Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: IGOR STRAVINSKI NË VEPRËN FOTOGRAFIKE TË GJON MILIT

“Kërko muzikën në çdo gjë dhe jeta do të jetë një simfoni gëzimi”, Stravinsky.

Nuk ështe rastësi  që Gjon Mili ka përfshirë në aktivitetin e tij të gjatë e të suksesshëm shumë personalitete botërorë, në të gjitha fushat e jetës, sidomos në ato të arteve. Talenti artistik, përkushtimi dhe puna e tij këmbëngulëse, aftësitë e tij humane si modestia, guximi, afrimiteti dhe lehtësia  për të qenë miqësor, me humor, shpirthapur  e zemërbardhë,  por edhe duke zbatuar në jetë  disa prej parimeve e traditave të familjes shqiptare dhe, sidomos, falë prestigjit të  tij  si artist i përmasave ndërkombëtare, e vendosën atë në qendër  miqësive   të ngushta profesionale e personale, si ato me Jean Paul Sartre, Pablo Picasso, Alfred Hitchcock, Sean O’Casey, Arthur Miller, Pablo Casals, Edward Weston, Salvador Dali, Eugene Ionesko, George Balanchine, etj.  Në këtë rrugëtim miqësor, ka edhe një gur tjetër kilometrik, ai me Igor Stravinskin.

Igor Fyodorovich Stravinsky (1882-1971) ishte  një kompozitor, pianist dhe dirigjent rus, i lindur në Oranienbaum, Rusi – një qytet rreth 50 kilometra larg  Shën Petersburgut – më 17 qershor 1882 në një familje muzikantësh,  krijimtaria novatore e të cilit e bëri atë një nga figurat më të famshme në muzikën e shek. XX. Kariera kompozicionale e tij shquhet  nga diversiteti stilistk.  Duke u bërë fillimisht i njohur me baletet me tematikë ruse “Firebird” (Zogu i Zjarrtë) – 1910 “Petrushka”, – 1911 dhe “The Rite of Spring” (Rituali i Pranverës) -1913, ai krijoi i frymëzuar nga folku rus (1913-1919). Krijimtaria e kësaj kohe u quajt “Periudha Ruse”, më  tej ai iu përvesh  rrymës së   neoklasicizmit të moderuar (1920-1951)  dhe, më vonë,  serializmit (dodecaphony) (1954-1968), duke lënë një trashëgimi që riformësoi në disa dimensione muzikën klasike. Me fillimin e Luftës I Botërore, deri në vitin 1920, së bashku me familjen, qëndroi në Zvicër, ku ai shkroi “Rrëfenja e ushtarit” dhe dha koncerte të shumta. Rruga e jetës dhe artit do ta çonin më tej në Francë. Më 1934 u bë nënshtetas francez. Aty i ndodhën një sërë fatkeqësish në familje si vdekja e gruas, nënës e vajzës, sidoqoftë ai krijoi marrëdhënie, veç të tjerësh,  me personalitete të rëndësishëm amerikanë dhe u tregua i gatshëm për të shkuar e kontribuar aty.

Kështu, kapitulli i fundit i jetës së Stravinskit i takon Amerikës, Universitetit Harward e më tej West Hollywood-it në Los Anxheles, ku dhe mori nënshtetësinë amerikane në vitin 1945. Jeta artisike aty ishte një aventurë komplekse, pasi shoqëria kozmopolitane e ShBA ishte injektuar nga shumë rryma e stile muzikore kontemporane e avanguarde. Ai ndërroi jetë në Nju Jork më 1971. Për kontributet e tij madhore ai është vlerësuar me Medaljen e Artë të Shoqërisë Filarmonike Mbretërore (1954), Çmimin Muzikor “Léone Sonning”, 1959, Çmimin “Sibelius”, 1963 si dhe me 3 Çmime “Grammy” (1962) dhe, pas vdekjes, me 1987 me Medaljen e Artë të Shoqërisë Filarmonike Mbretërore; ai ka një Yll në Shëtitoren e Famës në Hollivud dhe, po ashtu, më 2004 u vendos në Hollin e Famës të Muzeut Kombëtar të Vallëzimit. Në vitin 1998, revista Time e renditi Stravinskin si një nga 100 njerëzit më me ndikim të shekullit.1)

Stravinsky është konsideruar si “një nga novatorët epokalë të muzikës”.

Gjon Mili është njohur me Stravinskin  gjatë periudhës amerikane (pas vitit 1945) nëpërmjet  fotografimit të shfaqjeve të veprave të tij  muzikore në sallat kryesore amerikane operistike, e më pas në Los Angelos, Boston, New York, Washington.

