Kristaq Xharo: Humbëm betejën, por lufta vazhdon…
I. “Në emër të popullit të Kosovës…”
Perdja ra. Vendimi u lexua rreth dy mijë kilometra larg Kosovës, por nisi me formulën solemne: “Në emër të popullit të Kosovës…”. Parodi, abuzim apo ironi? Populli, në emër të të cilit pretendohej se fliste gjykata, ishte në sheshe. Ndërsa drejtësia fliste nga Haga, historia protestonte në Prishtinë.
Këtu gjeografia bëhet politikë. Vendimi u shqiptua larg vendit ku ndodhi lufta, larg varreve, dëshmitarëve të terrorit dhe kujtesës së një populli të dëbuar. Por distanca më e madhe nuk është ajo ndërmjet Hagës dhe Kosovës. Është largësia ndërmjet fjalorit juridik dhe së vërtetës historike.
Akuza nisi me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por u zgjerua në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Katër njerëz u vendosën në bankën e të akuzuarve, ndërsa, përmes skemës 4+7, hija e dyshimit u shtri mbi 70 për qind të drejtimit politik dhe ushtarak të UÇK-së.
Kështu, procesi pushoi së qeni vetëm një gjykim individësh. Ai u shndërrua në një interpretim juridik të vetë luftës.
Me këtë narrativë dhe me këtë gjykatë, edhe Skënderbeu do të dënohej. Aktakuza do të ishte gati përpara se të thahej boja e historisë: rebelim kundër rendit perandorak, ushtri e paligjshme me 300 kalorësit e tij, struktura paralele, ndëshkim kundërshtarësh dhe synim politik për shkëputjen e një territori. Pastaj do të vinte formula magjike. Besëlidhja e Lezhës do të quhej “ndërmarrje e
përbashkët kriminale”; kështjellat, qendra ndalimi; qëndresa, frikësim politik. Heroi do të hynte në sallë si kryengritës dhe do të dilte kriminel me vulë.
Dhe, për një rastësi tepër të sinkronizuar për të qenë rastësi, akuza përdori pothuajse të njëjtin fjalor me të cilin Beogradi kishte përshkruar UÇK-në. Tashmë Serbia ka të drejtë të shprehet me fjalorin e Hagës: “Luftuam kundër një ‘ndërmarrjeje të përbashkët kriminale’ të quajtur UÇK, të drejtuar nga kriminelë, të vërtetuar në Hagë, dhe me qëllime kriminale…”. Termat e tjerë:
gjenocid, vrasje, dëbime, djegie dhe përdhunime nuk gjenden ne fjaloret e Hagës.
Serbia ka marrë nga Haga të gjithë të drejtën për të pretenduar se bëri një luftë kundër grupeve kriminale. Çfarë mund të kërkojë më shumë prej saj? Lexoni deklarimet e Vuçiqit dhe të Daçiqit: “Atë që Haga e tha sot, ne kemi 30 vjet që po jua themi”. Serbia e humbi luftën në terren, por narrativa e saj mbërriti në gojën e gjyqtarit Smith. Ndaj nuk do të jetë befasi serbe që nesër ajo
të kërkojë të rikthehet në të njëjtin vend, sipas saj, të pushtuar dhe të drejtuar nga kriminelët.
Kushtetutën dhe opinionin e brendshëm i ka gati; përpara opinionit ndërkombëtar, Haga edhe pa e shprehur i dha alibinë.
A duhet të protestojmë? Po, sa më fort. Protesta nuk kërcënon drejtësinë; ajo kundërshton një gjykim tërësisht të padrejtë. Vetëm pseudo…, të cilët e quajnë bindjen virtyt dhe heshtjen qytetari, mund të besojnë se çdo vendim gjyqësor është i shenjtë. Demokracia nuk na kërkon të heshtim përpara togave të zeza. Na kërkon të argumentojmë, të kundërshtojmë dhe ta mbrojmë të
vërtetën, edhe kur ajo deformohet.
Ky nuk është vetëm një vendim për sot. Pas tridhjetë vjetësh, pakkush do të lexojë mijëra faqe procesverbale. Historia i harron fusnotat dhe mban mend titullin. Prandaj çështja nuk lidhet vetëm me katër individë. Ajo lidhet me emrin që do t’i mbetet luftës së Kosovës.
II. Ku gabuam dhe a është Haga vazhdim i gjeopolitkës me mjete të tjera…?
Gabimi ynë fillon te (pa)fajësia politike. I besuam verbërisht një institucioni që e përfytyruam si një tempull hyjnor, prej të cilit drejtësinë e përcaktonte Zeusi. Harruam se gjykatat ndërkombëtare nuk jetojnë jashtë historisë, diplomacisë, interesave dhe gjeopolitikës. Ato veprojnë në një mjedis ku drejtësia takohet me politikën dhe lobimet dhe, jo rrallë, këto të fundit arrijnë të parat në takim.
