Kryeministri shkarkon Vlora Hysenin
Kryeministri Edi Rama njoftoi të martën nga Shtetet e Bashkuara shkarkimin e drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, vetëm pak orë pasi Gjykata e Posaçme vendosi ndaj saj masën e arrestit shtëpiak dhe atë të pezullimit nga detyra për veprat penale të nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit.
I ndodhur në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në mbledhjen e asamblesë së OKB, Rama apeloi mes rreshtash përmes një statusi në platformën X që përgjegjësia indivuduale e Hysenit të mos i faturohej forcës së tij qeverisëse.
“…pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, shkroi Rama në X.
Shmangia e përgjegjësive për bashkëpunëtorët e ngushtë apo vartësit që përballen me drejtësinë për akuza korrupsioni apo lidhje me krimin e organizuar ka qenë një qëndrim konstant i kryeministrit Edi Rama gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, në raste të rralla si ai i ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, mazhoranca e drejtuar prej tij ka përdorur kartonët parlamentarë për të bllokuar kërkesat e Prokurorisë së Posaçme.
Pas një karriere që u mbyll me shkarkim në institucionet e inteligjencës së Kosovës, Vlora Hyseni u rekrutua nga vetë kryeministri Edi Rama fillimisht si këshilltare e tij për sigurinë dhe më pas si shefe e shërbimit sekret shqiptar.
Pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi Hysenin, Rama vlerësoi punën e saj në krye të SHISH.
Gjatë prezantimit të emrit të saj si drejtuese e SHISH në vitin 2023, Rama publikisht shprehu besimin në përgatitjen dhe eksperiencën e saj dhe në “respektin që gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës” dhe tha se këto tipare përbënin “një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.
Emërimi i Hysenit u kundërshtua për shkak të pikëpytetjeve mbi karrierën e saj në Kosovë, ku ishte shkarkuar nga detyra për arsye të paqarta.