Tefik Abas Hasko Aliaj, nga luftëtari i lirisë te oficeri model i Policisë Rrugore
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Nga Sevasteri i Vlorës në radhët e Brigadës V Sulmuese
Monografia “Legjendë në dy epoka”, kushtuar jetës dhe veprës së Tefik Abas Hasko Aliaj, është një vepër që sjell në vëmendjen e lexuesit historinë e një njeriu të lidhur fuqishëm me historinë e luftës çlirimtare të partizanëve shqiptarë. Libri i nipit të tij, kolonel Astrit Aliajt, mbështetet në dokumente, dëshmi dhe kujtime. Monografia ndërthur bukur dimensionin historik me atë njerëzor. Përmes figurës së Tefik Hasko Aliajt, autori sjell në kujtesë një brez shqiptarësh të çeliktë, që u përballën me luftën në moshë të re dhe që, pas çlirimit, vijuan t’i shërbenin vendit në detyra të rëndësishme, plot devocion. Tefik Abas Hasko Aliaj lindi më 18 gusht 1926 në Sevaster të Vlorës. Ai u rrit në një familje të thjeshtë, ku mungonin pasuritë materiale, por nuk mungonin puna, besa, ndershmëria dhe ndjenja e detyrës. Fëmijëria e tij ishte ajo e një djali të Labërisë, e lidhur me malin, bagëtinë dhe punët e përditshme në mbështetje të familjes së tij. Këto rrethana nuk ishin thjesht pjesë e fëmijërisë së tij, por formuan karakterin e njeriut që më vonë do të përballej me vështirësitë e luftës dhe do të mbante përgjegjësi të rëndësishme gjatë gjithë jetës. Një vend të veçantë në formimin e Tefikut zë tradita patriotike e familjes Haskaj Aliaj. Historia e tij lidhet ngushtë me Sevasterin dhe me traditat e Kudhësit e Grehotit. Gjyshi Hasko Aliu dhe babai Abasi kishin marrë pjesë në Luftën Kombëtare të Vlorës të vitit 1920. Kjo trashëgimi patriotike do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimin e Tefikut për t’u rreshtuar në luftën kundër pushtuesve nazifashistë. Vendimi për t’u bërë partizan nuk erdhi si një zgjedhje e lehtë. Në vjeshtën e vitit 1943, familja e tij ishte tashmë e përfshirë në mbështetjen e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Tefiku dhe vëllai i tij Karemani ndihmonin me ushqime dhe materiale veshmbathjeje, ndërsa gratë e familjes përgatisnin veshje për partizanët. Karemani ishte nisur më herët drejt formacionit që po përgatitej për Brigadën V Sulmuese, por rrethanat e Operacionit të Dimrit e detyruan të kthehej. Ndërkohë, kur erdhi thirrja e re, radha i erdhi Tefikut. Më 2 janar 1944 ai u nis nga Sevasteri drejt formacionit partizan dhe vendimi u mor në odën e familjes, në një atmosferë ku pesha e luftës ndihej dhe shihej qartë. Fjalët e nënës, që e përcolli me porosinë të kthehej me nder dhe të mos turpëronte emrin e oxhakut të familjes, do ta shoqëronin përgjatë gjithë jetës. Pak ditë më vonë, më 20 janar 1944, Tefiku u bë pjesë e Brigadës V Sulmuese në Bramyshnjë të Tërbaçit. Në regjistrimin e tij si partizan, ai u identifikua edhe përmes traditës patriotike të familjes Hasko Aliu. Pikërisht këtu nis etapa më e rëndësishme e veprimtarisë së tij luftarake.
