Hashorva, gjirokastriti që ngriti shkollën shqipe përtej kufijve të Shqipërisë
Ambasador Flamur Gashi
Ka njerëz që nuk kërkojnë vend në histori, por është historia ajo që ua ka borxh atë vend. Njëri prej tyre është Ali Hashorva, pedagogu, intelektuali dhe patrioti gjirokastrit që meriton një vend nderi në historinë e arsimit dhe të çështjes kombëtare shqiptare. I formuar për filozofi dhe pedagogji në Firence, pedagog në Normalen e Gjirokastrës dhe më pas drejtor i Normales së Elbasanit, Ali Hashorva ishte një nga personalitetet e shquara të arsimit shqiptar.
Por vepra që e ngriti figurën e tij në përmasa mbarëkombëtare lidhet mbi të gjitha me shkollën shqipe në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare jashtë kufijve të vitit 1913. Në vitin 1941, ministri i Arsimit Ernest Koliqi ia besoi drejtimin e Misionit të Jashtëzakonshëm Shkollor. Në shkresën e 23 qershorit, Koliqi shprehte “besim të plotë” tek ai dhe e cilësonte misionin një “detyrë të shenjtë kombëtare e me randësi historike”.
Ali Hashorva nuk e drejtoi Misionin nga një zyrë në Tiranë. Mori familjen dhe shkoi në Kosovë. Udhëtoi në terren, studioi gjendjen e arsimit, evidentoi nevojat, organizoi kurset e shqipes dhe punoi për hapjen e shkollave e dërgimin e mësuesve. Në Kosovë njerëzit i ndiqnin pjesëtarët e Misionit me një pyetje që edhe sot të prek: “Kur po na vijnë mësuesët e Shqipnisë?”
Hashorva shkruante:
“Fryma shqiptare po buçet në të gjitha anët e Kosovës.”
Pas dekadash mohimi të gjuhës dhe shkollës shqipe, shqiptarët kërkonin atë që u takonte:
MËSUESIN. ABETAREN. SHKOLLËN SHQIPE.
Dhe mësuesit erdhën.
Dhjetëra në fillim, më pas qindra nga Shqipëria dhe nga radhët e shqiptarëve të Kosovës të shkolluar në Shqipëri. Mes tyre kishte figura që do të linin gjurmë në arsimin dhe kulturën shqiptare, si Mehmet Gjevori, Qamil Batalli, Lorenc Antoni e shumë të tjerë.
Shkolla shqipe u shtri nga Prishtina, Prizreni, Peja e Gjakova, drejt Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës e Ulqinit, ndërsa Misioni mbërriti deri në Pazarin e Ri.
Përmasat e veprës flasin vetë:
173 shkolla fillore në vitin shkollor 1941–1942, krahas shkollave të mesme e gjimnazeve të ulëta.
264 mësues në një nga fazat e zgjerimit të rrjetit.
Rreth 400 mësues në vitin shkollor 1943–1944.
Mbi 25.000 nxënës.
Në Prishtinë u hap edhe Normalja, për të përgatitur mësuesit shqiptarë të së ardhmes.
Këto nuk janë thjesht shifra.
Janë përmasat e një rilindjeje arsimore dhe kombëtare.
Edhe emrat e shkollave e dëshmojnë frymën e asaj ndërmarrjeje:
“Skënderbej”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina”, “Isa Boletini”, “Naim Frashëri”, “Gjergj Fishta”, “Lidhja e Prizrenit”, “28 Nëntori”…
Mjafton t’i lexosh.
Fëmija shqiptar nuk po mësonte vetëm të shkruante.
Po mësonte kush ishte.
Ali Hashorva dhe bashkëpunëtorët e tij e shihnin Prishtinën si:
“Qendër drite e bashkimi shpirtëror”.
Sot, kur Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës dhe qendra e saj universitare, kulturore e institucionale, këto fjalë marrin një peshë të jashtëzakonshme.
Por Ali Hashorva na la edhe një fjali që përmbledh ndoshta gjithë madhështinë e Misionit:
“Te mësuesi kosovarët gjetën vetvetën.”
Këtu është thelbi.
Sepse ata mësues nuk çuan vetëm alfabetin.
Çuan gjuhën, dijen, historinë dhe kujtesën kombëtare.
Në themel të kësaj ndërmarrjeje qëndron edhe Ernest Koliqi shkrimtari dhe ministri shkodran që pati vizionin dhe vendosmërinë për ta kthyer shkollën shqipe në një mision kombëtar.
Dhe meriton respekt të veçantë Mustafa Merlika-Kruja firmëtar i Pavarësisë së vitit 1912 dhe Kryeministri i kohës, për të cilin Kosova kishte qenë prej dekadash pjesë e idealit kombëtar shqiptar.
E gjithë kjo ndodhi në rrethanat e rënda dhe kontradiktore të Luftës së Dytë Botërore dhe të pushtimit. Historia nuk duhet as të fshihet, as të zbukurohet.
Por asnjë debat ideologjik nuk mund ta zhbëjë një të vërtetë:
SHKOLLAT U HAPËN.
MËSUESIT SHKUAN.
ABETARET MBËRRITËN.
FËMIJËT SHQIPTARË MËSUAN SHQIP.
Dhe ajo farë dha fryte për breza.
Nxënësit u bënë mësues. Prej tyre dolën profesorë, shkrimtarë, artistë, studiues e intelektualë që ndërtuan jetën arsimore dhe kulturore të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare.
Prandaj Shqipëria duhet ta nderojë Ali Hashorvën.
Gjirokastra duhet të krenohet me të.
Por borxhin më të madh të mirënjohjes ia ka Kosova.
Sepse kur Kosovës i duhej mësuesi, ai erdhi. Kur i duhej abetarja, ajo mbërriti. Kur i duhej shkolla shqipe, qindra burra e gra u vunë në shërbim të saj.
Dhe në krye të atij Misioni ishte një gjirokastrit:
ALI HASHORVA.
Sot përulemi me respekt, dashuri dhe mirënjohje para veprës së tij.
Nderim Ali Hashorvës, Ernest Koliqit dhe Mustafa Merlika-Krujës.
Nderim qindra mësuesve, burrave dhe grave, të njohur e të panjohur që morën rrugën drejt Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare për t’i shërbyer një ideali shumë më të madh se vetja.
Sepse atdheut nuk i shërbehet vetëm me pushkë.
I shërbehet edhe me libër, me dije dhe me shkollë.
Kufijtë e vitit 1913 i ndanë trojet shqiptare.
Por mësuesi shqiptar i kapërceu ata kufij dhe e ribashkoi kombin përmes gjuhës.
Kjo ishte vepra e tyre.
Kjo është trashëgimia e tyre.
Dhe Kosova, mbi të gjitha, nuk duhet t’i harrojë kurrë.