Më pas gabuam edhe kur mbrojtjen e trajtuam kryesisht si çështje avokatësh. Por një proces i këtyre përmasave kërkonte logjistikë shtetërore: dokumente, kronologji, harta, arkiva, ekspertë, dëshmitarë, kërkim shkencor dhe institucione që punojnë çdo ditë në prapavijë. Nuk mjafton që ngjarjet të kenë ndodhur; në sallën e gjyqit ato duhet të provohen.
U befasuam nga numri i shqiptarëve që dëshmuan për akuzën. Por befasia është forma më e butë e papërgatitjes. Duhej ta dinim se luftërat nuk përfundojnë kur heshtin armët. Ato krijojnë palë, konflikte, pakënaqësi dhe fronte të brendshme. Ato vazhdojnë në kujtesë, në dëshmi, në arkiva dhe në rrëfime që, jo rrallë, arrijnë të imponohen si të vërteta.
Sigurisht, gabimi më i madh do të mbetet mungesa e lobimit. Ndërsa të tjerët, jo vetëm në Beograd, por edhe në kancelaritë europiane, lobonin, financonin kërkime dhe ndërtonin narrativa, ne prisnim që e vërteta të mbrohej vetë. Mos kërkoni dokumente dhe mesazhe të shkruara; lobimi nuk ka gjithmonë nevojë për to. Ndërkohë, ne grindeshim se kush e kishte dashur më shumë luftën dhe kush kishte përfituar më shumë prej saj. Kundërshtarët punonin me strategji dhe taktika; ne punonim me inate. Ata ndërtonin dosje; ne prodhonim akuza kundër njëri-tjetrit.
III. Apeli kërkon strategji
Pranimi se e humbëm betejën nuk duhet të na çojë në pesimizëm, por të na japë vullnetin për të hyrë dhe për ta vazhduar luftën me strategji. Lufta nuk është një betejë e vetme, por një varg betejash.
Edhe apeli nuk është një institucion hyjnor dhe as një autoritet i pagabueshëm. Të njëjtat interesa, narrativa dhe aktorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm. Vendimi mund dhe duhet të kundërshtohet me argumente juridike, prova dhe analizë profesionale. Por nuk duhet ushqyer iluzioni se vetëm ndryshimi i shkallës së gjykimit do ta ndryshojë vetvetiu edhe logjikën e procesit.
Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një frymë të përbashkët, ndoshta edhe për të kuptuar gabimin, por shumë më tepër për një veprim të përbashkët dhe profesional në mbështetje të apelit dhe të dokumentimit të luftës. Jo një zyrë ceremoniale, por një strukturë me juristë ndërkombëtarë, historianë, diplomatë, specialistë arkivash, ushtarakë dhe veteranë lufte, analistë të komunikimit dhe ekspertë të krimeve të luftës.
Duhet protestë, por edhe protesta kërkon strategji, për të mos mbetur vetëm jehonë. Duhet lobim në parlamentet, universitetet, mediat dhe qendrat studimore perëndimore. Duhet të shpjegohet dallimi themelor ndërmjet një skenari të ngritur mbi dyshime dhe karakterit çlirimtar të një rezistence. Asgjë nuk mund të përdoret si urë për të ndryshuar të vërtetën. Mbi të gjitha, apeli duhet trajtuar si një betejë që kërkon burime. Luftërat juridike kushtojnë,
zgjasin dhe fitohen me përgatitje. Patriotizmi pa dokumente nuk hyn në dosje. Zemërimi pa ekspertizë nuk përmbys një vendim.
IV. Epilog: Lufta vazhdon
E humbëm këtë betejë. Duhet ta pranojmë pa e fshehur dhimbjen dhe pa shpikur fitore imagjinare. Por lufta për të vërtetën historike nuk mbaron me goditjen e çekiçit të një gjykatësi. Ajo vazhdon në apel, në arkiva, në diplomaci, në libra dhe në ndërgjegjen e brezave që do të pyesin: Kush ishte agresori? Kush u dëbua nga shtëpia? Kush luftoi për t’u kthyer në të?
Katër burra dhe, me këtë vullnet të “Hagës së Kosovës”, edhe shtatë të tjerë mund të përfundojnë pas hekurave. Një popull mund të zhgënjehet, por historia e Kosovës nuk mund të burgoset në një dosje.
Humbëm betejën. Tani duhet të mësojmë prej saj, sepse lufta vazhdon, jo kundër së vërtetës, por kundër padrejtësisë që kërkon të shkruhet si histori.
Kristaq Xharo*: Lektor i Marrëdhënieve ndërkombëtare në UET (Prof.Dr/ Kolonel R)