Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Shumë gjëra harrohen, fotografitë mbesin…

—

Para disa kohësh, miku im i vjetër, doktor Arben Kavaja më tregoi një fotografi të klasës fillore në shkollën “10 korriku” të Tiranës, në qendër të kryeqytetit, me nënshkrimin 1963, shkollë ku pata mundësinë të rishoh dhe të njoh një pjesë të mirë të nxënësve me të cilët kemi mësuar dhe ku ende edhe sot dëgjoj zilen që na thërriste kur hynim nëpër klasa. Pallati ku banoja ishte në bulevardin “Stalin” dhe më duheshin rreth dyqind metra të shkoja çdo mëngjes në shkollë. Aty kishte bërë shkollën fillore dhe motra ime, Iliriana, më pas vëllai dhe shumë më vonë dy vajzat e mia. Një shkollë e ngulitur në kujtimet tona me oborrin e madh, pemët, murin e ulët të shkollës, muret me tulla të kuqe të shkollës dhe klasat e mbushura me zërat tona. Rishoh këtë fotografi dhe së pari sytë më mbeten tek imazhi i mësueses kujdestare Vlefta Paparisto, të cilën e adhuronim të gjithë. Ishte e bukur dhe fisnike, por dhe delikate në sjelljen e saj. Përballë është dera e brendëshme dhe me hekura e shkollës. Në rradhën e parë dalloj Jorgo Fështi dhe ngjitur me të Pranvera Qirjako që banonte po në bulevard mbi MAPO-n; në vazhdim Sheqeri…; Merita Demiri, Engjëllushe Zyberi; sipër saj, në rresht të dytë Lumturia, (prindërit e saj nuk i pamë asnjëherê pasi ata ishin në njê ambasadë dhe atëherë diplomatët nuk lejoheshin ti merrnin fëmijët – unë dhe Lad Bandilli e dashuronim në mënyrën tonë fëminore, si një grua e ardhshme e të dyve); në vazhdim Astrit Alimehmeti (Guga, siç i thërrisnim) Rruzhdi Topulli, i familjes së Cerçiz Topullit; Vladimir Tartari, Arben Kavaja, Ilir Balliu. Sipër tyre jam unë, më tutje Edi Dhimitri, Andon Nano (gjysma e zemrës time) … Në rreshtin e tretë djathtas Ilir Shehu, Aida Dobi dhe me majtas Pirro Nini e Arben Bakllamaja e mbrapa tij, në mes, Nexhat Pasholli i cili si dhe unë merrej me një koleksion pullash…

Shumë prej tyre ishin fëmijët e bulevardit “Stalin”, një bulevard që më nxiti të shkruaja librin me kujtimet e fëmijërisë “Fëmija i bulevardit Stalin”, një bulevard që lidhej me sheshin e qytetit 100 metra më tutje dhe ku janë zhvilluar ngjarjet e medha historike e zyrtare si betimi kur vdiq Stalini, vizita e Krushovit dhe mitingu, ardhja e Cu En Lai-t dhe mitingu e shumë ngjarjet të tjera të kohës totalitare. Disa emra i kam harruar dhe natyrisht s’mund ti mbaja mend të gjithë por ajo shkollë tashmë më shfaqet si një endërr.

Ja një fragment nga libri im “Fëmija i bulevardit Stalin”

Kur isha fëmijë, shikoja shumë ëndrra. Mbase kjo ndodhte ngaqë, kur isha fare i vogël, më jepnin hashash në formë çaji, çka sot na duket e habitshme dhe absurde. Në të vërtetë, isha një fëmijë që qaja shumë dhe një mikesha e mamasë i tha që të më jepnin hashash për të më qetësuar dhe ashtu u bë. Para se të flija, më jepnin çajin e hashashit. Në të vërtetë u qetësova dhe isha më i paqtë. Por, me kalimin e disa viteve, fillova të shikoja shumë ëndrra. Pothuajse çdo natë. Dhe më në fund kuptova se isha kthyer në një lloj somnambul. Një natë, afër agimit, isha ngritur nga shtrati, kisha dalë nga dera dhe kisha zbritur poshtë në oborr, ku rrija vetëm, ulur në një stol. Pastaj isha ngjitur lart. Kur kisha hyrë, mamaja kishte dëgjuar derën. Ishte ngritur dhe më kishte parë teksa futesha në shtrat.

“Ku ishe?” – më tha e shqetësuar.

