TROCKI, MERCADER DHE ZONA GRI E HISTORISË
Shqipëroi Saimir Kadiu
Një vrasje, pothuajse me siguri e organizuar nga aparati sovjetik; marrëdhënie reale me Shtetet e Bashkuara; akuza të proceseve të Moskës, jo të gjitha të provuara.
Historia është më pak e thjeshtë sesa versionet e gatshme.
86 vjet më parë, më 21 gusht 1940, në një spital të Mexico City vdiq Lev Davidoviç Trocki.
Një ditë më parë, në shtëpinë e tij në Coyoacán, Ramón Mercader e kishte goditur në kokë me një kazmë akulli (qysqi).
Mercader ishte komunist katalanas dhe jetonte me identitete të rreme: Jacques Mornard dhe Frank Jacson.
Rindërtimi më i përhapur i ngjarjes është i njohur: Stalini vendosi të eliminonte Trockin, NKVD-ja organizoi operacionin, ndërsa Mercaderi e ekzekutoi.
Kjo është edhe shpjegimi që mbështetet më mirë nga burimet e sotme. Por një rindërtim serioz historik kërkon të bëhet dallimi midis asaj që dimë, asaj që mund të deduktojmë në mënyrë të arsyeshme dhe asaj që mbetet pa një provë të drejtpërdrejtë.
Para së gjithash, Trocki nuk ishte një demokrat liberal i përndjekur nga një diktaturë politikisht e huaj për të.
Ai kishte qenë një nga drejtuesit kryesorë të Revolucionit të Tetorit, kishte organizuar Ushtrinë e Kuqe gjatë luftës civile dhe kishte mbrojtur pa hezitim diktaturën revolucionare dhe shtypjen e kundërshtarëve.
Edhe në vitin 1939 vazhdonte t’i justifikonte këto zgjedhje me kushtet e jashtëzakonshme të luftës civile.
Skema “Stalini diktator, Trocki demokrat” nuk qëndron.
Trocki e luftonte Stalinin si revolucionar marksist, jo si një njeri të konvertuar në parlamentarizëm.
I dëbuar nga BRSS-ja në vitin 1929, ai kaloi nëpër Turqi, Francë dhe Norvegji, përpara se të gjente azil në Meksikën e Lázaro Cárdenas, ku mbërriti në janar 1937. Prania e tij përçau të majtën meksikane. Partia Komuniste Meksikane, e lidhur me Kominternin, e konsideronte armik. Ndërkohë, Trocki vazhdonte të organizonte opozitën ndërkombëtare ndaj stalinizmit dhe në vitin 1938 mori pjesë në themelimin e Internacionales së Katërt.
Në Shtetet e Bashkuara, Partia Komuniste e SHBA-së, e drejtuar nga Earl Browder, mbështeste në masë të madhe versionin politik të proceseve të Moskës dhe e cilësonte Trockin kundërrevolucionar dhe bashkëpunëtor të armiqve të BRSS-së.
Në vitin 1939 hyri në skenë Komisioni Dies, një organ parlamentar fuqimisht antikomunist.
Më 12 tetor, J. B. Mathews e ftoi Trockin të dëshmonte mbi “historinë e stalinizmit”, duke saktësuar se Browder dhe William Z. Foster e kishin përmendur vazhdimisht.
Trocki pranoi pa ngurrim: “E pranoj ftesën tuaj si një detyrë politike”.
Dhe kërkoi: “Dëshiroj gjithashtu citime të sakta nga dëshmitë e Fosterit dhe Browderit që kanë të bëjnë personalisht me mua”.
Ai donte të dinte me saktësi se çfarë kishin deklaruar Browderi dhe Foster për të, në mënyrë që t’u përgjigjej publikisht.