Gjon Mili ishte 22 vjet më i ri se Stravinski dhe njohja me të ka  kaluar nëpërmjet revistës LIFE, për të cilën Mili punonte.

Ata e kthyen njohjen në një miqësi të qëndrueshme e të gjatë  deri sa Stravinski ndërroi jetë, më 1971,  madje Mili ka fotografuar e shkruar për të edhe më pas. Sigurisht arsyeja kryesore ishte arti që krijonte valenca të forta shoqërore e profesionale. Mili e ka fotografuar me elementë tejet artisikë e kompozicionalë shumë herë jo vetëm figurën e Stravinskit, por edhe të familjes dhe të veprave të tij gjatë interpretimit, mbasi dihet tërheqja e veçantë artistike e fotografit për muzikën, baletin, operën, teatrin

Gjatë  një udhëtimi për revistën “LIFE” në Itali, në vitin 1957, Gjon Mili ka takuar Stravinskin në Venecia. Takimi ka ndodhur në një sallë vallzimi (kabare)  të lënë pas dore, ku, çdo ditë që herët në mëngjes,  ai  punonte i vetmuar mbi piano. Duke e gjetur në një gjendje e pozicion mjaft të përshtatshëm, Mili e ka fotografuar Stravinskin disa herë, të harruar nga bota e jashtme.  I ka bërë një seri fotosh në një ambient të mugët, ku ka krijuar një sërë improvizimesh e detajesh skenografike, kryesisht me anë të ndriçimit,  që i përshtaten karakterit të Stravinskit, të përqëndruar mbi tastierë  dhe të shpërfillur nga mjedisi fotografik përreth.  Stravinski ka dhjetra e dhjetra portrete nga fotografë të tjerë të njohur.  Por, nga fotot e Gjon Milit, disa   prej tyre përbëjnë vepra të spikatura artistike, për të cilat do të shprehim disa mendime:

Fotoja e parë (1),  me disa detaje e objekte shumë të thjeshta pune, si lapsi i vendosur horizontalisht  midis buzëve, syzet  e ngritura mbi ballë, (madje, dendur Stravinski mbante gjatë punës dy palë syze për të kompensuar dioptrinë), drita dhe siluetat e  abazhurit, partitura, por edhe profili   i veçantë  në formë elipsoidi i kokës së kompozitorit, gjendja emocionale krijuese që shpërfillte çdo lloj  manovrash nga jashtë, këndi i fotografimit dhe ndriçimi me  vurrata të çrregullta dritë-hijesh, si  dhe gjendja emocionale e kompozitorit në frymëzim e sipër, pa përdorur  blicin gjatë shkrepjes së diafragmës, krijojnë një kompozim  artistik  shumë  karakterial, individual e intim gjatë procesit të krijimit muzikor të kompozitorit. Mendoj se profili është  zgjedhje e qëllimshme. Në vend të një portreti frontal, Mili zgjedh siluetën, duke i dhënë më shumë rëndësi vijës së mendimit sesa shprehjes emocionale. Lapsi në buzë është ndoshta elementi më domethënës. Nuk është një gjest i rastësishëm. Ai shpreh ndërprerjen e mendimit, atë sekondë kur ideja muzikore ende nuk është shkruar. Është një “heshtje krijuese”. Duart e shtrira mbi piano krijojnë një urë midis mendimit dhe tingullit. Ato nuk po luajnë; po presin urdhrin e nënvetëdijës krijuese.

Në fotografinë e dytë (2), ai është kthyer në profil dhe silueta e tij dominon përpara projeksionit. Tani nuk kemi më një portret psikologjik, por pothuajse një kompozim grafik.

Figura e tij duket sikur del nga errësira, ndërsa ngjyrat e sfondit krijojnë një kontrast shumë të fuqishëm.

Llamba është një simbol shumë domethënës. Praktikisht është burimi i vetëm i dritës dhe ndriçon fytyrën e kompozitorit dhe partiturën. Më duket sikur Mili e përdor dritën si metaforë të frymëzimit. Nuk është rastësi që gjithçka tjetër mbetet në errësirë.

Ndërkaq, foton 2, të realizuar  në të njëjtën seancë në Venecia dhe të botuar në revistën LIFE  menjëherë pas vdekjes, më 19712),  mund ta  vlerësojmë në  një kontekst më  abstragues dhe  figurativ: Në të  nuk i jepet shumë vëmendje portretit (fytyrës në hije), por  mendimit muzikor. Personazhi kryesor “mund të mos jetë Stravinski”, por  muzika. Ai përpiqet të fotografojë procesin krijues.

