Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës vlerëson prof. Emin Rizën
Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Akademikut Prof. Dr. Emin Riza, studiuesit më të madh të arkitekturës tradicionale gjirokastrite dhe një prej personaliteteve më të shquara të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Largimi i tij përbën një humbje të madhe për Shqipërinë dhe, në mënyrë të veçantë, për qytetin e Gjirokastrës, të cilit ai ia kushtoi një pjesë të konsiderueshme të jetës dhe veprimtarisë së tij shkencore. Me punën e tij të palodhur në dokumentimin, studimin dhe mbrojtjen e banesës tradicionale shqiptare, Akademik Emin Riza ndërtoi një trashëgimi shkencore me vlera të jashtëzakonshme kombëtare dhe evropiane.
In Memoriam Akademik Prof. Dr. Emin Riza
(3 korrik 1937 – 2026)
Kolosi i restaurimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë arkitekturore shqiptare
Akademik Emin Riza ishte një nga figurat më të shquara të restaurimit, historisë së arkitekturës dhe studimeve të trashëgimisë kulturore shqiptare. I diplomuar si inxhinier ndërtimi në Universitetin e Tiranës në vitin 1962, ai ia kushtoi të gjithë jetën kërkimit shkencor, dokumentimit, teorisë dhe praktikës së restaurimit të monumenteve të kulturës.
Veprimtaria e tij profesionale lidhet ngushtë me Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku shërbeu për dekada si specialist, drejtues sektori, nëndrejtor dhe drejtor (1988–1993). Më pas mbajti funksione të rëndësishme në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, si Sekretar Shkencor, Kryeredaktor i revistës Studia Albanica, Akademik i asociuar (2008), Akademik (2011) dhe Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike.
Kontributi i tij në studimin e qyteteve historike shqiptare, veçanërisht të Gjirokastrës dhe Beratit, mbetet themelor. Veprat e tij shkencore mbi banesën popullore shqiptare, historinë e arkitekturës dhe teorinë e restaurimit kanë formuar breza të tërë arkitektësh, restauratorësh dhe studiuesish dhe vijojnë të jenë referenca bazë në fushën e trashëgimisë kulturore.
Autor i 16 monografive, teksteve universitare dhe mbi 90 artikujve shkencorë, ndër veprat më të njohura të tij janë:
Historia e arkitekturës shqiptare (1979)
Qyteti muze i Gjirokastrës (1980, 2004)
Teoria dhe praktika e restaurimit të monumenteve të arkitekturës (2003)
Banesa popullore shqiptare (2010)
Berati: Historia dhe Arkitektura (1988, 2011)
Banesa popullore e Prizrenit dhe Arkitektura popullore e Gjakovës
Në vitin 2020, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë i akordoi titullin “Mjeshtër në Arkitekturë”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimin, dokumentimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë arkitekturore shqiptare.
Për Gjirokastrën, Akademik Emin Riza ishte jo vetëm studiuesi më i rëndësishëm i arkitekturës së saj tradicionale, por edhe një mbrojtës i palodhur i vlerave autentike të qytetit, duke lënë pas një trashëgimi të paçmuar që do të vazhdojë të udhëheqë brezat e ardhshëm.
Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Riza, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit akademik e profesional.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe vepra e Akademik Prof. Dr. Emin Rizës.