Avdulla Kënaçi: Vazelina
Novelë
Pjesa e dytë
8.
Gjumi më kishte zënë në divan, përpara oxhakut me zjarr dhe e zonja e shtëpisë i paskishte thënë së bijës të më hidhte përsipër një shkorsë dhe le të zgjohesha kur të doja. Pikërisht aty e kalova natën, në atë ambjent të ngrohtë, përballë zjarrit. Kisha bërë një gjumë të trazuar, copa-copa. Nuk po kuptoja, isha në realitet apo në ëndërr. Herë më ngjante se vazhdoja të ecja ende mbi dëborë dhe herë-herë sikur rrëshqisja e fluturoja në humnerë. Pastaj më vinte në vesh zëri i mëmës sime: “Drita ime e syrit, trimi im, të kam thënë njëmijë herë, mos i bën punët me vrap! Kthehu nga ajo rrugë xhehenemi! Do biesh shehit (dëshor) për shtetin?! Nuk ngopet kurrë barku i qeverisë me punë e therori, kthehu sa më parë në shtëpi! Çfarë të tha mëndja, pse u nise në suferinë e kiamet (shtërngatë)?!”. Ndieja pëllëmbën e dorës së saj mbi ballë e në faqe, pastaj një zë ndryshe nga i nënës sime: “Fli, o bir, shyqyr që u ktheve gjallë! Tani je në duart e mia, nuk i lë unë doktorët të të presin gishtrinjtë e këmbës, nga fryma ime do të jap shpirt!”. Kush ishte ajo?! Hapa sytë, por nuk shikoja asgjë. Mos isha verbuar?! Dhe i njëjti zë vazhdoi:
– U zgjove? Këmbët i ke më mirë, gishtërinjtë i lëviz për bukuri, kaq ishte, Zoti vuri dorë e të shpëtoi! Je me fat!
– Po Lina, ku është? – pyeta me padurim.
– Lina të qëndroi tek koka deri në orën tre të mëngjesit. Ushqeu zjarrin me dru, e mbajti ndezur dhe me frymën e saj t’i ngjalli gishtërinjtë. Shihi vetë. Pa lëvizi njëherë?
– Po, i kam më mirë, i ndiej, janë dembelosur pak, por rëndësi ka që më kanë shpëtuar.
Ndërkohë u hap dera përballë korridorit dhe doli Lina e veshur me një palë pizhame blu. Sa e afërt dhe e dashur m’u duk në ato çaste të magjishme. Ishte një zanë mali. Më mungonte. U ndal para meje dhe nuk tha asgjë, vetëm më vështronte në dritë të syrit. Një vështrim që fliste sa njëmijë fjalë.
– Shko vishu, të keqen mëma, pse u zgjove kaq shpejt?! Akoma nuk të ka dalë gjumi, fjete shumë vonë, – i tha ajo me zë përkëdhelës, pastaj u kthye nga unë – Harrova të të them se Shori trokiti tek dera herët në mëngjes dhe pyeti i qederosur për ty. I thashë se ishe mirë, por ende në gjumë. Nuk i dhashë hollësi. Ai ishte si kokrra e mollës. Unë nuk i dua këta grekërit, por për ty u bë copë. Të pret poshtë, tek klubi. Sot nuk keni shkollë, korrieri njoftoi me borie. Ka rënë mbi një metër borë, apo më shumë. Nuk pushoi gjithë natën. Është pupël e lehtë e bekuara, po kërkon koka njerëzish, ne i themi këtu “borë maçe”, të ngjitet nëpër rroba e s’të shqitet. Ca bashkfshatarë kanë dalë herët e po hapin rrugët me lopatë. Aman, të na çelet kjo rruga e çesmës! Mbetëm pa ujë.
Lina u kthye përsëri, e veshur kësaj radhe me një kostum sportiv ngjyrë gri. Bluza e saj kishte të stampuara dy puma në kërcim përballë njëra- tjetrës dhe dukeshin sikur hidheshin në ajër për të kapur e kafshuar gjijtë e sapoformuar të zonjës së tyre. Më erdhi për të qeshur, por u përmbajta. Nuk di, por ka ca njerëz që të lexojnë mendimet, një nga ato ishte edhe kjo vajzë gjashtëmbëdhjetëvjeçare.
– Mos u tremb, nuk më hanë, jo, – tha duke qeshur me shejtanllëk.
– E ç’thoni kështu që nuk ju marr vesh dot unë plaka, – ndërhyri e ëma me një nuancë ironie… Ajo nuk i ktheu përgjigje asnjerit nga ne të dy, por as e ëma nuk priste sqarime prej nesh.
Ndjehesha si në shtëpinë time, më ngjante sikur kisha vite që hyja e dilja tek kjo banesë, megjithse ishte hera e parë. U shtrua mëngjesi, bukë e bardhë misri, e thekur, çaj mali aromatik, djathë i bardhë deleje, kaçkavall dhe reçel ftoi. Të gjitha prodhime të atij fshati, bio. Ky lloj ushqimi ishte sekreti i jetëgjatësisë së tyre. U ngrita, mora çantën time të shpinës, e hapa. Bora kishte qenë e thatë, temperaturat e ulëta nuk e kishin lënë atë të shkrinte mbi çantë. Si ushqimet, ashtu edhe librat ishin pa lagështirë. Nënë e bijë ndiqnin lëvizjet e mia plot kureshtje. Nxora “Lulet e mollës” të Xhon Gollsuorth. Lina kërceu para meje si një ketër dhe ma rrëmbeu librin nga dora. E shfletoi me rrëmbim dhe shqiptoi me habi:
– Po ky qenka i vogël, shikoje mami, unë këtë e mbaroj për një ditë e natë!
– I vogël është edhe floriri, por vlerën e ka të madhe. Mos fol para kohe, lexoje dhe ma trego edhe mua. Koha e borës të mbyll brenda, të keqen mëma, libri të ksehas, – i tha ajo duke e veshur kurmin e saj me vështrimin e saj mëmësor.
Nuk e pashë me vend të ndërhyja midis tyre, por mendova të jepja një shpjegim për librin: “Nuk është as tregim dhe as roman, por një novelë e jashtzakonshme. Është ndër veprat më lirike të letërsisë moderne europiane. Dashuria aty tingëllon aq njerëzore dhe e vërtetë, sa nuk ka zemër në botë të mos preket e ngashërehet. Ka shumë libra për dashurinë por “Lulet e mollës” është kurora e gjithë dashurive të marra së bashku”.
