Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtesë për brezat, që të mos i harrojnë kurrë viktimat e diktaturës

Mimoza Rexhvelaj

 

Sot në këtë ditë përkujtimi, ne nuk vendosim shiritin e zi për të hapur plagët e së shkuarës, por për të mos lejuar që historia të na i mbyllë sytë.

Pas këtij shiriti janë njerëzit tanë, ata që nuk u thyen përballë diktaturës, përballë torturave çnjerëzore.

Pas këtij shiriti janë baballarë,që nuk u kthyen më në shtëpi dhe mbetën në galeritë e errëta të burgjeve famëkeqe.

Nëna që u plakën duke pritur bijtë dhe i qanë fshehurazi, sepse varr nuk kishin.

Fëmijë që u rritën në kampe internimi, me vulën e biografisë së keqe të qëndisur si tatuazh në ballë.

Burra e gra që humbën lirinë, dinjitetin dhe jetën vetëm sepse menduan ndryshe…

Komunizmi nuk ishte vetëm një sistem politik, por një makineri që kërkonte të sundonte mendimin, kujtesën dhe shpirtin e njeriut, t’i hiqte atij çdo pikë krenarie e dinjiteti, ta nënshtronte si skllav, pa identitet, veç një numër në regjistër, një fuqi pune…

Ndaj, kush hesht për viktimat e diktaturës bëhet palë me të keqen, që i ka zgjatur duart edhe sot në kohën moderne ku pritet integrimi në BE dhe e ka lidhur shpresën për fyti…

Nuk duhet të harrojmë, sepse një shoqëri që harron viktimat e saj, herët a vonë fillon të justifikojë xhelatët.

Për ata që nuk patën mundësi të flisnin, sot duhet të flasim ne, bijtë e tyre dhe të mbrojmë të vërtetën, lirinë e mohuar.

Nderim për viktimat e komunizmit!

Turp për krimin dhe bijtë e xhelatëve.

Kujtesë për brezat, që të mos i harrojnë kurrë viktimat e diktaturës.