Ai e konsideronte gjithashtu Komisionin një tribunë politike jashtëzakonisht të madhe, shumë më të gjerë se ajo që kishte pasur përpara Komisionit Dewey. Nga këndvështrimi i tij, ky ishte një përdorim taktik i institucioneve amerikane kundër stalinistëve. Nga këndvështrimi i CPUSA-s, ishte bashkëpunim me një instrument të represionit antikomunist.
Janë dy lexime të ndryshme politike të së njëjtës ngjarje.
Por një detaj ka rëndësi: Trocki nuk dëshmoi kurrë përpara Komisionit Dies.
Dokumentet amerikane tregojnë se Mathews u përpoq t’i siguronte një vizë. Departamenti i Shtetit, megjithatë, e konsideroi hyrjen e tij të papranueshme dhe, me miratimin e Rooseveltit, viza iu refuzua.
Prandaj pohimi “Trocki dëshmoi kundër Browderit dhe e bëri të burgosej” është thjesht i pavërtetë.
Browderi përfundoi realisht në burg në çështjen e pasaportave të falsifikuara. Por dëshmia e Trockit nuk u dha kurrë.
Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se Trocki nuk kishte kontakte me zyrtarë amerikanë. I kishte.
Dokumentet e Arkivit Kombëtar të SHBA-së tregojnë se në vitin 1940 ai pati takime të përsëritura me zyrtarë të konsullatës amerikane në Meksikë, veçanërisht me Robert G. McGregor Jr.
Pas atentatit të dështuar të 24 majit, ai dha informacione mbi persona dhe rrethe që i konsideronte të lidhura me GPU-në ose Kominternin. Përmendi emrat e Konstantin Umanskit, ambasadorit sovjetik në Shtetet e Bashkuara; Harry Block, të cilin e cilësonte si agjent të GPU-së; David Alfaro Siqueiros; foli për komunistë meksikanë dhe spanjollë, për botime si La Voz de México, Futuro dhe El Popular, si dhe për financime sovjetike të shtypit të huaj.
Ai nuk u kufizua në konsiderata të përgjithshme. Përmendi emra, tregoi lidhje dhe dha vlerësime.
Prandaj një gjë mund të thuhet me siguri: në vitin 1940 Trocki u dha realisht informacione përfaqësuesve të shtetit amerikan.
Por ta cilësosh për këtë arsye një “agjent amerikan” do të thotë të shkosh përtej asaj që provojnë dokumentet. Për të folur në mënyrë të mirëfilltë për një agjent do të duheshin të paktën elemente të rekrutimit, udhëzime, pagesa ose një marrëdhënie operative të qëndrueshme. Në dokumentet e shqyrtuara nuk rezultojnë të tilla.
Pas vdekjes së tij, Joseph Hansen i dorëzoi konsullit amerikan edhe një studim prej 72 faqesh, të përgatitur nga Trocki, mbi përndjekjen që stalinistët dhe Partia Komuniste Meksikane kishin ushtruar ndaj tij.
Edhe këtu duhet bërë një dallim: ishte Hansen ai që ia dorëzoi dokumentin konsullit, pas vdekjes së Trockit. Nuk e dimë nëse ai ishte shkruar fillimisht për konsullatën.
Po proceset e Moskës?
Fakti që Trocki në vitin 1940 fliste me zyrtarë amerikanë nuk i provon në mënyrë retrospektive të gjitha akuzat që i ishin bërë vite më parë.
Në proceset sovjetike ai u akuzua për terrorizëm, sabotazh, marrëdhënie me Gjermaninë naziste, kontakte me Japoninë dhe shërbimet britanike, madje edhe për marrëveshje që parashikonin lëshime territoriale në këmbim të ndihmës së huaj kundër Stalinit.
Të thuash se në vitin 1940 u jepte informacione amerikanëve provon pikërisht këtë: se në vitin 1940 u jepte informacione amerikanëve.
Kjo, në vetvete, nuk provon se ai ishte agjent i Gestapos ose se kishte rënë dakord për copëtimin e BRSS-së. Për këto akuza nevojiten prova të pavarura.