– Lexoje për vete, Lina, mua nuk ka nevojë të ma tregosh se ç’ mollois ky libër, po tjetër çfarë na ke sjellë, o Profesor? – pyeti ajo duke na larguar me qëllim nga pozicionet tona rreth dashurisë. Vazhdova më tej:
– Ja, kam sjellë edhe këtë librin e trashë “Don Kishoti i Mançës”, dy vëllimësh. Ky është tamam për netë dimri me borë, si këto tani. Është fare ndryshe, mjafton t’u them se personazhi kryesor dashuron një vajzë fshati që e pa së largu duke punuar në fushë dhe e pagëzoi me emrin Dylqinja e Tobozës. Në mesjetë ishte e modës që çdo kalorës të kishte një dashnore. E kishte për nder të vritej për të dhe të binte heroikisht në fushën e betejës. Don Kishoti arrin deri aty sa lufton edhe me mullinjtë e erës për hir të Dylqinjës.
– Hahaaa, Lina, këtë dua të më lexosh, ky qenka për mua, – i tha e ëma me gëzim sikur kishte bërë zbulimin e shekullit.
– Po tjetër? – vazhdoi të pyesë vajza kureshtare.
– Ja, ky është pak më i vështirë, romani “Paraja” me autor Emil Zola, francez. Roman joshës dhe tronditës, ku përzihen dashuritë dhe urrejtjet, lakmia dhe luksi i pafre.
– Mua më pëlqeu «Don Kishoti », – tha Lulëzimja pak e menduar, – kushedi sa e sa njerëz ka në këtë botë që luftojnë me mullinjtë e erës. Pse neve çfarë bëjmë, nuk luftojmë me mullinjtë e erës?! « Luftojmë që ç’ke me të kundër rrethimit kapitalisto-revizionist”, thotë Partia, po ne nuk shikojmë me sy as kapitalist e as revizionist. Ku janë armiqtë? Pra, edhe ne bëjmë luftë me mullinjtë e erës, si puna e këtij derëziut, Don Kishot.
– Mama, të lutem, harrove që ke një vëlla ushtarak dhe komunist?! Do t’i thonë atij se ti ke një motër reaksionare?! Të jesh e sigurt, nuk u vjen fare turp ta zhveshin e ta lënë në mes të katër rrugëve?! Mos fut spica e të na e kthesh bisedën në politikë! Të gjithë kanë pakënaqësi, por nuk i shprehin, se e dinë që kanë pasoja të rënda familjare.
E pashë me vend të mos ndërhyja në replikat midis tyre. Në fund të fundit isha mysafir, aq më tepër jo nga ky fshat dhe nuk më takonte t’i paragjykoja. Vura re se ato ishin të sinqerta, flisnin hapur para meje dhe kishin besim të madh tek unë. Kjo tregonte se më vlerësonin e më konsideronin si bir shtëpie.
– Mëmë, nuk është problem se u shprehe midis nesh kundër politikës së qeverisë, por siç e ke thënë edhe vetë, muret kanë veshë!
– E sheh, Profesor se ç’kohë ka ardhur?! Ngrihen këmbët e i bien kokës, – m’u drejtua mua e ëma me një lloj thirrjeje për ta marrë në mbrojtje. U ndodha jo në pozita të favorshme, nuk mund t’ia prishja as njerës palë dhe dhashë këtë lloj përgjigje:
– Mos u mërzit nëne, të rinjtë e marrin propogandën ashtu siç u jepet. Është lufta e brezave, shkruajnë filozofët e mëdhenj të botës. Mos e bëj me faj vajzën, ajo flet ashtu si ua ka mbushur mendjen organizata e rinisë në fshat.
– Po mor bir, ashtu është…Po si është e vërteta?
– Ke libër tjetër, Profesor? – këmbeu bisedë vajza. Me sa dukej ishte zemëruar nga fjalët e së ëmës.
– Po, “Konti i Monte Kristos”, i autorit frances Aleksandër Dymas.
– Avash-avash e një nga një se do të mbytesh me tërë këto librash të trashë, – ia ktheu Luli e pakënaqur ngaqë ajo e qortoi pa takt në prezencën time.
Që nga ajo ditë Linës iu dha e drejta të më kërkonte kur të dëshironte dhe të shprehej për çfarë t’i donte e bardha zemër. Realisht ajo më kishte hyrë thellë në shpirt dhe ishte i vetmi person që unë toleroja pa kufi. Kur ishim vetëm, më fliste për shoqet e saj, farefisin, për djemtë që i vinin rrotull dhe se të gjithë i thoshnin të zemëruar se Profesori do të shfrytëzojë e pastaj do të të hedhë tutje si leckë. Disa e pyesnin drejtpërdrejtë, “Hë, si e ke Profesorin, kur do t’ia bëni bam?”.
– E ti, si u përgjigjesh atyre?
– Shikoni punën, ruani nënat e motrat tuaja, ka kush kujdeset për mua. Kur të kem mbushur moshën madhore tetëmbëshjetë vjeç do t’u jap xhevap e llogari të gjithëve se çfarë kam vendosur të bëj, meqë më keni kaq shumë merak. Prisni edhe nja dy vjet e pastaj zini radhën një nga një që t’u shkoqit plotësisht. E di që nuk u zë gjumi i natës e jeni tepër të qederosur për jetën time… Ja kështu u them të gjithëve pa dallim feje, krahine e ideje.
Qesha me gjithë shpirt, sa e drejtpërdrejtë, sa kurajoze dhe gojëbrisk që ishte! Llogjika e saj e tejkalonte moshën gjshtëmbëdhetëvjeçare. Realisht Vazelina, ishte ca arrakate e kokëshkretë. Ajo nuk pyeste njeri në atë fshat, nuk kishte nevojë për këshillëtarë, me përjashtim të nënës, shkonte andej nga i thoshte truri i saj. Nuk ua përtonte të gjithëve, ua plaste në sy, u përgjigjej drejtpërdrejtë, pa ia bërë syri tërr. Të gjithë thonin se ajo ka një llogjikë dhe pjekuri më të madhe se mosha që ka. Për çudi, kushdo e donte dhe e respektonte, sidomos të moshuarit për të cilët ajo bëhej cope. Kurrë nuk përtonte t’u vinte në ndihmë. Kishte një zakon dhe edukatë të mire. Nuk merrte njeri nëpër gojë dhe kurrë nuk pranonte të bënte lojën e telefonit të prishur. Gjeti një mënyrë tjetër për të qenë sa më afër me mua. Në fund të dy javëve, pas mësimit, zakonisht shkoja në qytet, së bashku me Shorin, sidomos pas shkrirjes së borës. Bënim tri orë rrugë më këmbë. Aty në anë të xhades prisnim sa të kthehej autobusi i linjës nga Tirana. Shoferët dhe fatorinua, edhe sikur fare plot ta kishin satën, ndaleshin e na merrnin. Gjithë sa mësonin se ne ishin emëruar me punë aq larg, na mëshironin dhe kurrë nuk na linin në rrugë. Kur panë që ishim të shoqëruar edhe me një vajzë, na thanë ju hipni, vajza jo.
