Ismet Hajrullahu: Fundi i monopolit serb
Në qendër të Prishtinës, brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, qëndron një objekt i mbetur në gjysmë që mbart peshën e njërës prej periudhave më të errëta të historisë sonë. Kjo kishë e nisur në vitin 1995 nën regjimin fashist të Sllobodan Millosheviqit,u ndërtua mbi tokë të uzurpuar pasi studentët dhe profesorët shqiptarë u dëbuan me dhunë nga universitetet.
Për dekada me radhë, ky objekt ka mbetur bosh, pa asnjë besimtar, duke shërbyer thjesht si një provokim politik i Beogradit dhe një monument i shovinizmit serb.
Sot, rritja e vetëdijes kombëtare dhe dëshira e madhe e qytetarëve për t’u rikthyer në rrënjët e tyre të hershme ortodokse, përmes konsolidimit të Kishës Ortodokse Shqiptare të Kosovës, hap një kapitull të ri.
Nuk ka më asnjë arsye që kjo ndërtesë të mbetet një gërmadhë politike në mes të kampusit,por edhe nuk kemi nevojë ta rrënojmë një “shtëpi të Zotit”, por kemi detyrim që t’ia heqim Serbisë nga dora këtë instrument propagandistik dhe t’ia kalojmë atë Kishës Ortodokse të Kosovës, duke e kthyer në Mitropolinë e parë funksionale shqiptare.
Përballë skeptikëve dhe propagandës serbe që pretendon se ky hap është i pamundur, historia dhe drejtësia ndërkombëtare na ofrojnë shembuj të qartë se si konteste të tilla zgjidhen kur ekziston vullneti shtetëror.Shembulli i Bosnjës ,Rasti “Fata Orloviq”,kur Kisha Serbe ndërtoi një objekt pa leje mbi tokën private të një gruaje myslimane gjatë luftës, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) vendosi se uzurpimi politik nuk mund të bëhet kurrë legjitim. Kisha u rrënua me ekskavatorë sepse ligji mbron pronën.
Shembulli i Turqisë dhe Shqipërisë ,si Shën Sofia dhe Kalaja e Shkodrës, kur objektet fetare shkaktojnë përplasje politike apo janë përdorur nga pushtuesit si Kisha-Xhami në Shkodër shtetet kanë ndërhyrë duke i shpallur ato monumente kulture, apo prona shtetërore nën menaxhim publik, duke ua hequr ekskluzivitetin strukturave përçarëse.
Modeli i Malit të Zi, mund të jetë një rrugë që duhet të ndjekë Kosova. Në vitin 2019, Mali i Zi miratoi Ligjin për Liritë Fetare, duke shtetëzuar të gjitha objektet fetare të ndërtuara para vitit 1918, të cilat nuk kishin dokumente të rregullta pronësie, me synimin për t’ia kaluar ato kishës vendase malazeze dhe për të thyer monopolin e Kishës Serbe.
Kosova, si nje shtet i ri, nuk duhet të ketë frikë të veprojë si një shtet sovran.
Çdo gjë që u ndërtua nga regjimi fashist i Millosheviqit duhet të sekuestrohet dhe të vihet në shërbim të qytetarëve tanë.
Hapi i radhës i takon institucioneve tona,ku Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë një ligj të posaçëm për të shpallur këtë objekt si pronë shtetërore,dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të zyrtarizojë me ligj Kishën Ortodokse Autoqefale të Kosovës.
Kjo është rruga e vetme për të mbrojtur lirinë fetare të shqiptarëve ortodoksë, për të çliruar hapësirën universitare dhe për t’i treguar Serbisë fashiste se e ka humbur davanë në Kosovë një herë e përgjithmonë. Rroftë Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës, pasuese e denjë e të madhit, Fan Stilian Noli!
Çdo sulm ndaj këtij institucioni është sulm dhe përpjekje për të tjetërsuar historinë tonë të lashtë sa vetë njerëzimi!