Për një djalë pa përvojë ushtarake, Brigada V Sulmuese u bë njëkohësisht shkollë e madhe lufte, por edhe një shkollë jete. Ai u përball me marshime të gjata, mungesë ushqimi, të ftohtë, net pa gjumë dhe rrezikun e vazhdueshëm të përballjes me luftime të përgjakshme me armikun. Brigada u angazhua në veprime në Labëri, në zonën e Vlorës, në Skrapar, Dangëlli dhe Përmet, ndërsa në qershor 1944 ajo u përball me ofensivën gjermane në Jug dhe me luftime në Qafën e Gjarprit, Gurin e Prerë, Shëmbërdhenj dhe Tomorricë. Në këto përballje Tefiku u shndërrua gradualisht nga një djalë fshati në një luftëtar të sprovuar. Ajo që spikat në monografi nuk është vetëm pjesëmarrja e tij në luftime, por mënyra se si ai e kuptonte detyrën ndaj shokëve. Një episod domethënës është ai i shpëtimit të një partizani të plagosur rëndë në një zonë të ekspozuar ndaj zjarrit. Tefiku, së bashku me një shok, u afrua dhe e nxori të plagosurin në një vend të mbrojtur. Për të, kjo nuk ishte një akt për t’u treguar si heroizëm personal, por një detyrim i thjeshtë ndaj shokut të luftës. Të tillë ishin partizanët dhe të tillë ishin realisht. Kjo është një nga pikat më të forta të figurës së Tefik Hasko Aliaj. Nuk është e rastit që në librin e Reginald Hibbert (1922–2002), ish pjesëtar i operacioneve speciale SOE, “Fitorja e hidhur” (The Bitter Victory), autori shkruan: “Po të kisha qenë shqiptar, do të isha bërë partizan”. Libri i tij analizon Luftën Nacionalçlirimtare të Shqipërisë (1939–1944). Fakt është se në monografi trimëria e Tefikut nuk paraqitet si kërkim lavdie, por si përgjegjësi dhe obligim. Në BrVS, ai mësoi disiplinën, qëndrueshmërinë dhe rëndësinë e besimit mes njerëzve që ndajnë të njëjtin rrezik. Përvojat e luftimeve e formuan atë jo vetëm si ushtarak, por edhe si njeri. Vetë periudha e Brigadës V përshkruhet si një shkollë e madhe jete, ku ai fitoi cilësi që do t’i shërbenin edhe në vitet e mëvonshme. Më 4 gusht 1944, pas më shumë se gjashtë muajsh në BrVS, Tefiku u përzgjodh për të kaluar në një repart të posaçëm pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, i evidentuar në dokumentacionin personal si “Batalioni i Disiplinës”. Ky kalim ishte një dëshmi e besimit që kishte fituar përmes qëndrueshmërisë, disiplinës dhe korrektësisë. Reparti kryente detyra speciale të sigurimit ushtarak, ruajtjes së rendit dhe shërbimeve pranë komandës së lartë të UNÇSH. Në periudhën e çlirimit të Tiranës, ai mori pjesë në detyra që lidhen me sigurimin e objekteve të rëndësishme. Por kjo etapë tregon një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Tefikut. Nëse Brigada V ishte shkolla e tij e luftës në terren, shërbimi pranë Shtabit të Përgjithshëm ishte shkolla e organizimit dhe e përgjegjësisë institucionale. Lufta e kishte pjekur para kohe dhe përvoja e fituar në front po e orientonte drejt një karriere të gjatë ushtarake e shtetërore.
Nga jeta partizane te oficeri i Policisë Rrugore shqiptare
Vlera e figurës së Tefik Abas Hasko Aliaj nuk përfundon me përfundimin e luftës. Pas çlirimit ai vazhdoi t’i shërbente shtetit të ri shqiptar, të porsadalë me shumë plagë lufte. Nga ish partizan dhe ushtarak ai kaloi në shërbimin e Policisë së Shtetit dhe veçanërisht në Policinë Rrugore, duke ndërtuar një karrierë të gjatë dhe duke arritur gradën e majorit në Policinë Popullore. Në këtë detyrë ai ruajti të njëjtat cilësi që kishte treguar gjatë luftës: disiplinën, korrektësinë, ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektin për njerëzit. Tefik Abas Hasko lindi më 18 gusht 1926 në Sevaster të Vlorës, sipas dokumenteve familjare, ndërsa në disa dokumente zyrtare figuron viti 1923. Ai rridhte nga një familje me tradita të hershme patriotike, e njohur në krahinën e Sevasterit për ndjenjat atdhetare, dashurinë për dijen dhe përkushtimin ndaj shoqërisë. Bir i familjes së Abas Aliajt, Tefiku u rrit në një mjedis ku puna, sakrifica, ndershmëria dhe dashuria për vendin ishin vlera të natyrshme të jetës së përditshme. Fëmijërinë e kaloi fillimisht në Sevaster dhe më pas në Amonicë, në një periudhë të trazuar të historisë shqiptare. Pushtimi fashist italian dhe më pas Lufta e Dytë Botërore prekën drejtpërdrejt jetën e brezit të tij. Që në moshë të re, Tefiku u përball me vështirësitë dhe pasiguritë e kohës, përvoja që ndikuan në formimin e karakterit të tij dhe në krijimin e një ndjenje të fortë përgjegjësie ndaj familjes, shoqërisë dhe vendit. