Albspirit

Media/News/Publishing

HELENA DHE PORTRETI I KEQIDENTIFIKUAR SI I VOISAVA TRIBALDA KASTRIOTIT: DHE RISHQYRTIMI HISTORIK DHE IKONOGRAFIK I SHQIPONJËS DYKRENORE

Prof. MA Luan TASHI

     Gjatë dekadave të fundit është përfshirë në botime dhe burime të shumta në internet, si një portret i pretenduar i Voisava Tribalda Kastriotit, nënës së Gjergj Kastrioti Skenderbeut. Analiza e kontekstit historik, kronologjik, ikonografik dhe heraldik tregon se figura nuk paraqet Voisavën, por e paraqet Helenën, nënën e Konstantinit I, perandorit romak, i cili e themeloi Konstantinopolin.1

Perandori Kostantini I dhe nëna e tij Helena në Manastirin Shën Mikeli Kryeengjëll në Lesnovë.

Afresku ndodhet në Manastirin e Shën Kryeengjëllit Mihail në Lesnovë dhe është një ndër veprat më të rëndësishme të artit të shekullit XIV në Ballkan. Ndërtimi i manastirit lidhet me vitet 1341-1347, ndërsa afresket u realizuan gjatë viteve 1346-1349. Afresket e Lesnovës paraqesin shumë figura të shënjtorëve dhe sundimtarëve. Disa nga piktorët njihen me emër, ndër ta: Sevasto, Mihail dhe Marko, ndërsa njëri nga piktorët është anonim. Punimet dallohen për ngjyrat e pasura, veshjet e zbukuruara dhe mënyrën e kujdesshme të paraqitjes së figurave.2

Afresku në fjalë paraqet Konstantinin dhe Helenën duke mbajtur kryqin, e cili është një nga paraqitjet e njohura të këtij çifti në artin e krishterë. Ata paraqiten me madhështinë e një çifti perandorak, Konstantini mban kurorë dhe një veshje shumë të pasur, të zbukuruar me gurë, perla dhe ornamente, kurse Helena gjithashtu paraqitet me një kurorë të lartë dhe me veshje të pasur, me shumë zbukurime dhe ngjyra.3

Konstantini I (rreth 272-337), i lindur në Dardaninë Ilire, ishte perandor romak, që sundoi nga viti 306 deri në vdekjen e tij më 337. Ai është veçanërisht i rëndësishëm për historinë e krishterimit sepse pas fitores së tij në Betejën e Urës Milviane në vitin 312, u afrua me krishterimin dhe në vitin 313 nxori marrëveshjen që njihet si Edikti i Milanos, i cili lejoi praktikimin e lirë të krishterimit në Perandorinë Romake. Ai themeloi Konstantinopolin si kryeqytet të ri perandorak dhe më vonë u nderua nga Kisha si shenjtor. Helena (250-330) ishte nëna e Konstantinit.4

Gjatë pelegrinazhit të Helenës në Tokën e Shenjtë, ajo urdhëroi kërkime për vendin ku ishte kryqëzuar Krishti dhe aty supozohet se u gjet Kryqi. Për këtë arsye, Helena u bë një nga figurat më të rëndësishme të ikonografisë së krishterë. Ajo dhe Konstantini zakonisht paraqiten bashkë me Kryqin, secili në njërën anë të tij, pikërisht si në afreskun e Lesnovës. 5

Afresket e Lesnovës i përkasin mesit të shekullit XIV, ndërsa veprimtaria politike dhe historike e familjes Kastrioti, e cila do të arrinte kulmin me Gjergj Kastriotin në shekullin XV, i përket një periudhe shumë më të mëvonshme. Për rrjedhojë, identifikimi i figurës së Lesnovës si Voisava do të kërkonte një provë të drejtpërdrejtë: një mbishkrim, një dokument bashkëkohor, një burim të sigurt historik ose ndonjë dëshmi tjetër, që të vendoste një lidhje të verifikueshme midis figurës dhe familjes Kastrioti. Një provë e tillë nuk është paraqitur. Prandaj, veshja aristokrate, kurora apo prania e shqiponjës dykrenore, nuk mund të shërbejnë si kritere të mjaftueshme identifikimi.6

