Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Sot ditëlindja e piktorit unik Bashkim Alushi

Më 25 shtator 1954 ka lindur, në Mallkastër, Bashkim Alushi, një piktor unikal, një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të artit bashkëkohor shqiptar, anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve.

Bashkim Alushi është piktor i ekspresivitetit të veçantë koloristik, i njohur për aftësinë e tij për të kaluar drejt artit bashkëkohor, përmes një gjuhe të pasur figurative.

Miku ynë, Bashkim Alushi, artist i shkëlqyer i artit modern bashkëkohor, ka rimishëruar figurat njerëzore në telajo, përmes deformimeve tronditëse, duke nxjerrë në pah ankthin, izolimin dhe gjendjen psikologjike të njeriut dhe transformimeve sociale.

Ankthi ekzistencial manifestohet si një përpjekje vizuale për të kapur izolimin, krizën e kuptimit dhe brishtësinë e qenies njerëzore, duke gjetur shprehje unike përmes portreteve, akuareleve dhe gravurave. Secila nga këto teknika përdor gjuhën e vet formale për të përkthyer tensionin e brendshëm shpirtëror: portreti fokusohet te psikologjia e individit, akuareli te kalueshmëria dhe paqartësia e jetës, ndërsa gravura te kontrastet e ashpra dhe pashmangshmëria e fateve njerëzore.

Alushi është një piktor impulsiv që lëviz me mjeshtëri, përmes penelatave të fuqishme, sa në botën abstrakte-ekspresive, drejt botës lirike. Abstragimet e tij lirike përfaqësojnë një art që bazohet në ndjenjat e pastra, ngjyrat harmonike, lirinë e shprehjes shpirtërore, duke u dhënë veprave të tij frymë poetike, karakter dhe forma elegante estetike, që e tejkalon shumë të vërtetën. Përsa i përket plastikës shpirtërore krijimet e tij qëndrojnë përballë pafundësisë, porsi një muzikë, të dlira dhe të tejdukshme.

Si ekspresionist ai nuk beson në artin që nuk është rezultat i nevojës së njeriut për të hapur zemrën.

I urojmë Bashkimit shëndet, jetë të gjatë e suksese në krijimtari!