Polifonia shqiptare në filmin “The Odyssey”, sqarimi i kompozitorit shqiptar
Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme për frymëzimin e kompozitorit Ludwig Göransson nga polifonia shqiptare në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”. Kompozitori Klodian Qafoku bëri një ditë më parë një sqarim për këtë histori, duke sjellë detaje mbi regjistrimet e realizuara në Shqipëri. “Këto ditë kanë qarkulluar shumë lajme se kompozitori Ludwig Göransson është frymëzuar nga polifonia shqiptare për kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, i cili sot ka premierën botërore. Për hir të saktësisë, historia është pak më ndryshe.
Me kërkesë të regjisorit Christopher Nolan, Göransson vendosi të mos ndërtonte kolonën zanore mbi një orkestër klasike simfonike, por të kërkonte tinguj autentikë që t’i afroheshin sa më shumë botës së lashtë. Në korrik të vitit të kaluar, Göransson erdhi në Shqipëri me një ekip të vogël, larg vëmendjes së mediave”, thotë kompozimit në një reagim të tij të ndarë në rrjete sociale. Ai sqaron gjithashtu se polifonia shqiptare shfaqet vetëm në një pjesë të shkurtër të filmit, ndërsa pjesa kryesore e kolonës zanore është një krijim origjinal i Göransson, i ndërtuar mbi kërkimin e tingujve të botës së lashtë dhe përdorimin e instrumenteve historike.
“Një pjesë e regjistrimeve u kryen në studion AK Records të mikut tim Arbër Kocllarit , ku u regjistruan instrumente tradicionale shqiptare. Më pas, ekipi vijoi një udhëtim disa ditor në Jug të Shqipërisë për të regjistruar këngë polifonike dhe materiale të tjera muzikore tradicionale. Nga sa dëgjohet në film, polifonia shqiptare shfaqet vetëm në një sekuencë të shkurtër, në sfond, gjatë një skene ku Odise lundron me ushtrinë e tij. Pjesa tjetër e kolonës zanore është një krijim origjinal i Ludwig Göransson, ku në intervistat dhe materialet promovuese theksi vihet te kërkimi i tingujve të botës antike dhe përdorimi i instrumenteve historike (aulos, lyra, gong bronzi etj).
Kjo nuk e zvogëlon aspak rëndësinë e faktit që një kompozitor fitues i Oscar-it erdhi në Shqipëri për të regjistruar polifoninë tonë dhe instrumentet tradicionale, duke i bërë ato pjesë të një prej produksioneve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit. Por është mirë që faktet t’i tregojmë ashtu siç janë”, përfundon kompozitori Klodian Qafoku në reagimin e tij. I bazuar në poemën epike të Homerit, filmi “The Odyssey” është projekti i parë i Christopher Nolan pas suksesit të madh të “Oppenheimer” (2023), i cili u shpall fitues i çmimit “Oscar” për filmin më të mirë.