci, në një intervistë për mediet komentoi aktin normativ për financimin me 4 milionë euro të koncertit të Kanye West nga qeveria, duke e cilësuar atë si “koncesionin e radhës” dhe një “aferë të pastër korruptive”.
Ndërkohë një aktivist tha për mediet se “pavarësisht shpifjeve e baltës, qytetarët vijojnë të dalin dhe kanë një vullnet të jashtëzakonshëm”.
Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës./atsh
https://ata.gov.al/2026/07/09/protesta-e-40-te-e-qytetareve-para-kryeministrise