Bujar Skëndo: RIKTHEHEM KËTU PËR TË GJETUR COPËZA TË HUMBURA TË SHPIRTIT TIM
Gazetari, ambasadori dhe shkrimtari Bujar Skendo rikthehet ne Gjimnazin “Halim Xhalo” në Vlorë në një diskutim të romaneve të tij me nxënësit, mësuesit, shkrimtarë e pedagogë nga Tirana e Vlora…
E nderuar zonja Sonila Banushaj, drejtore e gjimnazit “Halim Xhelo”.
E nderuar zonja Adelina Brahimi, profesore e letërsisë në këtë gjimnaz.
Të nderuar miq profesorë e shkrimtarë Bardhosh Gaçe, Sadil Bejko, Çerçiz Loloçi, Delo Isufi, Eqerem Canaj…
Një përshëndetje e posaçme për nxënësit e gjimnazit tonë të famshëm të pranishëm në këtë diskutim.
Si një ishnxënës i këtij gjimnazi, u jam tepër mirënjohës dhe ju falenderoj për nderimin që po më bëni duke organizuar këtë diskutim për romanet e mia. Nuk është aspak e tepërt t’ju them se ndihem thellësisht i prekur nga kjo vizitë, gjithsesi e vonë, në gjimnazin tim. Dhe, po ashtu, nga diskutimi i ngrohtë, i veçantë, emocional dhe ndoshta më profesionali i organizuar për romanet e mia deri me sot.
Ka qenë ëndrra ime e fshehtë të rikthehem në gjimnazin tim të cilin nuk e kam harruar asnjëherë. Është si një rikthim për të gjetur copëza të humbura të shpirtit tim. Një takim me versionin tim më të pastër, më të shpenguar. Edhe tani me duket se ndiej fragmente zërash të dikurshëm nëpër korridore, zhurmën e pandryshuar nëpër shkallë, fjalë të mbetura prej kohesh diku në ajër. Kujtesa ime është rizgjuar në mijëra imazhe. Sepse gjimnazi nuk është thjesht godina. Gjimnazi është frymë e shenjtë. Këtu, te ky gjimnaz i mirënjohur nisi gjithçka e jetës sime. Përherë më është dukur se e kisha në anën time bekimin e tij të çmuar. Në ecjen time në jete, krahas këtij bekimi, kisha gjithashtu fatin tim. Sa më tepër punoja e studjoja aq më afër e ndieja praninë e tij. Kurse të shkruarin letërsi e kisha dhuratë nga natyra, nga Zoti im. Në këtë botë ku gjithçka bëhet asgjë nuk desha të largohesha menjëherë dhe tërësisht. Por, gjithashtu, do duhej të shkruaja diçka që ia vlente vërtet për t’u lexuar. Në të kundërt, duhej të bëja diçka që ia vlente më shumë se të shkruarit. Dhe kështu bëra. Më në fund i erdhi radha romaneve që, siç ka shkruar kritika e siç janë shprehur lexues të shumtë, ia vlejnë të lexohen.
I falenderoj të gjithë diskutantët për fjalët e mira që thanë për romanet e mia. Në mënyrë të veçantë, falenderoj nxënëset e talentuara që me diskutimet e tyre i dhanë freski dhe origjinalitet këtij diskutimi. Për shkrimtarin nuk ka lumturi më të madhe se të dëgjojë fjalë e mendime vlerësuese për letërsinë e tij. Kjo lumturi është e ngjashme me lumturinë e fshehtë që shkrimtari përjeton, ndërsa shkruan. Në mjegullën që e rrethon ai lumturohet nga gjetjet dhe format e shprehjes, nga zbulimet e interpretimet artistike. Ai shkruan në një gjendje të turbullt dhe shkon drejt një pike të panjohur. Kur del nga ajo mjegull, çuditërisht, ai ndien një palumturi të lodhshme. Sepse të shkruarit është mundim. Shkrimtari është i dënuar të punojë në një vetmi të thellë, në heshtje të plotë. Letërsia e vërtetë nuk lind nga lumturia. Natyrisht, përveç librave të socrealizmit.
