Shqipëria në faqen e parë të gazetës Wall Street Journal me kryeartikull: Gangsteri i dyshuar që shkakton hokëçarje për Marrëveshjen e Kushnerit me Shqipërinë
Nga Eliot Brown dhe Vladimir Karaj
Fshatarët thonë se e paralajmëruan dhëndrin e Trumpit se toka e tyre në bregdet ishte vjedhur nga Artur Shehu, i cili tani përballet me akuza droge, të cilat ai i mohon.
ZVERNEC, Shqipëri—Banorët e këtij fshati të vogël bregdetar u tronditën dy vjet më parë kur Jared Kushner postoi imazhe të një vendpushimi të planifikuar mesdhetar në një gadishull të ngushtë të rrethuar nga deti i kaltër dhe një lagune me flamingo.
Pamjet tregonin truall ku prindërit dhe gjyshërit e tyre dikur kultivonin patate. Fshatarët kundërshtojnë duke se prona u ishte vjedhur në vitet 2000 nga Artur Shehu, një gangster i dyshuar që u largua në Miami pas një shkëmbimi zjarri në barin e tij. Ata i shkruan një letër Kushner-it duke thënë se ishin të bllokuar në gati dy dekada mosmarrëveshjesh gjyqësore me Shehun, duke i kërkuar zhvilluesit të mos vazhdonte më tej. Vendndodhja, shkruan ata, është “në pronësi të fshatit dhe banorëve të tij”.
Në vend të ndalonin, një grup zhvillimi i mbështetur nga Kushner vazhdoi më tej dhe i pagoi Shehut mbi 120 milionë dollarë për tokën në fillim të këtij viti. Dy muaj më vonë, prokurorët shqiptarë kërkuan arrestimin e Shehut për dyshimin se luajti rolin kryesor në një operacion gjithëpërfshirës ndërkombëtar të kontrabandës së drogës që solli kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë nëpermjet transportimeve me qymyr dhe xhelatine frutash.
Shehu pastroi para me anë të pronave – përfshirë gadishullin në Zvërnec, që u tjetërsua duke përdorur teknika të tilla si falsifikimi i tapive nga periudha Otomane, thanë prokurorët.
Jared Kushner postoi imazhe të një resorti mesdhetar të planifikuar në Shqipëri në llogarinë e tij në Instagram në vitin 2024.
Ky debat është një goditje për ambiciet e Kushnerit në pasuri të paluajtshme të huaja, një pjesë e karrierës së biznesit në 2020 që e nisi pas administratës së parë Trump. Pjesa më e madhe e investimeve në këtë rast vjen nga fondi i tij prej 6 miliardë dollarësh i kapitalit privat të mbështetur nga financat e pasurisë së Gjirit. Kushner-i u kthye po ashtu te rrënjët e tij në pasuritë e paluajtshme. Ai tha se do i dilte në ballë kurbës së investimeve me projekte zhvillimi në Ballkan, ku çmimet e turizmit dhe të pronave të patundshme janë në rritje, duke synuar Serbinë dhe Shqipërinë.
Kushner arriti një marrëveshje pa tender me qeverinë e Serbisë për ndertime në tokë shtetërore në qendër të Beogradit, duke tërhequr kritika të vendasve se qeveria e Serbisë po përpiqej të afrohej me Trumpin, një akuzë që qeveria e mohoi. Planet e Serbisë u prishën pas disa javë protestash dhe aktakuzës drejtuar një ministri të kabinetit, i cili i përshpejtoi miratimet e projektit. Kushner u tërhoq në dhjetor.
Projekti i Shqipërisë në Zvërnec ka tërhequr një reagim më të madh popullor. Një video ku duken rojet private të grupit të mbështetur nga Kushner duke goditur një fshatar vendas dhe duke e zvarritur atë në plazh shkaktoi protesta të mëdha të përditshme në Tiranë. Ato vazhdojnë për më shumë se dy muaj, me protestuesit që përfshijnë në kritikat e tyre korrupsion endemik dhe projekte zhvillim të pakontrolluara në një lëvizje që ata e quajnë Revolucioni i Flamingove.
Ndryshe nga rasti në Serbi, paratë kanë ndryshuar tashmë duar këtu. Grupi i zhvillimit i mbështetur nga Kushner pagoi mbi 240 milionë dollarë për tokë pronarëve privatë të tokës, përfshirë Shehun, sipas një personi që ka njohuri rreth shitjeve. Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, thotë se Shehu nuk është as trafikant droge dhe as hajdut tokash, dhe ai nuk ka pasur kurrë të bëjë drejtpërdrejt me Kushnerin, duke vepruar vetëm përmes një ndërmjetësi.
Protestuesit mbajnë pankarta me flamingo ndërsa demonstrojnë kundër qeverisë shqiptare, gjatë javëve të protestave ndaj një resorti luksoz të planifikuar, me financim ttë mbështetur nga një kompani që është e lidhur me Jared Kushner-in.
“Ai nuk ka absolutisht asnjë lidhje me akuzat”, tha Cakrani. “Eshtë thjesht një pronar toke, që vjen nga një familje e madhe pronarësh tokash” dhe ndërveprimet e tij me të tjerët në aktakuzë ishin vetëm për marrëveshje legjitime biznes. Një zëdhënës i grupit të zhvillimit, sipërmarrje e Kushner dhe partnerëve të tjerë, tha se sistemi ligjor shqiptar është “vendi i duhur për zgjidhjen e çështjeve në lidhje me pronësinë e tokës dhe integritetin e transaksioneve të mëparshme”.
Grupi është në dijeni të akuzave “lidhur me shitësin e tokës” dhe nuk është vetë subjekt i ndonjë hetimi, tha ai, duke shtuar, “ne vazhdojmë të besojmë se blerjet e tokës u kryen në mënyrë të ligjshme”.
Prokurorët thonë se kanë ngrirë paratë e Shehut nga shitja. “Teorikisht, gjykatat kanë fuqinë për të bllokuar përkohësisht zhvillimin e kontestuar”, tha Sotir Dhamo, një profesor i planifikimit urban në Universitetin Polis në Tiranë, për pronat e kontestuara. “Në realitet, gjykatat nuk janë plotësisht të pavarura nga politika dhe interesat e fshehta ekonomike”.
Përktheu Rafaela Prifti