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai u rreshtua në formacionet partizane dhe u bë pjesë e Brigadës V Sulmuese që nga krijimi i saj, në janar 1944. Deri në gusht të atij viti mori pjesë në veprimtarinë luftarake të brigadës në disa prej zonave më të rëndësishme të luftës. Kjo periudhë ishte një shkollë e fortë jete për të. Në radhët e formacionit partizan ai u formua në frymën e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë ndaj detyrës. Pas përfundimit të luftës, Tefik Abas Hasko vijoi rrugën e tij të shërbimit në strukturat shtetërore dhe, për më shumë se tri dekada, punoi në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë kësaj periudhe kreu detyra të ndryshme dhe kaloi në disa sektorë të rëndësishëm, duke u dalluar për ndërgjegje profesionale, korrektësi dhe kërkesë të vazhdueshme ndaj vetes në përmbushjen e detyrës. Për të, shërbimi nuk ishte vetëm një detyrim institucional, por një përgjegjësi që kërkonte përkushtim, disiplinë dhe ndershmëri. Një vend të veçantë në veprimtarinë e tij zë kontributi në organizimin dhe zhvillimin e shërbimit të qarkullimit rrugor. Në vitet e para të pasluftës, kur ky shërbim ishte ende në fazat e organizimit, ai kontribuoi në vendosjen e rregullit, disiplinës dhe sigurisë në rrugët e vendit.
Si kontrollor rrugor, u dallua për profesionalizëm, vendosmëri dhe njohje të mirë të terrenit. Ai kërkonte respektimin e rregullave, por e shihte punën edhe si një mision edukues. Për të, parandalimi i shkeljeve dhe ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve ishin po aq të rëndësishme sa edhe ndëshkimi i tyre. Pikërisht për këtë mënyrë pune, drejtuesit e mjeteve e njihnin dhe e respektonin me emrin “Dajo”, që e meritonin vetëm një pakicë njerëzish. Në marrëdhëniet me qytetarët ai ruante një qëndrim korrekt dhe të drejtë, ndërsa në kryerjen e detyrës ishte i vendosur dhe i kujdesshëm. Ai këmbëngulte që rregullat e qarkullimit të zbatoheshin jo thjesht si norma administrative, por si një domosdoshmëri për mbrojtjen e jetës së njerëzve. Një tjetër përgjegjësi me rëndësi në karrierën e tij ishte shërbimi në grupet e shoqërimit të delegacioneve dhe drejtuesve të lartë. Në këto detyra u dallua për disiplinë, qetësi dhe aftësi drejtuese. Si një nga drejtuesit e grupit të motoçiklistëve shoqërues, ai ishte pjesë e një shërbimi që kërkonte përgatitje, përpikëri dhe përgjegjësi të lartë. Përballë situatave të vështira, ruante qetësinë dhe vepronte me maturi, duke fituar besimin e bashkëpunëtorëve dhe eprorëve. Fakt është se më 30 gusht 1978, pas 33 vitesh shërbimi të pandërprerë në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Tefik Abas Hasko doli në pension pleqërie me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme. Pensioni nuk e shkëputi asnjëherë nga jeta dhe veprimtaria shoqërore. Ai vazhdoi të ishte aktiv në organizatat e veteranëve dhe të përcillte përvojën e tij te brezat më të rinj. Për Tefikun, shërbimi ndaj vendit ishte kthyer në një mënyrë jetese dhe jo thjesht në një profesion. Sikurse del nga përshkrimi biografik monografik, përtej uniformës dhe përgjegjësive shtetërore, Tefik Abas Hasko ishte një familjar i përkushtuar, pasi ai ndërtoi familjen e tij mbi respektin, dashurinë, thjeshtësinë dhe ndershmërinë. Në kujtesën e familjarëve dhe të njerëzve që e njohën, ai mbeti një njeri i drejtë, i thjeshtë dhe i gatshëm për të ndihmuar. Mbështetja e familjes ishte një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tij të gjatë. Jeta dhe veprimtaria e Tefik Abas Haskos (Aliaj) përfaqëson në thelb historinë e një brezi që kaloi nga vitet e luftës në vitet e ndërtimit të shtetit dhe që e lidhi jetën me detyrën dhe shërbimin. Ai ishte partizan, ushtarak, punonjës i strukturave të rendit dhe një prej njerëzve që kontribuuan në konsolidimin e traditës së Policisë Rrugore.
