Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Cohen: Do të doja të ishe me mua sonte

Do të doja të ishe me mua sonte.

Doja sonte të kujtonim vogëlinë.

Për të folur për takimin e parë

Për të heshtur para diellit që perëndon.

Por ti je larg,

dhe largësia do një lumë të sajin për t’u afruar.

Në këtë lindje të parë të gjetheve, ora ime ka mbetur diku në dritaret e gurta të lutjes…

Aty ku lojrat e fëmijërisë janë kthyer në kuaj të ngjyrosur që vrapojnë nëpër perëndime të florinjta.

Dhe shpesh më ndodh të mos gjej fjalë të të kundërshtoj.

E ashtu, instiktivisht, e lëshoj veten, mbrojtur vetëm nga Zoti,

Pa mundur të orientohem në ëndrrat e mia, ndalem dhe mbledh thërrime gëzimi, për të ribërë me to pjesët e mia më të mira, në shtratin e vjetër të qetësisë,

Eja i plotë dhe i qetë tek unë, për të zbuluar atë të fshehtë që e kishim mbyllur në lutjet e të gjithë viteve.

Mos e këput degën e pritjes,

Të lutem, mos e këput degën e pritjes.

Cili është shërimi i pemës që ia zhveshin me forcë gjethet?

Dhe cila përrallë të pëlqente më shumë kur ishe fëmije?