Konkurentët në listën e gjatë të çmimit “Booker” 2026
Autorët në listën e gjerë të çmimit “Booker” për vitin 2026 flasin për librin që i frymëzoi të bëheshin shkrimtarë.
Chloe Aridjis, autore e librit “The Shadow of the Object“
“Një përmbledhje e poezive në prozë të Baudelaire. Këto 50 skica, të vendosura kryesisht në Paris, gumëzhinin nga tjetërsimi urban dhe nga takimet e tensionuara mes të magjepsurve dhe të mallkuarve. Baudelaire i shkroi ato në fund të jetës, por që kur isha adoleshente, më magjepste dhe njëkohësisht më shqetësonte lehtësia me të cilën një skenë apo një ëndërrim mund të shndërrohej në ankth ose në diçka groteske. Gjuha mund të duket disi e vjetëruar sot, por ndjesitë mbeten ende tejet moderne. Këto poezi në prozë më kujtojnë gjithmonë të përqendrohem te periferia, në vend të qendrës së rrahur mirë”.
Emma Cline, autore e librit “Switzy“
“Në fakt, mund të kenë qenë librat e serisë Betsy-Tacy – kjo seri e ndjek Betsy-n nga mosha pesëvjeçare deri në fillim të të njëzetave dhe, diku në fillim të këtij rrugëtimi, ajo vendos se do të bëhet shkrimtare kur të rritet. Me gjasë, vetëm kaq mjaftoi që edhe unë të mendoja se doja të bëhesha shkrimtare”.
Makenna Goodman, autore e librit “Helen of Nowhere“
“Çdo gjë e Virginia Woolf kur isha e re dhe e imagjinoja veten si shkrimtare, pa e ditur vërtet se çfarë nënkuptonte kjo; thjesht e dija se të shkruarit ishte një mënyrë përmes së cilës dikush mund t’i afrohej ndoshta të kuptuarit të vetëdijes apo të çmendurisë, të magjisë apo të ferrit”.
Marlon James, autor i librit “The Disappearers“
“Isha tetë vjeç dhe romani në fjalë ishte Little House in the Big Woods (Shtëpia e vogël në pyllin e madh) nga Laura Ingalls Wilder. Ishte romani i parë ku përjetova atë që John Gardner e quante “ëndrra e gjallë dhe e pandërprerë” dhe kjo ndodhi krejt rastësisht. Deri në atë moment, ideja e një libri pa ilustrime më dukej absurde; mendoja: pse do t’ia nënshtronte dikush vetes një gjë kaq të tmerrshme? Por më pas më ra në dorë kopja e bibliotekës e librit Little House, ku dikush i kishte hequr të gjitha ilustrimet. Gjithsesi, e lexova. Pa ilustrime që të kufizonin imagjinatën, ishte sikur të më shpërthente koka. Ende e ndiej atë gjë kur lexoj një libër të mirë. Gjëja e parë që mendova ishte: Si mund ta bëj edhe unë këtë”?
Kenan Orhan, autori i librit “The Renovation“
“Me gjasë ishte libri ‘Like You’d Understand Anyway‘ i Jim Shepard ai që më bindi përfundimisht të hiqja dorë nga ëndrra për t’u bërë profesor historie dhe t’i përkushtohesha shkrimit të prozës artistike. Ai përfshin një gamë të jashtëzakonshme personazhesh, kohësh, hapësirash dhe veprimesh. Teksa e lexoja atë përmbledhje, ndjeva dëshirën ta merrja si model. Mbetem ende i magjepsur nga rrëfimet e tij dhe shpresoj që një ditë të shkruaj një tregim po aq të mirë sa i tij”.
Rebecca Perry, autore e librit “May We Feed the King“
“Edhe pse mund të tingëllojë si klishe, nuk kam marrë kurrë një vendim të vetëdijshëm për t’u bërë shkrimtare; thjesht kam shkruar që kur mbaj mend veten. Për t’iu përgjigjur një pyetjeje të ndërlidhur, libri ‘The Trees‘ i Percival Everett ishte ai që më bëri të kuptoj se mund të isha në gjendje të shkruaja një roman. Ishte si një lloj magjie: ai libër dhe ‘May We Feed the King‘ nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët, por dyshoj se libri im do të ekzistonte pa të. Dhe gjithmonë e konsideroj Federico García Lorca-n si shkrimtarin që më hapi sytë ndaj mundësive dhe fuqisë së gjuhës”.