Stravinski nuk duket se po pozon. Në pamje të parë syri të shkon te trekëndëshi i madh i zi i kapakut të pianos. Vetëm pas pak çastesh zbulojmë Stravinskin në një cep të fotografisë. Kjo përmbys rregullin klasik të portretit. Mili duket sikur na thotë: “Mos shikoni njeriun; shikoni universin që ai ka krijuar”. Është një mënyrë jashtëzakonisht moderne të menduari. Kjo foto është një portret filozofik;

Një nga tiparet që e dallojnë Gjon Milin është përdorimi i asaj që në art quhet hapësira negative. Pjesa më e madhe e fotografisë është pothuajse bosh, e nderur. Por ajo, në nënvetëdijë, nuk është bosh. Kjo figurë abstrakte gjeometrike krijon ndjesinë e stabilitetit dhe monumentalitetit. Ndërsa Stravinski, i vendosur në cep, duket i vogël fizikisht, por gjigant shpirtërisht. Është një kondrapunkt shumë i qëlluar.  Mili e përkthen këtë në gjuhën e fotografisë. Ajo është heshtje muzikore. Në muzikën e Stravinskit, po aq të rëndësishme sa tingujt janë edhe pushimet, intervalet, tensioni dhe pritja. Shumë portrete të kompozitorëve na tregojnë fytyrën e tyre; Gjon Mili përpiqet të tregojë mendimin muzikor. Kjo është shumë më domethënëse. “Kërko muzikën në çdo gjë dhe jeta do të jetë një simfoni gëzimi” (Stravinski)

Nga një pikëpamje tjetër, Mili nuk përdor një ndriçim spektakolar. Drita është e përmbajtur. Ajo modelon fytyrën pa teatralitet. Është një dritë intelektuale.

Në shumë portrete fotografët  përpiqen të “kapin karakterin”. Këtu Mili shkon më tej. Ai përpiqet të fotografojë procesin krijues. Stravinsky nuk duket sikur po pozon. Ai duket sikur sapo ka ndërprerë mendimin për disa sekonda. Ky është një ndryshim shumë i madh. Është një portret filozofik. Pianoja bëhet arkitekturë muzikore. Ndërsa Mili ka ndërtuar një monument fotografik.

Këto foto, në botim, Gjon Mili i ka shoqëruar me një postulat të Stravinskit: “Arti është energji e rregulluar: kaligrafi e shpirtit. Arti mund të kontrollohet, kufizohet, përpunohet, akoma ai është i lirë. Arti në kuptimin e vërtetë është një mënyrë e modelimit të punëve (veprave) sipas metodave të caktuara, dikush me amatorizëm e dikush me zbulimi krijues” 3)

Këto foto mbeten nga veprat më të bukura e  simbolike  fotografike të bëra ndonjëherë këtij artisti brilant.

Po ato ditë Mili realizon për Stravinskin një tjetër foto emblematike me ngjyra të arta, spirituale e inspiruese, ku muzikanti qëndron para një galerie të Shën Markut në Venecia, sipër  rreshtit të artë të apostujve; …Vepra e tij ”Canticum Sacrum” u këndua për herë të parë me rastin e 1.000 Vjetorit të katedrales, vitin e kaluar.4) Fotografia nuk është më thjesht një portret. Ajo është një “portret mjedisi”(environmental portrait), ku figura e Stravinskit është bërë pjesë e një hapësire me domethënie  kulturore dhe historike.Stravinsky është vendosur shumë larg objektivit, pothuajse i “humbur” në madhështinë e bazilikës. Ky është një vendim kompozicional i vetëdijshëm midis raportit të njeriut dhe madhështirë mistike.

Ai duket aq i vogël përballë hapësirës monumentale, sa në shikim të parë mezi dallohet. Megjithatë, sapo e gjen me sy, ai bëhet qendra e kompozimit. Ky është një paradoks vizual karakteristik i Gjon Milit: ai e përdorte shkallën jo për ta zvogëluar njeriun, por për ta bërë praninë e tij edhe më domethënëse.

Kjo foto ka edhe një kontekst tjetër: Duke refuzuar vazhdimisht të shkruajë  vepra të reja të modeluara  sipas triumfeve të tij të  vjetra teatrale, Stravinski i jep muzikës së tij një tingull të hollë dhe të ashpër dhe kohët e fundit ka kompozuar shumicën e saj me nuanca hyjnore. Në zemër të kësaj është një devotshmëri shumë personale. Sipas tij ‘…idetë e para janë shumë të rëndësishme; ato vijnë nga Zoti,’, ka thënë  ai,  pastaj shpjegon   se si ai vetë e provoi frymëzimin hyjnor. ‘Nëse, pasi të kem punuar, të kem punuar, të kem punuar…, kthehem tek ato ide, atëhere e di që ato janë të mira”5)

Të tjera foto të Gjon Milit për  bëra rreth këtij viti janë ato me bashkëshorten e tij, Vera Stravinsky, në shtëpinë e tyre në Hollywood. (foto), si edhe disa portrete duke dirigjuar, apo në punë krijuese mbi partiturë,  të panjohura deri sot.

