Antiamerikanizmi, një kërcënim ndaj interesit kombëtar shqiptar
Sokol Paja
Antiamerikanizmi në diskursin publik dhe rrjetet sociale përbën një goditje ndaj interesit tonë kombëtar, sepse cenon drejtëpërdrejtë aleancën më të rëndësishme që shqiptarët kanë ndërtuar ndonjëherë në historinë e tyre. Çdo përpjekje për të nxitur urrejtje, panik, dezinformim, mosbesim apo armiqësi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk dëmton Amerikën, por dëmton Shqipërinë, Kosovën dhe të ardhmen e popullit e kombit shqiptar.
Është e dhimbshme e befasuese të dëgjosh retorikë mediokre që vë në dyshim rolin, vizionin dhe lidershipin global të Amerikës. Edhe më shqetësuese është kur zëra në Shqipëri, Kosovë apo në diasporë përpiqen të manipulojnë opinionin publik me propagandë antiamerikane. Më e pakuptueshmja është kur shqiptarë që jetojnë e kanë ndërtuar jetën në Shtetet e Bashkuara sulmojnë vendin që u ka dhënë liri, siguri, dinjitet, integritet, integrim dhe mundësi të pakufizuara.
Shqiptarët duhet t’i jenë përjetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtij populli e kombi mik besnik e aleat strategjik për ne. Antiamerikanizmi në Shqipëri e Kosovë duhet të klasifikohet si vepër penale në Kodin Penal. Antiamerikanizmi është tradhti kundër interesit kombëtar e shtetëror që meriton dënim e ndëshkim prej të gjithëve.
Shqiptarët nuk kanë luksin ta kundërshtojnë, refuzojnë, hezitojnë apo diskutojnë Amerikën. Amerika ka qenë historikisht dhe vazhdon të jetë mbështetja më e fuqishme e kombit tonë në Ballkan, ndaj mirënjohja e çdo shqiptari është detyrim i përjetshëm, i panegociueshëm. Marrëdhënia shqiptaro-amerikane është e shenjtë. Vetëm antishqiptarët shajnë e urrejnë kombin që u ka bërë kurdoherë vetëm mirë shqiptarëve. Në kushtet kur Europa është treguar gjithmonë e pabesë dhe e padrejtë me shqiptarët, Amerika ka qenë aleate e pastër për ne, ndaj Amerika është destinacioni ynë i përjetshëm.
Interesi kombëtar i shqiptarëve është i pandashëm nga aleanca e ngushtë dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mosmirënjohja është një nga dobësitë më të rënda morale të një kombi. Ndërsa mirënjohja është shenjë qytetërimi, karakteri, morali, inegriteti dhe dinjiteti. Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është histori besimi, bashkëpunimi, sakrifice dhe mbështetjeje të vazhdueshme e të qëndrueshme. Asnjë shtet tjetër nuk ka bërë më shumë për mbijetesën, lirinë, demokracinë dhe sigurinë e shqiptarëve sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mjafton të kujtojmë disa nga momentet më vendimtare të historisë sonë moderne: Presidenti Woodrow Wilson mbrojti Shqipërinë nga copëtimi pas Luftës së Parë Botërore; Amerika mbështeti konsolidimin e shtetit shqiptar dhe zhvillimin e institucioneve demokratike; udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s që ndali spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe hapi rrugën e çlirimit të saj; mbështeti pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shoqërisë civile, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të shqiptarëve. Edhe sot, miliarda dollarë në ndihmë, investime dhe programe zhvillimore dëshmojnë se Amerika mbetet aleati më i rëndësishëm i kombit shqiptar.
Prandaj, partneriteti shqiptaro-amerikan nuk duhet të shihet si një zgjedhje politike e radhës, por si një interes madhor kombëtar i pa negociueshëm. Ai duhet të mbrohet, të kultivohet dhe të forcohet nga çdo institucion, çdo qeveri dhe çdo qytetar shqiptar.
Në këtë kuptim, besoj se Shqipëria dhe Kosova duhet të trajtojnë me seriozitet çdo veprimtari që nxit urrejtje ndaj aleatit strategjik të kombit shqiptar. Propagandat që synojnë të dëmtojnë interesin kombëtar dhe të minojnë marrëdhënien strategjike me Shtetet e Bashkuara duhen refuzuar e përbuzur me vendosmëri dhe pa hezitim nga shoqëria dhe institucionet.
Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë një kulturë të qëndrueshme shtetërore dhe qytetare të mirënjohjes ndaj Amerikës. Brezat e rinj duhet të edukohen me njohjen e historisë së kësaj aleance shqiptaro-amerikane, sepse popujt që harrojnë miqtë e tyre rrezikojnë të mbeten pa miq e aleatë në kohët më të vështira.
Si një shenjë e përhershme respekti dhe mirënjohjeje, 4 Korriku – Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – meriton të nderohet zyrtarisht si festë zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë si Dita e Miqësisë Shqiptaro-Amerikane, me veprimtari shtetërore, akademike e kulturore kushtuar rolit historik të Amerikës në fatin e kombit shqiptar. Aleancat nuk mbijetojnë vetëm me marrëveshje politike. Ato ruhen me kujtesë historike, besim, besnikëri, respekt dhe mirënjohje. Këto janë vlerat që duhet të udhëheqin gjithmonë marrëdhënien e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot, nesër dhe përgjithmonë…