Veshja Helenës është jashtëzakonisht e pasur me ornamente dhe ka dukje ceremoniale. Në tërësi, veshja, kurora dhe përdorimi i arit dhe të kuqes e vendosin këtë portret brenda traditës së ikonografisë oborrtare bizantine, ku veshja nuk ka vetëm funksion estetik, por është një gjuhë vizuale që komunikon pushtet, prejardhje dinastike.7

Veçanërisht interesante është shqiponja dykrenore e paraqitur në pjesën e veshjes. Ajo nuk duket si një stemë e vendosur në mënyrë të izoluar mbi mburojë, por si një dekorim i kostumit. Në këtë mënyrë, figura e shqiponjës kontribuon në shprehjen vizuale të statusit perandorak dhe dinastik. Pikërisht shqiponja dykrenore është elementi, që e ka favorizuar interpretimin retrospektiv të këtij afresku si portret të Voisava Tribalda Kastriotit.8

Në vetëdijen historike dhe kulturore shqiptare bashkëkohore, shqiponja dykrenore është shndërruar në simbolin më të dallueshëm të Skenderbeut e, më pas, në emblemë themelore të identitetit shtetëror shqiptar. Megjithatë, për një analizë të artit mesjetar është e domosdoshme, që simboli të interpretohet fillimisht në kontekstin e kohës së tij, dhe jo përmes kuptimeve politike dhe kombëtare që mori në periudhat e mëvonshme.9

Shqiponja dykrenore në burimet evropiane shfaqet gjatë vitit 1250. Një nga dëshmitë më të njohura është ajo që gjendet në dorëshkrimet e Matthew Paris [1200-1259; murg anglez, kronist, artist i dorëshkrimeve të ilustruara dhe hartograf], në Chronica Majora, ku shqiponja dykrenore i atribuohet Perandorit të Perandorisë së Shenjtë Romake, Otto IV (1175-1218) dhe Frederick II Hohenstaufen (1194-1250) Perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake, Mbret i Sicilisë dhe Mbret i Jerusalemit. 10

Në vitin 1433, pas kurorëzimit të Sigismundit të Luksemburgut (1368-1437) si perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake, shqiponja dykrenore u vendos në mënyrë të qëndrueshme si simbol i perandorit. Më pas, sidomos nën Habsburgët [Një nga dinastitë më të fuqishme në historinë e qytetërimit perëndimor. Ajo njihet veçanërisht për sundimin e territoreve të mëdha në Evropë dhe në Amerikë gjatë Mesjetës dhe fillimit të epokës moderne, përfshirë edhe Perandorinë e Shenjtë Romake], shqiponja dykrenore u bë një prej simboleve më të fuqishme të Evropës Qendrore. Ajo u përdor në vula, dokumente dhe stema të Perandorisë së Shenjtë Romake.11

Shqiponja dykrenore ishte pjesë e traditave simbolike dhe politike të botës bizantine dhe u përdor në kontekste perandorake e dinastike gjatë Mesjetës së vonë. Megjithatë, duhet shmangur koncepti modern sipas të cilit, ajo do të përfaqësonte automatikisht një “stemë shtetërore” të Perandorisë Bizantine, në kuptimin heraldik që kemi sot. Në këtë drejtim, një dallim i tillë është thelbësor edhe për interpretimin e afreskut të Lesnovës, shqiponja që shfaqet në veshjen e Helenës duhet parë në radhë të parë si motiv ceremonial, dinastik dhe perandorak.12

Nga pikëpamja formale, paraqitja e shqiponjës dykrenore në traditën bizantine dhe postbizantine nuk ndjek një model të vetëm dhe të pandryshueshëm. Ajo mund të paraqitet në variante të ndryshme sipas mediumit, periudhës dhe funksionit. Në rastin e Lesnovës, karakteri relativisht ornamental i figurës së shqiponjës është në harmoni me sipërfaqen tekstile mbi të cilën ajo është vendosur. Në traditën e Kastriotëve, shqiponja dykrenore do të marrë një funksion gjithnjë e më të qartë identifikues, duke u integruar në sistemin heraldik të familjes. Në dëshmitë e mëvonshme ajo shfaqet e lidhur me ngjyrat kuqezi dhe me elemente të tjera të heraldikës Kastriotiane.13