Në vitin 1971, me rastin e ndarjes nga jeta të Igor Stravinskit, revista LIFE boton një rubrikë të posaçme mbi jetën dhe veprën e tij të bujshme, të diskutuar, por edhe  shumë  të vlerësuar. Fotografitë e Gjon Milit që shoqërojnë shkrimin rrezatojnë personalitetin e virtuozitetin e muzikantit nën titullin “The Last Rite of Spring”, ku midis të tjerash thuhet: “…Ai la pas vetes një korpus prej më shumë se 100 veprash – partitura të shkëlqyera baleti, vepra vokale neoklasike, pjesë të rrepta  atonale, aranzhime xhazi…, të cilat  kanë ndikuar në trendet artistike të këtij shekulli po aq me siguri sa edhe veprat e Xheims Xhois-it, ose Pikassos..:Unë kam jetuar tashmë përmes disa prej pasardhësve të mi”.  

Indiferenca e tij  nuk përfshinte kurrë modesti të rreme. Pasi u pyet se cilët nga kompozitorët e shekullit të 20-të mendonte se kishte më shumë gjasa të mbijetonin, Stravinski, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të arsyeshme, e vendosi veten në krye të listës.6) Fotografi surprizuese Gjon Mili u ka bërë edhe  disa veprave skenike muzikore, baleteve e koncerteve të tjera të Stravinskit me metoda, konceptime, teknika e teknologji novatore, të cilat ai i aplikoi  nga fundi i jetës së tij, Ato janë kryesisht foto me ngjyra dhe quhen “imazhe (ose foto) pa formë”, një lloj inversi i fotove të shumëfishta stroboskopike,  që kombinojnë përvojën stroboskopike me lëvizjen e kamerës në mënyrë të ngadalshme në drejtim të kundërt të lëvizjes dhe që rezultojnë në një realitet të transformuar nga imagjinata, kujtesa dhe asociacionet e lira,  imazhe të çuditshme, shpesh enigmatike, atmosferë misterioze, shkrirje e reales me fantastiken, nostalgjike ose metafizike, një mister i ngjashëm me atë të ëndrrave. Gjon Mili ka shfrytëzur në mënyrë të përkryer novatore përmbajtjen dhe stilin krijues të kompozitorit me  interpretimin e trupës së baletit (të inskenuar nga koreografi  i famshëm botëror George Ballanchine,  edhe ky mik i Gjon Milit).

Rreth këtyre fotove të Milit  në revistën “LIFE” na udhëheq artikulli “An Artistic Explosion” (Një Shpërthim  Artistik), në të vërtetë një festival botëror i 21 baleteve të  reja të bazuara në  muzikën e Igor Stravinskit  ku, midis të tjerash, thuhet me konsiderata të merituara: “…Ky homazh për Stravinskin, i cili  ndërroi jetë një vit më parë, ishte gjithashtu një triumf për Balanchine-n, mjshtëria e të cilit në vallëzim nuk rresht edhe në moshën 68 vjeç. ‘Gjëja e rëndësishme në balet, thotë Balanchine, “është vetë lëvizja”, një mendim që fotografi Gjon Mili e shpreh gjallërisht në fotografitë e tij tek “Simfonia në Tre lëvizje” dhe “Dumbarton Oaks”…” 7) 8)

Çdo urë që lidh brigjet  artistike dhe humane midis Igor Stravinskit dhe  Gjon Milit mbetet një dëshmi e personalitetit të tyre rrezatues, që ndriçon edhe më shumë kujtimin ndaj  veprës që ata i lanë njerëzimit.

□□□

Referenca:

________________________

  1. Wikipedia Encycopledia
  2. Last Rite of the Spring, LIFE April 15, 1971
  3.  Gjon Mili, Photographs & Recollections, Boston, 1980, p. 163
  4.  A Life Time in His Art: LIFE November 25, 1957, p. 102  
  5.  Po aty, p.101
  6.  The Last Rite of Spring, LIFE, April 16, 1971,  pp, 50-51
  7.  An Artistic Explosion, LIFE, June 30, 1972, pp. 6-9
  8. Qemal Agaj: Igor Stravinsky, Gjon Mili,-Photographs & Recollection,  koment, f. 169