Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Shteti i bektashinjve

 
Gjithçka mori udhë,
Është shkruar në letër,
Brenda Shqipërisë.
Do ketë një shtet tjetër.
 
Siç është Vatikani,
(Shembuj ja ku ka),
Por s’do kemi Papë,
Do kemi Baba.
 
Zgjidhni edhe merrni:
Zgjidhni kë të doni!
Andej Baba Edi,
Këtej Baba Mondi.
 
Me dy baballarë,
Edin edhe Mondin,
Një për bektashinjtë,
Tjetri për gjithë kombin.
 
Por nuk e kuptoj,
Pse do vihet gardh,
Një Atdhe i vogël,
Në Atdheun e madh?
 
Nuk e di pse druaj,
Kam frikë këtë herë,
Se hapet oreksi
Për shtete të tjerë.
 
Ndoshta myslimanët
Do lëvizin vendit
Dhe të bëjnë shtet
Xhaminë e Et’hemit.
Edhe ortodoksët
Nuk do rrinë të qetë,
Bëjnë një kishë të madhe
Dhe e shpallin shtet.
 
Kur shikon ligjvënësit,
Ç’i bëjnë Kushtetutës,
Mund të kërkojë shtet
Divjaka pranë Lushnjës.
 
Ndaj ka disa ditë
Që i rri larg gjumit:
Mos kërkojnë dhe romët
Ndonjë shtet buzë lumit.
 
Kush nuk është në punë,
Ka fatin në dorë,
Shpejt të bëjë kërkesë
Për ambasador.
 
Gjithçka mori udhë,
Është shkruar në letër,
Brenda Shqipërisë
Do ketë një shtet tjetër.