Shqiponja e lidhur me Skenderbeun ka kokat më të fuqishme dhe më të theksuara, me sqepa të mëdhenj, qafa të zhvilluara dhe krahë të gjerë e të hapur. Mbi të dy kokat dallohen kurorat, ndërsa këmbët dhe kthetrat janë të artikuluara qartë. E gjithë figura është e ndërtuar me simetri të fortë dhe me karakter të theksuar heraldik. Në paraqitjen e Lesnovës, përkundrazi, kokat janë më të holla dhe më të zgjatura, sqepat më të hollë, qafat më delikate dhe krahët më ornamentalë e më pak të strukturuar. Kokat nuk mbajnë kurora dhe trajtimi i përgjithshëm është më i butë dhe më dekorativ.14

Në këtë pikë, dëshmia e Marin Barletit (1460-1512) ka një rëndësi të veçantë për historinë e flamurit të Skenderbeut. Në faqen 38 të librit “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principi”, të botuar më 1508 në Romë nga Bernardino dei Vitali (1494-1539) “vulgo li albanesoti” i quajtur albanez/shqiptar, Barleti përshkruan shenjat që lidhen me Skenderbeun dhe ushtrinë e tij. Në latinisht ai shkruan:

Incolae et reliqui Epirotici generis, mox abiecta Amurathis memoria, novum ducem et nota olim signa, aquilamque nam antea gereant rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta aquilis gerebat Scanderbegus, vel non invitati sequebantur – Atque erant vexilla et insignia Castriotae gentis et familiae”. 15

(Banorët dhe pjesa tjetër e popullsisë me prejardhje epirote, pasi shumë shpejt e harruan Muratin, ndoqën udhëheqësin e ri dhe shenjat e njohura prej kohësh, si edhe shqiponjën; sepse Skenderbeu mbante flamuj të kuq, të dalluar me shqiponja të zeza dykrenore, dhe ata e ndiqnin edhe pa qenë të ftuar – Ato ishin flamujt dhe shenjat dalluese të fisit dhe familjes së Kastriotëve).16 17

Dëshmia e Barletit është e rëndësishme sepse këtu shqiponja dykrenore nuk paraqitet thjesht si një ornament i përgjithshëm, por lidhet drejtpërdrejt me flamujt e Skenderbeut dhe me identitetin simbolik të forcave të tij. Pikërisht ky është një dallim metodologjik i rëndësishëm: në rastin e Lesnovës kemi një shqiponjë të integruar në veshjen ceremoniale të një figure perandorake, kurse në rastin e Barletit kemi një shqiponjë të lidhur me shenjën e një udhëheqësi politik dhe ushtarak, pra me funksion identifikues. Dëshmia e Barletit dokumenton një lidhje të qartë midis Skenderbeut, flamurit të kuq dhe shqiponjës së zezë dykrenore, por nuk duhet interpretuar pa dallim si provë se çdo paraqitje e mëparshme e shqiponjës dykrenore ishte automatikisht “arbërore/shqiptare”, prandaj, rëndësia historike e shqiponjës së Skenderbeut qëndron jo vetëm te forma e saj, por te funksioni i saj i ri identifikues brenda kontekstit politik të Kastriotëve.18

Shqiponja dykrenore e Lesnovës duhet trajtuar si një dëshmi me interes të jashtëzakonshëm për historinë e qarkullimit të simboleve në Ballkanin mesjetar, por jo si provë për praninë e familjes Kastrioti. Interpretimi i saj si simbol automatikisht arbëroro-shqiptar do të ishte një rast i qartë i transferimit të një kuptimi të periudhës moderne mbi një vepër të shekullit XIV.19

Afresku i Lesnovës përfaqëson një dëshmi të rëndësishme për parahistorinë ikonografike të formave të shqiponjës dykrenore, por nuk ofron kurrfar baze për ta identifikuar figurën me Voisava Tribalda Kastriotin. Përkundrazi, konteksti dinastik i Lesnovës, kronologjia e monumentit dhe funksioni ceremonial i shqiponjës, mbështesin interpretimin e figurës si Helenën, nënën e perandorit romak, Konstantini I. Në të njëjtën kohë, dëshmia e Marin Barletit dokumenton një fazë tjetër të historisë së këtij simboli: shndërrimin e tij në shenjë identifikuese të flamurit të Skenderbeut.20

