ARTISTJA ARGJENTINASE DANIELA TOMÉ DHE POETJA IRMA KURTI SJELLIN KËNGËN “LA CHAQUETA DE LA TRISTEZA”
Videoja është pjesë e albumit të ri të titulluar: “Sirena triste” i autores Daniela Tomè.
Shfaqet premiera e videos “La chaqueta de la tristeza” (Xhaketa e Trishtimit), një bashkëpunim artistik që tejkalon kufijtë dhe ndjeshmëritë. Ky projekt buron nga dialogu midis poezisë bashkëkohore dhe muzikës së autores argjentinase Daniela Tomè.
Teksti bazohet në një poezi të shkrimtares së njohur italo-shqiptare Irma Kurti, vepra e së cilës dallohet për thellësinë lirike dhe perspektivën intime mbi përvojën njerëzore. Ky tekst u kompozua nga artistja dhe këngëtarja që jeton në Mar del Plata, Daniela Tomé, e cila krijoi një atmosferë zanore që shoqëron dhe pasuron çdo varg.
Bashkëpunimi krijues u përfundua me produksionin muzikor të Alejandro Valdez, muzikant dhe ish-anëtar i grupit të paharrueshëm Ayres, në studion e tij SurcoSur Discos, ku kënga mori formën përfundimtare. Kënga është një propozim artistik që integron poezinë, muzikën dhe imazhet dhe është një ftesë për të zbuluar lidhje të reja midis realiteteve të ndryshme kulturore. Ajo është pjesë e albumit të ri të Daniela Tomé që titullohet “Sirena triste” (Sirenë e trishtuar), tashmë i disponueshëm në Bandcamp.
“Qysh në momentin e parë, ndjeva atë lidhje me poezinë e Irma Kurtit. Ajo është një shkrimtare e shquar, me botime të shumta, si në shkallë ndërkombëtare ashtu edhe në Argjentinë; në fakt, unë isha redaktore e librit të saj të botuar disa vite më parë dhe qysh atëherë krijuam një komunikim të vazhdueshëm. Muzika lindi shumë natyrshëm; mendoj se ne ndajmë një gjuhë mjaft të ngjashme, pavarësisht gjuhës dhe distancës. Kjo më bëri të ndihem mirë dhe për mua ishte një kthim tek kompozimi, të cilin, prej disa vitesh, e kisha lënë paksa menjanë. Muzika origjinale ishte një lloj bluzi, por me një prekje xhazi. Është një mrekulli të dëgjosh pjesën me të gjitha instrumentet e tjera: se si transformohet ajo ide e pastër dhe ndoshta e zhveshur dhe si pasurohet kënga. Alejandro Valdez ka bërë një punë të shkëlqyer”, shprehet artistja Daniela Tomè.
https://danielatome.bandcamp.com/album/sirena-triste
Botuar në gazetën online dhe të shtypur “La Capital”, Mar del Plata, Argjentinë