“Legjendë në dy epoka”, kujtesa e një jete dhe trashëgimia e saj
Titulli i monografisë “Legjendë në dy epoka” merr kuptimin e vet të plotë, pasi së pari është epoka e luftës, kur Tefiku ishte partizan dhe luftëtar në radhët e Brigadës V Sulmuese dhe më pas pranë Shtabit të Përgjithshëm; së dyti është epoka e shërbimit shtetëror, kur ai veshi uniformën e ushtarakut dhe të Policisë së Shtetit si drejtues.
Në vlerësimin e kësaj figure duhet parë edhe dimensioni njerëzor, ku Tefiku nuk ishte vetëm luftëtari dhe oficeri. Ai ishte bashkëshort i mirë dhe baba shembullor, por edhe një mbështetje e rëndësishme për familjen e tij dhe për brezat që erdhën pas tij. Ai paraqitet në monografi si një njeri që e kuptonte familjen si përgjegjësi dhe si një vlerë që duhej mbrojtur e mbështetur fuqishëm. Kjo e çimenton figurën e tij më të plotë dhe e largon nga një portret thjesht ceremonial, duke e bërë më të afërt dhe më njerëzor në dimensionin human. Monografia e Astrit Aliajt ka meritën se nxjerr nga kujtesa një figurë që meriton të njihet më gjerësisht nga lexuesi. Tefik Abas Hasko Aliaj përfaqëson një brez njerëzish të thjeshtë që, në një periudhë të jashtëzakonshme të historisë, morën përsipër detyra të jashtëzakonshme. Ai hyri në luftë si një djalë i ri nga Sevasteri, u formua në kushtet e vështira luftarake të BrVS, shërbeu pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe, pas çlirimit, vijoi rrugën e shërbimit publik në strukturën e Policisë Popullore, me gradën major i Policisë Rrugore. Monografia sjell jetën, veprimtarinë dhe trashëgiminë e Tefik Abas Hasko Aliaj, që nga fëmijëria dhe përfshirja në Luftë, vijon me karrierën e tij të gjatë në shërbim të shtetit shqiptar dhe jetën familjare. Përmes kujtimeve të familjarëve e bashkëkohësve, si dhe dokumenteve biografike, ndërtohet portreti i tij si patriot, ushtarak, familjar dhe njeri me dinjitet e vlera njerëzore. Vlera e monografisë është shumëdimensionale, pasi me një gjuhë të gjallë e shprehëse nuk na sjell vetëm një emër nga e kaluara, por një jetë konkrete të mbushur me sakrifica, rreziqe dhe përgjegjësi. Përmes Tefik Abas Haskos Aliajt, lexuesi do të evidentojë se si një njeri i dalë nga një familje e thjeshtë e Labërisë mund të bëhet pjesë e ngjarjeve të mëdha të historisë shqiptare dhe, mbi të gjitha, të ruajë përgjatë gjithë jetës vlerat themelore: nderin, besën, disiplinën, guximin dhe përkushtimin ndaj detyrës. Pikërisht për këtë arsye, kujtimi i tij nuk i përket vetëm familjes Aliaj, por mbetet pjesë e kujtesës së një brezi dhe e një periudhe që duhet të njihet e të dokumentohet me përgjegjësi. Tefik Abas Hasko (Aliaj) lindi më 18 gusht 1926 në Sevaster të Vlorës, sipas dokumenteve familjare, ndërsa në disa dokumente zyrtare figuron viti 1923. Ai rridhte nga një familje me tradita të hershme patriotike, e njohur në krahinën e Sevasterit për ndjenjat atdhetare, dashurinë për dijen dhe përkushtimin ndaj shoqërisë. Bir i familjes së Abas Aliajt, Tefiku u rrit në një mjedis ku puna, sakrifica, ndershmëria dhe dashuria për vendin ishin vlera të natyrshme të jetës së përditshme. Fëmijërinë e kaloi fillimisht në Sevaster dhe më pas në Amonicë, në një periudhë të trazuar të historisë shqiptare. Pushtimi fashist italian dhe më pas Lufta e Dytë Botërore prekën drejtpërdrejt jetën e brezit të tij. Që në moshë të re, Tefiku u përball me vështirësitë dhe pasiguritë e kohës, përvoja që ndikuan në formimin e karakterit të tij dhe në krijimin e një ndjenje të fortë përgjegjësie ndaj familjes, shoqërisë dhe vendit. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai u rreshtua në formacionet partizane dhe u bë pjesë e Brigadës V Sulmuese që nga krijimi i saj, në janar 1944. Deri në gusht të atij viti mori pjesë në veprimtarinë luftarake të brigadës në disa prej zonave më të rëndësishme të luftës. Kjo periudhë ishte një shkollë e fortë jete për të. Në radhët e formacionit partizan ai u formua në frymën e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë ndaj detyrës.
