Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Krasniqi: Parti jodemokratike nuk mund të sjellin shtet të së drejtës

Një shoqëri që shpreson se parti nga brenda jo demokratike, arrogante, personale dhe familjare do të mund të prodhojnë demokraci e shtet të së drejtës, ndarje e balancë të pushteteve nga jashtë, pra për shtetin e shoqërinë, nuk është vetëm viktimë dhe as vetëm shoqëri utopike. Është naive, e dorëzuar, e paformuar me kulturë demokratike, e paaftë të kuptojë thelbin e problemeve që duhen zgjidhur dhe e pavendosur për ta thënë me zë të lartë se në politikë gjithçka nis me përfaqësimin, ushtrimin e sovranitetit, moralin dhe integritetin.

📌 Këto në vijim nuk janë thjesht statistika, – janë tregues sesi jetë politike në Shqipëri nuk tregon (as formalisht) asnjë element demokracie të brendshme, sens përgjegjësie, klimë meritokracie dhe konkurrence, si dhe as nuk lejon votë të fshehtë, madje shpesh as votim formal, ndaj kryetarit. Ata janë bustet/statujat e radhës, të krahasueshme në mentalitet e kulturë politike me ato të mëngjesit të 20 shkurtit 1991. Sepse në mesditë u rrëzuan.

❌ Edi Rama nuk bën votim konkurrues për kryetar në PS që prej vitit 2005, madje as votim formal që prej shtatorit 2009, pra prej 17 vitesh. E ka hequr edhe votimin edhe nga rregullat e partisë. Kritiku i fundit në parti u kërcënua se po foli më do përjashtohet. Dhe u krijua uniteti rreth liderit.

❌ Sali Berisha nuk bën votim konkurrues që prej më shumë se dy dekadash. Votime formale ka, i fundit ishte këtë pranverë. Nuk u lejuan kandidatë rivalë dhe kështu fitoi 96% të votave. I fundit që tentoi të rivalizojë u përjashtua nga partia. Dhe u krijua uniteti rreth liderit.

❌ Ilir Meta e ka pasur dhe e ka LSI/PL parti të identifikuar me veten, nuk ka pasur asnjëherë garë konkurruese, formalisht e rimori postin më 2022 nga bashkëshortja e tij me 99% të votave. Dhe u krijua uniteti rreth liderit.

❌ Partitë e tjera nuk kanë votime. As partitë e reja. Një prej tyre e ka në status emrin e vet si kryetar i përjetshëm. Të gjitha kanë unitet rreth liderit.

⬆️ Në Prishtinë këtë javë LDK bëri votëbesim, mocion ndaj kryetarit, – rezultati? 170 vota pro kryetarit, 152 kundër tij. Votëbesim dhe reflektim, por palët pranuan rezultatin dhe partia vijon. Pa përjashtime.

⬆️Rasti i fundit në Shqipëri ishte shënuar në PS në vitin e largët 1999, – atëherë Nano fitoi me 297 vota kundër 261 votave të kryeministrit Majko, u krijua një qeveri kompromisi dhe të dy u bënë më pas edhe kryeministra me votat e njëri-tjetrit.

Fiks 27 vjet më parë. Politikanët janë të njëjtit, por brezi që proteston sot, në shumicën e tij, ende nuk kishte lindur.