Kanadezja Anne Carson fiton Nobelin në Letërsi për vitin 2026
Akademia Suedeze ka shpallur sot, më 8 tetor 2026, fituesen e Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2026, duke ia akorduar këtë vlerësim autores, poetes dhe përkthyeses kanadeze Anne Carson.
Sipas motivacionit zyrtar, çmimi i është dhënë “për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.
E lindur në Toronto të Kanadasë në vitin 1950, Anne Carson është një autore që ka ndërtuar një profil unik në letërsinë botërore, duke bashkuar poezinë, përkthimin dhe mësimdhënien në universitete të ndryshme. Ajo përfundoi studimet në Letërsinë Klasike dhe doktoraturën në këtë fushë, ndërsa gjatë karrierës së saj ka dhënë mësim në universitete të ndryshme në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1981 ajo botoi tezën e doktoraturës “Odi et Amo Ergo Sum”, ndërsa më pas tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare me librin: “Eros the Bittersweet”, një studim mbi dëshirën dhe poezinë në traditën greke antike.
Përpara Nobelit, ajo ishte nderuar me një sërë çmimesh prestigjioze ndërkombëtare, ndër to Fellowship-in MacArthur, Fellowship-in Guggenheim, Çmimin T.S. Eliot, Griffin Poetry Prize, si dhe PEN/Nabokov Award.
Anne Carson konsiderohet një nga zërat më origjinalë të letërsisë së sotme në gjuhën angleze. Në krijimtarinë e saj ajo ndërthur poezinë, përkthimin dhe studimet klasike, duke eksploruar marrëdhëniet mes gjuhës, kujtesës, mitit dhe përvojës njerëzore.
Akademia Suedeze vlerësoi aftësinë e saj për të krijuar forma të reja shprehjeje letrare, duke vendosur në dialog trashëgiminë e antikitetit me ndjeshmëritë e kohës sonë.
Ndër veprat më të njohura të Carson është “Autobiography of Red”, një vepër që dëshmon aftësinë e saj për të aktualizuar traditën letrare klasike. Ndër veprat e saj të tjera përfshihen “The Glass Essay”, “Irony and God” dhe vepra të tjera që kanë zgjeruar kufijtë tradicionalë të zhanreve letrare.
Me këtë çmim, Anne Carson i bashkohet galerisë së laureatëve të Nobelit në Letërsi, një nga vlerësimet më prestigjioze në botën e kulturës dhe arteve.