Albspirit

Media/News/Publishing

ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924

Prof. Lush Culaj

Trajtimi i problemit kombëtar në parlament gjatë viteve 1920-1924 ishte një çështje që u ndoq me shumë vëmendje. Në mënyrë të vazhdueshme kësaj çështjeje iu dha trajtim parësor kundruall çdo çështjeje tjetër. Problemi kombëtar ishte një problem masiv që tërhoqi vëmendjen jo vetëm të qarqeve zyrtare, por edhe të opinionit shoqëror dhe rretheve intelektuale dhe publicistikës. Edhe Asambleja Kushtetuese u mor dhe diskutoi rreth tij.

Më 11 janar 1924 komisioni, në emër të shqiptarëve të Çamërisë, në Athinë i drejtohej Venizellosit dhe, ndër të tjera, i shkruante: “Siç e dini me Traktatin e Lozanës u përjashtuan prej shkëmbimit popullësitë shqiptare që banojnë në këtë shtet. Një shtet i huaj si Turqia, nuk mund të shkëmbejë dhe të marrë popullësi të huaj siç janë shqiptarët. Me atë rast kërkohet që shqiptarët të trajtohen të barabartë me minoritetet e tjera në Greqi”.

“Zbutja e pazakonshme e Athinës ndaj problemit të shqiptarëve muslimanë, që jetonin në trojet e tyre nuk tregonte aspak që ajo kishte hequr dorë nga qëllimi i saj për ta spastruar popullsinë në fjalë. Tërheqja e saj përballë presionit të Qeverisë Shqiptare dhe të shteteve të tjera në Lidhjen e Kombeve ishte vetëm një tërheqje taktike e bërë në rrethana të reja, të shkaktuara nga disfata e turpshme në Azinë e Vogël dhe trazirat që përfshin Greqinë pas saj”.

Në disa dokumente i bëhej jehonë tendencës së disa qarqeve brenda vendit për t’iu përgjigjur dhunës së autoriteteve greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë me masa reprezaljesh kundër pakicës kombëtare grekofone në jug të Shqipërisë. Megjithatë, përveç disa deklarimeve të bëra, nuk ka fakte që dëshmojnë se Qeveria e Nolit, apo ndonjë qeveri tjetër shqiptare në vitet e mëvonshme, të ndërmerrte masa konkrete. Ky opsion u përdor më shumë si masë presioni për ta frenuar dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljes së saj nga Çamëria. Në të vërtetë, Qeveria shqiptare i priti dhe i sistemoi shumë familje të ikura çame në pronat shtetërore, por pa cenuar asnjë familje nga minoriteti grek në Shqipëri.

Jeta e shqiptarëve në Greqi ishte bërë e pamundur

Falë presionit të popullsisë çame të Parlamentit e të Qeverisë shqiptare, në mars të vitit 1924, Komisioni Mikst i ngarkuar nga Lidhja e Kombeve deklaroi se shtetasit grekë me origjinë shqiptare, veçanërisht ata të Epirit do të përjashtoheshin nga shkëmbimi. Gjithashtu u vendos të krijohej një nënkomision, i cili, duke shkuar në Çamëri, do të grumbullonte të dhëna të sakta për ta lehtësuar punën e komisionit qendror për shqyrtimin e problemit të shkëm-bimit të popullatave.

Në realitet jeta e shqiptarëve në Greqi ishte bërë e pamundur. Si mund të jetonte njeriu kur shtëpinë ia kishin konfiskuar, kur drithi, bagëtia, kafshët dhe çdo prone e tij ishte konfiskuar dhe kur të huajt ishin bërë pronarë në arat dhe kopshtet e tyre? Personat, të cilët flisnin për drejtësinë Qeveria greke i dërgonte në gjyq me akuzën si propagandistë shqiptarë.

Qeveria greke, krahas veprimtarisë së komisionit, vazhdonte dhunën edhe presionin mbi çamët me qëllim që para tij të deklaronin se “ishin turq dhe se dëshironin me vullnetin e tyre të shkëmbeheshin”. Siç vërehet, Qeveria e Greqisë po e përdorte të njëjtën strategji që e kishte zba-tuar edhe më 1913, kur u caktua kufiri shqiptaro-grek. Parlamenti dhe Qeveria shqiptare nga informacionet që i kishtin mbi ngjarjet në Çamëri vërenin se kriteret e zgjedhura, të cilat do të merreshin në konsideratë për përcaktimin e popullsisë për shkëmbim dhe Komisionin Mikst nuk po respektoheshin.