Literatura

1. Austrian Academy of Sciences, Institute for Medieval Research, “Lěsnovo (1), Monastery of Saint Archangel Michael,” Balkan Studies, ku dokumentohen themelimi në vitet 1346-1347, mbishkrimi i vitit 1349 dhe pikturimi i narteksit; shih gjithashtu Ailsa Mellon Bruce Visiting Senior Fellow, “Lesnovo Monastery,” Center for Advanced Study in the Visual Arts, National Gallery of Art, 2024, për datimin e afreskut rreth vitit 1346. https://tib.oeaw.ac.at/balkan/explore/entity/19215.

2. Austrian Academy of Sciences, “Lěsnovo (1), Monastery of Saint Archangel Michael,” dhe “Slovo-ASO Project: Lesnovo Monastery,” ku përmenden fazat e pikturimit dhe emrat Sevasto, Mihail dhe Marko. https://tib.oeaw.ac.at/balkan/explore/entity/19215; https://slovo-aso.cl.bas.bg/lesnovo.html.

3. “Arte e iconografia costantiniane. Grecia, Cipro e Vicino Oriente, VII-XV secolo,” Enciclopedia Costantiniana, Treccani. Shih edhe Lynn Jones, “Deconstructing an Iconography: Depictions of Constantine and Helena in Middle Byzantine Cappadocia,” Valonia 1 (2024): 135-155. https://www.treccani.it/enciclopedia/arte-e-iconografia-costantiniane-grecia-cipro-e-vicino-oriente-vii-xv-secolo_%28Enciclopedia-Costantiniana%29/.

4. J. W. Drijvers, Helena Augusta: The Mother of Constantine the Great and the Legend of Her Finding of the True Cross (Leiden: Brill, 1992); shih edhe The Metropolitan Museum of Art, “Relief with Scene from the Legend of the True Cross,” ca. 1400. https://www.metmuseum.org/art/collection/search/466562.

5. Austrian Academy of Sciences, “Lěsnovo (1), Monastery of Saint Archangel Michael,” e cila e lidh monumentin me shekullin XIV dhe me fazat e ndërtimit e pikturimit të viteve 1346-1349. https://tib.oeaw.ac.at/balkan/explore/entity/19215.

6. Treccani, “Arte e iconografia costantiniane,” ku theksohet përdorimi i veshjeve dhe kurorave perandorake në paraqitjet e Konstantinit dhe Helenës. https://www.treccani.it/enciclopedia/arte-e-iconografia-costantiniane-grecia-cipro-e-vicino-oriente-vii-xv-secolo_%28Enciclopedia-Costantiniana%29/.

7. The Metropolitan Museum of Art, “Altar Cloth or Podea,” Byzantine, fundi i shekullit XIV, ku thuhet se shqiponja dykrenore u bë simbol kryesor shtetëror në shekujt e vonë bizantinë dhe u përdor edhe në kontekste liturgjike. https://www.metmuseum.org/art/collection/search/473644.

8. The Metropolitan Museum of Art, “Altar Cloth or Podea,” Byzantine, fundi i shekullit XIV. https://www.metmuseum.org/art/collection/search/473644.

9. Cambridge, Corpus Christi College, Parker Library, MS 16II, “Matthew Paris OSB, Chronica maiora II,” si dhe British Library, Royal MS 14 C VII, “Matthew Paris, Chronica Maiora, with a continuation.” https://iiif.biblissima.fr/collections/manifest/bd5a88d7ce3ef3aac1721d5fdfcb0f9ce86a8819; https://searcharchives.bl.uk/catalog/041-002338756.