Pas përfundimit të luftës, Tefik Abas Hasko vijoi rrugën e tij të shërbimit në strukturat shtetërore dhe, për më shumë se tri dekada, punoi në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë kësaj periudhe kreu detyra të ndryshme dhe kaloi në disa sektorë të rëndësishëm, duke u dalluar për ndërgjegje profesionale, korrektësi dhe kërkesë të vazhdueshme ndaj vetes në përmbushjen e detyrës. Një vend të veçantë në veprimtarinë e tij zë kontributi në organizimin dhe zhvillimin e shërbimit të qarkullimit rrugor. Në vitet e para të pasluftës, kur ky shërbim ishte ende në fazat e organizimit, ai kontribuoi në vendosjen e rregullit, disiplinës dhe sigurisë në rrugët e vendit. Si kontrollor rrugor, u dallua për profesionalizëm, vendosmëri dhe njohje të mirë të terrenit.
Ai kërkonte respektimin e rregullave, por e shihte punën edhe si një mision edukues. Për të, parandalimi i shkeljeve dhe ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve ishin po aq të rëndësishme sa edhe ndëshkimi i tyre. Pikërisht për këtë mënyrë pune, drejtuesit e mjeteve e njihnin dhe e respektonin me emrin “Dajo”, që e meritonin vetëm një pakicë njerëzish. Në marrëdhëniet me qytetarët ai ruante një qëndrim korrekt dhe të drejtë, ndërsa në kryerjen e detyrës ishte i vendosur dhe i kujdesshëm. Ai këmbëngulte që rregullat e qarkullimit të zbatoheshin jo thjesht si norma administrative, por si një domosdoshmëri për mbrojtjen e jetës së njerëzve. Një tjetër përgjegjësi me rëndësi në karrierën e tij ishte shërbimi në grupet e shoqërimit të delegacioneve dhe drejtuesve të lartë. Në këto detyra u dallua për disiplinë, qetësi dhe aftësi drejtuese. Si një nga drejtuesit e grupit të motoçiklistëve shoqërues, ai ishte pjesë e një shërbimi që kërkonte përgatitje, përpikëri dhe përgjegjësi të lartë. Përballë situatave të vështira, ruante qetësinë dhe vepronte me maturi, duke fituar besimin e bashkëpunëtorëve dhe eprorëve. Fakt është se më 30.8.1978, pas 33 vitesh shërbimi të pandërprerë në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Tefik Abas Hasko doli në pension pleqërie me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme. Megjithatë, pensioni nuk e shkëputi asnjëherë nga jeta dhe veprimtaria shoqërore. Ai vazhdoi të ishte aktiv në organizatat e veteranëve dhe të përcillte përvojën e tij te brezat më të rinj. Për Tefikun, shërbimi ndaj vendit ishte kthyer në një mënyrë jetese dhe jo thjesht në një profesion. Sikurse del nga përshkrimi biografik monografik, përtej uniformës dhe përgjegjësive shtetërore, Tefik Abas Hasko ishte një familjar i përkushtuar, pasi ai ndërtoi familjen e tij mbi respektin, dashurinë, thjeshtësinë dhe ndershmërinë. Në kujtesën e familjarëve dhe të njerëzve që e njohën, ai mbeti një njeri i drejtë, i thjeshtë dhe i gatshëm për të ndihmuar. Mbështetja e familjes ishte një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tij të gjatë. Trashëgimia e Tefik Abas Haskos nuk matet vetëm me vitet e shërbimit, detyrat apo përgjegjësitë që mbajti. Dosja e tij mbi aktivitetin ruhet në kartotekë dhe arkiva, por trashëgimia e tij ruhet mbi të gjitha në kujtesën e njerëzve që e njohën dhe në vlerat që ai përcolli: përkushtimin ndaj detyrës, korrektësinë, ndershmërinë, respektin për njeriun dhe dashurinë për familjen e vendin. Në këtë kuptim, emri