Në mbledhjen e 1 marsit 1924 kryetari i parlamentit paraqiti shqetësimin e disa fshatrave të Zonës Neutrale nën okupim të Greqisë. Ai theksoi se Greqia me gjithë që këto fshatra do t’i mbeten Shqipërisë kërkon që këta shqiptarë t’i këmbejë si turq. Deputeti Ali Këlcyra kërkon që në emër të parlamentit t’i kërkohet Kryeministrisë që të protestohet te autoritetet greke për sigurimin e jetës, mallit e nderit të shqiptarëve, jo vetëm në këtë zonë, por edhe brenda territorit grek. Deputeti Rauf Fico shprehu mendi-min që duhet të protestohet nga Qeveria shqiptare, por theksoi se nëse këta shtrëngohen aq shumë nga Qeveria greke t’iu lejohet të hyjnë në kufirin e Shqipërisë. Krahas kësaj deputeti Fico kërkon të protestohet në Lidhjen e Kombeve që t’i sigurojë të drejtat e shqiptarëve, sepse Greqia po tallet me ne. Vlen të theksohet se Rauf Fico ishte një ndër më të zëshmit në mbrojtjen e çështjes kombëtare në Parlamentin e Shqipërisë.

Deputeti S. Pojani kërkoi reciprocitet me grekërit që janë në Shqipëri. Deputeti Kaso kërkoi që t’i tërhiqet vërejtja Ministrisë të Punëve të Jashtme për t’i ndërmarrë masat e duhura kundër marrëveshjes greko-turke për shkëmbim. Ndërsa deputeti R. Jella kërkoi që të pyetet Ministria e Jashtme se çfarë protestash ka bërë dhe çfarë rezultatesh ka nga këto protesta? Deputeti Ali Këlcyra e kundërshtoi mendimin e deputetit Skender Pojani për reciprocitet me grekërit duke e konsideruar të padrejtë dhe duke shprehur mendimin se ata duhet t’iu japin shembull të tjerëve për drejtësi dhe kështu t’i detyrojnë ata që t’i respektojnë të drejtat e shqiptarëve. Deputeti Pojani i qëndroi besnik idesë të tij për reciprocitet me grekërit në Shqipëri. Edhe deputeti Koprencka mbështet mendimin se Qeveria shqiptare duhet të bënte gjithçka për mbrojtjen e shqiptarëve që ndodhen në Greqi. Përfundimisht Parlamenti dakordohet që t’i kërkohet Qeverisë shqiptare që të marrë masa sa më të shpejta në këtë drejtim.

Se çështja e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë kishte karakter të konsiderueshëm për Kuven-din Kushtetues dëshmohet nga fakti se deputetët e kishin në vëmendje këtë çështje dhe se përpjekjet e tyre në favor të zgjidhjes së saj ishin të konsiderueshme. Kështu, në Kuvendin Kushtetues të 2 prillit 1924, bazuar edhe në kër-kesën e deputetit Luzati, u diskutua edhe për marrjen e një vendimi që t’u bëhej apel parlamenteve të Fuqive të Mëdha për ndalimin e shkëmbimit të shqiptarëve të Çamërisë, të cilët konsideroheshin si turq.

Në atë seancë ishte ftuar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Iljaz Vrioni, i cili, duke dhënë shpjegime për qëndrimet dhe protestat që i kishte bërë Qeveria për këtë problem, theksoi se kabineti qeveritar kishte bërë dhe vazhdonte të bënte përpjekje në këtë drejtim. Ndër të tjera, ai tha: “Asambleja Kushtetuese me funksione dhe atribute parlamentare mund dhe duhej t’u drejtohej parlamenteve të Fuqive të Mëdha. Ministri theksoi se për çështjen e shqiptarëve çamë që ndodheshin nën Greqi, Qeveria shqiptare përmes përpjekjeve që kishte bërë me organizma ndërkombëtarë kishte marrë përgjigje pozitive.” Ministri Vrioni më tej theksoi: “Nga komisioni mikst që merret me këtë çështje, më 13 mars 1924, është marrë ky qëndrim: Duke marrë parasysh deklaratën që ka bërë në Lozanë delegati fuqiplotë i Greqisë, kur bisedohej konventa mbi shkëmbimin e popullsisë greke dhe turke, e cila u firmos më 30 janar 1923, komisioni mikst vendos që nënshtetasit grekë, prej feje muslimane dhe gjaku shqiptar, banues më tepër në Epir, të përjashtohen nga shkëmbimi i detyrueshëm i popullsisë.” Kjo përgjigje, e cila u prit me gëzim nga Asambleja Kushtetuese, dëshmonte se si rezultat i përpjekjeve që kishte bërë Parlamenti për të ndikuar te Qeveria dhe si rezulatat i masave që i kishte marrë ai u arrit diçka; së paku grekët u detyruan ta pra-nonin se gjer atëherë kishin vepruar në kundërshtim me angazhimet e tyre në forumet ndërkombëtare.