– Po çfarë thoni moo, ajo është përgjegjëse e shtëpisë së kulturës e ju guxoni ta lini në mes të katër rrugëve?! – u tha Shori gjoja i indinjuar. Unë e Lina u pamë sy në sy dhe me zor e mbajtëm të qeshurën. Vërtetë ajo kishte një teze që banonte në qytet dhe me atë shkak shoqërohej e zbriste së bashku me ne për të shkuar atje për vizitë.
– Me ty e lë të shkojë edhe në Hënë, se të njoh çfarë djalë je, me atë grekun vetëm, apapa, – më tha e ëma e saj përpara se të bënim rrugën e parë, kur rastësisht e takova afër çezmës. Një nga ato herë e ftova Linën për të parë një film në kinema të qytetit. Shfaqej filmi i famshëm indian me Raxh Kapurin, aktor dhe regjisor me origjinë prej fisit panxhab. Pa përjashtim, shikuesit shqiptarë e shqiptonin emrin e mbiemrin e tij monolit, Raçkapur. Atë mbrëmje ajo i mori lejë tezes e cila e porositi: “Profesori të vijë të të marrë vetë këtu, në shtëpinë tonë dhe po vetë duhet të të kthejë, as lart e as poshtë, nuk turpërohem me motrën unë e të lë bijën e saj sokakëve të qytetit”. Ashtu bëmë, unë shkova dhe e mora tek shtëpia e tezes. Ajo priste tek porta e madhe me qemer guri mermer. Hymë në kinema njeri pas tjetrit. Subjekti i filmit i pëlqeu shumë. Shpesh, papritur filmi ndërpritej dhe duhet të prisnim gjersa operatori të gjente bobinën e duhur. Pas filmit, së bashku komentonim skenat me radhë, sidomos situatat komike. Kishte një të metë të vogël, e qeshura e saj jehonte në tërë sallën e kinemasë. Dukej se nuk ishte mësuar me jetën e qytetit. Me takt i bëra vërejtje, por as donte t’ia dinte. Dalëngadalë do ta kuptonte se qytetarët nuk silleshin si ata aty lart në male. Herën e tretë ishte e dëshpëruar, tezja i kishte prezantuar një kandidat për fejesë, një kushëri të burrit. Para nisjes së shfaqjes më bëri një kërkesë të çuditshme. Më tha ngadalë, pa e dëgjuar kush: “Ta mbështes kokën tek supi yt?” dhe unë iu përgjigja: “Ta mbështetësh, por kur të fiken dritat, kur të ndizen, hiqe kokën menjëherë, nuk është mirë as për ty e as për mua. Të na bëjnë të fejuar, hajde de, por do na bëjnë të martuar”. “Punë e madhe, le të na bëjnë si të duan!” tha duke qeshur. Kur dolëm jashtë kinemasë, pak e trishtuar më tha me zë të ulët sikur fliste me vehte:
– Tek supi yt ndjej siguri, më jep guxim t’i kundërshtoj tezes. Duan të më fejojnë me një dudum qyteti. Ma sollën për njohje. Ai ishte pa shkollë dhe nuk kishte lexuar asnjë libër artistik. Nuk dinte të lidhte dy fjalë. Kur flisja unë, ai i mbante sytë në tavan.
Ajo ishte hera e fundit që zbriti në qytet. E kishin mërzitur shumë me propozimet për martesë, aq sa i nxorën namin se ajo e vret lart, nga vështi i beut, sikur nuk jeton në fshat. Atëherë ishte në modë, merr një vajzë nga fshati se ato janë punëtore si mushka, të bindura dhe e respektojnë vjehrrin e vjehrrën, jo si këto vajzat e qyetet që u ka hipur mendja në majë të flokëve.
Vazelina ishte lindur e rritur e lirë, në mes të flladit të maleve, ngricave dhe bardhësisë së pafund të borës. Ashtu si ujët e kulluar të burimeve nën rrëke kishte edhe shpirtin e pastër qelibar. Aty ndihej si s’ka më mirë, në habitatin e vet natyral ku i kishin rënë kryet, ku ishte mëkëmbur e kishte belbëzuar për herë të parë.
9.
Unë prisja që Vazelina të më jepte përshtypjet për novelën “Lulet e mollës”, por ndryshe nga herët e tjera ajo heshti për një kohë të gjatë. Kishte lexuar “Konti i Monte Kristos”, dhe “Don Kishotin” së bashku me të ëmën. Këtë të fundit herë pas here e komentonin dhe qeshnin me lot me aventurat e kalorësit të vrerosur dhe marrëzitë e shqytarit të tij, Sanço Pança. Ndoshta novelën e kishin lënë për në fund, ashtu siç bëjmë për ëmbëlsirat. Nuk m’u durua, e pyeta pas gati dy muajsh se ç’bëhej me “Lulet e mollës”. Asaj iu mbushën sytë me lot. U hutova dhe kisha një parandjenjë të keqe.
– Çfarë ka ndodhur me librin? Nuk ke besim tek unë të më tregosh?! E ke humbur, ta kanë vjedhur? Ta ka marrë dikush tjetër hua e nuk po ta kthen?! – i fola me rrëmbim e nervozizëm.
– Asnjëra nga këto raste që ju përmendët nuk ka ndodhur, është diçka edhe më keq, edhe më e rëndë. Të lutem, do të më presësh edhe ca ditë dhe të betohem për kokën e nënës se do të tregoj çfarë çudie ka ndodhur me atë libër.
U habita, nuk prisja të tillë përgjigje. Nuk m’u durua, i thashë i nervozuar:
– Ne kemi zbritur së bashku në qytet, më ke shoqëruar në kinema, ke mbështetur kryet në supin tim dhe për librin nuk më ke treguar asgjë. Unë mendoj se jemi shumë miq. Kjo gjë mua më çmend. Ma mban sekret?! E kujt? Mua që ta solla atë libër nëpër borë e suferinë?!
– Të lutem, mos vazhdo më, mos më lëndo, po më vendos në pozitë të vështirë. Më kanë marrë firmën të mos tregoj. Janë njerëz të shtetit ata që ma kanë grabitur atë libër. Eh, ta dish ti, më ngjan sikur më kanë marrë një pjesë të shpirtit tim. Ma punuan keq, më dolën aty ku nuk e prisja. Këta janë të gjithë intrigantë, njerëz të llagëmeve, korba të natës.
– Nëse nuk më tregon, do të detyrohem të bisedoj me nënën tënde, – iu përgjigja prerë. Zhdukja e atij libri për mua ishte habi dhe enigmë. Nuk më shkoi ndërmend asnjë arsye pse dhe si u zhduk “Lulet e mollës”. Më habiti me përgjigjet e saj dhe iu zbraza me një frymë. I thashë i pizmosur:
– Do të dish të vërtetën? Më është lëkundur besimi për ty. Për tipin tim kjo gjë është shumë serioze. Unë, po e desha një njeri, e kam shumë vështirë ta nxjerr nga zemra!