“Dola”, – i thashë dhe pastaj u ktheva në krahun tjetër në shtrat.

Kur fillova klasën e parë të shkollës, mamaja më kishte blerë një çantë të bukur. Më dukej vetja si i madh dhe shkolla, shokët e rinj dhe mësuesja ishin një botë e re për mua. Kaluan disa muaj dhe, një mëngjes, më kishin gjetur duke fjetur para derës së mbyllur të shkollës. Ç’kishte ndodhur? Në të vërtetë, aty nga mesi i natës isha ngritur, kisha veshur rrobat e shkollës, një përparëse në ngjyrë të zezë dhe me jakë të bardhë, kisha marrë çantën që e kisha bërë gati që më parë dhe isha nisur ashtu, somnambul, për në shkollë. Kisha zbritur shkallët, kisha kaluar bulevardin e heshtur dhe bosh në anën tjetër, kisha marrë rrugicën që gjarpëronte dhe të çonte drejt e te shkolla “10 Korriku”, e cila mbante një emër të tillë për të kujtuar datën e formimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, më 10 korrik të vitit 1943. E pra, ashtu në gjumë, kisha ngjitur shkallët e shkollës, isha ulur para derës së mbyllur dhe po flija. Ashtu në gjumë, më kishte gjetur pastruesja e shkollës, e cila vinte e para për të hapur dyert dhe për të bërë pastrimin e mëngjesit. Sigurisht, ishte habitur kur kishte parë në atë orë të agimit një fëmijë të veshur për shkollë, që po flinte. Kush vallë e kishte sjellë? Ç’donte të thoshte kjo?

Kjo ishte një ngjarje e veçantë dhe prindërit u shqetësuan, por mua më dukej sikur s’kishte ndodhur ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Në fakt, edhe herë të tjera do të kisha episode të tilla të vogla dhe kjo sëmundje pushoi kur u rrita dhe kur shkova në gjimnaz. Shkolla “10 Korriku” ishte ndërtuar me tulla të kuqe. Në fasadë nuk ishte e suvatuar dhe tullat ishin lënë ashtu si dekoracion. Kishte një lloj strehe me çati me tjegulla të kuqe, një oborr të madh dhe klasa me hapësira të mëdha e tavane të larta. Aty kalova vitet e para të shkollës fillore. E kujtoj gjithnjë me mall mësuesen time me emrin e bukur Kornelia, e cila kishte mbaruar shkollën “Nëna Mbretëreshë” që para luftës. Ishte nëna e piktorit Edison Gjergo. Dhe ishte mjaft e duruar dhe e dashur me mua. Më donte shumë. Madje mbaj mend dhe shtëpinë e saj, aty kur merrje për nga Gastronomi dhe Hotel Internacional. Në të vërtetë, ishte koha kur isha bërë shumë çamarrok dhe nuk lija dy gurë bashkë.

Unë dhe Ladi, një shok i pallatit, me të cilin ishim në një klasë, donim të njëjtën vajzë të klasës sonë, e cila quhej Lumturi. Ishte një vajzë e heshtur dhe me flokë gështenjë, të lëshuar. Dukej tip i mbyllur dhe prindërit e saj nuk ndodheshin në Shqipëri, sepse shërbenin në një përfaqësi diplomatike. Por ajo na shikonte disi me frikë dhe nuk na afrohej, ndaj dhe, kur e kujtoj, më duket si Liza në botën e çudirave. Megjithatë, ne e donim dhe i shkonim mbrapa duke e ngacmuar. Madje, kur dilnim nga shkolla, rreth orës 12:00, kalonim rrugicën dhe, sa dilnim në bulevard, përballë kishim mapon industriale me veshmbathje dhe stofra. Njëherë, me Ladin, ndaluam para vitrinave, ku pamë një këmishë nate që e kishin nxjerrë si reklamë e po kështu një palë sutjena dhe të mbathura grash. Pasi i soditëm për disa çaste, unë i thashë shokut tim:

“Kur të martohemi, unë do të blej për të këtë këmishën e natës prej mëndafshi!”

Ndërkohë ai ma ktheu:

“Ndërsa unë do t’i blej sutjenat dhe mbathjet!”

Qeshëm të lumtur të dy.

“Po ku do ta vëmë në shtrat?”

