Albspirit

Media/News/Publishing

Protesta për Zvërnecin në ditën e 51-të

Protesta e qytetarëve në Tiranë ka hyrë sot në ditën e 51-të.

Organizimi që nisi me kundërshtimin e investimit të parashikuar në Zvërnec, përgjatë 51 ditëve u zgjerua edhe me kërkesa të tjera nga ana e protestuesve, si largimi i qeverisë dhe dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, si edhe të gjithë klasës politike të 30 viteve të fundit.

Ditën e sotme, protestuesit pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, një nga protestuesit u shpreh se Qeveria ka vënë dorë mbi çdo pronë të shqiptarëve.

“Dalim në protestë për skandalet e qeverisë shqiptare. Duhet ta nisim nga Enver Hoxha në vitin 1945 me pronat, që na i mori. Pastaj në vitin 1991 u tha se do kompensoheshin sidomos pronat bregdetare. Mirë i morën, por ta na japin të hanë, se iku kjo, të paktën të na kompensohen”, tha ai.

Një tjetër i moshuar, u shpreh nga protesta se “shqiptarët janë shqiponja dhe jo sorra”. Ai ngriti problemin e shpopullimit dhe tha se shqiptarët po zëvendësohen me njerëz nga Afrika dhe Azia.

Aktivisti i Lëvizjës Bashkë, Emiljando Kita, tha nga se ata që protestojnë janë njerëz, të cilët punojnë nga mëngjesi në darkë.

“Punonjësit janë në kushte mjerane me paga mjerane, pensionistët janë në pamundësi për të shtyrë muajin, bujqësia, blergtoria dhe industria janë në kolaps. Kjo protestë është shpresë që gjërat mund të ndryshojnë”, pohoi ai.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Pas qendrimit në Sheshin “Skënderbe”, protestuesit vijuan marshimin drejt kryeministrisë, ku vijuan fjalimet e rastit.

Nga podiumi para Kryeministrisë, një protestues tha se këto 51 ditë janë rezistencë e qytetarëve.

“Sot kërkojnë largimin e një qeverie të korruptuar dhe një kryeministri të korruptuar. U ngjit me premtimin se kishte një skuadër por sot është e gjitha nën hetim. Ky është arkitekti dhe njeriu që ka organizuar gjithçka në këtë vend. Për 51 ditë rresht këta njerëz kanë dalë për një ndryshim themelor për Republikën e Shqipërisë. Çdo shqiptar duhet të dijë nga Shkodra deri në Vlora se nuk bëhet fjalë për ndryshimin e vetëm dy njerëzve, por për një Kushtetutë të re”, tha ai.

Një tjetër aktivist,u ndal te problematika e emigracionit dhe largimi i të rinjve nga vendi.

Pas fjalimeve, protestuesit vijuan me marshimin e përnatshëm.

https://ata.gov.al/2026/07/20/protesta-per-zvernecin-ne-diten-e-51-te