Paradoksi i Lirisë/Kur institucionet bojkotojnë arkitektët e tyre

Ismet Hajrullahu
Trashëgimia e Padënuar e Komunizmit Jugosllav dhe Amullia e Sotme e Kosovës. Kjo pamje nga salla e Kuvendit më sjell në retrospektivë atë ditë kur u mbajt seanca për nder të bacës Adem Demaçi… Sinqerisht, nuk e kam paramenduar se një kategori e deputetëve do ta bojkotonte një seancë për një personalitet të përmasave botërore, siç ishte Adem Demaçi… E baca Adem, krejt jetën, sakrificën, luftën e tij me vepra, mendje e shpirt, ia kushtoi Atdheut për t’i sjellë lirinë e paqen që po e gëzojmë ne sot! Por mjerimi nuk ka fund… Ata që dje e dënuan bacën, në ditë lirie e paqeje e bojkotuan atë… Por është më se e qartë dhe e kuptueshme se po ky parlament i asaj periudhe nuk e kaloi rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit jugosllav mbi shqiptarët.
Pa dënimin e krimeve të komunizmit jugosllav, si zor që institucionet tona të lirohen nga ata që dje ia bënë gjëmën Kosovës! Bacë, nxënësit e tu sot janë padrejtësisht prapa grilave, por krenarë për luftën më të pastër që është bërë ndonjëherë në historikun e luftërave çlirimtare. Edhe sot, si asnjëherë tjetër, jam ndier e ndihem më shumë se keq… krejtësisht i pafuqishëm, pasi kaloi një çerek shekulli e ne jemi vendnumëro, pa asnjë perspektivë e nën masa nga vendet demokratike… dhe natyrshëm mu kujtua britma e të madhit Migjen: O, si nuk kam një grusht të fortë…