Romanet e mia janë mospranim, janë pakënaqësi e shndërruar në art. Janë revoltë, zemërim nda të keqes, mëri ndaj më të keqes. Pikëllim e trishtim bashkë. Romanet e mia janë refuzim i diçkaje dhe dyshim në gjithçka.
Letërsia e mirë nuk është asnjëherë tërësisht e kuptueshme brenda një kohe të caktuar. Madje as nga kritika botërore. Ismail Kadare, shkrimtari ynë i vetëm gjenial, ankohej se edhe romani i tij më i mirë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i përkthyer në mbi dyzetë gjuhë të botës dhe për të cilin është shkruar shumë, nuk ishte kuptuar tërësisht. Sipas autorit tonë gjenial nuk ishin kuptuar shumë nga idetë e romanit. Por veprat e gjenive jetojnë disa ose shumë shekuj. Dhe çdo shekull, në varësi të udhëkryqeve të tij, zbulon ide të paidentifikuara me parë. Zbulon pikërisht ato ide që e mundojnë atë shekull, gjeneratat e tij. Pakuptueshmëria e shkrimtarit ka ngjashmëri me moskuptimin e femrave. Në këtë rivalitet shkrimtarit nuk i mbetet tjetër veçse t’i dojë ose të vuaj për rivalët e tij. Një rrugë e tretë do ishte t’i kthejë në personazhe të veprave të tij. Me fjalë të tjera, t’i bëjë të pavdekshme.
Shkrimtari është i vetmi që di të fshehtat e dikujt tjetër, di çfarë mendon e çfarë e mundon dikë, qoftë edhe i panjohur. Di frikërat, pengjet, ankthet, arritjet dhe dështimet, shpresat dhe pendesat e atij individi. Dhe kjo ndodh sepse shkrimtari është i vetmi që ruan sekretin e identifikimit me dikë tjetër. Thjesht i mjafton ta shndërrojë atë në personazh të librave të tij.
Dhe tani më lejoni t’u drejtohem nxënësve që shkëlqyen në diskutimet e tyre, atyre që më mirë se kushdo tjetër e dinë se si është të jesh gjimnazist, ç’vite të shkujdesura përjetojnë, çfarë shpengimi ndiejnë brenda vetes, çfarë kujtimesh shkruajnë së bashku. Janë të tëra këto çaste që do i ruani nëpër vite po aq të çiltëra sa ju vetë jeni tani. Ju i takoni Gjeneratës Z, gjeneratës që u rrit me smartphonë e media sociale, me ekranet me prekje dhe së fundi me Inteligjencën Artificiale. Jeni pa dyshim me shumë fat, por edhe me rreziqe, në pamje të parë joshëse, intriguese. Me kohë do kuptoni se në jetë asgjë nuk është e mjaftueshme, madje as jeta vetë. Do tronditeni kur të takoni njerëz që i tmerron drita. Dhe, ndoshta, do buzëqeshni hidhur sepse do kujtoni shembëlltyrën tuaj të dikurshme të gjimnazit dhe frikën tuaj të natyrshme nga errësira. Një frikë e çiltër si vetja juaj.
Dhe nëse ndonjë prej jush ëndërron të bëhet shkrimtar le të lexojë qysh tani letërsi të mirë dhe shumë të mirë. Kështu do mësojë shumë sekrete të të shkruarit. Dhe, po ashtu, do mësojë të mendojë të pamenduarën. Derisa një ditë do zbulojë se ka rënë në dashuri me të shkruarin. Dhe pa e kuptuar do e gjejë veten të ulur përpara kompjuterit. Por pa e ditur se çfarë do shkruajë. Cila do jetë fjalia e parë. Nuk do e dish dot. Por nuk ka asgjë fatale në këtë mosdije. Nis të shkruash atë që të shqetëson, atë që ke frikë, atë që ke dashur t’a thuash, por nuk ke guxuar. Të shkruarit është fiçka e ngjashme me tregimin e një ëndërre. Pra mos ndalo se treguari ëndërra…
Ju falenderoj nga zemra të gjithëve!
23 shtator 2026.