10. Institut für Geschichte, Universität Graz, Siegelsammlung, “Sigismund, römischer Kaiser, König von Ungarn und Böhmen,” datuar 1433, ku përshkruhet qartë doppeladler në vulën perandorake; shih edhe Sigilla, “Sigismond de Luxembourg – petit sceau – Empereur du Saint-Empire romain germanique – 1433/1436.” https://gams.uni-graz.at/o:sis.1-22; https://sigilla.irht.cnrs.fr/33954.

11. The Metropolitan Museum of Art, “Altar Cloth or Podea,” Byzantine, fundi i shekullit XIV. Për përdorimin e saj si stemë e Perandorisë së Shenjtë Romake, shih LACMA, “Covered Tankard with Arms of the Holy Roman Empire,” dhe Hans Burgkmair, “The Imperial Eagle,” Metropolitan Museum of Art. https://www.metmuseum.org/art/collection/search/473644; https://collections.lacma.org/object/12080; https://www.metmuseum.org/art/collection/search/431412.

12. The Metropolitan Museum of Art, “Altar Cloth or Podea,” dhe Institut für Geschichte, Universität Graz, Siegelsammlung, për vulën e Sigismundit të vitit 1433. https://www.metmuseum.org/art/collection/search/473644; https://gams.uni-graz.at/o:sis.1-22.

13. Universität Graz, Siegelsammlung, “Sigismund, römischer Kaiser, König von Ungarn und Böhmen,” 1433; shih edhe Bettina Pferschy-Maleczek et al., “Sigismund’s Empire as a Model of Late Medieval Rulership,” Hungarian Historical Review 13, no. 2 (2024). https://gams.uni-graz.at/o:sis.1-22; https://hunghist.org/issue-current/83-articles/916-2024-2-schneidmuller.

14. Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis (Rome: Bernardino dei Vitali, 1508). Ekzemplari i digjitalizuar dhe të dhënat bibliografike gjenden në Library of Congress. https://www.loc.gov/item/2021666892/.

15. Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis (Rome: Bernardino dei Vitali, 1508), libri/faqja e cituar në tekst. Për ekzemplarin e vitit 1508 dhe të dhënat e botimit, shih Library of Congress, “The History of the Life and Deeds of Scanderbeg, the Prince of Epirus.” https://www.loc.gov/item/2021666892/.

16. Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis (Rome: Bernardino dei Vitali, 1508). Library of Congress e identifikon veprën si botim të Romës nga Bernardino dei Vitali, rreth 1508-1510, dhe e përshkruan shqiponjën dykrenore si emblemë të familjes Kastrioti. https://www.loc.gov/item/2021666892/.

17. The Metropolitan Museum of Art, “Altar Cloth or Podea,” dhe Library of Congress, “The History of the Life and Deeds of Scanderbeg, the Prince of Epirus.” https://www.metmuseum.org/art/collection/search/473644; https://www.loc.gov/item/2021666892/.

18. Austrian Academy of Sciences, “Lěsnovo (1), Monastery of Saint Archangel Michael.” https://tib.oeaw.ac.at/balkan/explore/entity/19215;

19. Treccani, “Arte e iconografia costantiniane,” dhe Austrian Academy of Sciences, “Lěsnovo (1).”

20. Treccani, “Arte e iconografia costantiniane,” për tipologjinë ikonografike Konstantin-Helena-Kryqi; Austrian Academy of Sciences, “Lěsnovo (1),” për kronologjinë e monumentit; dhe Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis (Rome: Bernardino dei Vitali, 1508), për dëshminë e mëvonshme mbi shenjat e Kastriotëve.

Helena – nëna e Perandorit Kostantini I. Afresk në manastirin Shën Mikeli Kryengjëlli në Lesnovë

Shqiponjat në veshjen e Helenës

Shqiponja dykrenore, botuar në vitin 1250 nga murgu Matthew Paris, i abacisë Shën Albans – Angli, në veprën “Chronica Majora”

Shqiponja dykrenore në stemat heraldike të Sigismundit, Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake. Vepër e vitit 1512, e piktorit dhe gravistit gjerman Albrecht Dürer.

Stema heraldike e Kastrioteve, në veprën e Giuseppe Schirò “Gli albanesi e la questione balcanica”, Napoli 1904. Stema është version i stemës së vitit 1500, në monumentit mortor të nipit të Skenderbeut, Kostantin Kastriotit, në Napoli