Nga ana tjetër, as versioni mbrojtës i Trockit nuk ka mbetur i paprekur pas hapjes së arkivave.
Dokumentet e ruajtura në Harvard dhe studimet e Pierre Broué kanë treguar se në vitin 1932 ekzistonte realisht një përpjekje për koordinim të fshehtë midis opozitave të ndryshme ndaj Stalinit dhe se Trocki ishte në dijeni të saj.
Pra, marrëdhënie të fshehta ekzistonin. Kontakte me kundërshtarë të brendshëm ekzistonin. Dhe një formë koordinimi politik ekzistonte.
Stalini nuk e shpiku nga hiçi ekzistencën e një opozite të fshehtë.
Por nga kjo deri te Gestapoja rruga e provave mbetet shumë e gjatë.
Një rrjet i fshehtë kundërshtarësh të Stalinit nuk është automatikisht një rrjet në shërbim të Hitlerit, Londrës apo Tokios.
Historiografia e revizionuar, veçanërisht përmes autorëve si Grover Furr, u atribuon disa materialeve sovjetike një peshë shumë më të madhe dhe konsideron se kuadri akuzues i proceseve duhet rivlerësuar.
Kjo pikëpamje ekziston dhe duhet njohur.
Por mbetet një problem i madh: rrëfimet e nxjerra gjatë Terrorit të Madh u morën në një sistem ku vetë dokumentacioni i mëvonshëm sovjetik dëshmon për presione, kërcënime, dhunë dhe shantazh.
Një rrëfim i tillë nuk mund të trajtohet si provë e mjaftueshme në vetvete. Ai ka nevojë për verifikime të jashtme.
Rasti i Piatakovit mbetet emblematik. Ai rrëfeu se kishte fluturuar fshehurazi në Norvegji për t’u takuar me Trockin dhe për të diskutuar sabotazhin, bashkëpunimin me Hitlerin dhe lëshimet territoriale.
Për akuzën, ky ishte një rrëfim vendimtar. Por ai nuk u vërtetua në mënyrë të tillë që të zhdukte dyshimet serioze mbi vërtetësinë e tij.
Komisioni Dewey, i cili sigurisht nuk ishte një gjykatë neutrale, arriti në përfundimin se akuzat kryesore kundër Trockit nuk ishin provuar mjaftueshëm.
Edhe Partia Komuniste Meksikane mori pjesë hapur në betejën politike kundër tij. Organi i saj, La Voz de México, kërkonte dëbimin e tij nga vendi dhe zhvillonte një fushatë jashtëzakonisht të ashpër.
Në vitin 1940 u mënjanuan Hernán Laborde dhe Valentín Campa. Campa deklaroi më vonë se një nga arsyet kishte qenë refuzimi i tij dhe i Labordes për të bashkëpunuar në eliminimin e Trockit.
Është një dëshmi e rëndësishme, por mbetet një dëshmi retrospektive. Nuk kemi një procesverbal bashkëkohor të PCM-së që të dokumentojë shprehimisht këtë motiv.
Ndërkohë, më 24 maj 1940, një komando e drejtuar nga muralisti komunist David Alfaro Siqueiros kishte sulmuar tashmë shtëpinë e Trockit.
Trocki dhe Natalia Sedova shpëtuan.
Përfshirja e Siqueirosit është e sigurt. Më pak i sigurt është hapi pasues: fakti që ai ishte komunist nuk provon, në vetvete, se çdo veprim i tij ishte urdhëruar domosdoshmërisht nga NKVD-ja. Edhe një militant fanatik mund të veprojë me nismën e vet.
Pastaj erdhi Mercaderi.
Ai kishte një lidhje me Sylvia Ageloff, e afërt me rrethin trockist, dhe kjo marrëdhënie ia lehtësoi hyrjen në shtëpi.
Edhe këtu nuk ka asgjë magjike nga romanet e spiunazhit: Trocki nuk jetonte në izolim të plotë. Ai priste gazetarë, simpatizantë dhe të njohur.