– Pikërisht prej këtyre, me këto fjalë më dërrmon më shumë. E shoh që ke humbur besimin tek unë. Të betohem, nuk dua të mënjanoj miqësinë tënde aq të shtrenjtë për mua. Nëse do të largohesh, ta them me zemër, është gjëja më e rëndë që po më ndodh pas vdekjes së babait. Ta dish, do t’i bëj ndonjë gjë vetes. Më shumë më vret indiferenca jote. Përpara se të fle, në dash beso, në dash jo, unë dal në dritare, shikoj nga dhoma jote dhe uroj e mbytur në lotë «Natën e mirë, zemër“! Të lutem, do të më presësh edhe një javë, pastaj le të bëhet kiameti, do të tregoj çdo gjë, fijë e për pe, ashtu si është e vërteta.
Nuk u përmbajt më, aty, përpara syve të mi ia shkrepi vajit me ngashërime. I hidhej gjoksi përpjetë pa ndalur. Lotët i rrokulliseshin faqeve si sumbulla argjendi. Më erdhi keq për të, m’u dhimbs sa nuk kish ku të vinte më. Më mundi, më theu me sinqeritetin dhe brishtësinë e saj. Shikova rrotull, asnjeri, xhan-xhin. Zgjata duart, i mora kryet dhe ia mbështeta në gjoksin tim. Ndieja zemrën e saj si i rrihte me vrull. Duhet t’i jepja një rrugëzgjidhje këtij keqkuptimi banal, nëse ishte i tillë. Nuk doja që ai libër të bëhej shkak i shkatërrimit të miqësisë sonë të bukur. Ajo familje më shpëtoi jetën natën e borës së madhe. Kisha shumë detyrime ndaj saj. Ndihesha shumë borxhli. Mendova se dikush ia ka vjedhur ose marrë me mashtrim atë novelë. Me siguri e kanë vënë në be të mos më tregojë mua. Po nuk ishte ashtu si më punonte imagjinata ime. Ishte diçka tjetër. Nuhata se në këtë mes duhet të kishte një intrigë policore. Dikush nuk dëshironte që ajo të lexonte libra dashurie. Me kë të flisja? Kujt t’i merrja një mendim? Kujtova xha Abazin. Vendosa të bashkbisedoja me të. Vetëm atij mund t’i hapja zemrën. Ai kishte një virtyt të ndryshëm nga kuadrot e tjerë, i dëgjonte me vëmendje të rinjtë. Bashkëbisedonte me ta si i barabartë dhe i mbështeste më shumë se kushdo tjetër. Porta e shtëpisë së tij ishte gjithnjë e çelur për mua. I shkova në shtëpi dhe me një frymë i tregova shqetësimin tim.
– Nëse libri është në qarkullim, shitet në dyqan pa kufizim, do ta zgjidh unë. Vazhdo punën, ashtu si e ke nisur. E drejta vonon, por mënon. E drejta zhytet, por nuk mbytet na kanë thënë të parët tanë. Vras mëndjen kush ta ka bërë këtë dhjavoli, këtë djallëzi, këtë intrigë. Më vjen ndërmend se kjo familje ka një kushëri të parë që hiqet si kujdestar i tyre. Më shkon mendja se ai munafik ka dorë. Është letraxhi, na ka gjetur belaja me të. Ka shejtanin në bark, po ashtu e ka pasur edhe babën e tij. Nuk di në e ke marrë vesh, por edhe mua më kanë dërguar një inspektor nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe e di pse? Sepse ai edepsëz ka shkruar letra në Komitetin Qendror të Partisë se unë i paguaj barinjtë edhe kur janë me lejë në shtëpi.
Ishte hera e parë që më erdhi keq për Xha Abazin. Kisha respekt tej normales për të. Ishte një burrë njëzetëkatër karad flori. Atavizëm nga e kaluara, e quaja në mendjen time. Ai nuk pranonte asnjë kalli misri nga prona e përbashkët. Nga kuadrot e asaj kohe nuk kam njohur burrë më të mirë, të drejtë e të ndershëm. Nganjëherë ata lart e kritikonin publikisht për zbutje të luftës së klasave në fshat. Por ai u thoshte se po u aplikua lufta e klasave në mes të këtyre maleve e shtatë fiseve, nuk do mbetet njeri më këmbë, ashtu si jemi leksur e pleksur ne. Atëherë nuk do kem njeri të më shkojë çoban me dhën, pesë- gjashtë muaj larg familjes, larg gruas e fëmijëve. Kush e bën këtë?! Vetëm këta bij nënash, këta djem ezhdërha. Ne quhemi kooperativë blektorale. E ç’kemi ne në dorë? Çelësat e kashtës. Ta ketë të qartë Partia, ky popull nuk ka asgjë të fshehtë ndaj saj. As unë nuk kam urrejtje e rezerva për asnjërin, përveç njerit.
Me urtësinë dhe llogjikën e tij të hekurt, xha Abazi më qetësoi deri diku. Mendova ta diskutoja me Shorin, ndoshta ai kishte ndonjë ide tjetër. I tregova se çfarë kishte ndodhur me novelën “Lulet e mollës”. Ishte zhdukur si në përralla, si me magji. Dhe ai arsyetoi kështu:
– Aman dhe ti, je fiksuar pas librave. Këtu me katërshore e libra mbështjellin bukën kur shkojnë në punë të kooperativës. Sa lekë bën ai dreq libëri se ta gjej unë, të biesh rehat. Me siguri, kjo është punë sigurimi, është punë policie, kanë ndonjë dyshim. Na ka ndodhur ne në fshat, ca kohë më parë. I plotfuqishmi i policisë kishte raportuar se ne si krahinë ishim sevdallepsur me stacionet televizive greke që përhapnin ideologji imperialiste. Ne vërtetë shikonim këngë e valle popullore greke. Pas atij informacioni na gjeti belaja, na mbinë operativët e sigurimit në derë. Vendosëm të mos mbanim televizorë fare. Kush na raportonte, do të thuash ti?! Ia hidhnim fajin njeri-tjetrit. Jo spiun ti, jo spiun unë. Po ishte shumë e thjeshtë. Vetë antenat e aparateve televizivë që ishin kthyer në drejtim të Greqisë flisnin me gojë. I plotfuqishmi nuk u lodh shumë. I fotografoi dhe i dërgoi tek shefat e tij në Degë të Punëve të Brendëshme. Të siguroj se libri yt “Lulet e mollës” ka përfunduar pikërisht atje, në hije të mollës, si antenat e fshatit tonë. Vajzën e kanë kërcënuar të mos tregojë. Jam i sigurt. Nuk është e vështirë, libri futet në xhep. Mendoj se dikush nga të njohurit, ose farefisi i vajzës e ka përcjellë në polici. Mos i bën preson asaj të shkretës, por bisedo me nënën e saj. Aman, vetëm mos e dramatizo këtë histori se na bëre me hije edhe ne të tjerëve, më tha miku im minoritar duke e thjeshtëzuar hallin tim.