Për deputetin F. Vokopola “sikur jo bashkëkombëtarët që janë vllaznit tonë të një gjaku e një shpirti, por edhe sikur të ishin njerëz jashtë fytyrës njerëzore, kur ta dëgjojmë zanin e tyre nën vorr, nuk mund të heshtim pa shfaqur mendimin tonë, e në këtë moment kur bisedojmë dridhemi jo nga frika se jemi të vegjël, po pse jemi të dëshpëruar nga fati i vëllezërve tonë”. Ai përsëriti apelin drejtuar qeverisë dhe deputetëve që ta ngrenë zërin si përfaqësues të popullit edhe nëpërmjet shtypit shqiptar dhe atij të huaj. Me anë të shtypit t’i tregojmë gjithë botës me fakte për veprat e kryera nga shovinistët grekë mbi shqiptarët e Çamërisë.

Për dallim nga Këshilli Kombëtar i vitit 1920 dhe parlamenti i viteve 1921-1923, Asambleja Kushtetuese e vitit 1924 e trajtoi problemin në plan më konkret, jo vetëm ngaqë u ofruan fakte të reja që dëshmonin për politikën e shpërnguljes që e ndiqnin serbët apo grekët, por edhe për atë të dhënat u shoqëruan edhe me statistika që paraqisnin hollësisht numrin e shqiptarëve, të cilët iu nënshtruan këtij terrori dhe gjithashtu u shtjelluan edhe rrugët e tërthorta që i ndiqnin grekët dhe serbët për realizimin e misionit të tyre.

Avni Rrustemi: Qeveria Shqiptare, me gjithë punën që e kishte bërë, nuk po vepronte sistematikisht për ta vënë në dijeni Lidhjen e Kombeve

Deputeti M. Kaso, pasi i gjykoi veprimet çnjerëzore të qeverive të shteteve fqinje ndaj shqiptarëve, propozoi që të formohej një komision që do t’i redaktonte telegramet protestuese që do t’u dërgoheshin pastaj parlamenteve të shteteve të mëdha. Rëndësi kishte edhe diskutimi i deputetit Avni Rrustemi, i cili pohoi me ton të ashpër se Qeveria me gjithë punën që e kishte bërë, nuk po vepronte sistematikisht për t’i vënë në dijeni Lidhjen e Kombeve dhe organizmat ndërkombëtarë për gjithçka që ndodhte me shqiptarët e Kosovës, të Çamërisë dhe kudo që ishin. Ai, ndër të tjera, theksoi: “Po të ishte mbajtur në korent Lidhja e Kombeve nga ana e qeverisë sonë mbi ngjarjet në Kosovë dhe Çamëri, ajo do ta bënte detyrën e saj e nuk do të kishim nevojë sot t’u bënim thirrje parlamentarëve të botës. Nga moskujdesi i Qeverisë më duket se Lidhja e Kombeve nuk e quan si një element minoriteti popullsinë shqiptare që banon në Kosovë e Çamëri. Sa për Çamëri duket se është e interesuar pak sipas fjalëve të ministrit, por për Kosovë aspak, ndoshta nga shkaku se Jugosllavia është mjaft e fortë e nuk mund të kundërshtohet për veprat çnjerëzore që bën”.

Ndërsa, në diskutimin e tij deputeti Ali Këlcyra tërhoqi vërejtjen: “Herë pas here kemi dëgjuar fjalë për Kosovë e Çamëri, po kurrë ndonjëherë s’kemi parë që këto të sjellin ndonjë përfundim të pëlqyeshëm. Për dy muaj dy herë e diskutuam këtë çështje, por nuk i di efektet e bisedimeve tona. Nëse këto fjalë bëhen me të vetmin qëllim që të dëgjojnë shqiptarët e Kosovës dhe të Çamërisë se këtu u fol për çështjen e tyre, kjo përveç efektit moral nuk sjell asnjë dobi tjetër.”

Luigj Gurakuqi: Rëndësia e Shqipërisë në politikën e jashtme është aq e vogël, saqë nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimit që përpiqemi t’u bëjmë

Përpjekjet për mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Greqi, si dhe qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi janë shprehur me veçori dhe me probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniunktura politike që kanë qenë të pranishme. Megjithatë, Luigj Gurakuqi theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politikën e jashtme është aq e vogël, saqë nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimit që përpiqemi t’u bëjmë.”

