Natasha Lako: Korriku i korrikut dhe i korrjeve!
Pas plot 36 vjetësh nga korriku i vitit 1990, më duket sikur po dëgjoj zërat e dikurshëm, që më vinin si jehonë nga diku larg, nga rruga e ambasadave, kësaj here nga protesta më e gjatë që është duke ndodhur në Shqipëri, por që ka mbledhur edhe ata jashtë saj.
Si atëherë, edhe sot, nga pushteti po ajo përbuzje, përçmim dhe dhunë për të gjithë ata që, sipas grupit në fuqi, mbeten në periferi të shoqërisë, jo se ashtu u ka ecur fati, por se pa ata nuk mund të ekzistojë po ajo kënaqësi e njëjtë e pushtetit.
Ankthi dhe frika e partisë në pushtet asokohe u derdhën nëpër kanale të ndryshme, në shkopinj dhe në vrasje në kufi, sot si të harruara njëherë e përgjithmonë.
Disa skena po përsëriten edhe sot, pro ose kundër të rinjve.
Në korrik të 1990-ës qeveritarët patën kohë për të përgatitur të nesërmen e tyre me përpunime intelektualësh që duhet të kishin qëndrime po aq të rrepta sa të disa gazetarëve të stazhionuar të sotëm kundër protestave.
Pas kësaj ndodhi «gjetja» historike e transformimit për përpunime njerëzish nga brenda partisë dhe jashtë saj, për t’u kanalizuar në shumë parti të ndryshme.
Jashtë dhe të surgjynosur mbetën djem dhe vajza të anijeve biblike, që tronditën botën.
Sot, që nga dita e nisjes së protestës së flamingove, po si dje, pak nga pak, qeveria e sotme është përgatitur të krijojë armiqtë e vet, që ndodh të jenë ndonjëherë më naivët, më të bukurit dhe më të pafajshmit, të lënë pas dore, por në dinjitetin e tyre jashtë shërbimit për partinë në pushtet, pasi pushteti njeh vetëm njerëzit e tij.
Qindra e mijëra shqiptarë që për fat gjenden jashtë vendit, ndodhen edhe larg administratave të korruptuara, para një pushteti që, pasi u rrëmbeu pronat, dëshiron t’u rrëmbejë edhe besën.
Të bëjnë përshtypje djem dhe vajza nga veriu, me histori të pabesueshme të izolimeve, me stërgjyshër dhe gjyshër të palëvizshëm nga malet, të mberthyer nga varfëria që nga bora e thatë dhe politika, që sot kanë çelur si burbuqe, me një dinjitet të ri lirie dhe djersë balli nga kudo ku kanë parë ç’është dinjiteti njerëzor, dhe që sot në truallin e të parëve të tyre dëshirojnë të pohojnë veten.
Kjo tregon se nuk ka njeri që të mos dëgjojë zërin e vet.
Të ushqyer me rrëfimet për të parët e tyre që luftuan kundër pushteteve të pakufizuara të perandorive, ku vetëm si shqiptarë nuk duhet të ekzistonin, me një pjekuri të re lirie, formimi i tyre në botë, ashtu si iu mësoi profesionet, iu mësoi edhe se as Edi Rama dhe as Blendi Gonxhja nuk kanë lindur për të zënë vendin e pashallarëve orientalë të pushtetit pa kufi.
Dhe, si gjithnjë, kur liria fiton jetët e njerëzve, ndodh që veriorët të thyejnë çdo gjë mitike, për të hyrë për herë të parë në rrjedhat e jetës së sotme të botës, ndërsa jugorët të lidhin prakticitetin që i karakterizon edhe më të mbështetur tek miti.
Ata që herë pas here vijnë të flasin nga jashtë, më kujtojnë shqiptarët e dikurshëm të shoqërisë Vatra, të cilët sollën frymën e lirisë amerikane, që në hapat e para të shtetit shqiptar. Sot nga vende të ndryshme sjellin të gjithë botën.
Shumica e atyre që i bashkohen protestës janë bijtë dhe bijat, madje nipërit dhe mbesat që u farkëtuan si njerëz të lirë anë e kënd botës, pas atyre ngjarjeve që filluan me 2 Korrikun.
Të paktën kështu më pëlqen mua të mendoj.
Në vitin 1990 ata të rinj e të reja kishin vetëm veten. Sot të kesh veten do të thotë personalitet.
Sinjali i dhënë më 2 korrik përmbante dramën e një izolimi që duhej çarë.
Fëmijët e rritur jashtë Shqipërisë së sotme duket se kanë kuptuar më fort se kurrë vlerën shqiptare dhe kapacitetet e pasurive të këtij vendi, që kërkojnë t’i shfaqin me mendimet dhe gjykimet në rrugët e Tiranës, pranë baballarëve, nënave, gjyshërve që ata duket sikur i mbajnë me këmbë.
Po ata që të parët panë dramën e mbijetesës që në anijet biblike, kanë nevojë t’u përgjigjen nipërve dhe mbesave që kanë lindur dhe po formohen në vende të tjera, se Shqipëria duhet t’i bëjë edhe më krenarë, si e meriton çdo njeri i një vendi të lirë.
Duhej të kalonte më shumë se një çerek shekulli që ky njeri i lirë të shfaqej dhe të shprehej lirisht për Shqipërinë që dëshiron.
Nuk ndalet e as nuk pengohet dot kjo Shqipëri tjetër që do të vijë, si pas një udhëtimi që ka nisur në shekuj, pa pasur më frikë e as drojë që secili të jetë ai prej nga vjen.
31 korrik 2026.