Djamel White, autore e librit “y All Them Dogs“
“Nuk më vjen ndonjëri specifik në mendje. Mund të jetë fare mirë ‘The Witches‘, ose ‘Fantastic Mr. Fox‘, apo cilido nga librat që mësuesi im m’i lexonte kur isha shtatë vjeçe. Më kujtohet se bënim disa ushtrime shkrimi krijues në atë klasë, të cilave u përkushtohesha me pasion; kështu që, në fakt, dashuria ime për leximin dhe ajo për shkrimin lindën së bashku”.
Elizabeth Strout, autore e librit “The Things We Never Say“
“Libri që më bëri të dëshiroja të bëhesha shkrimtare mund të ketë qenë ‘The Catcher in the Rye‘, të cilin ma dha ime më pak kohë pasi kisha lexuar ‘To Kill a Mockingbird‘. Mendova: Dua ta bëj këtë! Të shkruaj gjëra të tilla! (Ndonëse që në moshën katërvjeçare e dija se do të bëhesha shkrimtare, sepse ime më më kishte dhënë fletore dhe më kishte thënë të shkruaja çfarë bëja gjatë ditës. Kështu që, sapo munda të formoja fjali, e kuptova se do të bëhesha shkrimtare”).
M. John Harrison, autor i librit “The End of Everything“
“Më dhanë librin ‘Autobiography of a Super-Tramp‘ të W.H. Davies si tekst shkollor në shkollën e mesme. Jeta e endacakut. Udhëtimi me trenat e mallrave. Papastërtia, uria, moti, aventura, gjymtyrët e amputuara. Në moshën 13-vjeçare, çfarë mund të kërkosh më shumë? Një hyrje e përsosur në atë që do të shndërrohej në një fiksim pas alpinizmit ‘të stilit endacak’ dhe që çoi në versionin e trishtë e të zbutur britanik të asaj përvoje, të cilin e paraqita te libri ‘Climbers“. (Shihni gjithashtu ‘The Water Rat’s Tale’ te ‘The Wind in the Willows‘),
Douglas Stuart, autor i librit “John of John“
“Romani i parë që kam lexuar ndonjëherë ishte ‘Jude the Obscure‘ i Thomas Hardy. Isha 17 vjeç dhe i vetmi nxënës në klasën time të anglishtes. Mësuesit e mi ishin jashtëzakonisht të durueshëm, sepse para se të mund të lexoja ndonjë roman, atyre u duhej të më mësonin si të përqendrohesha, si të qetësohesha dhe të rrija ulur me një libër. Ky roman mbi jetën rurale në Wessex-in e viteve 1880 – një histori fati, klasash shoqërore dhe përpjekjeje për të ndërtuar një jetë më të mirë – më preku në një nivel kaq të thellë. ‘Jude’ ndezi dashurinë time për leximin dhe më dha ëndrrën se ndoshta një ditë do të rritesha dhe do të shkruaja diçka që mund të qëndronte në kohë po aq fuqishëm”.
Luke Kennard, autor i librit “Black Bag“
“Mendoj se mund të ketë qenë The Bridge i Iain Banks – ai me aksidentin automobilistik, ku rrëfimtari e kalon të gjithë romanin në një vegim kome, brenda një qytet-shteti në formën e një ure gjigante (vepra ka njëfarë borxhi ndaj ‘Lanark‘ të Alisdair Gray, të cilin e lexova shumë më vonë). Kishte diçka te ai krijim i detajuar i një bote që ishte njëkohësisht magjike dhe burokratike deri në mpirje mendore – një fantazi që saboton veten! Për njëfarë kohe, kur isha adoleshent, gjithçka që shkruaja ishte një imitim i ‘The Bridge‘ të Banks”.
Gwendoline Riley, autore e librit “The Palm House“
“Te unë gjërat nuk funksionuan ashtu. Ishte një ndjesi ankthi e pasigurie – në disa kuptime të fjalës – që më bëri të kuptoja se duhej të shkruaja romane|.
Missouri Williams, autore e librit “The Vivisectors“
“Ka pasur kaq shumë romane që më kanë bërë të kuptoj se sa e pasur dhe mjeshtërore mund të jetë kjo formë letrare. Leximi i romanit ‘Idioti‘ të Dostojevskit kur isha adoleshente më la të mahnitur. Më kujtohet se, pasi e përfundova, bota papritmas dukej plot mundësi; çdo gjë kishte një kuptim të çuditshëm dhe të fshehur, një domethënie sekrete”.