Shori e banalizoi situatën, futi dhe ca humor, ndoshta e bëri për të më qetësuar mua. Më shumë ia kisha frikën keqkuptimit. Mos dikush përpiqej për ta futur « Lulet e mollës » në librat e ndaluar?! Po sikur të hapnin fjalë se ky libër shkatërron moralin tonë komunist? Si do t’u përgjigjesha? Prita sa Lulëzimja të shkonte për ujë. E ndala te “Shtegu i verbër”. Ajo, pa u afruar mirë, më pyeti:
– Ç’ke që nxin ashtu si bragaç a të pastë mëma?! – I rashë drejt e drejt:
– Libri “Lulet e mollës” që i huajta Linës ka përfunduar në polici, në qytet.
– Lëre mos e pyet, ai libër na ka futur në siklet të madh, po ne nuk deshëm të të merakosim. Menduam ta zgjidhim vetë. Dy-tre herë që kam dërguar vajzën në qytet ka qenë sebepi i atij libri. E kërkoi në librari, por nuk e gjeti, i thanë ka mbaruar me kohë, e ka përpirë rinia gjimnaziste.
– Domethënë Lina ka qenë në qytet për atë libër tri herë me radhë?! Dhe nuk më tregoi mua edhe pse e bëmë rrugën së bashku?!
– Unë i thashë të mos të të tregonte. E kishim të keqen brenda shtëpisë sonë. Na takonte ne t’i jepnim dum kësaj meseleje. Ime motër mendonte se mos shkonte për të kërkuar burrë në qytet. Ajo e shkreta kërkonte vetëm një copë libër.
– Po mirë, po si u zhduk “Lulet e mollës” nga shtëpia juaj? E piu dheu?!
– Të thashë, e kishim të keqen brenda. E ke dëgjuar atë fjalën e urtë popullore “O balo të hëngërt tënja, e kemi të keqen brenda”. Ngjethem kur e kujtoj. Isha vetëm në shtëpi dhe më erdhi vizitë qoftëlargu, Qerimi, kushëri i parë i merhumit burrë. U hodhi një sy librave dhe pa pyetur, fshehu nën mëngë “Lulet e mollës”. Tinzar, i pabesë, siç është. Kur i plotfuqishmi e thirri fshehurazi Linën dhe i mori deklaratë se ku e kishte gjetur atë libër, ajo i tha se i ishte lutur Profesorit t’ia sillte nga qyteti. Profesori kishte shkuar vetë në librari, po nuk kishte gjetur asnjë kopje. Ishin shitur të gjitha. I solli librin e tij personal “Lulet e Mollës”. Mirë, i tha i plotfuqishmi, këto që më tregove mua, bëji me shkrim, firmosi dhe këtu jemi për ndonjë sqarim tjetër. Pastaj e la të lirë. Tani e mësove që është kushëriu në mes, ndaj asaj i vjen zor të ta thotë, nuk i shet aq kollaj njerëzit e saj, sidomos tani që i mungon i ati.
– Po pse nuk më tregoi?! E kisha zgjidhur me kohë këtë ngatërresë. Unë as kam bërë e as bëj të tilla gabime. Nuk i jap askujt libra të ndaluar që të fut ata dhe veten time në telashe. Thuaj Linës se e kam falur, le që ajo nuk ka asnjë faj. Unë nuk kam ndonjë pakënaqësi, motërz, shoqe e kisha, shoqe e kam.
– Dilna ndonjëherë nga shtëpia, – m’u lut ajo në ndarje e sipër – na mungon Profesor, më shumë i mungon vajzës sime. Nuk dua të plagoset kaq herët, është e re, e pamësuar me jetën. Ty yë ka si vëlla më të madh.
Interesant, po vrisja mendjen pse Vazelina kishte deklaruar tek i Plotfuqishmi i zonës se ma paskishte kërkuar vetë librin “Lulet e mollës”. Në të vërtetë ia kisha zgjedhur unë. E ndodhur para faktit të kryer, ajo ka menduar se ishte e vetmja mënyrë që unë të mos ngarkohesha me faj, edhe nëse libri ishte i shenjuar ndër titujt e ndaluar. Çudi, tri herë e mori gjithë atë rrugë të gjatë e me telashe për të zëvendësuar librin dhe nuk më tregoi, nuk më dha asnjë shenjë se ndodhej përballë një ngatërrese kaq të madhe. Unë, budallai nuk dyshova asnjë fije tek fjalët e saj. Vajzë e zgjuar, por edhe ca enigmatike. Në pamjen e parë të jepte të kuptoje se ishte vajzë e lirë, pa paragjykime, por ky fakti i fundit ishte domethënës dhe vërtetonte se ajo ishte me karakter të fortë.
10.
Kishte ardhur pranvera. Kodrat ishin çliruar nga dëbora e dimrit, por luginat ende zbardhnin dhe kodrat dukeshin si një çarçaf i bardhë, i grisur vende-vende. Dikush nga nxënësit kishte vendosur mbi tavolinën e mësuesve një tufë me manushaqe. Ishte si një rit i fshatrave malorë, një garë midis nxënësve, kush do të sillte i pari tufën me manushaqe. Në klasën time e kishte sjellë Nuria. Për ta falënderuar unë i thashë se duhet të jesh munduar shumë për t’i gjetur. Ajo u skuq në fytyrë, por një nga djemtë shpejtoi të përgjigjej në vend të saj:
– Jo, Profesor, nuk është munduar fare, i ka mbledhur në kopshtin e saj. Ajo e ka shtëpinë në breg, karshi diellit.
Për habi atë ditë unë gjeta manushaqe edhe në dhomën tonë të fjetjes. Nuk më durohej sa të vinte Shori e të merrja vesh kush i solli manushaqet.
– Janë për ty, – tha kolegu im duke më shkelur syrin, sa hodhi hapin e parë tek pragu i derës – i solli Luli, fqinja, në emër të bijës së saj. Kuptohet kush i ka mbledhur.
Nuk iu përgjigja, por ndijeva se më ishin skuqur faqet. Dihet, Luljeta nuk e ka shtëpinë karshi diellit. Kjo tufë manushaqesh duhet të kishte ardhur nga shumë larg. Ishte dhurata më e bukur me të cilat më përcillte Vazelina. Nuk e prisja. Ku i ka qëmtuar?! Duke ndjerë erën e tyre të këndshme, besova vërtet se kishte ardhur pranvera.