i tij mbetet pjesë e historisë së një brezi që e jetoi kohën e vet me përgjegjësi dhe e la pas vetes një kujtim të denjë. Tefik Abas Hasko u shua më 30 qershor 2007, në moshën 81 vjeçare, por mbeti në kujtesën e familjes, të brezave dhe të institucioneve ku punoi. Dëshmi e gjallë e dashurisë së oxhakut familjar për të është edhe kjo monografi që e bën të pavdekshëm partizanin dhe oficerin model të Policisë Rrugore, Tefik Abas Hasko (Aliaj). Për të, vlerësimet, titujt, urdhrat dhe dekoratat nuk ishin qëllim jete, por për luftën dhe punën e tij të ndershme pati shumë vlerësime, si: “Medalje e Trimërisë” për trimëri të treguar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare (nr. 3190, dt. 4.06.1948); “Medalje e Trimërisë” për trimëri të treguar në provokimet që janë bërë në kufirin grek nga monarkofashistët (nr. 685, dt. 21.08.1948); “Medalja e Çlirimit”; “Medalja e 10 Vjetorit” të formimit të UPSH (nr. 1672, dt. 30.5.1953); Urdhri i “Yllit të Kuq” për 10 vjet shërbimi (nr. 1888, 21.06.1954); Urdhri i “Skënderbeut Kl. III” për shërbim në ushtri (nr. 2939, dt. 13.7.1959); Urdhri i “Shërbimit Ushtarak Kl. III” për 20 vjet shërbimi ushtarak (nr. 4025, dt. 1.07.1965), si dhe mjaft vlerësime të tjera. Së fundi, autori kolonel Astrit Aliaj vjen në këtë botim me një sërë eksperience të pasur të mëparshme në publikime. Ai ka përgatitur: “Pavarësia e Kosovës dhe rruga Euro-Atlantike”, doktoraturë e mbrojtur pranë Universitetit Shtetëror, në Fakultetin e Shkencave Politike, në Perugia, Itali, në gjuhën italiane, botuar pranë Institutit të Lartë të Studimeve të Mbrojtjes në Romë, Itali, 2010; “Protokolli ushtarak e diplomatik”, studim, 2011; “Krijimi i Institucionit të Prefektit për Detin”, studim, 2020; “Një jetë kushtuar mjekësisë”, monografi, 2021; “Prekja historike e Rusisë për një port me ujëra të ngrohta. Anatomia e një miti gjeopolitik”, studim, 2022; “Simbol mbi dallgë”, monografi, 2024; “Deti, adheu ynë i kaltër” Kujtime dhe refleksione, 2024; “Sazani, ishull me histori e strategji”, studim, 2026; “Arti i luftës në det”, nga antikiteti deri në shekullin e XX, botim në vitin 2026; “Ditari i Kapitenit”, autobiografi, 2026; dhe me librin “Legjendë në dy epoka”, me gjashtë pjesë dhe 225 faqe, promovimi i të cilit për lexuesin zhvillohet më 24 gusht 2026. Ndërkohë, në fushën e artit të historisë detare, kolonel Astrit Aliaj është autor i studimeve, artikujve dhe monografive që trajtojnë probleme të sigurisë kombëtare, protokollit ushtarak, zhvillimit detar shqiptar, historisë botërore të betejave detare, detarëve të shquar, si dhe ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në lundrimin detar shqiptar. Në publikimet e tij autori synon të ruajë e të përcjellë brezave vlerat dhe traditat më të mira të kulturës detare kombëtare.
“Legjendë në dy epoka” vjen kështu jo vetëm si një monografi për jetën e një njeriu, por edhe si një përpjekje për të ruajtur një pjesë të kujtesës historike dhe njerëzore të një brezi. Përmes jetës së Tefik Abas Hasko Aliajt, libri sjell përballë lexuesit dy kohë të ndryshme, por të lidhura nga i njëjti parim: shërbimi ndaj detyrës. Nga luftëtari i ri i Sevasterit te oficeri dhe drejtuesi i Policisë Rrugore, rruga e tij mbetet dëshmi e një jete të lidhur me punën, përgjegjësinë, familjen dhe vendin.