Albspirit

Media/News/Publishing

Fabulë japoneze/GURËPRERËSI

Rafaela Prifti*

Tasaku ishte gurprerës. Çdo ditë çekani dhe dalta e tij rrihnin e thërrmonin shkëmbinjtë në këmbët e malit. Ai i gdhendte blloqet e gurtë me të cilët lartësoheshin tempujt e mëdhenj dhe pallatet mbretërorë. Asgjë tjetër nuk kërkonte veçse të punonte në zanatin e tij çdo ditë, gjë që e kënaqte shumë Viganin, i cili ishte banor i malit. Një ditë prej ditësh aty kaloi një princ. Rojet hapnin udhën para tij, muzikantët e valltarët e ndiqnin nga pas. Ishte veshur me rrobe mëndafshi dhe shërbëtorët e mbanin mbi supe. Tasaku i ndoqi me shikim derisa shpura e mahnitshme i humbi nga sytë.

Atë ditë nuk theu më gurë dhe u kthye në kasollen e tij. Ia pati zili princit.

Ngriti sytë nga qielli dhe u lut me zë për një pasuri të tillë. Dhe ra të flinte. Vigani që jetonte në mal e dëgjoi…

Dhe që atë natë e shndërroi gurprerësin në princ.

Tasaku fluturonte nga gëzimi. Jetonte në një pallat mbretëror dhe vishej me petka prej mëndafshit më të çmuar. Muzikantët e argëtonin dhe shërbëtorët i përuleshim. Ai komandonte ushtri të panumërta dhe sundonte mbi toka të pafundme. Pasditeve Tasaku shëtiste në kopshtin e tij. Atij i pëlqenin petalet aromatike dhe vreshtat plot hijeshi. Por Dielli ia dogji lulet. U përkul pranë bohçeve të vyshkura dhe ndjeu fuqinë e madhe të Diellit. Tasaku donte të ishte po aq i fuqishëm, prandaj i kërkoi Viganit të malit ta bënte Diell.

Dhe ai e dëgjoi.

Tasaku u bë Diell dhe ishte i lumtur për një farë kohe. Që ta ndiente forcën e tij, ai dogji fusha dhe thau toka. Atëherë njerëzit u lutën për ujë.

Aty u shfaq një re dhe e mbuloi. Rrezet e arta të diellit ishin fshehur pas resë.

Tasaku e kuptoi se reja ishte edhe më e fuqishme se Dielli. I tha Viganit ta bënte të tillë.

Vigani përsëri e dëgjoi.

Tasaku u bë re. Me fuqinë e sapodhënë, ai lëshonte stuhi të furishme. Bubullimat gjëmonin nëpër qiell, lumenjtë dilnin nga shtretërit e tyre, kasollet dhe pallatet përmbyteshin nga uji. Përveç malit, që nuk luante nga vendi.

Tasaku u zemërua sepse mali ishte edhe më i fuqishëm se reja. “Më bëj mal!” urdhëroi ai. Vigani u bind, pastaj u ngrit që aty dhe u largua sepse nuk kishte ç’të bënte më.

Tasaku u bë mal. Tani ai ishte më i pushtetshëm se princi, më i fortë se dielli dhe më i pamposhtur se reja. Por sakaq ndjeu një goditje të mprehtë dalte. Ishte një gurprerës që punonte aty te këmbët e tij.

Thellë në shpirt, i shkoi një drithërimë.

*Përshtatja nga anglishtja në shqip bazohet në librin me ilustrime dhe filmin vizatimor klasik të autorit të dashur amerikan Gerald McDermott (1941-2012) Prerësi i Gurit, një përrallë e vjetër japoneze që u mëson fëmijëve vlerën e thjeshtësisë dhe të pranimit të vetvetes.