Nuk thonë kot se çfarë sjell dekika, nuk sjell moti. Xha Abazin e thirrën në Kryeministri dhe i komunikuan se ai emërohej përgjegjës sektori në një fermë të madhe blektorale në Sarandë. Megjithse do të shkonte me ngritje në detyrë dhe me një rrogë më të madhe shtetërore, ai nuk e priti mirë, por këtë ma tha vetëm mua. E kishin akuzuar për zbutje të luftës së klasave. E kishin goditur në pikën e tij më të dobët, dashurinë për vendlindjen dhe bashkfshatarët. Kishte përgatitur gjithë ato plane për transferimin dhe qytetërimin e kësaj zone malore, por “ata atje lart” ia dogjën letrat në duar. Për mua kjo lëvizje do të thoshte se edhe mua po më rrëshqiste dheu nën këmbë. Po ndahesha me një mik të mirë, të besës, plot përvojë jetësore dhe me njohje e lidhje me kuadro të rangut të lartë.
Po ku pyeste ndërrimi i stinës për hallet tona! Bari i njomë po shpërthente në brinja, kodra, rrëzë gurëve e në shpate kullotash. Fshati ishte i rrethuar nën tingujt e melodive të zileve e këmborëve. Kjo do të thoshte se dimri na kishte marrë të keqen. Manushaqet e reja nuk fshiheshin vetëm midis gurëve e në zgërbonja, por i gjeje ngado. Në këtë stinë, para syve tanë, çdo ditë ngjiteshin lart nëpër male kope të tëra me tufa delesh e dhish. Ato do të ishin aty gjer në vjeshtë kur niste shtegtimi drejt Bregdetit. Ishte ky një rit i përvitshëm. Pranvera po hynte pa pyetur në çdo shtëpi e vatër, edhe në dhomën tonë të banimit. Mirëpo së bashku me pranverën ndieja se në ajër, mbi kryet e mia varej një kërcënim i padukshëm. Mos vallë një apo disa po përpiqeshin të më klasifikonin ndër intelektualët që shpërndajnë djathtas e majtas ideologji revizioniste?! Ishin shtuar shumë “armiqtë e klasës punëtore”. Intuita më thoshte se gjithçka vërtitej rreth librit “Lulet e mollës”. Si u zhduk ashtu, sikur ta kishte përpirë dheu?! Ku ta dish, gjithçka mund të ndodhte në ato vite! Me ndihmën e xha Abazit isha regjstruar për të vazhduar Universitetin pa shkëputje nga puna. Në atë periudhë ky ishte sihariqi më i madh i jetës sime, shkolla e lartë. Këtë lajm fatndjellës e lidhja me tufën e manushaqeve që më dërgoi Vazelina. Mendoja se ato ishin një ogur i mirë për mua. Ëndërroja sikur sihariqi të ishte fshehur në atë tufë lulesh. Mendime flutrake, më saktë, djaloshare. Po ato ditë, pa pritur, postieri më solli fletë-thirrjen për ushatar. Nuk u dëshpërova si ca moshatarë të brezit tim. Lajmi u përhap si rrufe në gjithë fshatin. Kur hyra në klasën time të kujdestarisë, disa prej nxënësve po fshinin lotët, sidomos Nuria qante me ngashërime.
– Pa daleni, – u thashë, – nuk kam vdekur. Do kryej detyrën për mbrojtjen e Atdheut dhe do kthehem përsëri. Atëherë ju do të jeni dy vjet më të rritur. Doni të dini të vërtetën? Do kem kohë sa të duash për të studjuar për provimet e shkollës së lartë. Çdo e keqe ka një të mirë, kështu është e mpleksur kjo botë jallane.
– Profesor, na jep fjalën se do të kthehesh përsëri në fshatin tonë, – kumboi zëri i nxënësit më shkrtabiq të klasës. Buzëqesha.
Pas një jave duhet të ndërprisja marrëdhëniet me drejtorinë e kësaj shkolle. Nuk e dija që në shumicën e banorëve të atij fshati kisha krijuar aq shumë respekt e simpati. Shkaku i vërtetë nuk ishte puna pasionante si mësues, por modestia ime karakteristike dhe çiltërsia me të gjithë. U habita kur mësova se ishte bërë një listë ku për një javë rresht isha i ftuar për darkë tek disa familje. Në ato darka, ose davete, siç u thonin ata, mësova zakonet dhe nderimet e mikpritjes së tyre të lashtë dhe ritet e përcjelljes së ushtarit. Miku i ftuar në shtëpi ishte i shenjtë, i ri ose i vjetër në moshë. Ai ishte figura më e respektuar e trapezit. Ahengjet vazhdonin deri pas mesnate. Aty njoha humorin e hollë të tyre, këngëtarët virtuozë që improvizonin në çast bejte dhe burra që u peshonte fjala më shumë se gjithçka në botë.
– Unë nuk të ftoj dot se jemi akoma në zi, – më tha Lulëzimja me dhimbje. E vura re me kujdes, në fytyrë i shin shtuar rrudhat. Vazhdoi të hapë zemrën sikur të isha një i afërm i saj:
– E kisha vajzën fillikat dhe ti ma bëre me vëlla e shkuar vëllait. Nuk i pushon lotët e ngrata, i janë buhavitur sytë nga të qarët, që kur mori vesh se do na ikësh për fare. Pse na “tradhëtove”, o bir, të kemi dashur si djalin tonë?!
U trondita dhe një ‘aahh” më doli pa dashur nga thellësia e shpirtit. Ishin fjalë të sinqerta, fjalë zemre, fjalë që buronin nga shpirti i një nëne të vetmuar. Mbaj mend se iu përgjigja i prekur thellë, me një zë të përhumbur, si në ëndërra:
– Mos u mërzisni, nuk ishte në dorën time, mendoj se do të kthehem përsëri, – më shumë ishin fjalë ngushëlluese, për ta qetësuar edhe pse nuk e besoja as vetë se mund ta mbaja atë premtim. Thellë-thellë isha i gëzuar; do të kisha kohë të mjaftueshme të merrja provimet e shkollës së lartë. Kjo ishte ëndërra ime më e madhe e atyre viteve.
Ishte nata e fundit në atë fshat malor që më kishte hyrë aq shumë në zemër. Ajo ishte nata e Vazelinës, as këngë, as aheng, as trapez të mbushur me bollëk ushqimesh, por një natë pranverore me hënë dhe lule molle. Si në librin “Lulet e mollës”. Thuajse gjithë shtëpitë e fshatit në kopshtet e tyre kishin rrënjë molle. Vazelina kishte dy të tilla. Ishte koha kur kjo pemë e bekuar mbushet plot me lule të bardha. Ka periudhën e saj të nusërisë. Lulet shtohen dhe bora në mal paksohet. Midis dy mollëve ishte vendosur një gur i rëndë, i ndritur e i lëmuar nga që mbi të e zonja e shtëpisë lante e shtrydhte rrobat. Pikërisht mbi atë gur e gjeta Linën duke pritur. Guri ishte përballë dritares së dhomës së gjumit.