Më 20 gusht, Mercaderi i paraqiti një artikull. Ndërsa Trocki po e lexonte, ai e goditi në kokë me një kazmë akulli.
Trocki vdiq të nesërmen.
Mercaderi u gjykua në Meksikë me identitetin e rremë Jacques Mornard. Më 16 maj 1944, Dhoma e Tetë e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Distriktit Federal e dënoi për vrasje me paramendim dhe mbajtje të armës së ndaluar, me 20 vjet burgim.
Gjykata urdhëroi gjithashtu pagesën e 3.485 pesosëve për Natalia Sedovën.
Mercaderi paraqiti kërkesën amparo directo nr. 7060/44, e cila u rrëzua nga Gjykata Supreme meksikane në vitin 1954.
Kjo pjesë e historisë është e dokumentuar pa zona të veçanta errësire.
Më e vështirë është të përcaktohet deri në ç’pikë mund të rindërtojmë formalisht marrëdhënien midis Mercaderit dhe aparatit sovjetik.
Militanca e tij komuniste, në vetvete, nuk provon një mandat. Nuk e provon as lehtësia me të cilën arriti të hynte në shtëpinë e Trockit. Madje as titulli Hero i Bashkimit Sovjetik, që iu dha në vitin 1960, nuk do të ishte në vetvete vendimtar: një shtet mund të shpërblejë më vonë edhe një veprim të pavarur që e konsideron të dobishëm.
Shumë më domethënës është, megjithatë, një dokument i Byrosë Politike i 14 qershorit 1941, më pak se një vit pas vrasjes, lidhur me dekorimin e Mercaderit, Naum Eitingonit, L. P. Vasilevskit dhe të tjerëve.
Kërkesa shoqërohej nga një shënim i Lavrentij Berias.
Ky dokument tregon se maja politike sovjetike e njihte Mercaderin, e lidhte atë me Eitingonin dhe me njerëz të tjerë të aparatit dhe e konsideronte atë që kishte bërë si të denjë për një shpërblim.
Është një provë indirekte shumë e fortë.
Por nuk është urdhri i shkruar me dorë: “Stalini urdhëron Mercaderin të vrasë Trockin”.
Një dokument i tillë, ndër materialet e shqyrtuara, nuk është gjetur.
Përfundimi më i qëndrueshëm është, pra, më pak spektakolar, por historikisht më serioz: rindërtimi i vrasjes së Trockit si një operacion i organizuar nga aparati sovjetik është, në mënyrë të padiskutueshme, ai që mbështetet më mirë nga tërësia e burimeve; ajo që nuk kemi është zinxhiri i plotë i komandës në formën e një urdhri të shkruar të Stalinit.
Trocki, pra, nuk ishte as shenjtor dhe as liberal.
Ai kishte marrë pjesë në ndërtimin e diktaturës bolshevike, mbante kontakte të fshehta me kundërshtarë, pranoi të përdorte Komisionin Dies kundër Browderit dhe Fosterit dhe në vitin 1940 u dha realisht informacione zyrtarëve amerikanë mbi njerëz dhe organizata komuniste.
Të gjitha këto janë të vërteta.
Por asnjëra prej tyre nuk provon automatikisht akuzat për bashkëpunim me Hitlerin, Japoninë ose shërbimet britanike të ngritura në proceset e Moskës.
Në anën tjetër, nuk kemi urdhrin e shkruar të Stalinit për Mercaderin. Kemi, megjithatë, njerëz të aparatit, dokumente sovjetike, lidhje dhe dekorime që e bëjnë shumë të vështirë shpjegimin e vrasjes si një nismë thjesht personale të një militanti.
Është një histori e mbushur me personazhe që nuk përshtaten lehtë me shenjtërimin.
Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën interesante.
Propaganda ka nevojë për të pafajshëm absolutë dhe fajtorë absolutë.
Historia, shumë më e parehatshme, ka nevojë për prova.