Nga parashtresa e lartpërmendur mund të përfundohet se Asambleja Kushtetuese e vitit 1924 përbënte një institucion, i cili u angazhua për ta shqyrtuar problemin kombëtar në mënyrë të gjithmbarshme. Pikërisht në vitin 1924 u hodh ideja edhe për organizimin e brendshëm në Kosovë apo Çamëri, u kërkua të zbatohej parimi i recipro-citetit në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. U deklarua që nëpërmjet Lidhjes së Kombeve të kërkohej nga Greqia respektimi i angazhimeve ndërkombëtare, jo vetëm për të drejtat politike, por edhe civile të shqiptarëve që jetonin në Çamëri.

Seanca e Asamblesë Kushtetuese e 2 prillit të vitit 1924 shënoi njërën nga kontributet dhe përpjekjet e parlamentarëve për mbrojtjën e çështjes të minoriteteve kombëtare dhe kjo argumentohet me rëndësinë që iu kushtua asaj, përgjegjësinë e diskutimeve dhe alternativat që u paraqitën për mënyrën e zgjidhjes së këti problemi. Rrjedhimisht, jehona e kësaj seance qe shumë e madhe, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Në Shqipëri ajo u pasqyrua gjerësisht në shtyp, i cili gjatë vitit 1924 ishte i shumtë.

Qeveria e Fan Nolit si masë që mund t’i frenonte sadopak këto veprime arbitrare kërkoi që së paku në çdo operacion hetimi, që do të ndërmerrej në ato vise, kriter të jetë gjuha e folur dhe detyrimisht të ishte i përfshirë edhe një delegat shqiptar. Në përgjigjen kësaj kërkese të Qeverisë shqiptare, sekretari i Lidhjes së Kombeve Drummond, më 26.7.1924, kishte njoftuar Qeverinë shqiptare se çështja i kishte kaluar Këshillit të Lidhjes, i cili kishte kushtëzuar komisionin dhe nënkomisionin e shkëmbimit që të merrnin parasysh “kriterin e gjuhës”, por edhe atë të ndërgjegjes kombëtare.

Kryeministri Fan S. Noli e mori fjalën në seancën e Lidhjes së Kombeve, më 29 shtator 1924, për t’i denoncuar me forcë veprimet e Greqisë

Një përpjekje e re që vlen të theksohet ishte ajo e 14 gushtit 1924, kur Qeveria e Nolit kërkoi që çështja të shtrohej edhe një herë për shqyrtim në Këshillin e Lidhjes, duke rikujtuar se ajo popullsi ishte autoktone, se fliste vetëm shqip dhe se kultura turke ishte tërësisht e panjohur për të. Kryeministri Fan S. Noli e mori fjalën në sean-cën e Lidhjes së Kombeve, më 29 shtator 1924, për t’i denoncuar me forcë veprimet e Greqisë. Ai e filloi fjalimin duke lexuar para Këshillit një pjesë të raportit të Komisionit Mikst greko-turk, të qershorit 1924, duke vënë në dukje punën e njëanshme dhe jokorrekte të komisionit të Lidhjes së Kombeve.

Fjala e Nolit bëri efektin e duhur dhe në përfundim të debatit u vendos që problemi të shqyrtohej në një seancë tjetër, e cila edhe u mbajt të nesërmen, më 30 shtator. Fillimisht De Loen paraqiti një raport rreth pretendimeve që kishin Qeveria greke dhe ajo shqiptare. Megjithatë, nuk u arrit asnjë përfundim, por dukej se Lidhja e Kombeve ishte e prirë që problemin e popullsisë shqiptare në Greqi ta shikonte në prizmin e marrëdhënieve greko-turke, duke u bazuar në traktatin turko-grek për mbrojtjen e mino-riteteve, që ishte nënshkruar në Sevres, në gusht të vitit 1920.

Megjithatë, përpjekjet e Qeverisë së Nolit për ta mbrojtur popullsinë çame nga rreziku që i kanosej bënë një efekt të caktuar. Vetë shtruarja e këtij problemi nga-dalësonte realizimin e planeve shoviniste greke, por efekt më të madh bënte fakti se shteti shqiptar i kishte paralajmëruar të njëjtat masa edhe ndaj pakicës greke në Shqipëri.

Natyrisht, nuk mund të mohohet edhe fakti se grekët shfrytëzuan rastin për ta realizuar njërin ndër objektivat që me kohë ia kishin vënë vetes që, nëpërmjet shkëmbimit të popullsive, ta largonin numrin më të madh të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre etnike.

Deputetët shqiptarë, shumica e të cilëve ishin shkolluar në vendet e Evropës Perëndimore, disa prej të cilëve ishin intelektualë të dëgjuar të kohës, ishin të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike para popullit dhe atdheut, andaj në çdo seancë këmbëngulnin që shqyrtimi i secilit problemi të bëhej nga këndvështrimi i interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.