– Nuk më besohet që kjo është nata e fundit, – tha ajo duke psherëtirë.
– E di mamaja jote që unë jam këtu? – e pyeta me kureshtje.
– Po, e di dhe më ka dhënë leje të rrimë sa të duam e nëse do të kemi ftohtë, të marrim një shkorsë.
– Nuk besoj të jetë nevoja, – iu përgjigja unë – është natë e butë, e ngrohtë.
– T’i mbështes kryet mbi supin tënd?
– Edhe pyet. Këtu nuk jemi në kinema, nata është e jona.
Dhe në gjoks ndieva dy thithkat e gjinjve të saj të kërcyer. Ajo brenda një viti ishte rritur e kishte hedhur më shumë shtat se moshataret e saj. Nuk mund të them se ne nuk ishim të dashuruar. Në qiell u këput një yll, pastaj dhe një tjetër. Unë ngrita kryet për të ndjekur trajektoren e tij. Humbi pas malit, andej nga lind dielli. Fryu një puhizë e lehtë. Mbi qepallat e saj zbriti një petale nga lulet e mollës, pastaj një zinxhir i tërë petalesh.
– Molla po lidh kokrra, – tha ajo dhe me gishtërinjtë delikatë më ngjeshi lehtë një petale mbi buzë. Them se në ato momente të dy ëndërronim të ardhmen. Ndoshta ajo mendonte për vellon e nusërisë.
– Nuk më besohet që kjo është nata e fundit, – tha ajo dhe psherëtiu thellë në shpirt. Desha t’i prek faqet me mollëzat e gishtave, por dora m’u njom nga lotët e saj…
Perdja e dritares pëballë u lëkund dhe unë ndijeva se pas saj ishte e ëma. Kisha ndërmend ta puthja në buzë, por ngurova. Nuk di, papritmas më frenoi ajo perde që lëkundej përballë dhe më ngjau se shkroi në ajër fjalën Jo. Qëndruam gjatë, ashtu, të përqafuar midis qiellit të shkruar me yje argjendi dhe luleve të bardha të mollës.…
11.
Shërbimi ushtarak ishte krejt ndryshe nga jeta civile. Aty gjithçka duhej nisur nga fillimi. Bezdia më e madhe për rekrutët e rinj ishte nëpërkëmbja që u bënin nënoficerët. Ata nuk pyesnin fare çfarë arsimi ke, nga vjen dhe çfarë vlerash ke. Përgjonin rastin për të mbetur “zot” të repartit dhe jepnin urdhëra me vend e pavend; e vetmja gjë që më shpëtoi prej tyre ishte një shkrim imi që u botua në gazetën “Luftëtari”. Nga ky moment më veçuan nga të tjerët dhe më caktuan kujdestar në bibliotekën e repartit. Pikërisht aty ishte vendi im i preferuar, leximi i librave artistikë dhe përgatitja për provime. Herë pas here sillja ndërmend ish nxënësit e mi, shoqen time të ngushtë, Vazelinën, xha Abazin dhe gjithë ata njerëz bujarë e mikpritës, të zakonit dhe të besës. Me Shorin vazhdonim letërkëmbimet dhe prej tij e kisha si në pëllëmbë të dorës gjitha situatën, ngjarjet dhe të rejat e atij fshati malor të cilin e kisha fort për zemër. Në një nga letrat e tij Shori më shkroi se Vazelina kishte bërë namin në një konferencë rinie në rreth. Ajo kishte treguar historinë e saj si i “sekuestruan” veprën letrare “Lulet e mollës” dhe ia mbain ende peng në polici si libër i dyshuar që ishte kundër parimeve të socializmit. Ajo tha se ishte gati t’i shkruante udhëheqjes së lartë në Tiranë nëse nuk do t’i kthenin librin. Theksoi se “Lulet e mollës” shitej lirisht në librari shtetërore dhe ishte kudo në qarkullim. Pas fjalës së saj u tund Komiteti i Partisë dhe gjithë qyteti. Shumë trime dhe kurajoze kjo vajzë, shkruante ai. U morën masa të rrepta. Të plotfuqishmin e shkarkuan dhe librin ia kthyen Vazelinës menjëherë. Kushëriun e saj e demaskuan në një mbledhje fshati dhe ai nuk guxonte më të shkeltë në shtëpinë e Lulëzimes. Komitet i Partisë i rrethit reagoi me shpejtësi nga frika se mos kjo ngjarje mësohej “nga ata atje lart” dhe mund të publikohej në gazetë. Vazelinën e emëruan përgjegjëse kulture dhe e zgjodhën sekretare rinie në fshat. Vetëm për atë flitej në tërë rrethin. Emri i saj u bë i njohur në gjithë Jugun e Shqipërisë. U ndjeva krenar që e kisha pasur shoqe të ngushtë dhe ajo kishte mësuar diçka prej meje. Nuk kishte natë që të mos e sillja ndërmend. Më dilte përpara ngado, në ëndërra, duke udhëtuar, në lexime e gjer në provime. Reparti ushtrak ku kryeja ushtrinë ishte Elbasani, afër Tiranës ku unë shkoja për provimet e shkollës së lartë, gati në çdo tre-katër muaj. Detyra ime në kompani ishin llogaritjet e distancave në planshet. Mendja ime shkonte nga shkonte dhe kthehej përsëri tek Vazelina. Thurja lloj-lloj planesh se si do t’i propozoja për martesë; por do t’i vija një kusht, të vazhdonte shkollën e mesme dhe atë të lartë. Shpresoja të ma dëgjonte fjalën. Kishim rënë dakord që të mos më shkruante letra sepse mund të humbisnin, mund t’i hapte ndonjë tjetër dhe ato letra mund të përdoreshin nga dashakeqët si armë kundër nesh, ashtu si u veprua me “Lulet e mollës”.