“Në mesin tonë”, – ma kthehu ai. – “Unë, ajo dhe ti…”

Dhe ashtu, të lumtur, u larguam, pa menduar se kjo ishte një fantazi e tepruar për botën e të mëdhenjve.

Ashtu si Lumturia, edhe fëmijë të tjerë i kishin prindërit nëpër ambasadat shqiptare jashtë vendit. Atëherë diplomatëve iu ndalohej t’i merrnin fëmijët me vete, çka ishte një çmenduri më vete, pasi shkaktonte probleme psikologjike me mungesën e prindërve për një kohë të gjatë, që zgjaste katër apo pesë vjet. Pranë shkollës, te kthesa e rrugicës, ishte një ndërtesë dykatëshe, një lloj vile, e ndërtuar, me sa dukej, në fundin e viteve ’30, që shteti ua kishte marrë pronarëve dhe e kishte kthyer në një lloj konvikti për këta fëmijë që ishin pa prindër, për të cilët kujdeseshin njerëz të caktuar nga shteti. Mbaj mend që në klasë kisha atëherë edhe djalin e ambasadorit Lik Seiti, që e quanin Kastriot.

Në atë kohë ishte bërë zakon që fëmijët t’i pyesnin: “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” Ishte një pyetje që bëhej gjithnjë dhe, pa dyshim, prindërit u flisnin për profesionet që ata donin.

Po, më kujtohet. Është e çuditshme, por atëherë, kur më pyesnin, unë u përgjigjesha: “Montator!” Ndoshta ngaqë hipja majë çative të pallateve dhe më pëlqente të isha në lartësi. Atë kohë, nëpër rrugë e sheshe shikoje pankarta të mëdha me figura montatorësh nëpër skelat e ndërtimit. Ishte koha e ndërtimit të uzinave dhe fabrikave. Madje fjala “montator” më dukej diçka e madhe, ndoshta ngaqë ata njerëz ishin gjithnjë nëpër lartësitë e oxhaqeve dhe mua më dukeshin si njerëz qiellorë. Poshtë apartamentit tonë banonte familja Gjermeni. Ata kishin një djalë, Edmondin, i cili, kur u rrit, u bë mjek. Një ditë, kur babai i tij erdhi lart te ne, më pyeti:

“Çfarë do të bëhesh, kur të rritesh?”

Dhe unë menjëherë ia ktheva:

“Montator!”

Të gjithë qeshën. Por shpejt kjo ëndërr u shua tek unë.

Gjatë ditëve të shkollës, nga ora dhjetë e gjysmë kishim orarin e pushimit. Ashtu plot britma vërshonim të luanim në oborrin që gumëzhinte nga zërat tanë. Te porta afroheshin ambulantë të ndryshëm, herë një shitës akulloresh me kaushë, herë një që shiste mollë të lyera me një bojë të kuqe të sheqerosur, që ne u thoshim “molla të kuqe”, të cilat kishin një shkop druri poshtë për t’i mbajtur në dorë. Herë-herë shfaqej hallvaxhiu me një karrocë me dy rrota dhe shiste gurabije, hallva të prera dhe të forta shumë të ëmbla e me ngjyrë kafe të errët. Po kështu shiste edhe kallama sheqeri me ngjyra, të cilët na pëlqenin shumë, por duhej të kishe dhëmbë të fortë. Këto ishin prodhime karakteristike të zanatçinjve që më vonë do të zhdukeshin, meqë çdo gjë private u ndalua. Kur nuk kishim shkollë, të shtunave dhe të dielave, dilnim në oborr me një fetë buke në dorë, me sheqer përsipër dhe disa pika ujë që të mos binte sheqeri, por rrallëherë edhe me vaj ulliri. Ajo që na kënaqte ishte “paparja”, ai përshesh i të varfrit, me bukë të thatë të mbetur, ujë të nxehtë, kripë dhe ndonjëherë djathë. Ishte një përshesh që na ngrohte barkun. Prandaj quhej dhe “papare”, pasi nuk kushtonte, pra, ishte “pa pare”. Shpesh, gjatë dimrit, këmbët i kisha gjithnjë të lagura, meqë këpucët i prishja shpejt. Prindërit na i blinin një numër më të madh, për t’i pasur dhe një vit tjetër, por ashtu siç luanim ne, brenda gjashtë muajsh ato kishin marrë fund dhe këmbët ishin gjithnjë të lagura – këpucë me gojë të hapura, që më pas do t’i gjeja tek tregimet e Migjenit…