Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Emin Riza, studiuesi i trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar ndarjen nga jeta të akademik Emin Riza, në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.

Emin Riza lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akad. Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.

Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, ç’ka kontribuoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. Ai ishte gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një vlerësim i rëndësishëm i autoritetit të tij shkencor në mbarë hapësirën shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i shprehin familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe njerëzore dhe shkencore.

Homazhet u mbatën në ambientet e agjencisë funerale Alba 2000, pranë Medresesë. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit u zhvillua në orën 16:00, në varrezat e Tufinës.