Letra e fundit që më erdhi nga miku im minoritar, Shori, ishte shumë shqetësuese. Në fshat vërtitej një oficer i ri me origjinë nga krahina jonë, me shpatulla të ngrohta, siç thoshnin. Ai i kishte vënë syrin Vazelinës. Kishte shumë të afërt dhe të njohur të fisit të vajzës dhe nëpërmjet tyre bënte presion për fejesë. Jetonte e punonte në Tiranë. Premtonte se do ta mbante në pëllëmbë të dorës dhe mund të transferohej së bashku me të edhe e ëma. Isha i bindur se as e ëma dhe as Vazelina nuk e pëlqenin këtë fejesë. Pa kaluar shumë kohë më erdhi një tjetër letër rekomande nga Shori. Më shkruante se gjithçka mori fund. Ishte bërë darka e fejesës. Madje u shkrepën edhe armë afër mesnatës. E lexova disa herë atë letër dhe e ruaj edhe sot në arkivën time. Nuk u besoja atyre fjalëve. Isha i sigurt se zemra e Vazelinës ishte tek unë, brenda kraharorit tim dhe asgjëkundi tjetër. Por ky lajm i hodhi në erë të gjitha ëndërrat dhe planet e mia. Kjo kthesë e papriur më sëmboi në thellësi të shpirtit. Po përpiqesha ta harroja. Ju kushtova edhe më tepër provimeve të shkollës së lartë. Vitin e dytë komanda e repartit më propozoi të më mbanin në ushtri dhe të gradohesha oficer. Nuk pranova. Vazhdova bashkëpunimin me gazetën “Zëri i Rinisë”. Kryeredaktori ishte nga Jugu dhe kërkoi të më njihte nga afër. Ishte si bekim nga qielli kur pas një muaji ai më njoftoi se duhet të paraqitesha në punë si redaktor për faqen letrare. M’u kujtua Vazelina. Ja ku gjendesha në Tiranë, shumë afër saj. Ndoshta mund ta takoja ndonjë ditë. Si do ta justifikonte ndarjen dhe shkëputjen e papritur me mua?! Po si nuk u kjutua xhanëm të më kthente librin “Lulet e mollës”?
***
Edhe unë krijova familje dhe njeri pas tjetrit na lindën dy fëmijë. Jeta në gazetari rrjedh me shpejtësi skëterre. Isha me fat që ime shoqe ishte e përkushtuar ndaj fëmijëve dhe familjes. Asaj i ra barra e rëndë të kujdesej për gjithçka. Dalngadalë emri dhe figura e Vazelinës po tretej nga kujtesa ime. Dija se jetonte në një lagje periferike të Tiranës dhe kishte lindur vetëm një vajzë. Bashkshorti i saj, oficeri, thoshnin se çmendej për të, edhe pas njëzet vjetësh. Me ndryshimet demokratike, ai u çmobilizua nga ushtria dhe merrej me kambizëm tek ish Parlamenti i vjetër shqiptar. Kur kaloja për në punë, gati çdo mëngjes, e shihja duke gjuajtur klientë që ga trotuari. Gjithmonë mbante në duar një tufë kartmonedhash. Ndërkohë unë punoja në Televizionin Kombëtar. Ishte një punë e përafërt me gazetarinë, në mos e të njëjtës familje.
Papritur në zyrën time hyri me ngut një nga portierët dhe më njofton se ka ardhur një studente e cila kërkon me këmbëngulje t’ju njoftojë personalisht një lajm të rëndësishëm. “Përcille të hyjë”, i thashë duke paramenduar diçka të keqe. Dhe nuk isha gabuar. Kur hyri, gati m’u prenë fuqitë. Ishte një fytyrë shumë, shumë e njohur për mua, Vazelina e rinisë sime, vetëm flokët i kishte lidhur ndryshe, po ata sy, po ajo fytyrë, po ai kurm, po ato lëvizje. Si ishte e mundur?!
– Quhem Megan, – tha ajo – jam studente në gazetari. Vë re që u tronditët. Po, jam bija e Vazelinës, mikeshës tuaj të rinisë. M’i ka treguar të gjitha.
– Ti ke emrin e personazhit kryesor të librit “Lulet e mollës”. Si është Lina?
– Nuk ka më keq. Është e sëmurë, vuan nga leuçemia. Ka apo nuk ka dy muaj jetë.
– Çfarë po më thua kështu?! Ajo është e re, sa ka mbushur dyzetë vjeçe!
– Kërkon t’u takojë për herë të fundit.
Në grykë m’u mblodh një lëmsh i zi. Duhet të isha zbehur në fytyrë. Ndjeva që m’u prenë fuqitë dhe instiktivisht u ula në karrige. Nuk e dija as vetë që e doja aq shumë. U ligështova tepër. Duhet thënë se vajza i ngjante tepër, si dy pika uji. Në faqet e saj u rrokullisën ca sumbulla të arta loti. Nuk po e mblidhja dot veten.
– Po, do të vij menjëherë, tani. Ka tjetër njeri në shtëpi?
– Jo, është një grua që i shërben, por për pak ajo do jetë vetëm.
– Na udhëhiq. Prit të marr makinën e urgjencave.
Isha bërë i tëri tym. Në atë copë rrugë, si në një film me metrazh të shkurtër, i kujtova të gjitha; natën me borë, shfaqjen e Vitit të Ri, debatet për “Lulet e mollës”, për herë të fundit nata me yje, petale të bardha lulesh që na ranë përsipër si vello, mallëngjim, ngashërime dhe përqafime pa fund…
Ndalëm në një shtëpi të vogël dykatësh, diku afër Varrit të Bamit. Megi shtyu ngadalë derën e dhomës. Ulur në kolltuk, përballë u shfaq Lina, e zbehtë dhe e dobësuar, por ende e bukur.
– Afrohu, – më tha – se nuk ngrihem dot më këmbë.
– Sa ke që vuan? – e pyeta duke e përqafuar.
– Më shumë se gjashtë muaj.
– Unë të njoh si vajzë të guximshme dhe të fortë, nuk ka se si të të mposhtë ty sëmundja.
– Ti e di që nuk jam aq e fortë. Desha të të shoh për herë të fundit dhe të të kthej librin “Lulet e mollës”. Më fal për vonesën, por desha ta kisha unë këtë libër që më hapi sytë dhe bëra aq shumë luftë për të ma kthyer ata që ma grabitën tinëzisht.
– Ta kam falur, – i thashë me gjithë zemër e shpirt.
– Megan, – i thirri së bijës – kur të largohem nga kjo botë ma futni “Lulet e mollës” në arkivol.
– Çfarë thua kështu, Mami, ti je e fortë, do të rrosh gjatë…
– A.K. më merr në duar dhe më nxirr në dritare, dua të shoh trëndafilët si kanë çelur. I kam mbjellë me duart e mia. I kam sjellë nga shtëpia në fshat.
Unë e mora në duar dhe e afrova në dritare. Ishte e lehtë si një pupël. Me njerën dorë këputa një trëndafil të sapoçelë. E nuhati gjatë, pastaj vari kryet në supin tim, si atëherë kur ishim të rinj. I përkëdhela ëmbël flokët. Ishte si një gjysmë ëndërr. E mbajata ashtu një copë herë, pastaj e ula ngadalë në krevatin e saj. Ndoshta ishte lodhur dhe e zuri gjumi.
Fiks pas dy muajsh, aq sa kishte thënë mjeku, na la përgjithmonë. Megan e mbajti amanetin, ia kishte vënë në gji novelën “Lulet e mollës”.
Toronto -Tiranë, Shtator 2026.