Hasan Bello: Pse Serbia kërkon të rihapë konsullatën e saj në Shkodër?
Historikisht, konsullatat dhe ambasadat kanë pasur gjithmonë një funksion të dyfishtë:
1. Funksioni zyrtar – përfaqësimi i shtetit, mbrojtja e interesave të qytetarëve, zhvillimi i marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore etj.
2. Funksioni informativ.
Në vitet 20-30 Jugosllavia i imponoi shtetit shqiptar, po për të njëjtat arsye që përmend sot ministri i Jashtëm, hapjen e tre konsullatave: një në Shkodër, një në Korçë dhe një në Vlorë. Që të treja luajtën një rol shumë aktiv për minimin e institucioneve kushtetuese; për nxitjen e përçarjes dhe përplasjes brenda shoqërisë dhe politikës shqiptare dhe mbi të gjitha, për rekrutimin e një rrjeti informatorësh dhe spiunësh që pas disa vitesh morën në dorë fatet e kombit shqiptar. Për ta ilustruar po përmend nga një rast për çdo konsullatë.
1-Konsullata e Shkodrës ishte nxitësja kryesore, pas agjenturës italiane, për ngjarjet e qershorit të 1924. Ende sot ekziston një relacion i Prefektit të Shkodrës, drejtuar ministrit të Brendshëm ku i raporton se një agjent i shërbimit sekret që ishte infiltruar në këtë konsullatë, e kishte informuar se së shpejti do të përgatitej një atentat kundër disa personaliteteve që do të destabilizonte shtetin shqiptar. Në fakt, prefekti, i cili në ato vite luante edhe rolin e shefit lokal të shërbimit sekret e kishte nënvleftësuar këtë informacion. Ai e informoi ministrin vetëm pas dy ngjarjeve tepër të rënda që u bënë shkak për agravimin e situatës. Më 6 prill 1924 në pyllin e Mamurrasit u vranë dy turistë amerikanë, ndërsa më 20 prill u plagos rëndë Avni Rustemi, i cili vdiq pas disa ditësh. Të dyja ngjarjet çdo ditë e më shumë implikojnë dorën e Serbisë me anën e konsullatës së saj në Shkodër.
2-Në vitin 1932 zbulohen dhe arrestohen një numër i madh personash, ndër të cilët edhe xhaxhai i Hysni Kapos, Murat Tërbaçi si pjesëtarë të Organizatës së Fshehtë të Vlorës. Sipas hetimeve dhe dëshmive të pjesëmarrësve, kjo organizatë financohej dhe mbështetej nga konsullata jugosllave në Vlorë. Ky është një nga operacionet më të mëdha subversive të qeverisë jugosllave brenda shtetit shqiptar.
3-Konsullata jugosllave në Korçë përgatiti terrenin dhe rekrutoi një numër të madh të rinjsh shqiptarë që më vonë do të luajnë një rol të rëndësishëm në drejtimin e shtetit.
Prandaj hapja e konsullatës serbe në Shkodër është pjesë e luftës asimetrike, që Serbia bën për të konsoliduar pozitat e spiunazhit të saj me qëllim për ta përdorur atë për të destabilizuar shtetin shqiptar.